PËRGJIGJET PËR DËSHMITARËT E JEHOVAIT
nga
Mike Brown
Korçë, maj 1995

PËRMBAJTJA

Hyrje

1-Historia e sektit Dëshmitarët e Jehovait

...........................................2

2-Profecitë false të DJ-ve 

...........................................4

3-Bibla në përkthimin Bota e Re

...........................................8

4-Hyjësia e Krishtit

..........................................12

5-Fryma e Shenjtë është Person Hyjnor

..........................................19

6-Trinia 

..........................................22

7-Emrat e Perëndisë në Bibël

..........................................25

8-Emri i Jezusit në librin e Veprave

..........................................28

9-Rinjgjallja trupore e Krishtit

..........................................31

10-Shpëtimi në sajë të hirit dhe të shpallurit të drejte me anë të besimit

..........................................38

11-A mund ta adhurojmë e t'i lutemi Jezusit? 

..........................................43

12-A do të jemi të vetëdijshëm pasi të vdesim?

..........................................45

13-Vetëm 144.000?

..........................................52

14-Po Ferri?

..........................................57

 

HYRJE

Ky libër është shkruar që t’u japë lexuesve njohuri me të cilat t’i kuptojnë doktrinat e gabuara që propagandohen prej sektit Dëshmitarët e Jehovait. Shumë besimtarë të vërtetë në mbarë botën, ose nga mosnjohja e doktrinave të Biblës për arsye të mungesës së mësimit, ose nga mosnjohja e doktrinave të DJ-ve dhe burimeve të këtyre doktrinave, kur takojnë DJ-të (që në dukje e njohin shumë mirë Biblën e tyre dhe mund të citojnë edhe vargje fjalë për fjalë), çoroditen dhe, gjithashtu, nuk dinë përgjigjet e duhura që t’u japin atyre.

Po qe se një besimtar e njeh mirë Biblën dhe mësimet e saj të vërteta doktrinale, nuk e ka të vështirë të kuptojë ku e kanë gabimin DJ-të. Vërtet, ky është një parim që duhet të mbahet parasysh në analizën që u bëhet të gjitha sekteve që japin mësime doktrinale të rreme. Mënyra më e mirë për të dalluar një kartmonedhë false nuk është të shohësh gjithmonë të falsifikuarat, por të dish mirë se si janë në realitet kartmonedhat e vërteta. Në këtë mënyrë, kur del kartmonedha false, është e lehtë ta dallosh dhe të shohësh se ku qëndron falsifikimi. Kështu, në këtë libër, përveç një analize të mësimeve false të këtij sekti, do të shqyrtojmë edhe mësimet e vërteta doktrinale që Bibla na jep mbi po këto pika.

Shpresoj, atëherë, që lexuesit e këtij libri të pajisen me informacionet e nevojshme bazë që do t’i ndihmojë kur të takojnë dëshmitarët e Jehovait. E di mjaft mirë që ka disa aspekte që kanë të bëjnë me DJ-të, të cilat nuk janë trajtuar në këtë libër. Ndoshta në botimet e ardhshme të këtij libri mund t’i shtohen edhe kapituj të tjerë. Nëse lexuesit do të kenë sugjerime me vlerë do t’i shqyrtoja ato me gjithë qejf.

E falenderoj organizatën Reachout Trust që më lejoi t’i përdor materialet e tyre në këtë përkthim.

Mike Brown, Korçë, maj 1995

Shpjegim

Në këtë libër, për arsye të përsëritjes së nevojshme dhe të herëpashershme të disa fjalëve të veçanta, kemi përdorur këto shkurtime:

Dhiata e Vjetër   DhV-ja

Dëshmitarët e Jehovait         DJ-të

Dhiata e Re        DhR-ja

Përkthimi i Biblës Bota e Re    BR-ja

Të gjitha citimet nga Bibla në gjuhën shqipe janë marrë nga versioni Diodati i Ri, botuar në vitin 1994. Të gjitha citimet nga BR-ja, përkthyer nga anglishtja në shqip në këtë libër, janë marrë nga botimi i vitit 1961.

1
HISTORIA E SEKTIT DËSHMITARËT E JEHOVAIT

Sekti Dëshmitarët e Jehovait është një sekt relativisht i ri, meqë ka nisur nga fundi i shekullit të 19-të. Ai nuk është pjesë e Krishterimit të rrjedhës kryesore, duke qenë kështu, siç e quajmë, një sekt i rremë, d.m.th. një grup që ndjek mësimet e një personi apo disa personave të veçantë dhe që mohon shumë nga mësimet kryesore të Biblës.

Njeriu që themeloi këtë sekt ishte Çarlz Teiz Rasëll (Charles Taze Russell) i cili lindi në vitin 1852 në Pensilvani të ShBA-së. Ai u rrit si një frekuentues i kishës, por e pati shumë problem të pranonte shumë nga mësimet e kishës, p.sh. hyjësinë e Krishtit. Kështu pas adoleshencës së tij, në rininë e hershme, ai ishte i zhgënjyer për sa i përkiste kishës.

Gjatë kësaj kohe ai u njoh me një grup adventistësh në Amerikë të cilët, gjithashtu, mohonin doktrina të caktuara të Biblës dhe që kishin bërë profecira (të rreme) rreth Ardhjes së Dytë të Krishtit, p.sh. se Ai do të kthehej në vitin 1843. Rasëlli u mrekullua me fushën e eskatologjisë, d.m.th. me studimin e ngjarjeve që do të ndodhin në fund të botës siç na i parathotë Bibla. Pa dyshim kjo është edhe arsyeja pse shumë nga mësimet e sektit të DJ-ve dominohen prej eskatologjisë.

Rasëlli u bë një mësues, me popullaritet gjithnjë e më të madh, i këtyre doktrinave dhe më së fundi formoi një organizatë që u quajt Shoqata Ndërkombëtare e Studentëve të Biblës (The International Bible Students’ Association). Ai formoi gjithashtu një nëndegë botuese të quajtur Shoqëria e Trakteve Kulla e Rojës e Sionit (Zion’s Watchtower Tract Society), e cila botonte revista të ndryshme, p.sh. Agimi i Mijëvjeçarit (Millennial Dawn) dhe Studime në Shkrimet (Studies in the Scriptures).

Më 1886, ai botoi një libër të quajtur Plani Hyjnor i Epokave (The Divine Plan of the Ages) në të cilin parashikonte se beteja e Amargedonit (që do ta tregojë fundin e kësaj epoke) do të zhvillohej më 1914 dhe se atëherë do të fillonte Mbretëria Mijëvjeçare e Krishtit mbi Tokë. Ai mësonte gjithashtu se "kohët e fundit" filluan më 1799 dhe se Prania e Dytë e Krishtit kishte filluar më 1874. Më pas, kur Amargedoni nuk ndodhi më 1914, ai i ndryshoi vitet. Në vitin 1906, ai u divorcua prej gruas dhe vdiq më 1916, pasi kishte parë se profecitë e tij kishin dështuar.

Pasuesi që u bë udhëheqës i këtij grupi tashmë në rritje quhej Xhozef Radhërford (Joseph Rutherford). Ai i mori dhe i ndryshoi mësimet e Rasëllit, duke bërë përsëri profecinë e rreme se Amargedoni do të ndodhte më 1918, pastaj më 1925. Ai bëri gjithashtu profecinë e rreme se disa njerëz të Perëndisë nga DhV-ja do të ringjalleshin për të drejtuar Mbretërinë e Perëndisë pas 1925-ës. Bile më 1929 ndërtoi një shtëpi në Kaliforni në të cilën do të mundë të banonin ata! Profecia e tij natyrisht që dështoi. Radhërfordi bashkoi në një "kishat" e grupit me organizatën botuese. Këtë bashkim e quajtën Dëshmitarët e Jehovait, emër të cilin e ka edhe deri më sot.

Pas vdekjes së Radhërfordit, më 1942, udhëheqës i tyre u bë Nejthën Nori (Nathan Knorr). Ngjarja kryesore nën mbretërimin e tij ishte mbikqyrja e përfundimit dhe botimit të përkthimit Bota e Re (BR), versionit të Biblës së DJ-ve, që doli për herë të parë në vitin 1950. Tashmë është zbuluar se vetëm një nga të katër anëtarët e komisionit që nxori në dritë BR-në kishte një farë njohurie të hebraishtes dhe greqishtes. Ky njeri ishte Frederik Franc (Frederick Franz), i cili kishte studjuar greqishten për dy vjet në Universitetin e Çinçinatit, ndërsa hebraishten e kishte studjuar vetiu. Ai u bë udhëheqësi i DJ-ve në vitin 1977.

Më 1966, Franci kishte nxjerrë një libër me titullin Jeta e Përjetshme në Lirinë e Bijve të Perëndisë (Life Everlasting in the Freedom of the Sons of God), ku parashikonte se Amargedoni dhe vendosja e dukshme e Mbretërisë së Krishtit mbi Tokë do të fillonin më 1975. Shumë DJ-të e besuan këtë profeci të rreme, bile shitën edhe shtëpitë e pronat e tyre duke pritur këtë gjë dhe, natyrisht, që mbetën të zhgënjyer kur panë se kjo nuk ndodhi. Pavarësisht nga zhgënjimi që pësuan shumë prej DJ-ve në atë kohë, udhëheqësit e mbuluan këtë profeci të rreme dhe e justifikuan mosplotësimin e saj.

Sekti i DJ-ve vazhdon të rritet edhe sot. Ata i propagandojnë mësimet e tyre kryesisht duke shitur ose shpërndarë kopje të revistës së tyre Kulla e Rojës e cila ka një tirazh mujor prej miliona kopjesh në gjuhë të ndryshme. DJ-të i propagandojnë mësimet e tyre të rreme në më shumë se 200 vende anembanë botës dhe totali i anëtarësisë së tyre pohohet se tashmë i ka kaluar 4 milionët. Revistat e tyre përkthehen në shumë gjuhë. Thuhet se ata janë botuesi privat më i madh në botë, meqë ka shtypur më shumë se një miliard copë literature qysh prej vitit 1920. Trupi udhëheqës e drejton sektin nga qendra e përgjithshme e tyre, që ndodhet në Bruklin të Nju Jorkut.

2
PROFECITË FALSE TË DJ-VE

Është një fakt trishtues që shumica e DJ-ve mbeten duke mos e njohur historinë e sektit të vet. Kur pyeten për historinë e sektit, ata dinë shumë pak ose aspak, dinë vetëm ç’u kanë thënë udhëheqësit e tyre dhe emrat e udhëheqësve të hershëm, si p.sh. Rasëlli dhe Radhërfordi. Ata bile as që nxiten nga drejtuesit e tyre për t’i shqyrtuar këto gjëra.

Kur studjojmë objektivisht historinë e sektit të DJ-ve, siç e pamë edhe në kapitullin 1, shohim se udhëheqësit e sektit në raste të ndryshme bënë profeci të rreme për Ardhjen e Dytë të Krishtit, Armagedonin si dhe për gjëra të tjera. Sa keq që DJ-të e zakonshëm nuk dinë asgjë për këto profeci false bërë prej udhëheqësve të tyre. Ato mbulohen sikur të mos kenë ndodhur fare dhe sikur të mos jenë të rëndësishme. Dhe kjo, pavarësisht nga fakti që mijëra DJ-ë i besuan këto profeci në ato kohë dhe pastaj pësuan zhgënjimin. Dhe për ata DJ-ë që e kuptuan se profecitë ishin false, nuk mbetet vetëm të pyesësh se si mund të qëndronin akoma në këtë sekt kur e dinin se ishin mashtruar.

Interpretim dhe ekzegjezë (shpjegim) false

Çështja e interpretimit biblik është shumë e rëndësishme. Nganjëherë është shumë kollaj që në Bibël të gjejmë një bazë për të mbështetur një mësim tonin thjesht duke marrë një varg të shkëputur nga konteksti dhe duke e lidhur atë me një varg tjetër marrë nga një pjesë tjetër e Biblës, edhe ky i shkëputur prej kontekstit në të cilin është përdorur, dhe, duke i bashkuar të dyja këto pasazhe mund të krijojmë një doktrinë të re që nuk ka të bëjë fare me vargjet që kemi përdorur, të marra siç janë në kontekstet e duhura. Ashtu siç ka thënë dikush: "është shumë e lehtë ta bësh Biblën të thotë çfarëdo që ne duam që ajo të thotë".

Ky është problemi që kanë DJ-të. Ata mbështetin kaq shumë nga mësimet e tyre në vargje të shkëputura të Biblës, vargje të nxjerra jashtë kontekstit e situatës në të cilën janë përdorur në Bibël. Dhe vërtet, dikush ka llogaritur se gjithsej DJ-të, në botimet e tyre, citojnë vetëm 6.5% të vargjeve të Biblës! Por për njeriun që ka pak apo aspak njohuri për Biblën, argumentimet e DJ-ve mund të duken kaq bindëse pasi ata citojnë "kaq shumë" nga Bibla.

Një nga librat e tyre më të preferuar është libri i Danielit, një tjetër është ai i Zbulesës. Ashtu si kemi thënë edhe në një kapitull tjetër, ata harxhojnë kaq e kaq shumë kohë duke folur vetëm për ngjarjet eskatologjike d.m.th. për ato që kanë të bëjnë me Ardhjen e Dytë të Krishtit dhe për ato ngjarje që lidhen me të si beteja e Armagedonit dhe Mijëvjeçari. Ata u kushtohen kaq shumë këtyre pasazheve e këtyre profecive dhe herë pas here përpiqen t’i interpretojnë në një mënyrë të tillë që të zbulojnë e të dinë se kur do të vijë përsëri Krishti.

Kur flet me DJ-të, habitesh kur sheh se sa shpesh ata u referohen këtyre librave të Biblës dhe të bën shumë përshtypje filli i tyre i interpretimit, pothuaj si një labirint i ngatërruar. është një lëmsh! Dhe vërtet, janë të gabuara pikat nga nisin disa nga argumentimet që çojnë në idetë e tyre. Për shembull, disa nga parashikimet e tyre bazohen në faktin se ata thonë që tempulli çifut në Jeruzalem u shkatërrua prej babilonasve në vitin 607 P.K. (shih librin e tyre Ti mund të jetosh përgjithmonë në parajsë mbi Tokë, botim i vitit 1993, faqe 139), kur në fakt nuk është kështu. Megjithëse Jeruzalemi u sulmua në vitin 607 P.K., tempulli nuk u shkatërrua deri në vitin 587 P.K., pra 20 vjet më vonë. Kështu që duhet të jemi shumë të kujdesshëm kur dëgjojmë argumentimet e tyre - ato mund të tingëllojnë bindëse për njeriun që nuk e njeh Biblën, por në fakt ato mund edhe të mos bazohen në asnjë fakt historik!

Disa shembuj profecish të rreme prej tyre

Në kapitullin 1, mbi historinë e DJ-ve, përmendëm disa nga profecitë false bërë nga udhëheqësit e sektit të DJ-ve gjatë historisë së tyre. Ndoshta më i njohuri nga parashikimet e rreme të sektit të DJ-ve, bërë nga Rasëlli, është ai që thotë se Armagedoni do të ndodhte në vitin 1914 dhe se Krishti do të kthehej atëherë. Kjo do të ishte, sipas tyre, fillimi i futjes së Mbretërise së Perëndisë mbi Tokë. Edhe pse më vonë e pranuan që parashikimet e tyre nuk iu dolën, ata akoma thonë se në 1914-ën filloi Parousia (Ardhja apo Prezenca) e Dytë e Krishtit. Në librin e tyre Lajmi i mirë i cili na bën të lumtur, botuar në Beograd më 1983, ata thonë: "...Jehova më 1914 e ka marrë pushtetin dhe përmes mbretërisë së Krishtit ka filluar të mbretërojë mbi Tokë", dhe "...Dëshmitarët e Jehovës nga 1914-ta në mbarë Tokën kanë lajmëruar se mbretëria e Krishtit është e pranishme" (faqet 162, 163).

Ata thonë se Ardhja e Dytë e Krishtit do të jetë e padukshme: "ai vjen...dhe prandaj është i padukshëm...", "kthimi i tij do të ishte i padukshëm" dhe "Kthimi i Krishtit është i padukshëm" (Ti mund të jetosh përgjithmonë në parajsë mbi Tokë, fq. 143, 146, 147). DJ-të kanë një pikëpamje të gabuar për Ardhjen e Dytë të Krishtit. Bibla na mëson qartë se Ardhja e Tij do të jetë e dukshme (shih më poshtë).

Një profeci tjetër e tyre false, e cila njihet mirë, është ajo që u bë nga Radhërfordi në fillimet e shekullit të 20-të. Ajo kishte të bënte me atë që Mbretëria e Krishtit do të vendosej në Tokë më 1925 dhe se disa patriarkë të DhV-së (Abrahami, Isaku, Jakobi dhe të tjerë) do të ringjalleshin në këtë kohë për t’u bërë udhëhëqësit e Mbretërisë. Kur data e supozuar prej tij për Ardhjen dhe ringjalljen erdhi e iku dhe kur nuk u pa të ndodhte ndonjë nga këto gjëra, këta zëra heshtën dhe çdo gjë u mbulua. Radhërfordi arriti deri atje sa të ndërtonte në San Diego të Kalifornisë një shtëpi të veçantë që e quajti Beth Sarim, shtëpi në të cilën ata do të banonin. Por, së fundi, kur ata nuk u shfaqën, vetë Radhërfordi shkoi të banonte në shtëpinë e veçantë që kishte ndërtuar dhe e përdori atë si të tijën!

Profecia më e fundit false e një natyre të tillë madhore, që u bë prej sektit të DJ-ve, kishte të bënte me mësimin se Armagedoni dhe fillimi i Mbretërisë Mijëvjeçare të Krishtit do të ndodhte në vitin 1975. Kjo është një profeci që flet për një kohë kaq të vonë sa DJ-të natyrisht që duhet të dinë diçka rreth saj. Ndoshta mund ta kuptojmë që DJ-të mund të mos dinë për profecitë false të Rasëllit në shekullin e 19-të, por nuk ka arsye pse ata të mos dinë rreth profecisë për 1975-ën, sidomos nëse kanë qenë DJ-ë në atë kohë. Por, kur flet me DJ-të, zbulon se shumë pak prej tyre dinë për ato që u thanë prej sektit të tyre në atë kohë. Gjithçka është mbuluar në një mënyrë të tillë që ata të mos dinë e mos zbulojnë gjë.

Fjalët e qarta të Shkrimeve

Në mësimin eskatologjik të Tij të cilin e dha javën para Kryqëzimit, Jezui e bëri më se të qartë se ASKUSH nuk do ta dijë kohën e Ardhjes së Tij të Dytë. Lexo se ç’thotë Ai te Mateu 24:36: "Tani sa për atë ditë dhe për atë orë, askush s’e di, as engjëjt e qiejve, por vetëm Ati im". Asgjë nuk mund të jetë më e qartë se kjo! Kjo është një deklaratë e pastër dhe e qartë që bëhet lidhur me këtë çështje. Lexo edhe te Veprat 1:7: "Nuk ju takon juve të dini kohët dhe momentet e përshtatshme, që ka përcaktuar Ati me autoritetin e vet".

Apostull Gjoni, tek Zbulesa 1:7, bën një deklaratë tjetër të qartë d.m.th. që Ardhja e Dytë e Krishtit do të jetë diçka E DUKSHME, e parë nga të gjithë, çdo sy do ta shohë Atë. Ajo nuk do të jetë diçka e fshehtë apo e padukshme, por do të shihet qartë prej të gjithëve. Gjithashtu, te Mateu 24:30 Jezui tha se shenja e Birit të Njeriut do të shfaqet në qiell dhe se gjithë kombet do të shohin Birin e Njeriut duke ardhur.

Cili duhet të jetë qëndrimi ynë?

Në gjithë këtë çështje të eskatologjisë dhe profecisë do t’u rekomandonim besimtarëve të mbanin të njëjtin qëndrim që edhe vetë apostull Pjetri mbajti në lidhje me shkrimet e Palit: "...sikurse ju ka shkruar edhe vëllai ynë i dashur Pal, sipas diturisë që iu dha; ashtu bën ai në të gjitha letrat e tij, ku flet për këto gjëra. Në to ka disa gjëra të vështira për t’u kuptuar, të cilat të paditurit dhe të paqëndrueshmit i shtrembërojnë, sikurse bëjnë me Shkrimet e tjera, për përhumbjen e tyre" (2 Pjetri 3:15-16).

Madje edhe i madhi apostull Pjetër pa se kishte gjëra në Bibël që ishin të vështira për t’u kuptuar. Ai nuk pretendoi se dinte dhe kuptonte gjithçka edhe pse ishte apostull. Ai e pranoi se Fjala e Perëndisë ishte më e madhe se ai vetë! Nevojitet që edhe ne të kemi të njëjtin qëndrim. Gjithmonë do të ketë gjëra që nuk do t’i kuptojmë në Fjalën e Perëndisë. Askush prej nesh nuk ka arritur deri atje sa të ketë kuptuar gjithçka. Nevojitet të kemi një qëndrim të përulur. Në qoftë se mendojmë se i kemi gjetur dhe i dimë gjithë përgjigjet, në realitet tregojmë vetëm arrogancën tonë dhe faktin se sa injorantë jemi në të vërtetë! Dhe këtë lloj njerëzish na e përshkruan edhe Pjetri - ata i shtrembërojnë Shkrimet, për përhumbjen e tyre!

Profetët e rremë në DhV-në

Nuk është diçka e lehtë të profetizosh. Kjo është diçka që udhëheqësit e DJ-ve duket se e kanë harruar. Të jesh profet dhe zëdhënës i Perëndisë është një përgjegjësi tepër e madhe. Vërtet, në kohën e DhV-së, nëse një person bënte një profeci të rreme kjo nuk përbënte diçka për të cilën njerëzit mund të mblidhnin supet dhe ta trajtonin si të mos kishte aspak rëndësi. Përkundrazi, ishte gjë shumë e madhe. Dhe vërtet, dënimi për profetin e rremë nuk ishte asgjë më pak se vdekja (LiP. 18:20).

Megjithëse dënimi i tyre me vdekje nuk i përket epokës së sotme të Ungjillit, parimi mbetet. Ai na tregon se çfarë mendon Perëndia për profetët e rremë të cilët, duke pretenduar se u flasin njerëzve për Perëndinë, i çojnë ata në rrugë të gabuar. Prandaj kjo duhet të na bëjë të jemi të kthjellët dhe të peshojmë me kujdes gjithçka që thuhet në emër të Perëndisë, veçanërisht ato që thuhen në fushën e profecisë. Kjo nuk është diçka e lehtë!

Fakti që në historinë e sektit të tyre janë bërë kaq shumë profeci të rreme (kur Fjala e Perëndisë na jep deklarata mjaft të qarta për të kundërshtuar profecitë e tyre, apo për të na treguar se parashikimi i datave për gjëra të caktuara është i kotë dhe i padobishëm sepse datat nuk mund të dihen) na tregon se udhëheqësit e DJ-ve nuk kanë ndier fare asnjë lloj përgjegjësie, qoftë ndaj Perëndisë, qoftë ndaj njerëzve në sektin e tyre. Ata kanë zhgënjyer shumë njerëz! Dhe fakti që, ndërsa parashikimet e mëparshme nuk u janë përmbushur, ata kanë vazhduar me profecitë e tyre të rreme, në vend që të pranonin se e kishin gabim, të pendoheshin dhe të mos pranonin të bënin gjëra të tilla përsëri, tregon për një qëndrim të vullnetshëm dhe të qëllimshëm mashtrimi dhe vetëmashtrimi nga ana e udhëheqësve.

3
BIBLA NË PËRKTHIMIN BOTA E RE

Organizata e DJ-ve, për të mësuar anëtarët e saj, ka nxjerrë një version të sajin të Biblës në anglisht. Ky version quhet përkthimi Bota e Re (BR). DJ-të thonë se versione të tjera të Biblës janë të gabuara dhe të pasakta, përmbajnë keqpërkthime, gabime etj. Ata thonë se versioni i tyre, BR-ja, është një version shumë më korrekt dhe është ai që ka autoritet përfundimtar për ta.

BR-ja u shtyp për herë të parë më 1950, në ShBA. Ky ishte një prodhim i punës së kryetarëve të organizatës së DJ-ve në Nju Jork. Qysh atëherë deri më sot ka pasur disa rishtypje të BR-së, secilën me ndryshime nga versioni i mëparshëm.

Gjëja e parë që bie menjëherë në sy si diçka e çuditshme është fakti se emrat e njerëzve të cilët "përkthyen" këtë version mbaheshin sekret ndaj publikut për shumë vjet dhe se gjithë përpjekjet për të zbuluar saktësisht se kush e kishte përkthyer atë dështonin. Vetëm këto vite të fundit është bërë e ditur se kush u përfshi në punën e përkthimit të BR-së. Organizata e DJ-ve i mbajti sekret për një kohë të gjatë emrat e tyre dhe refuzonte të tregonte se kush ishin ata. Kjo, pa dyshim, bëhej për t’i mbrojtur ata nga hetimet e ndryshme që mund të bëheshin mbi nivelin e diturisë së tyre dhe aftësisë së tyre për të përkthyer nga hebraishtja dhe greqishtja.

Dikush ka thënë: "A është e mundur t’i besosh një kirurgu apo një avokati në qoftë se ai refuzon të t’i tregojë emrin dhe kualifikimet e tij dhe në qoftë se nuk ke asnjë lloj dëshmie për aftësinë dhe zotësinë e tij?" është e rëndësishme t’i njohim ata që na bëjnë shërbime, por është e një rëndësie më të madhe të njohim ata njerëz të cilëve ua besojmë jetën tonë shpirtërore. Kush ishin ata? Çfarë kualifikimi, aftësie dhe zotësie kishin?

DJ-të e zhgënjyen publikun në këtë pikë aq thelbësore. Ata refuzuan t’i jepnin emrat dhe kualifikimin e anëtarëve të komisionit për prodhimin e BR-së së tyre. Pse gjithë ky sekret i madh? A nuk kishin "përkthyesit" asnjë lloj kualifikimi? Dhe, në fakt, kjo ishte e vërteta! Siç e pamë edhe në kapitullin 1, katër njerëz u morën me përkthimin e BR-së dhe vetëm njëri prej tyre kishte një farë njohurie për gjuhët biblike.

Ndryshime të qëllimshme dhe keqpërkthime të teksteve tek BR-ja

Kur bëjmë një studim të përkthimit të BR-së, në krahasim me versionet e tjera të Biblës (d.m.th. ato që janë pranuar prej kishave të krishtere) dhe me origjinalin në greqisht (në rastin e DhR-së), shohim se, tek BR-ja, janë bërë ndryshime të caktuara e të qëllimshme të tekstit në mënyrë që t’u shkojnë për shtat doktrinave të DJ-ve, d.m.th. DJ-të kanë imponuar doktrinat e tyre në Bibël, në vend që të përkthenin atë që thotë faktikisht teksti greqisht. Më poshtë në këtë kapitull do të shqyrtojmë disa nga këto ndryshime të qëllimshme dhe keqpërkthime.

Gjoni 1:1

Ndoshta më i njohuri nga keqpërkthimet e qëllimshme në BR-në është përkthimi tek Gjoni 1:1. Në vend të përkthimit "Në fillim ishte Fjala. Fjala ishte me Perëndinë, dhe Fjala ishte Perëndi" (të cilën specialistët e pranojnë si përkthimin e vërtetë), ata bëjnë një ndryshim shumë të vogël por mjaft domethënës. Formulimi që ata i bëjnë këtij vargu në BR-në (përkthyer në shqip) është: "Në fillim Fjala ishte, dhe Fjala ishte me Perëndinë, dhe Fjala ishte një perëndi".

Ky ndryshim i vogël (shtimi i fjalëve një dhe perëndi në vend të fjalës Perëndi) përbën një përpjekje të madhe për t’ia zhveshur Jezu Krishtit të qenët Hyjni të Tij. Jezui bëhet kështu vetëm "një perëndi". Duhet të shtojmë se specialistët kryesorë nuk e pranojnë këtë formulim të tillë të tekstit greqisht. Ata bien dakord për faktin që DJ-të janë në gabim këtu.

Sidoqoftë, ky keqpërkthim tek Gjoni 1:1 ngre një pyetje mjaft interesante. Në qoftë se Jezui është një perëndi, atëherë çfarë do të thotë kjo? Çfarë është një perëndi? Ashtu siç pyesim edhe në kapitullin 4: Çfarë nënkuptojnë saktësisht DJ-të, kur e quajnë Jezuin një perëndi? A mund të na japin një shpjegim bindës për këtë? Sa Perëndi kanë dhe besojnë DJ-të? Në qoftë se ata e përkthejnë në këtë mënyrë, atëherë janë politeistë, besojnë në dy Perëndi. Ky keqpërkthim është thjesht një përpjekje e qëllimshme për t’i shtrembëruar Shkrimet, në mënyrë që ato t’u vijnë për shtat doktrinave të tyre. Ata thjesht nuk duan të besojnë se "Fjala ishte Perëndi" d.m.th. që Jezui është Perëndi.

Është diçka interesante që e njëjta formë gramatikore e cila gjendet në origjinalin greqisht tek Gjoni 1:1 (d.m.th. që fjalës theos i mungon nyja shquese), përsëritet edhe tek vargjet 1:6,12,13. Megjithatë, në këto vargje, DJ-të, në BR-në e tyre, kanë përkthyer me fjalën Perëndi dhe jo me shprehjen një perëndi. Kjo përbën një kontradiktë. Ata përgjigjen e thonë se fjala në vargjet 6, 12 dhe 13 përdoret për Atin dhe jo për Birin dhe për këtë duhet të jetë Perëndi dhe jo një perëndi. Kjo thjesht na zbulon ndryshimin e qëllimshëm që është bërë në përkthimin e tyre. Ata nuk duan të pranojnë që Jezui është Perëndi. Fakti që në vargun 1 fjalës theos i mungon nyja shquese nuk do të thotë që ajo nuk mund të përkthehet si Perëndi. Arsyeja pse i mungon nyja shquese është thjesht që në atë varg zbatohet një rregull e veçantë gramatikore të greqishtjes së vjetër.

DJ-të e bëjnë pyetjen: "Si ka mundësi që Fjala të jetë me Perëndinë dhe të jetë Perëndi në të njëjtën kohë?" Përgjigjja për këtë është kjo: "Ai që, prej natyre, është Perëndia, është, prej natyre, edhe Fjala; d.m.th. Jezui ka natyrë hyjnore, Ai shpreh se kush është Perëndia". Kjo është një zbulesë e thellë, e lavdishme dhe madhështore. Perëndia është një Perëndi triun që na e ka zbuluar Vetveten në Personin e Zotit Jezu: "Fjala u bë mish dhe ndenji ndër ne..." (Gjoni 1:14). Jezui nuk është një qenie e krijuar; Ai ka ekzistuar nga gjithë përjetësia dhe nëpërmjet Tij ne mund të arrijmë ta njohim Perëndinë e gjallë dhe të vërtetë!

Kolosianët 1:16-17

Në tekstin greqisht të këtyre vargjeve, fjala greke allos, për fjalën tjetër, nuk gjendet aspak. Sidoqoftë, në përkthimin e tyre për këto vargje, ata e kanë shtuar këtë fjalë jo më pak se katër herë! Kjo është një përpjekje për të bërë që të duket se Jezui është një pjesë e Krijimit të Perëndisë, d.m.th. që Ai është një qenie e krijuar dhe jo vetë Krijuesi i përjetshëm. Po e japim më poshtë versionin e tyre nga BR-ja, përkthyer në shqip, dhe vetë lexuesi do të kuptojë atë ndryshim të madh që sjell futja e kësaj fjale. Përemri vetor nënkupton natyrisht Jezuin:

"...sepse me anë të tij u krijuan të gjitha gjërat [e tjera] që janë në qiejt dhe mbi dhe, gjërat e dukshme dhe gjërat e padukshme; çfarëdo që të ishin - frone apo zotërime apo principata apo pushtete. Të gjitha gjërat [e tjera] janë krijuar nëpërmjet tij dhe për të. Gjithashtu, ai është përpara gjithë gjërave [të tjera] dhe me anë të tij të gjitha gjërat [e tjera] erdhën në ekzistencë..."

Gjoni 8:58

Në këtë varg Jezui thotë: "Para se të lindte Abrahami, unë jam". Çifutët e kuptuan menjëherë se çfarë po thoshte Jezui dhe menjëherë morën gurë për ta vrarë meqë mendonin se blasfemoi. Sigurisht, këtu, Ai e kishte fjalën për ekzistencën e Tij të përjetshme. Ai nuk tha: "Para se të lindte Abrahami, unë isha", apo: "Para se të lindte Abrahami, unë ekzistoja", por "unë jam". Fjalët greke për këtë janë ego eimi. Folja eimi është në mënyrën dëftore të kohës së tashme dhe mund të përkthehet vetëm unë jam.

Megjithatë, le të shohim se çfarë kanë bërë DJ-të me këtë varg! Në botimin e parë të BR-së, në vitin 1950, ata kanë dhënë përkthimin me fjalët "unë kam qenë" dhe e quajtën këtë "koha e kryer e pashquar". Ky është një budallallëk, sepse nuk ekziston një kohë foljore e tillë. Kjo tregon thjesht injorancën e dalluar të përkthyesve të BR-së. Në botimin e mëvonshëm të BR-së, DJ-të e kishin kuptuar gabimin e tyre dhe e quajtën "mënyra dëftore e kohës së kryer". Por përsëri, e kishin gabim. Ai njeri, që di sado pak nga greqishtja e DhR-së, e di se ego eimi është mënyra dëftore e kohës së tashme!

Shikojmë që edhe këtu ndodh e njëjta gjë - një përpjekje nga ana e përkthyesve për të imponuar doktrinën e tyre në Bibël. Në qoftë se kjo shprehje përkthehet "unë kam qenë", atëherë Jezuit i zhvishet ekzistenca e Tij e përjetshme, pra, të qenët Hyjni. "Unë jam" sugjeron të qenët Perëndi dhe ishte kjo ajo që po thoshte Jezui. Ai po barazonte Veten me Perëndinë dhe pikërisht kështu e kuptuan drejt çifutët atë që po u thoshte Ai.

Futja e emrit "Jehova" në tekstet e DhR-së në BR-në

DJ-të e theksojnë me të madhe se emri i Perëndisë në hebraisht është Jehova (kur në fakt ky është vetëm njëri nga emrat e Tij). Për këtë, emri Jehova në BR-në e tyre, shfaqet shpesh. Sidoqoftë, fjala greke që përdoret për Perëndi në DhR-në, është fjala θεος, theos, ndërsa për Zot, është fjala κυριος, kyrios. Këto fjalë greke mund të përkthehen vetëm me fjalët Perëndi dhe Zot. Gjithashtu, ato janë fjalë greke dhe jo hebreje. Fjala hebreje Jehova nuk gjendet në tekstin greqisht të DhR-së.

Megjithatë, kur lexojmë DhR-në në BR-në, mund të shohim se DJ-të e kanë futur emrin Jehova në shumë pjesë. Në qoftë se e shohim çështjen më nga afër, na bëhet e qartë pse e kanë bërë këtë. Përsëri, ata e kanë bërë këtë për të mbështetur doktrinat e tyre, d.m.th. kanë imponuar idetë dhe doktrinat e tyre në Bibël në vend që ta pranojnë atë që faktikisht thotë Bibla.

Për shembull, mund të marrim versionin e tyre nga BR-ja, përkthyer në shqip, tek Romakët 14:8-9:

"...sepse edhe nëse rrojmë, rrojmë për Jehovain, edhe nëse vdesim, vdesim për Jehovain. Pra, edhe po të rrojmë edhe po të vdesim, ne i përkasim Jehovait. Sepse për këtë qëllim vdiq edhe Krishti dhe u kthye në jetë, që të jetë Zot mbi të vdekurit dhe të gjallët".

Në vargun 8, fjala greke kyrios gjendet tri herë dhe çdo herë është keqpërkthyer me fjalën Jehova në vend të fjalës së duhur Zot. Në vargun 9 fjala kyrios gjendet një herë dhe përkthehet Zot. Pse? Duket qartë pse-ja! Në qoftë se do të ishte përkthyer Jehova, kjo do të thoshte që Jezui të ishte Jehova i të vdekurve dhe i të gjallëve, d.m.th që Jezui është Jehova!

Vargje të tjera interesante në BR-në

Ka edhe disa vargje të tjera shumë interesante tek BR-ja. Një i tillë gjendet tek Isaia 9:5. DJ-të e pranojnë se ky ka të bëjë me Jezuin, Birin që u profetizua se do të lindte. Vargu tek BR-ja e quan Atë "Perëndi i fuqishëm". Jezui këtu quhet Perëndi! Kur i kam pyetur DJ-të se çfarë mendojnë për këtë, ata përgjigjen duke thënë: "Po ja, nuk e quan Atë të gjithëfuqishëm, për këtë Ai nuk mund të jetë Perëndia". Po a është Jezui Perëndi, apo jo? Çfarë thotë vargu? Shumë herë në shkrimet e DhV-së, Perëndia quhet Perëndia i Fuqishëm dhe fjala i Gjithfuqishëm nuk përdoret për çdo rast. Shihni, p.sh., tek Isaia 10:20,21 ku Jehovai quhet i Fuqishmi.

Një pjesë tjetër interesante e BR-së gjendet tek Zbulesa 1:8 ku ata e kanë përkthyer se Jehova thotë se është Alfa dhe Omega, duke abuzuar këtu me emrin Jehova, siç e kemi thënë edhe më sipër. Megjithatë, tek Zbulesa 22:13-16, na thuhet qartë se është Jezui, Ai që i thotë këto fjalë (vargu 16) dhe Ai e quan Veten Alfa dhe Omega (vargu 13)! Prej kësaj, meqë ka vetëm një Alfa dhe Omega, Jezui është Jehova! Asnjë prej DJ-ve nuk më ka dhënë një përgjigje bindëse për këtë.

Shumë gjëra të tjera mund të përmenden për BR-në, por meqë nuk është qëllimi ynë që në këtë libër të bëjmë një studim të plotë të problemeve të BR-së, kemi dhënë shembujt e mësipërm për t’i treguar lexuesit problemet që ekzistojnë. Besojmë se kjo do t’i shërbejë lexuesit si një bazë për të argumentuar besimin e tij me DJ-të.

Sidoqoftë, nga shembujt e mësipërm mund të shohim se në tekstin e BR-së janë bërë mjaft ndryshime të qëllimshme, në mënyrë që t’u shkojnë për shtat doktrinave të DJ-ve. Në jetën time kam takuar mjaft prej DJ-ve, por nga ata që kam takuar vetëm një pakicë prej tyre janë të vetëdijshëm për disa nga këto probleme të shumta, mbase ngaqë nuk inkurajohen të bëjnë studime të pavarura e objektive të Shkrimeve për veten e tyre. Atyre u mësohet që thjesht të besojnë dhe të gëlltisin gjithçka që u serviret. Ata kritikojnë pa pushim pothuaj çdo përkthim tjetër të Biblës nga të krishterët, por nuk arrijnë të bëjnë një studim objektiv të BR-së së tyre.

Atëherë, as që diskutohet se BR-ja është një dokument që nuk mund të besohet dhe që nuk ka asnjë autoritet shpirtëror. Ai nuk është një përkthim i saktë e besnik i Biblës. Në këtë përkthim, doktrinat e Biblës janë ndryshuar në një mënyrë të tillë që t’u shkojnë për shtat mësimeve të DJ-ve. DJ-të i kanë marrë tekstet ekzistuese dhe i kanë ndryshuar, duke futur doktrinat e tyre në to, dhe kështu kanë formuar një Bibël të tyren, duke ndryshuar Fjalën e Perëndisë.

Mjaft mësues të mirënjohur të Biblës, të cilët kanë një njohuri të thellë të greqishtes dhe që janë marrë me punën e përkthimit të Biblës, nuk i pranojnë ndryshimet që i janë bërë asaj prej DJ-ve. Të gjithë thonë se keqpërkthimin që ata i bëjnë Gjonit 1:1 është i gabuar dhe nuk mund të pranohet.

Paralajmërimi tek Zbulesa 22:18-19

Tek Zbulesa 22:18-19 jepet një paralajmërim mjaft i ashpër për ata që u shtojnë apo u heqin fjalëve të shkruara dhe natyrisht, në parim, ky paralajmërim përfshin të gjitha Shkrimet. Askush nuk e ka të drejtën që të luajë me Fjalën e Perëndisë dhe qëllimisht t’i ndryshojë fjalët e saj që, si e si, këto të përputhen me idetë e tij. Kushdo që bën një gjë të tillë është përgjegjës para Perëndisë për atë që ka bërë dhe duhet të japë llogari para Tij.

4
HYJËSIA E KRISHTIT

DJ-të, meqenëse e mohojnë Trininë (shih tek kapitulli 6), nuk besojnë se Jezui, Biri Perëndi, ka ekzistuar që nga përjetësia, por thonë që Ai ishte një krijesë e Atit Perëndi. Ata thonë se Perëndia Jehova krijoi së pari perëndinë Jezu. Kjo, sigurisht që është e gabuar, por ata përpiqen ta mbeshtesin këtë në fraza të tilla si p.sh. te Kol. 1:15 ku thuhet se Krishti është i parëlinduri mbi gjithë krijimin. Ata e interpretojnë në mënyrë të gabuar fjalën "i parëlindur" duke thënë se ajo ka kuptimin "gjëja e parë e krijuar"; mirëpo fjala "i parëlindur" në Shkrimet nuk ka të bëjë aspak me krijimin apo me të qenët i krijuar, por flet në fakt për "një përparësi në pozitë, një pozitë sunduesi, një pozitë autoriteti". Fjala është "i parëlindur" dhe jo "i parëkrijuar"! (Shih tek Rom. 8:16-17,29 për të parë kuptimin e vërtetë të fjalës "i parëlindur").

Ata përpiqen gjithashtu që më kot të argumentojnë këtë ide me atë që thuhet te Fjalët e Urta 8:22-26, ku e shikojmë Krishtin si personifikimin e urtësisë së Perëndisë. Ata, duke u nisur nga v22, thonë se Krishti duhet të ketë pasur një fillim, d.m.th. Ai është krijuar. Por folja hebreje "më kishte ndë kryet" [sipas përkthimit të vjetër të Kristoforidhit] (ose, "më zotëroi" sipas përkthimit të sotëm Diodati i Ri), ka kuptimin "më lindi" (në anglisht "begat"), jo "më krijoi". Këtu ata bëjnë edhe dy gabime të tjera: së pari, para krijimit të botës nuk ekzistonte koha, por përjetësia, prandaj Krishti duhet të jetë që nga përjetësia si në v23 (dhe kështu jo i krijuar, por, në lidhje me faktin e mësipërm që u lind, i lindur nga përjetësia - shih edhe te Gjoni 1:18); dhe së dyti, nëse ata thonë që Krishti është personifikimi i urtësisë së Perëndisë dhe se Ai kishte një fillim, ata duhet që logjikisht edhe të thonë se Perëndia nuk kishte urtësi nga përjetësia dhe iu desh të krijonte urtësinë e Tij. Sigurisht që ky është një budallallëk trashanik. Nëse Perëndia nuk pati urtësi që nga përjetësia, atëherë Ai thjesht nuk është Perëndi!

DJ-të thonë disa gjëra që tregojnë se ata besojnë që Jezui është princi kryeengjëll, Mikaeli, që përmendet te Danieli dhe Juda 9. Në revistën e tyre Kulla e Rojës të datës 1 maj 1994, në faqen 6 thuhet: "Libri i Zbulesës shpjegon: «Pastaj në qiell shpërtheu një luftë: Mihaeli [Jezu Krishti i ringjallur] dhe engjëjt e tij...»". Por kjo është e pamundur pasi engjëjt nuk mund të adhurohen, vetë ata thonë se vetëm Perëndia mund të adhurohet (Zbul. 22:8,9) kurse ne shohim se Jezui u adhurua dhe e pranoi adhurimin (shih te kapitulli 11); gjithë engjëjt e Perëndisë urdhërohen që të adhurojnë Krishtin (Heb. 1:6). Kështu, si mund të jetë Jezui Mikaeli? Jezui është më i madh se engjëjt (Heb. 1:4-6) dhe kështu, më i madh edhe se Mikaeli.

Ka shumë thënie në Bibël të cilat na flasin qartë për hyjësinë e Jezu Krishtit, d.m.th. që na tregojnë hapur se Ai ishte Perëndia i trupëzuar në mish, apo që Ai ka natyrë hyjnore. Le t’i shohim ato me radhë.

Isaia 9:5

"Sepse na ka lindur një fëmijë, një djalë na është dhënë. Mbi supet e tij do të mbështetet perandoria dhe do të quhet këshilltar i admirueshëm, Perëndi i fuqishëm, Atë i përjetshëm, Princ i paqes".

Gjithë mësuesit e Biblës dhe në të vërtetë edhe vetë DJ-të bien dakord në atë që ky varg i referohet Jezu Krishtit. Fjalët e tij janë të qarta: "Perëndi i fuqishëm". Këtu Jezu Krishti quhet Perëndi. Vini re që Ai nuk quhet një perëndi por Perëndi d.m.th. Perëndi në kuptimin më të plotë të fjalës. DJ-të përpiqen t’i shmangen kuptimit të këtij vargu duke thënë se Ai quhet i fuqishëm dhe jo i gjithëfuqishëm dhe se për këtë arsye nuk mund të themi se e quan Jezuin Jehova. Po vallë, sa Perëndi ka? Një apo dy? Sa Perëndi kanë DJ-të? Mos vallë janë politeistë?

I pari dhe i fundit

Ky është një nga emrat e Perëndisë në DhV-në që gjendet tek Isaia 44:6. Jehova është i Pari dhe i Fundit ("dhe përveç meje nuk ka Perëndi"). është më se e qartë që vetëm Perëndia mund ta quajë veten kështu. Sidoqoftë, shohim se Jezui e përdor pikërisht këtë titull për veten e Tij tek Zbul. 1:17 dhe 22:13. Gjithashtu tek Zbul. 1:8 Zoti Perëndi e quan veten Alfa dhe Omega. Përsëri, Jezui i referohet vetes së Tij në të njëjtën mënyrë tek Zbul. 22:13. Kjo na tregon mjaft qartë se Jezui është Perëndi.

Gjoni 8:54-59

Vini re mënyrën se si shprehet Jezui në këto vargje: "...para se të kishte lindur Abrahami, unë jam". Jo "unë isha" por "unë jam". Nënkuptimi këtu është ky se Jezui po i referohej vetes si UNë JAM-i i Eksodit 3:14 d.m.th. si Jehovai. Dhe pikërisht kjo ishte edhe mënyra si judenjtë e kuptuan. Prandaj donin ta vrisnin me gurë për blasfemi.

Pati një ngjarje të ngjashme me këtë te Gjoni 10:30-33. Jezui bëri një deklaratë që u interpretua nga judenjtë se Ai po e quante veten Perëndi, interpretim të cilin Ai nuk e mohoi. Kështu ata u përpoqën ta vrisnin me gurë duke thënë: "...të vrasim me gurë... për blasfemi, sepse ti duke qenë një njeri, e bën veten Perëndi".

Nëse judenjtë e kishin gabim në kuptimin e fjalëve të Tij në këto dy raste, patjetër që Jezui do ta kishte mohuar dhe do të kishte thënë që nuk i kishte thënë ato fjalë me këtë kuptim. Vërtet, kur shohim përshkrimin e kryqëzimit, kuptojmë se arsyeja e shfaqur për të cilën judenjtë e donin Jezuin të kryqëzuar ishte ngaqë Ai e kishte pohuar se është hyjnor (Mateu 26:63-66). Shih gjithashtu edhe një ngjarje tjetër të ngjashme te Gjoni 5:16-18.

Zoti drejtësia jonë (JEHOVAI TSEDAKA) (Jer. 23:5-6)

Përsëri, gjithë mësuesit e Biblës bien dakord se ky varg i referohet Jezu Krishtit. Ai është Filizi i premtuar i Shkrimeve të DhV-së (Isa. 4:2; 11:1-3; Jer. 23:5; 33:15-16; Zek. 3:8-9; 6:12). Shih emrin që i jepet Jezuit këtu - Jehovai Tsedaka. Kjo është mjaft e qartë dhe e pamohueshme. Unë vetë nuk kam gjetur asnjëherë një DJ që mund të ma shpjegojë këtë. Nëse Jezui nuk ishte Perëndia i trupëzuar, atëherë pse këtu quhet Jehova?

Emanuel

Ky është emri që gjejmë për Jezuin te Mat. 1:23 që është një përmbushje e profecisë tek Isa. 7:14. Përsëri një referencë shumë e qartë. Jezui quhet Emanuel që do të thotë Perëndia me ne. Jezu Krishti ishte Perëndia i trupëzuar në mish.

Biri është vula e qenies së Perëndisë

Ka disa fjalë shumë të rëndësishme që i gjejmë te Hebrenjtë 1 mbi këtë çështje. Që në kapitujt e parë të Hebrenjve shkruesi u tregon lëxuesve të letrës se kush është Jezui. Ai është më i madh se profetët (1:1-2); Ai është më i madh se engjëjt (1:4-14); Ai është më i madh se Moisiu i DhV-së (3:1 e në vazhdim) etj.

Vini re që te 1:8 Ati Perëndi i thotë Birit: "Froni yt , O Perëndi..." Ati Perëndi këtu e quan Birin (d.m.th. Jezuin) Perëndi! Kjo është një deklaratë e pamohueshme që na tregon se Jezui është Perëndi! Gjithashtu, në vargun 3 thuhet që Biri është shkëlqimi i lavdisë së Perëndisë dhe vula e qenies së Tij. Në vargun 6 shtohet se Ati Perëndi urdhëron engjëjt ta adhurojnë Jezuin. Vetëm Perëndisë i takon adhurimi. Ç’vargje më të sakta se këto të Hebrenjve mund të gjejmë që të na tregojnë hyjësinë e Krishtit? Këtyre mund t’u shtojmë ato që tha Jezui te Gjoni 12:45: "Kush më sheh mua sheh atë që më ka dërguar", dhe te Gjoni 14:7,10: "Po të më kishit njohur, do të kishit njohur edhe Atin tim... A nuk beson se unë jam në Atin dhe Ati është në mua?"

Shëmbëllesa e Perëndisë të padukshëm

Te Kol. 1:15 Krishti përshkruhet si "shëmbëllesa e Perëndisë të padukshëm" d.m.th. Ai është zbulesa e plotë e gjithçkaje që Perëndia është. Ç’është Perëndia, është edhe Krishti. Nëse duam të dimë si është Perëndia, le të shohim Krishtin! Pali vazhdon me këtë te Kol. 1:19 ku thotë se "Perëndisë i pëlqeu që gjithë plotësia e Tij të banonte në Krishtin" dhe te Kol. 2:9 ai vazhdon të thotë se "tek Krishti banon gjithë plotësia e Hyjnisë".

Gjoni 1:1,14

Gjoni 1:1 na tregon mjaft qartë se Krishti është Perëndi. Krishti na përshkruhet si Fjala: "Në fillim ishte Fjala dhe Fjala ishte pranë Perëndisë dhe Fjala ishte Perëndi". Siç e kemi përmendur edhe në një vend tjetër, i vetmi përkthim i saktë i frazës së fundit të këtij vargu sipas studjuesve më të njohur të Biblës është Fjala ishte Perëndi. Asnjë thënie nuk mund të jetë më e qartë se kjo që të na tregojë se Jezui është Perëndi, por është pikërisht ky vargu që DJ-të e ndryshojnë qëllimisht në përkthimin e tyre për ta bërë atë të thotë se Jezui nuk është Perëndi, por vetëm "një perëndi". Gjoni 1:14 pason për të thënë se "Fjala u bë mish dhe banoi ndër ne". Pra është e qartë se Krishti është Perëndia i trupëzuar në mish; Perëndia, në Krishtin, u bë njeri; Krishti është Perëndi-njeriu.

Gjoni 20:28 "Zoti im dhe Perëndia im"

Kjo është thënia e famshme e Thomait, ajo që ai i tha Krishtit pas ringjalljes. Thomai e adhuron Atë si Zotin e tij dhe Perëndinë e tij. Vini re që Jezui këtu nuk i refuzon fjalët e Thomait dhe as i thotë se kjo që ai po thotë nuk është e vertetë, gjë që do ta kishte bërë nëse ato do të ishin vërtet të pavërteta.

Jezui është Jehova

Mund të shohim, duke krahasuar disa vargje të DhV-së me disa nga vargjet e DhR-së, se Jezuit i atribuohen disa fakte, emra dhe tituj që i atribuoheshin Jehovait në DhV-në, gjë kjo që vërteton hyjësinë e Krishtit.

Tek Isaia 44:6, Jehovai quhet i Pari dhe i Fundit. Por shohim që Jezui thotë për veten e Tij se është i Pari dhe i Fundit te Zbulesa 22:13. Tek Isaia 9:5, Jezui quhet Perëndi i fuqishëm; tek Isaia 10:20-21 Jehovai quhet Zot i fuqishëm.

Tek Isaia 43:11 Jehovai thotë: "...përveç meje nuk ka Shpëtimtar tjetër" po a del kështu se Jezui nuk është Shpëtimtari i botës? Jehovai thotë te Zak. 12:10 se Ai do të theret. A nuk ishte Jezui Ai që u ther mbi kryq?

Ashtu siç dihet mjaft mirë, te Gjoni 10:11,14 Jezui tha se Ai vetë ishte Bariu i vërtetë i popullit të Perëndisë. Por pasazhe të tilla në DhV-në si: Psalmi 23:1, Isa. 40:10,11 dhe Ezekieli 34:11-16 thonë se Jehovai është Bariu i popullit të Perëndisë.

Tek Isaia 43:10 thuhet se besimtarët do të jenë dëshmitarët e Jehovait, por tek Veprat 1:8 thuhet se besimtarët do të jenë dëshmitarët e Jezuit.

DJ-të i kanë sjellë problem vetvetes në përkthimin që i kanë bërë Gjonit 17:11,12 te BR-ja e tyre. Edhe pse përkthime të ndryshme i japin në mënyra paksa të ndryshme këto fjalë - disa versione thonë se Ati ia dha dishepujt Jezuit dhe të tjerë thonë se Ati i dha emrin e Tij Jezuit - DJ-të vetë, në BR-në e tyre, i kanë përkthyer këto fjalë në mënyrën e dytë d.m.th. që Ati i jep emrin e Tij Jezuit. Ja se çfarë thotë BR-ja e tyre: "O Atë i shenjtë, ruaji ata për hesap të emrit tënd të cilin ma ke dhënë mua...Kur isha me ta i kam ruajtur për hesap të emrit tënd që ti ma ke dhënë...". Sigurisht, për të krishterët, që besojnë në Trininë, kjo çështje ka pak rëndësi (sepse Jehova është emri i Trinisë dhe, për këtë, emri i çdonjërit nga Personat e Trinisë); por për DJ-të, që nuk besojnë në Trininë, kjo është një çështje shumë e rëndësishme. Ata thonë se Jezui nuk është Jehovai, por këtu, sipas tyre, Ati i jep emrin e Tij, Jehova, Jezuit. Kështu, Jezui është Jehovai sipas vetë versionit të tyre të Biblës!

Tek Isaia 45:23-24 thuhet se Perëndia është betuar se çdo gju do të përkulet para Tij dhe çdo gjuhë do të betohet për Të. Pali e merr këtë frazë nga DhV-ja dhe e përdor atë për Jezu Krishtin te Fil. 2:10-11 kur thotë se çdo gju do të përkulet dhe çdo gju do të rrëfejë se Jezu Krishti është Zot, për lavdi të Perëndisë Atë.

Tek Isaia 44:6,8; 45:6,14,21, Jehovai thotë se Ai është Perëndia i vetëm dhe se përveç Tij nuk ka Perëndi tjetër. Atëherë, çfarë jemi të detyruar të themi për doktrinën e DJ-ve që thotë se Jezui është "një perëndi" i krijuar prej Jehovait? është mjaft e thjeshtë; kjo do të thotë se ata janë duke kundërshtuar DhV-në dhe se janë politeistë! Ata besojnë në dy Perëndi.

Natyra e dyfishtë e Krishtit

DJ-të nuk mund të konceptojnë që Jezui është Perëndi për shkak të racionalizmit të tyre. Ata duan të kuptojnë gjithçka me limitet e kufizuara të mendjes së tyre dhe, meqë ata nuk mund ta kuptojnë Trininë (shih tek kapitulli 6) apo ta pranojnë se Jezui është Perëndi Biri, atëherë ata thjesht i mohojnë të dyja këto dhe kështu mohojnë gjithë thëniet tepër të qarta të Biblës, të cilat i përmendëm më sipër.

Në përpjekje për ta mohuar hyjësinë e Krishtit, DJ-të u referohen gjithë vargjeve që flasin për natyrën njerëzore të Krishtit apo atyre vargjeve ku Jezui tha se Ati ishte më i madh se vetë Ai, dhe pastaj pyesin se si mund të jetë Jezui Perëndi. Kjo thjesht tregon se DJ-të nuk kanë arritur të kuptojnë aspak faktin që Krishti kishte dy natyra. Kjo është arsyeja pse ne flasim për natyrën e dyfishtë të Krishtit.

Filipianët 2:6-7:

"[Krishti], edhe pse ishte në trajtë Perëndie, nuk e çmoi si një gjë ku të mbahej fort për të qenë barabar me Perëndinë, por e zbrazi veten e tij duke marrë trajtë shërbëtori, e u bë i ngjashëm me njerëzit..."

Këto janë vargje shumë të rëndësishme për të kuptuar kush është Jezui në natyrën e Tij. Ai përshkruhet se është "në trajtë Perëndie" dhe në vargun tjetër se mori "trajtë shërbëtori, e u bë i ngjashëm me njerëzit". Kjo na tregon qartë për natyrën e dyfishtë të Krishtit d.m.th. se Ai i ka të dyja, natyrën hyjnore dhe atë njerëzore. Ai kishte natyrën hyjnore dhe veshi edhe natyrën njerëzore. Prandaj dhe Bibla flet për të si Perëndi dhe si njeri. Ka ato vargje që flasin për hyjësinë e Tij, vargje të cilave iu referuam më sipër, por ka edhe shumë vargje që na flasin për natyrën e Tij njerëzore.

Për shembull, tek 1 Timoteu 2:5 flitet për "Krishtin Jezu njeri". Në ungjijtë e shohim Jezuin shumë herë të hajë, të pijë, të jetë i lodhur, të jetë duke fjetur; Ai u rrit dhe u bë zdrukthëtar; Ai kishte mish e kocka etj. Natyra njerëzore e Krishtit, siç tregohet në Shkrimet, është e pakundërshtueshme. (Në fakt, nëse Krishti nuk do të kishte pasur natyrë njerëzore, d.m.th. nëse Ai nuk do të kishte qenë njeri i vërtetë, atëherë Ai nuk mund t’i shlyente mëkatet tona. Flijimi i Tij do të kishte qenë i pavlerë për ne. Si njeri Ai mori ndëshkimin që ishte për ne si njerëz, në mënyrë që ne si njerëz të mërrnim faljen (Heb. 2:14-18; 1 Tim. 2:5) - zëvendësim! Po kështu, nëse Ai do të kishte qenë vetëm njeri, flijimi i Tij zëvendësues do të kishte pasur vlerë vetëm për një njeri, por fakti që Ai kishte edhe natyrë hyjnore do të thotë që flijimi i Tij ka vlera pajtuese për gjithë njerëzit. Gjithë njerëzit që besojnë mund të falen sepse zemërimi i Perëndisë për mëkatin u shua krejtësisht për arsye të vdekjes së Krishtit. Krishti mbajti mëkatet e gjithë njerëzve (Isa. 53:4-6,12).

Kështu gjithë vargjet dhe fjalët që Jezui tha gjatë jetës së Tij tokësore, duhet të kuptohen në dritën e këtij fakti, që Ai kishte dy natyra, jo thjesht një. Ai gjithmonë flet si Perëndi-njeriu. Kështu, shumë nga fjalët e Tij mund të kuptohen në dritën e natyrës së Tij njerëzore dhe shumë të tjera në dritën e natyrës së Tij hyjnore. Ai mund të fliste për Atin si "Perëndia i Tij"; Ai mund t’i lutej Atit dhe ta adhuronte Atë çdo ditë; Ai mund të thoshte se Ati ishte më i madh se Ai; por gjithashtu Ai edhe mund të bënte deklarata të qarta për hyjësinë e Tij që judenjtë kërkonin ta vrisnin me gurë për shkak të atyre që thoshte; Ai mund të thoshte se Ai dhe Ati ishin një; Ai mund të thoshte se gjithkush që kishte parë Atë, kishte parë Atin, e kështu me radhë.

Nëse DJ-të nuk duan ta pranojnë faktin që Jezui është Perëndi-njeriu, d.m.th. Perëndia i trupëzuar në mish, detyrohemi ta bëjmë pyetjen: "Çfarë është Krishti atëherë? d.m.th. çfarë lloj krijese është Ai?" Ai është "një perëndi" thonë DJ-të, duke iu referuar Gjonit 1:1 në versionin e tyre (fals) të Biblës (shih te kapitulli 3) Por çfarë duan ata të thonë me këtë? Çfarë është "një perëndi"? Dhe si ky "perëndi" u bë njeri 2.000 vjet më parë? Kur u bëhen këto pyetje, DJ-të nuk dinë si të përgjigjen.

Dhe vërtet, mund të shkojmë edhe më tej. Nëse Jezui është "një perëndi", atëherë sa Perëndi apo perëndi ka? DJ-të besojnë në 2 perëndi. Njërin ata e quajnë Jehova (d.m.th. Ati Perëndi) dhe tjetrin Jezu (një "perëndi"). DJ-të qenkan politeistë! Për çudi, ata e mohojnë të vërtetën e Isaias 43:10 (pikërisht të atij vargu prej të cilit ata marrin edhe emrin e tyre!): "Para meje asnjë Perëndi nuk u formua dhe pas meje nuk do të ketë asnjë tjetër". Ka vetëm një Perëndi, i cili ka ekzistuar qysh nga përjetësia si një Trini; Ati, Biri dhe Fryma e Shenjtë (shih tek kapitulli 6). Jezu Krishti ishte Perëndia i trupëzuar në mish si Perëndi-njeriu.

Për më tepër, ashtu siç e pamë edhe më sipër, nëse Krishti nuk kishte të dyja natyrat, edhe atë hyjnore edhe atë njerëzore, atëherë është e pamundur që ne të shpëtohemi. Shlyerja ishte e mundur vetëm ngaqë Krishti i kishte të dyja natyrat. KJO ËSHTË NJË ÇËSHTJE SHUMË E RËNDËSISHME! Nëse DJ-të besojnë se Krishti nuk kishte natyrë të vërtetë njerëzore, atëherë është e pamundur që ata të shpëtohen, pasi ai duhej të vdiste si njeri për mëkatet; dhë nëse nuk besojnë se Ai kishte natyrë hyjnore, po ashtu atëherë është e pamundur që ata të shpëtohen pasi flijimi i Tij do të kishte vlerë vetëm për një njeri!

Çfarë lloj shlyerje mund të bëhet prej "një perëndie" që nuk ka as natyrë të vërtetë njerëzore dhe as natyrë të vërtetë hyjnore? Mjaft thjesht përgjigjja është kjo: ASNJë shlyerje nuk mund të bëhej që ta shuante zemërimin e Perëndisë mbi mëkatin dhe të sillte shpëtim për gjithë ata që besojnë! Nëse Jezu Krishti nuk ishte Perëndi-njeriu, atëherë ne të gjithë mbetemi në mëkatet tona dhe nuk ka asnjë shpëtim për asnjërin prej nesh! DJ-të nuk kanë një Shpëtimtar i cili mund t’i shpëtojë vërtet prej zemërimit të Perëndisë! E vetmja gjë që u mbetet atyre është një fe për shpëtim me anë të veprave, në të cilën ata duhet të përpiqen dhe të mundohen për të fituar shpëtimin e tyre! DJ-të gabojnë kur mendojnë se Jezui është "një perëndi" - kjo është një doktrinë e gabuar dhe e pavlerë që nuk mund t’i shpëtojë, por që thjesht i dënon për të kërkuar shpëtimin me anë të forcave të tyre. Mjerë ata!

5
FRYMA E SHENJTË ËSHTË PERSON HYJNOR

DJ-të thonë se Fryma e Shenjtë është jofrymore d.m.th. që Ai është vetëm një forcë, një fuqi, një energji që Perëndia e përdor për t’i përmbushur qëllimet e Tij. Për pasojë Ai është, sipas teorisë së tyre, fuqia e Perëndisë dhe asgjë më shumë; ashtu siç mund të flasë njeriu për energjinë dhe fuqinë e trupit të tij fizik por që këto nuk janë njeriu vetë. Revista e tyre Kulla e Rojës, që u botua më 1 maj 1994, tek faqja 11 thotë: "...fryma e shenjtë është forca vepruese e Perëndisë".

Ata marrin vargje që flasin për derdhjen e Frymës së Shenjtë dhe pastaj shtrojnë pyetjen: "Nëse Fryma e Shenjtë është Person, atëherë si mund të derdhet Ai?", pa kuptuar se, sigurisht në Shkrimet për Frymën e Shenjtë flitet simbolikisht si për ujin (Gjoni 7:37-39) dhe si për zjarrin (Veprat 2:3), vajin (Isaia 61:1-2), erën (Veprat 2:1-4) po ashtu edhe si për një pëllumb (Mateu 3:16).

Gjithashtu ata nganjëherë kapen pas faktit që fjala greke që përdoret për frymë në DhR-në është pneuma, fjalë e cila është e gjinisë asnjanëse. Ata thonë se, meqenëse është e gjinisë asnjanëse, atëherë Fryma e Shenjtë nuk mund të jetë Person, por duhet të jetë jofrymore. Sigurisht, ky argumentim është i pabazë, pasi gjinia gramatikore e një fjale nuk ka të bëjë aspak me faktin që diçka është frymore apo jofrymore. Nëse argumenti i DJ-ve do të ishte i vërtetë, atëherë, meqë fjala Perëndi në shqip është e gjinisë femërore, kjo do të thoshte që Perëndia është femërore. Dhe, sigurisht, kjo është marrëzi! Si një shembull tjetër mund të marrim dy fjalët shqipe frymë dhe shpirt që përdoren zakonisht për ta përkthyer fjalën spirit në anglisht. Fraza Holy Spirit jepet herë si Fryma e Shenjtë dhe herë të tjera si Shpirti i Shenjtë. Fjala shqipe frymë është e gjinisë femërore; fjala shpirt është e gjinisë mashkullore; atëherë (sipas argumentimit të tyre) cilës gjinie i përket kjo përfundimisht? Argumentimi i tyre që mbështetet në gjininë gramatikore të një fjale është i pakuptimtë!

Prandaj edhe nuk të çudit fakti që DJ-të mohojnë hyjësinë e Frymës së Shenjtë, pasi e kupton se ky mohim është një pasojë e natyrshme e besimit që ata kanë se Ai nuk është Person. Nëse Ai nuk është një Qenie frymore, atëherë si mund të jetë Ai Perëndi? DJ-të gjithmonë i referohen Frymës së Shenjtë si "frymë e shenjtë" për të bërë që emri i Tij të tingëllojë jofrymor.

Sidoqoftë, në Shkrimet ka vargje që flasin për Frymën e Shenjtë që i japin Atij atributet dhe karakteristikat që vetëm një person mund t’i ketë dhe të cilat është e pamundur t’ia veshësh një force jofrymore. Për më tepër, në Shkrimet zbulohet qartë edhe natyra e Tij hyjnore.

Fryma e Shenjtë është Person

1. Ai lidhet me të dy, me Atin dhe Birin, të cilët, të dy, janë Persona, në formulën e pagëzimit (Mateu 28:19). Kjo bashkëvendosje tregon se Ai është Person. Mateu thotë këtu të pagëzohen "në emër të...Frymës së Shenjtë". Ne mund të pagëzojmë në emër të Tij vetëm nëse Ai është Person. Vini re se të pagëzohesh për dikë apo në emër të dikujt do të thotë të lidhesh me këtë person si me udhëheqësin tënd shpirtëror (1 Kor. 1:12-16; 10:1-4) dhe nga kjo duket qartë se këtu nuk kemi të bëjmë me ndonjë lloj force. Një forcë nuk mund të jetë udhëheqësi ynë shpirtëror. Kështu nëse kemi për t’u pagëzuar në emër të Frymës së Shenjtë atëherë Ai duhet të jetë Person.

2. Ai erdhi ta zëvendësonte Krishtin mbi tokë. Ai është Ngushëlluesi i premtuar (Gjoni 14-16). Jezui tha se ishte diçka e mirë që Ai vetë po largohej (16:7) që kështu të vinte Fryma e Shenjtë. Jezui ishte person dhe nuk do të ishte aspak e mirë nëse do ta kishte zëvendësuar veten me një "diçka" që nuk mund të ishte gjithçka që Ai kishte qenë për dishepujt për ato tri vite; kjo do të ishte një humbje e pallogaritshme!

3. Ai mund të trishtohet (Efes. 4:30). është diçka që dihet mjaft mirë që një gjë jofrymore nuk ka ndjenja të cilat mund të preken dhe kështu kjo gjë të trishtohet; vetëm personat kanë ndjenja të tilla. Këtu Fryma e Shenjtë na përshkruhet me ndjenja. Për këtë Ai është Person. Shumë herë u kam bërë sfidë DJ-ve në lidhje me këtë varg dhe asnjëherë nuk më kanë dhënë ndonjë përgjigje të kënaqshme rreth kësaj çështjeje.

4. Ai mund të gënjehet (Veprat 5:3). është e logjikshme që dikush nuk mund të gënjejë diçka që është jofrymore. Nuk mund ta gënjesh një "gjë"! Ai është Person.

5. Ai ka vullnet dhe vepron (1 Kor. 12:11). Në këtë varg na flitet për shpërndarjen e dhuntive të Frymës së Shenjtë në të gjithë Trupin e Krishtit. Kjo punë bëhet prej Frymës ashtu si vendos Ai vetë. Kështu Ai edhe ka vullnet edhe vepron për ta bërë shpërndarjen. Përsëri pra, duket qartë që këto nuk janë veçori që mund t’i ketë një "gjë".

6. Ai ka mendje (Neh. 9:20; Rom. 8:27). Duket qartë që është Person.

7. Ai flet, udhërrëfen, mëson dhe drejton (Veprat 8:29; 13:2,4; 16:6,7; Lluka 2:27; Zbulesa 2:7,11,17,29; 3:6,13,22; Gjoni 14:26; Rom. 8:14). është e qartë se një "diçka" nuk mund të komunikojë. Mjaft interesante gjithashtu janë fjalët te Veprat 16:7 ku na thuhet se Fryma nuk i lejoi të predikonin Ungjillin në Bitini.

8. Ai ka njohuri të mendimeve të Perëndisë (1 Kor. 2:10,11).

9. Ai zbulon të vërteta shpirtërore (Lluka 2:26). Përsëri, kjo është puna e një Personi.

Fryma e Shenjtë ka natyrë hyjnore

1. Ndaj Tij mund të blasfemohet (Mat. 12:31-32). Përsëri është një fakt i thjeshtë dhe i qartë që mund të blasfemohet vetëm kundër Perëndisë. As ndaj njerëzve, as ndaj sendeve jofrymore dhe as ndaj forcave nuk mund të blasfemohet, veçse ndaj Perëndisë. Shih edhe tek Heb. 10:29.

2. Ai quhet Perëndi te Veprat 5:3-4. Në vargun 3 Pjetri e akuzon Ananinë se ka gënjyer Frymën e Shenjtë, dhe pastaj në vargun 4 vazhdon duke thënë se ai ka gënjyer Perëndinë.

3. Atij i atribuohen veti dhe veprime hyjnore.

a.    Ai krijon, Jobi 33:4, Ps. 104:30.

b.    Ai është i kudondodhshëm, Ps. 139:7-10.

c.    Ai është i gjithëdijshëm, 1 Kor. 2:10,11.

ç.    Ai është dhënësi i jetës, Gjoni 6:63.

d.    Ai është Autori i rilindjes, Gjoni 3:5,6.

dh.  Ai bind botën për mëkat, drejtësi e gjykim, Gjn. 16:8-11.

Mësimi i qartë i vargjeve të mësipërme është një mësim të cilit nuk mund t’i shpëtosh dot dhe DJ-të nuk mund t’i shmangen. Fryma e Shenjtë është PERSON që ka NATYRë HYJNORE. Ai është Perëndia, në kuptimin më të plotë të fjalës.

Çfarë gabimi tragjik!

Ç’gabim të mjerë e tragjik që bëjnë këtu DJ-të! Ata e quajnë Perëndinë Frymë të Shenjtë një gjë jofrymore, në vend që ta nderojnë Atë si një PERSON HYJNOR! Ata e kthejnë Atë në diçka të krijuar në vend që ta nderojnë Atë së bashku me Atin dhe Birin si Zotin dhe Dhënësin e jetës.

Mohimi i doktrinave të tilla bazë të Krishterimit rreth të qenit Person dhe hyjësisë së Frymës së Shenjtë kanë pasoja të rënda. Këto nuk janë çështje të vogla dhe të parëndësishme! Në vend që të mundë ta njohin Perëndinë nëpërmjet Zotit Jezu dhe në vend që t’i njohin thesarin dhe lavdinë e shpëtimit dhe bekimeve të Tij në jetën e tyre, DJ-të mbeten vetëm me një fe që ata vetë e kanë krijuar, një fe të bazuar në shtrembërimin e Shkrimeve sipas ideve të gabuara që janë shpikur prej njerëzve, nëpërmjet ideve që nuk i kanë aspak veprimin, praninë ose bekimin e Frymës së Shenjtë. Ata kanë lëvozhgën dhe guackën - një fe boshe - pa jetën e vërtetë dhe fuqinë e një marrëdhënieje të vërtetë me Perëndinë dhe kështu, me forcat e tyre të dobëta njerëzore, ata vazhdojnë në rropatjet e tyre fatkeqe për ta kënaqur një Perëndi që nuk e njohin. Zemrat e tyre mbeten po aq boshe sa edhe ato të çdo jobesimtari. Gjithmonë janë duke mësuar, por kurrë nuk arrijnë ta njohin të vërtetën! Ata kanë fenë, por e kanë atë të pajetë!

Në vend të kësaj, dëshira dhe vullneti i Perëndisë për njerëzit është që këta ta njohin Atë si Shpëtimtarin dhe Atin e tyre; duke njohur në brendësi të tyre fuqinë ripërtëritëse të Frymës së Tij që i krijon rilindjen dhe jetën e re; duke njohur dëshminë e Frymës së Tij në brendësi të tyre dhe sigurinë e pranimit të Perëndisë në jetën e tyre; duke njohur thirrjen "Aba, o Atë!", thirrjen e Frymës në zemrat e tyre, dhe dëshminë e Frymës që u tregon se ata janë vërtet fëmijë të Perëndisë; duke njohur çdo ditë brendabanimin e praninë e ëmbël që mbetet në zemrat e tyre, dhe fuqinë e ngushëllimin e Tij në kohë nevoje; shoqërinë e praninë e Tij të ëmbël në mbledhje besimtarësh, si dhe në shoqëri me besimtarët e tjerë; udhëheqjen e drejtimin e Tij në jetën e në punën e përditshme dhe rritjen e bukur të hireve dhe frutave të Frymës së Shenjtë në jetën e tyre; lavdërimin dhe adhurimin e vërtetë për Zotin që Fryma u jep zemrave të tyre, lavdërim dhe adhurim që i ngre lart, i ndërton dhe i forcon; fuqinë dhe mirosjen e Tij në jetën, dëshminë dhe predikimin e tyre; dashurinë e thellë për Krishtin që është krijuar dhe rritet gjithnjë e më shumë, gjë kjo që çon në dëshirën për ta njohur, për ta dashur dhe për të jetuar për Të gjatë gjithë ditëve të jetës së tyre. Dhe të gjitha këto gjëra DJ-të nuk i njohin aspak, atyre u mungojnë të gjitha këto! Çfarë gabimi tragjik dhe çfarë pasojash tragjike për ta!

6
TRINITIA

Jemi marrë edhe gjetkë, në kapitujt 4 dhe 5, me temat: "Hyjësia e Krishtit" dhe "Fryma e Shenjtë është Person hyjnor", kështu që nuk ka përse të merremi prapë me këto tema në këtë kapitull. Rezultatet e këtyre studimeve të mësipërme na çojnë logjikisht në temën e këtij kapitulli, Trininë.

DJ-të gjithmonë e kanë mohuar doktrinën e Trinisë dhe ky mohim është një nga temat e tyre kryesore. Në revistën e tyre Kulla e Rojës, botuar më 15 shkurt 1994, në faqen 30, thuhet: "A është, pra, Triniteti një mësim nga Bibla? Jo...Ai nuk gjendet në Bibël, dhe as që nuk është pjesë e «mënyrës së krishterë të të menduarit»". Në kopjen e kësaj reviste, botuar më 1 maj 1994, i gjejmë këto fjalë të mëposhtme: "...duke qenë të mësuar prej Perëndisë, ne nuk besojmë në Trinitetin, por njohim se Jehovai është Më i Larti, se Jezui është Biri i tij dhe se fryma e shenjtë është forca vepruese e Perëndisë".

Ata gjithmonë thonë se fjala trini nuk gjendet në Bibël, dhe, për këtë arsye, kjo doktrinë nuk mund të jetë e vërtetë. Sigurisht, ky është një argumentim fals. Fjala trini është thjesht një term teologjik i përdorur për të përshkruar mësimet që Bibla na jep mbi natyrën e Perëndisë. Fakti që një fjalë nuk gjendet në Bibël nuk do të thotë që kjo fjalë nuk mund të jetë e vërtetë ose nuk mund të përdoret! Në fakt, duke përdorur këtë argumentim DJ-të kundërshtojnë e hedhin poshtë vetveten, sepse edhe vetë atyre u pëlqen shumë të përdorin disa fjalë që nuk gjenden në Bibël. Për shembull, fjala teokraci, e cila përdoret për të përshkruar mënyrën në të cilën qeveriset organizata e tyre, nuk gjendet në Bibël. Pra, a duhet ta përdorin ata këtë fjalë në atë masë që e përdorin?

Një arsye tjetër kryesore që ata nuk besojnë në Trininë është për shkak të racionalizmit të tyre. Ashtu siç e kemi thënë edhe gjetkë, nëse DJ-të nuk mund të kuptojnë diçka me kapacitetin e kufizuar të mendjes së tyre njerëzore, atëherë hamendësojnë se kjo nuk mund të jetë e vërtetë. "Ne mund të kuptojmë të gjitha misteret!" - thonë ata. Përsëri kjo është diçka e gabuar. Ka shumë gjëra të Perëndisë, natyrës, universit dhe jetës gjithashtu, të cilat as i kuptojmë dhe as mund t’i kuptojmë, por kjo nuk do të thotë se thjesht mund t’i mohojmë ato. Do të ishim të marrë po ta bënim një gjë të tillë! DJ-të mendojnë se gjithçka rreth Perëndisë është zbuluar dhe prandaj mund të kuptohet; kështu, nëse diçka nuk mund të kuptohet, atëherë kjo nuk mund të jetë e vërtetë. Por ne thjesht do të thoshim: A e ka kuptuar dhe a do të arrijë njeriu të kuptojë plotësisht ndonjëherë Perëndinë e përjetshëm dhe të pakufi që krijoi këtë univers në të cilin ai jeton vetëm me mendjen e tij të kufizuar, të vogël (dhe mëkatare!)? Jo, sigurisht që jo! Le ta lëmë Perëndinë të jetë Perëndia dhe të pranojmë se gjithmonë do të ketë shumë gjëra rreth Perëndisë, të cilat nuk do t’i kuptojmë dot. Te LiP. 29:29 lexojmë: "Gjërat e fshehta i përkasin Zotit, Perëndisë tonë, por gjërat e shfaqura janë për ne dhe bijtë tanë për gjithnjë".

Problemi tjetër kryesor që kanë DJ-të është se ata nuk duan të pranojnë zbulesën e Biblës mbi Perëndinë. Meqenëse nuk mund ta kuptojnë atë plotësisht, ata i mohojnë ato që s’mund t’i kuptojnë, dhe pastaj fillojnë të imponojnë idetë e tyre në Bibël e përpiqen ta bëjnë që Bibla të thotë atë që ata dëshirojnë të thuhet prej saj, në vend që të pranojnë thjesht dhe me përulësi atë që Bibla thotë. Vendosin ata se ç’duhet të thotë Bibla, në vend që të lënë Biblën të thotë saktësisht atë që thotë pavarësisht nga fakti se sa e vështirë është nganjëherë për të kuptuar atë që thotë.

Kështu racionalizmi i tyre thotë: "Si mund të jetë Perëndia 3 në 1, ose 1 në 3? Mos ka 3 Perëndi?" Dhe, meqenëse nuk e kuptojnë mësimin e Biblës mbi Trininë, ata e mohojnë atë plotësisht.

Janë tre Persona

Ka vende të shumta në shkrimet e DhR-së ku shohim tre Personat përbri njëri-tjetrit. Më poshtë po japim disa nga referimet.

Mateu 28:19 "...duke i pagëzuar ata në emër të Atit e të Birit e të Frymës së Shenjtë..." Vini re që këtu thuhet në emër (njëjës) të tre Personave. Një emër, tre Persona! Dhe, cili është ky emër?

2 Kor. 13:13 "Hiri i Zotit Jezu Krisht, dashuria e Perëndisë dhe bashkësia e Frymës së Shenjtë qofshin me ju të gjithë". Fjala Perëndisë në këtë varg duket që përdoret për Atin, por nuk do të thotë se Zotit Jezu dhe Frymës së Shenjtë u mungon natyra hyjnore pasi vargje të tjera në Shkrimet, siç e kemi parë tashmë, na tregojnë për natyrën e tyre hyjnore.

Mateu 3:16-17 "Dhe Jezui, sapo u pagëzua, doli nga uji; dhe ja, qiejt iu hapën dhe ai pa Frymën e Perëndisë duke zbritur si një pëllumb e duke ardhur mbi të; dhe ja një zë nga qielli që tha: «Ky është Biri im i dashur, në të cilin jam kënaqur»".

Secili Person ka natyrë hyjnore

Kemi parë në kapitullin 4 se Jezui është Perëndi, d.m.th. që Ai ka natyrë hyjnore. Ai është Perëndi-njeriu. Gjithashtu, kemi parë në kapitullin 5 se Fryma e Shenjtë është Qenie frymore, një Person me natyrë hyjnore, d.m.th. që është Perëndi. Dhe, sigurisht, fakti që Ati është Perëndi është i pakundërshtueshëm. Atëherë ç’mund të themi? Kemi tri Perëndi të veçantë, apo një Perëndi triun?

Ka vetëm një Perëndi

Fakti që ka vetëm një Perëndi na jepet mjaft qartë në Bibël. Shih tek LiP. 6:4: "Dëgjo, Izrael: Zoti, Perëndia ynë, është një i vetëm"; Rom. 3:30: "...sepse ka vetëm një Perëndi..."; Jakobi 2:19: "Ti beson se ka vetëm një Perëndi. Mirë bën; edhe demonët besojnë dhe dridhen!"

Jehovai është Perëndi triun

Atëherë kjo na çon te doktrina e Trinisë si e vetmja rrugë për t’i shpjeguar të gjitha faktet që na paraqiten mbi Perëndinë në Bibël. Ka vetëm një Perëndi, i cili ekziston përjetësisht në tre Persona; Atin, Birin dhe Frymën e Shenjtë. Ka tre Persona në një Perëndi. Ka një Qenie hyjnore, e cila ekziston në tre Persona. Këta tre Persona përbëjnë Hyjninë ose Qenien e Perëndisë.

Përsëri, nuk themi se e kuptojmë këtë doktrinë plotësisht. Por kjo nuk do të thotë që, thjesht meqë nuk e kuptojmë plotësisht, ose nuk arrijmë ta konceptojmë këtë gjë në mendjen tonë, duhet ta mohojmë atë. Nëse e mohojmë, atëherë thjesht po mohojmë ato që Bibla na i thotë mjaft qartë për Qenien dhe natyrën e Perëndisë. Nëse mohojmë Trininë, atëherë duhet ta mohojmë hyjësinë e Krishtit gjë të cilën nuk mund ta bëjmë se kjo na jepet mjaft qartë në Bibël. Megjithëse fjala ‘trini’ nuk gjendet në Bibël, doktrina e Trinisë na zbulohet mjaft qartë në të.

DJ-të besojnë se Ati (Jehovai siç thonë ata) krijoi Jezuin Birin, një perëndi. Për ta Jehovai është një Perëndi jotrini. Në fakt, Bibla mëson se Jehovai është Perëndia triun. Jehovai është trini! Ja pse Ati quhet Jehovai, ja pse edhe Biri Jezu (Filizi, ose Mesia) quhet Jehovai te Jer. 23:5-6, ja pse Fryma e Shenjtë quhet Fryma e Jehovait, ose Fryma e Zotit (Isa. 61:1). Kjo na shpjegon pse Bibla i referohet engjëllit të Zotit si Zoti (Jehovai) dhe jo thjesht si engjëlli i Zotit (Gjyq. 6:11-12,14,16,18,20). Na shpjegon edhe se pse Jehovai mundi t’i paraqitej Abrahamit në formë njeriu dhe të fliste me të para çadrës së tij (Zan. 18:1-2,10,13-14,17-33), e kështu me radhë.

Arianizmi dhe Kuvendi i Nicës

Doktrina e Trinisë gjithmonë është pranuar si e vërtetë biblike nga kishat historike të krishtere nëpër shekuj. Doktrina u formua për herë të parë gjatë mbledhjes së njëri prej Kuvendeve të Kishës së hershme, në Nicë në shekullin e 4-t. Arsyeja pse nuk ishte formuar para kësaj kohe ishte se kjo doktrinë nuk ishte kundërshtuar më parë.

Pikërisht në këtë kohë, një njeri i quajtur Ari u ngrit dhe i bëri një sfidë mësimit se Jezui kishte natyrë hyjnore. Drejtuesit e hershëm të Kishës u detyruan të mblidhen së bashku për të shqyrtuar me hollësi këto doktrina dhe të formulonin atë që Kisha besonte. Ishin njerëz si Athanasi, ata që, me anë të Shkrimeve argumentuan fuqimisht dhe bindshëm se Jezui kishte natyrë hyjnore dhe që vërtetuan mësimet e Shkrimeve përballë mësimeve të gabuara të njerëzve si Ariu. Në fakt, nëse studjojmë mësimet e Ariut (për sa u përket mësimeve të tij të gabuar për natyrën e Krishtit), do të shohim se duket mjaft qartë që ato janë të ngjashme me mësimet e DJ-ve të ditëve të sotme. Nuk ka asgjë të re nën diell! Mësimet e DJ-ve janë thjesht një ridalje në dritë e mësimeve të njerëzve të tillë si Ariu në kishën e hershme.

7
EMRAT E PERËNDISË NË BIBËL

Ka të ngjarë që gjëja më e mbarënjohur rreth DJ-ve, që njihet si nga besimtarët ashtu edhe nga jobesimtarët, është këmbëngulja e tyre në përdorimin e emrit Jehova për Perëndinë. Për ata kjo është një çështje kryesore dhe themelore në sektin e tyre. është kaq e rëndësishme për ta sa shpesh pyetja e parë që DJ-të i bëjnë një të krishteri është: "Cili është emri i Perëndisë në Biblën tuaj?", ose "A e quani ju Perëndinë Jehova?", apo ndonjë pyetje tjetër e këtij lloji. Ai do ta marrë Biblën tënde dhe nëse emri Jehova nuk gjendet në faqet e DhV-së, do ta trajtojë Biblën tënde si një përkthim të gënjeshtërt. Për ata kjo është një çështje e një rëndësie parësore. Ata madje edhe emrin e sektit të tyre e kanë Dëshmitarët e Jehovait, pas këtij emri, i cili është marrë nga Isaia 43:10. Prandaj, në këtë libër, është e nevojshme që ta shqyrtojmë me kujdes këtë çështje.

Emri Jehova

Në kohën para Krishtit, kur DhV-ja u shkrua nga shkruesit judenj, gjuha hebreje nuk përdorte asnjë lloj zanoreje. E vetmja mënyrë që ata shkruanin fjalët ishte me anë të përdorimit të bashkëtingëlloreve. Tingujt zanorë, natyrisht që përdoreshin në gjuhën e folur, kështu kur njerëzit lexonin gjuhën e shkruar, e dinin se cilat zanore shkonin me fjalët dhe mund të kuptonin domethënien e fjalës nëpërmjet kontekstit në të cilin ajo përdorej. Sigurisht që shumë fjalë shkruheshin në të njëjtën mënyrë, d.m.th. ato përbëheshin nga të njëjtat bashkëtingëllore, por ato mund të dalloheshin nga njëra-tjetra sepse njerëzit e kuptonin se çfarë zanoresh të përdornin për shkak të gjuhës së folur.

Ishte vetëm disa shekuj p