KUJDES ME BIBLËN

nga
Sinclair B. Ferguson

PËRMBAJTJA

Hyrje

Një: T'i Besosh Biblës

1. Pse e Kemi Biblën?

2. Si u Mblodh Bibla?

3. A është Kjo Fjala e Zotit?

Dy: Si ta Përdorim Biblën

4. Bëje Vetë

5. Për Shembull

Tre: Të Jetojmë me anë të Biblës

6. Cila është dobia?

7. Fara ka nevojë për tokë

8. Nga përvoja ime

 

Një udhëzues për përdorimin e Biblës


Të gjitha citimet e Biblës janë marrë nga versioni Lajmi i Mirë (LIM).

            Të gjitha të drejtat janë të rezervuara. Asnjë pjesë e këtij botimi nuk mund të riprodhohet apo përhapet në asnjë lloj forme apo mjeti, elektronik apo mekanik, duke përfshirë edhe fotokopjimin, inçizimin, apo ndonjë sistem për magazinimin dhe rinxjerrjen e informacionit, pa lejen me shkrim nga botuesi.


Hyrje

            Kohët e fundit, midis studiuesve dhe shkrimtarëve të krishterë ka patur një debat. Ai ka arritur të njihet (pas titullit të publikimit amerikan i cili sinjalizoi raundin e parë të diskutimit) si 'beteja për Biblën'. Në të vërtetë, ai nuk është një debat i ri. Shumë prej argumenteve të tij janë dëgjuar dhe përdorur që më parë. Por, deri tani, kjo është një betejë e zhvilluar nga studiuesit, dhe jo nga të krishterët e thjeshtë. Nuk është qëllimi i këtij libri të diskutojë atë betejë!

            Në vend të kësaj, këto faqe janë shkruar mbi bindjen se po luftohet një tjetër 'betejë për Biblën'. Kjo betejë tjetër luftohet ditë për ditë në jetën e çdo të krishteri. është beteja e leximit, kuptimit, dhe vënies në praktikë të mesazhit të Biblës. Në fakt, në shumë mënyra kjo është një betejë shumë më e gjerë se tjetra, sepse ajo përfshin të krishterët e shumë sfondeve dhe pikëpamjeve të ndryshme. Ajo të përfshin ty dhe mua. Dhe sigurisht, ajo është një betejë e lashtë.

            Disa prej atyre që argumentojnë për pagabueshmërinë e fjalës së Perëndisë vënë në dukje prototipin e debatit të tyre, i cili mund të gjendet në kapitujt e parë të librit të Zanafillës. Atje, Satani tha: 'Me siguri Perëndia nuk tha kështu!' 'Pse, me të vërtetë i besoni fjalës së Perëndisë?'

            Por veprimi në atë konfliktin e parë nuk kufizohej vetëm në autoritetin e fjalës së Perëndisë. Në një mënyrë të hollë, ai ishte edhe rreth asaj se çfarë kishte thënë Perëndia, se si duhej të interpretohej ajo ('Ju nuk keni për të "vdekur" në atë kuptim' tha Satani), dhe nëse do t'i bindej asaj apo jo. Pikërisht, kjo është beteja të cilën duhet ta luftojnë dita-ditës shumica prej nesh që janë të krishterë të zakonshëm. Duhet që të lëshojmë vend në jetën tonë për të dëgjuar se çfarë po thotë Perëndia nëpërmjet fjalës së Tij; nuk është gjithmonë e lehtë që ta kuptojmë në mënyrë të drejtë atë që shkruhet në Shkrim; gjithmonë përballemi me sfidën se si ta interpretojmë për situatën tonë mësimin e dhënë njerëzve kaq shumë kohë më parë. Dhe pastaj, është dhe çështja e fundit: si mund ta ndjek këtë mësim me një bindje praktike në vetë jetën time?

            Kjo është beteja në të cilën duhet të rrëfej se e gjej veten duke luftuar. Ajo është pjesë e betejës në jetën e krishterë në përgjithësi, dhe kështu unë parashikoj se do të vazhdoj të luftoj deri në fund të jetës sime. Jo gjithmonë kam dalë me sukses në të: në të vërtetë, në njëfarë mënyre shoh se lufta bëhet më e ashpër tani që jam më i rritur.

            Biblën kam filluar ta lexoj që kur kam qenë i vogël. Që kur isha nëntë vjeç unë fillova të ndjek Lidhjen e Shkrimit (Scripture Union) dhe fillova të lexoj përditë nga një pjesë të fjalës së Perëndisë, duke u lutur që Ai të m'i hapte sytë për të zbuluar gjërat e mrekullueshme në të. Mendoj se e gjeja më të lehtë atëherë për të bërë kohë, dhe për të marrë kohë për të lexuar dhe përvetësuar përbrenda mesazhin e fjalës së Perëndisë. Shpesh kam menduar se jam ushqyer me kapitalin që kam qenë i mundur ta investoj atëherë. Tani, jeta është e mbushur me detyra dhe përgjegjësi; koha duket të zhduket me një shpejtësi alarmante. Gjithnjë e më tepër e shoh se koha duhet shfrytëzuar (Ef. 5:16). Por kjo është e vërtetë për shumicën prej nesh. Është kjo përvojë e ndarë midis nesh e cila u bë një nga motivimet e mia kryesore për shkrimin e këtij libri. Shpresoj se ai nuk do t'ju inkurajojë vetëm që ju të kushtoni më shumë kohë dhe energji në studimin e fjalës së Perëndisë, por edhe për t'ju shpëtuar nga shumë qorrsokakë në të cilët vërdallosen shpesh lexuesit e Biblës.

            Përkrah shumë librave të vyer që po shkruhen sot për autoritetin dhe frymëzimin e Biblës, ka vend edhe për një libër tjetër që është ndoshta pak më shumë praktik. Unë besoj këtë për këtë arsye: tjetër është të thuash se Bibla është fjala e e pagabueshme e Perëndisë, dhe tjetër është të jetosh nën dritën e këtij besimi; ta kuptosh Biblën siç duhet në mendje dhe t'i bindesh asaj plotësisht në jetën tonë. është tmerrësisht e mundur që të pretendosh me zë të lartë për autoritetin e Shkrimit, por të jetosh një jetë dhe të shfaqësh një shpirt që tregojnë pak për hirin e asaj Fryme që është Autori i Shkrimit.

            Është e mundur që dy njerëz të bien dakord që Shkrimi është fjala e pagabueshme e Perëndisë, dhe megjithatë, ngaqë njëri (ose të dy) e interpretojnë Shkrimin në mënyrë të gabuar, të lexojnë praktikisht dy libra të ndryshëm. Por nëse ne nuk e trajtojmë siç duhet fjalën e Perëndisë, dhe nuk e kuptojmë dhe nuk e zbatojmë siç duhet, rrëfimi ynë i pagabueshmërisë së saj nuk ka për të ndikuar me të vërtetë në jetën tonë. Ngaqë Bibla na thotë "Trajtomë siç duhet" siç na thotë dhe "Besomë plotësisht", unë jam përpjekur të shkruaj një hyrje për Biblën në kapitujt që vijojnë, e cila do t'u vijë në ndihmë atyre që kanë filluar ta lexojnë vetë Biblën dhe t'i shpëtojë ata prej disa grackave; dhe e cila gjithashtu do të veprojë, siç shpresoj, edhe si një gardh dhe rrjetë sigurie për ata që kanë shkuar më tej në rrugë, duke i mbajtur ata në rrugën mbi të cilën shkëlqen si një dritë e lavdishme Fjala e Perëndisë. 

            I jam mirënjohës Toni Kollins-it (Tony Collins), dikur i shtëpisë botuese Hodder & Stoughton, për shtysën që më dha për të shkruar këtë libër. Forma që ka marrë ai tani ishte sugjerim i tij dhe unë e kam vlerësuar interesin e tij në zhvillimin e tij. I jam gjithashtu mirënjohës shokut tim shumë të mirë Rev. Uilliam Dunlop i kishës së Sh. Xhorxh-Tron (St. George's-Tron Church) në Glasgou për leximin dhe diskutimin e dorëshkrimit tim me mua. është e panevojshme të thuhet se asnjë prej këtyre dy shokëve të mi nuk mund të mbahet përgjegjës për përmbajtjen! Si gjithmonë, unë dua t'i shpreh vlerësimin tim familjes sime për inkurajimin e tyre dhe miqësinë e dashur që e bën të mundur shkruajtjen e një libri!   

            SINCLAIR B. FERGUSON

            Glasgou

            Tetor 1981

 

Një:  T'i besojmë Biblës

1. 

Pse e kemi Biblën?

Në Dhiatën e Re, shprehja 'është shkruar' ose një frazë e ngjashme me të shfaqet në rreth nëntëdhjetë raste. Kaq shumë jemi mësuar me ekzistencën e librit të quajtur "Bibël", dhe kaq shumë na është bërë shprehi ta mendojmë atë si një pjesë të pandarë të jetës së krishterë - duke e lexuar privatisht, duke e dëgjuar tek lexohet dhe predikohet për të në publik - saqë rrallë, për të mos thënë kurrë, ndalemi për të bërë pyetjen: Pse e kemi Biblën?

            Kjo pyetje është në vetvete një me nënkuptime shumë të gjera, ndoshta edhe një pyetje hutuese për të krishterët që e kanë përdorur Biblën që kur mësuan të lexojnë. Sepse krishterimi është fe libri. Bindjet tona, mënyra e jetesës dhe përvoja jonë e përditshme si të krishterë janë të mbrujtura dhe të drejtuara thellësisht prej përmbajtjes së rreth një mijë e gjashtëqind faqeve me informacion të shtypur ngjeshur. Megjithatë, shumë rrallë të krishterët ndalen për të pyetur: Po pse kemi një Bibël tek e fundit?

            Për shumë shekuj Bibla nuk u përdor në mënyrën që shumë të krishterë e përdorin sot, për studim biblik personal dhe përkushtues. Deri pas Reformimit dhe zhvillimit të shtypshkronjës në shekullin XVI, shumë pak njerëz të zakonshëm ishin në gjendje të zotëronin një kopje të Dhiatës së Re. Për pjesën më të gjatë të historisë së kishës së krishterë, leximi i përditshëm i Biblës ka qenë luks i disave dhe aspak privilegji i masave.

            Atëherë, pse e kemi një Bibël, dhe pse besimi i krishterë është i ndërthurur ngushtë me përmbajtjen e saj?

Zbulesa

            Përgjigjja është se Perëndia komunikon me njerëzit, ua zbulon atyre vetveten, dhe i sjell ata në bashkësi me Të përmes Biblës. Me pak fjalë, është Bibla ajo përmes së cilës Perëndia e bën të njohur veten e tij.

            Ne zbulojmë se jeta shikohet nga një këndvështrim i ri përmes studimit të mësimeve dhe të vërtetave shpirtërore të mëdha të shpalosura prej Shkrimit të Shenjtë. Njohja dhe të kuptuarit më e mirë e Perëndisë në këtë mënyrë, na ndihmon. Tani ne shohim dorën e tij në jetën tonë, ndërsa më parë nuk arrinim t'i kuptonim provat që kalonim; dhe ne e duam më shumë Atë tani, sepse e ndiejmë se e njohim më mirë. Ja pse është Bibla. Nëse ajo nuk e ka arritur ende këtë rezultat, atëherë ne ende nuk kemi filluar ta përdorim si duhet.

            Por, Bibla është më shumë se kaq. Sepse në të vërtetë, Bibla është më shumë se vetëzbulesa e Perëndisë për ne. Ajo është ilaçi hyjnor, receta hyjnore për sëmundjen shpirtërore. Nëse njerëzit nuk do ta kishin zhvilluar sëmundjen shpirtërore, ndoshta nuk do ta kishim fare Biblën. Pa dyshim se edhe nëse do ta kishim, ajo do të tregonte një histori shumë të ndryshme prej asaj që tregon.

            Atëherë, si është i sëmurë shpirtërisht njeriu? Apostulli Pal e shpjegon gjendjen me këto fjalë:

            (Njerëzit)... mbysin të vërtetën në padrejtësi, meqenëse ajo që mund të njihet prej Perëndisë është bërë e dukshme në ta, sepse Perëndia ua ka shfaqur atyre. Në fakt cilësitë e tij të padukshme, fuqia e tij e përjetshme dhe hyjnia e tij, duke qenë të dukshme nëpërmjet veprave të tij që nga krijimi i botës, shihen qartë, me qëllim që ata të jenë të pafalshëm. Sepse, megjithëse e njohën Perëndinë, nuk e përlëvduan as e falënderuan si Perëndi, përkundrazi u bënë të pamend në arsyetimet e tyre dhe zemra e tyre pa gjykim u errësua. Duke e deklaruar veten të urtë, u bënë të marrë, dhe e shndërruan lavdinë e Perëndisë të pakalbshëm në një shëmbëllim të ngjashëm me atë të një njeriu të kalbshëm, të shpendëve, të kafshëve katërkëmbëshe dhe të rrëshqanorëve.

(Rom. 1:18-23)

            Kur Perëndia e krijoi njeriun në shëmbëllimin e tij (Zan. 1:26-7), ai i dha atij gëzimin e njohjes dhe shërbimit ndaj tij. Ai shfaqi natyrën e tij në gjërat që kishte krijuar. Në këtë univers të mrekullueshëm ai i dha njeriut një lloj pikture të dukshme të vetë cilësive dhe aftësive të padukshme të tij.

            Është e pamundur për ne që ta sjellim ndër mend se si ka qenë kjo gjë. Ndoshta kur vështrojmë një perëndim madhështor të diellit, ose ndiejmë madhështinë e një kafshe të fuqishme të vendeve të egra, ose vështrojmë lart në gjerësinë e madhe të hapësirës së spërkatur me yje, ose mrekullohemi përbri djepit të një fëmije që po fle dhe ndiejmë se na merret fryma me madhështinë e gjithë këtyre gjërave, ne prekim përvijimin e asaj se ç'do të thotë ta njihje Perëndinë nëpërmjet krijimit të tij. Por, më pas ne zgjohemi gjithmonë me ashpërsi; kujtojmë frikërat, mëkatet, trishtimet tona dhe të ardhmen e sigurt se të gjitha këto kënaqësi do të priten në mes nga vdekja. Por, në fillim, kur u krijua njeriu, në njohurinë e tij për Perëndinë nuk binin hije të tilla. Dëshmia e Psalmit 19 rikap thelbin e kësaj fryme:

            Qiejtë tregojnë lavdinë e Perëndisëndisë

            dhe kupa qiellore shpall veprën e duarve të tij.

            Një ditë i flet ditës tjetër

            dhe një natë ia tregon tjetrës.

            Nuk kanë gojë, as fjalë;

            [ku] zëri i tyre nuk dëgjohet;

            por harmonia e tyre përhapet mbi gjithë dheun

            dhe mesazhi i tyre arrin deri në skajin e botës.

(Psalmi 19:1-4)

            E gjithë kjo mund të jetë akoma e vërtetë (dhe sipas dëshmisë së Biblës, është). Por, pa dyshim kjo nuk është mënyra se si njerëzit e shohin jetën. Njerëzit e vënë në dyshim mirësinë e Perëndisë, madje hedhin poshtë edhe vetë ekzistencën e tij. Ata thonë se nuk shohin asnjë garanci për prezencën e tij, asnjë argument të sigurt për ekzistencën e tij. Çdo gjë që rrethon shqyrtimin e fakteve, thonë ata, është në errësirë. Nuk ka asnjë dritë në univers që na udhëheq të Perëndia. Dhe kështu, ata i kthejnë kurrizin atij.

            Kjo nuk e çudit aspak një studiues të Biblës. Por ai e kupton se thelbi i çështjes është shumë i ndryshëm. Errësira, thotë Pali, nuk është jashtë, por brenda. Nuk është për t'u çuditur që njerëzit nuk e zbulojnë Perëndinë, pasi ata janë bërë të kotë në mendimet e tyre, dhe mendjet e tyre janë errësuar. Tragjedia është se errësira është brenda, jo jashtë! Fuqia e mrekullueshme e Perëndisë, dhe natyra e tij si një Perëndi i gjallë dhe i dashur mund të shihen ende në gjërat që ai ka bërë. Madje edhe reliktet e zvetënuara të krijimit fillestar mbajnë ende shenjat e dorës së dashur të Krijuesit.

            Kjo është pika therëse e jetës sonë. Krijimi na thërret në harmoni: Perëndia, Krijuesi e do dhe e përmban krijimin e tij. Por, njerëzit janë verbuar ndaj zbulesës së tij, janë ftohur ndaj dashurisë së tij, janë ngurtësuar ndaj vullnetit të tij. Nga natyra e tyre ata nuk e njohin Perëndinë.

            Pak njerëz kanë dhënë më shumë mendim për këtë, ose janë shprehur më qartë për këtë sesa francezi Zhan Kalvin. Ja çfarë shkroi ai:

            Është, pra, e kotë që kaq shumë llamba që digjen ndriçojnë mbi ne në artin e gjithësisë për të shfaqur lavdinë e Autorit të saj. Megjithëse na lajnë plotësisht me rrezatimin e tyre, prapëseprapë, ato kurrë nuk mund të na udhëheqin vetë në rrugën e drejtë. Pa dyshim që ato lëshojnë disa shkëndija, por përpara se drita e tyre e plotë të shkëlqejë, ato shuhen. Për këtë arsye, apostulli... ka për qëllim të thotë... se në këto shfaqje shpaloset hyjnueshmëria e padukshme e Zotit, por se ne nuk kemi sy për ta parë këtë në qoftë se nuk ndriçohen nga zbulesa e brendshme e Perëndisë nëpërmjet besimit. (Institutet, I:v:14)

            Perëndia ka bërë këtë gjë. Ai ka parë paaftësinë natyrale të njerëzve për ta njohur dhe dashur Atë, për ta kuptuar dhe t'i shërbyer atij, dhe ka ardhur në ndihmë të tyre. Ai e ka bërë këtë përmes një vargu veprash të fuqishme, me qëllim që t'i kthejë njerëzit në njohurinë e tij. Por që as kjo të mos keqkuptohet apo shtrembërohet, ai na ka dhënë shpjegimin e vetë atij për këto ngjarje. Ai na tregon se çfarë duhet të presim në jetët tona kur i besojmë atij, duke na treguar se si ka punuar në jetët e njerëzve si ne gjatë shekujve të historisë biblike.

            Letra drejtuar Hebrenjve, e cila në thelb është një libër që shpjegon rrugën që mund të na sjellë te njohuria e Perëndisë nëpërmjet Jezu Krishtit, hapet me një përmbledhje të asaj që ka bërë Perëndia për shërimin e gjendjes së njerëzve larg atij: Perëndia, mbasi u foli së lashti shumë herë dhe në shumë mënyra etërve me anë të profetëve, së fundi, këto ditë na ka folur me anë të Birit.  (Heb. 1:1,2)

            Zbulesa që Perëndia i ka bërë vetes së tij ka disa veçori të rëndësishme. E para, është historike: Perëndia ka ndërhyrë në historinë e kombeve me qëllim që të tregojë fuqinë dhe dashurinë e tij. E dyta, është fjalore: Perëndia ka dhënë një interpretim dhe shpjegim të qartë të veprave të tij përmes atyre që shkruan faqet e Shkrimit. Pastaj, është grumbullore: Perëndia e dha zbulesën e tij në mënyra të ndryshme dhe kohë të ndryshme. Dhe së fundi, qendra e saj është Krishti: kjo zbulesë e arriti plotësimin e saj kur Perëndia u foli njerëzve fjalën e tij të fundit në ardhjen e Birit të tij, Jezu Krishtit.

            Perëndia ka folur në kohë dhe mënyra të ndryshme. Shkrimi është regjistrimi i kësaj zbulese. Në njëfarë mënyre mund të kishte qenë e mundur që jeta e krishterë të jetohej pa të. Një brez mund t'ia kishte kaluar brezit tjetër historinë e Jezusit dhe apostujve. Por Perëndia është shqetësuar për ruajtjen për ne të së vërtetës të shpëtimit të tij. Kështu, që ai na ka dhënë Biblën. Ai e di se kujtesa e njerëzve është e shkurtër, gjuhët e tyre të gjata dhe zemrat e tyre plot mashtrim. Bibla ruan në një formë të besueshme për ne atë që do të ishte ngatërruar gjatë shekujve. Mirë e ka shkrimtari hollandez Herman Bavinck kur thotë:

            Fjala e shkruar... nuk humbet në ajër por vazhdon të jetojë; ajo nuk është, si traditat gojore, e prirur të falsifikohet;... ajo nuk është e kufizuar në ata pak veta që e dëgjojnë atë, por është e tillë, që, përkundrazi, mund të përhapet në gjithë popujt dhe në gjithë vendet. Shkrimi e bën të përhershme fjalën e folur, e mbron atë ndaj falsifikimit, dhe e shpërndan atë gjatë e gjerë. (Besimi Ynë I Arsyeshëm 'Our Reasonable Faith' fq. 96)

            Kjo na kujton se Bibla nuk është shkruar kryesisht për studiuesit; ajo nuk u dha nga Perëndia për të qenë një libër mësimor në kolegjet. Përkundrazi, ajo është libri baritor i Perëndisë, dhe ka një qëllim ungjillizues dhe ndërtues - jo thjesht të mbushë kokët tona me informacion, por të mbushë zemrat tona me njohuri për Perëndinë dhe dashuri për Të.

            Kur e kuptojmë këtë, ne zbulojmë efektin që kjo gjë ka në shpirtin tonë kur lexojmë apo dëgjojmë fjalën e Perëndisë. Nuk duhet ta lejojmë kurrë vetveten që të largohet prej kësaj sigurie, se ajo që po lexojmë është një mesazh të cilin Perëndia e ka dhënë në mënyrë të veçantë dhe e ka ruajtur në formë të shkruar. Përmes saj ai na tregon se sa shumë na do, dhe se si do të punojë ai në jetën tonë për të na ndihmuar që ne ta njohim dhe t'i shërbejmë atij. Nëse e kuptojmë këtë, atëherë ne do të jemi të gatshëm që të punojmë me këmbëngulje për të kuptuar Shkrimin kur na kërkohet kjo gjë; do të jemi të gëzuar të marrim çfarëdolloj hapash të nevojshëm për t'u bërë të njohur sa më mirë me mendjen dhe vullnetin e Perëndisë në Bibël. Atëherë, ne kemi për të filluar të kuptojmë se vargjet e Shkrimit, rëndësinë e të cilave ne nuk e kuptonim më përpara, janë bërë plot kuptim dhe bekim në jetën tonë.

            Deri tani, kemi thënë se Bibla është regjistrimi dhe interpretimi i zbulesës së Perëndisë në histori. Vetë Biblën mund ta mendojmë si zbulesë. Por ka edhe dy ide të tjera të cilat ne duhet t'i rrokim për të arritur të kuptojmë se çfarë është Bibla dhe pse Perëndia na e ka dhënë atë pikërisht kështu siç na e ka dhënë. Sepse vetë Bibla deklaron se është një libër si hyjnor ashtu edhe njerëzor. Ajo është e frymëzuar nga Perëndia, dhe megjithatë në faqet e saj ai ia përshtat veten e tij të kuptuarit të njeriut.

Frymëzimi

            Ne themi se Bibla është e 'frymëzuar'. Por çfarë kuptojmë ne kur themi se ne besojmë se Bibla është 'e frymëzuar nga Perëndia'? Madje, nuk është një gjë e ashpër të themi se hera-herës të krishterët kanë ide shumë të turbullta për frymëzimin - dhe madje jobiblike!

            Kur themi se Shkrimi është 'i frymëzuar', ne nuk kuptojmë se ai është 'frymëzues'. Shpesh, ai është. Por ka shumë vargje që nuk duken të jenë shumë frymëzuese.

            Merrni si shembull kapitullin e parë të Ungjillit sipas Mateut. Si do të reagonit ju nëse dikush do të përpiqej të predikonte mbi atë gjenealogjinë e gjatë të Jezusit me të cilën hapet Ungjilli? Si do ta prisnit predikimin, nëse ajo listë e gjatë emrash do të zgjidhej si lexim nga Bibla? Unë mendoj se do të ishte shumë e saktë të thuash se reagimi i zakonshëm do të ishte: 'Po na mërzit shumë sot!' Kështu, nga një pikëvështrim, Bibla nuk është gjithnjë një libër frymëzues (mendo për pjesë të tëra nga Levitiku, apo disa nga ligjëratat qortuese në librat e profetëve).

            Por, pa dyshim që nuk duhet ta teprojmë kur themi këtë gjë. Sepse, kurdoherë që ne fillojmë të shohim kuptimin e vërtetë, arsyen se përse shkrimtari përfshiu ato që shkroi në librin e tij, ne në fakt zbulojmë se edhe vargje të tilla të errëta mund të jenë frymëzuese. Kur arrijmë të kuptojmë mesazhin që rrjedh përmes gjenealogjisë së Jezusit, se 'Perëndia po plotëson qëllimin e tij vit pas viti', atëherë ne zbulojmë se sa drithëruese është e gjithë kjo. Megjithatë, kur Pali i shkruajti Timoteut dhe tha se i gjithë Shkrimi është i frymëzuar prej Perëndisë, ai donte të thoshte diçka të ndryshme nga fjala 'frymëzues'.

            Çfarë është frymëzimi? Dr. Benxhamin B. Uorfild (Benjamin B. Warfield), i cili dha mësim në Seminarin Princeton në Sh.B.A., ka qenë eksperti i madh mbi subjektin e frymëzimit biblik në shekullin e njëzetë. Ia vlen të citojmë një deklaratë mahnitëse që ai shkroi:

            Është shumë e dëshirueshme që ne ta çlirojmë veten tonë që nga fillimi prej ndikimeve që dalin nga përdorimi i tanishëm i termit 'frymëzim'. Ky term nuk është një term biblik, dhe nënkuptimet e tij etimologjike nuk janë në përputhje të plotë me konceptin biblik të mënyrave të dhënies së Shkrimit nga veprimi hyjnor. (Shkronjat e pjerrëta janë prej autorit.)

(Frymëzimi dhe Autoriteti i Biblës fq.153)

            Çfarë donte të thoshte Uorfildi? Meqenëse ai ishte një nga mbrojtësit më të vendosur të pagabueshmërisë së Biblës, duket një gjë e habitshme që ai mohoi se ajo ishte 'e frymëzuar'! Por, ai donte të thoshte këtë: ne nuk duhet ta mendojmë Shkrimin si një objekt në të cilin Perëndia fryn, por si diçka të cilën e ka 'frymënxjerrë' vetë Perëndia. Pra, nuk është se Perëndia i shtoi diçka fjalës që kishin shkruar njerëzit, por që Perëndia është vetë origjina, burimi i asaj që u shkrua. Si rrjedhim, në Dhiatën e Re ka vende të ndryshme ku, kur citohet Dhiata e Vjetër, fjalët 'Perëndia' dhe 'Shkrimi' shihen të ndërkëmbyeshme. Nëse Shkrimi thotë diçka, atëherë (meqenëse Shkrimi është i frymëzuar nga Perëndia) ne mund të themi: Perëndia e ka thënë atë (shih Gal. 3:8; Rom. 9:17 ku 'Shkrimi' është në të vërtetë i njëvlershëm me 'Perëndia'; dhe Mat. 19:4,5 [ku citohet Zan. 2:24]; Heb. 3:7 [që citon Ps. 95:7]; Vep. 4:24,25 [që citon Ps. 2:1] ku 'Shkrimi thotë' konsiderohet i njëjtë me 'Perëndia thotë').

            Dy gjëra përfshihen në frymëzimin e Biblës. E para, Fryma e Shenjtë punoi përmes njerëzve që shkruan librat e Biblës, dhe këtë gjë e bëri në një mënyrë të tillë që fjala e Perëndisë të komunikohej në atë që shkruan ata. Pa dyshim që shkrimtarët ishin në kontroll të plotë të vetvetes kur ndodhi kjo gjë. Por në të njëjtën kohë ata ishin nën kontrollin e Frymës së Shenjtë.

            Ne nuk e përjetojmë fuqinë e Frymës së Shenjtë në të njëjtën mënyrë. Por, ndoshta, fuqinë e tij e përjetojmë në mënyra paralele. Ne mund të veprojmë duke patur kontroll të plotë të vetvetes, ndërsa ecim në Frymë; por, duke shikuar në të kaluarën, zbulojmë se nëpërmjet veprimeve tona janë plotësuar qëllimet e tij të përkryera. Në fakt, në ato raste kur ne jemi më të ndërgjegjshëm për praninë e Frymës në jetën tonë, jo vetëm që nuk mendojmë se e kemi humbur kontrollin, por, përkundrazi, ndihemi më shumë ne se kurrë ndonjëherë! Prandaj Pjetri thotë se shkruesit e Biblës shkruan të shtyrë nga Fryma e Shenjtë (2 Pjet. 1:21).

            Kjo është pikërisht ajo që premtoi Jezusi kur foli me dishepujt e tij në Dhomën e Sipërme. Ne ngutemi së tepërmi që të aplikojmë për veten tonë gjithçka që ai u tha atëherë dishepujve (një gabim i zakonshëm në studimin tonë biblik, siç do ta shohim më vonë). Por disa prej premtimeve që ai dha atëherë ishin të caktuara në veçanti për apostujt:

            Por Ngushëlluesi, Fryma e Shenjtë, që Ati do ta dërgojë në emrin tim, do t'ju mësojë çdo gjë dhe do t'ju kujtojë të gjitha këto që ju thashë. (Gjoni 14:26)

            Por, kur të vijë ai, Fryma e së vërtetës, ai do t'ju prijë në çdo të vërtetë, sepse ai nuk do të flasë nga vetja, por do të thotë gjithë ato gjëra që ka dëgjuar dhe do t'ju kumtojë gjërat që do vijnë. (Gjoni 16:13)

            Ky është premtimi që Jezusi u dha atyre se do të kishte një Dhiatë të Re, dhe se ata do të ishin përgjegjës për shkrimin e saj, nëpërmjet ndikimit të Frymës së Shenjtë.

            Së dyti, Perëndia mbizotëroi në jetët e njerëzve që shkruan Biblën. Pikërisht, ashtu siç na përgatit ne për shërbimin e tij, ashtu ai përgatiti përmes epokave njerëz të cilët do të ishin të përshtatshëm për të shkruajtur ato lloje librash të cilët tani përbëjnë Biblën. Përsëri, B. B. Uorfild e ka përshkruar siç duhet domethënien e kësaj:     

            Kur Perëndia dëshiroi që t'u jepte njerëzve të tij një varg letrash si të Palit, ai përgatiti një Pal që t'i shkruante ato, dhe Pali të cilit ai ia ngarkoi këtë detyrë ishte një Pal i cili do t'i shkruante këto letra në mënyrë të vetvetishme.

            (Frymëzimi dhe Autoriteti i Biblës fq.155)

Kur, në një moshë të re, Uorfildi shprehu këtë pikëpamje, ai u akuzua nga disa të krishterë sikur po mohonte frymëzimin e Biblës! E njëjta gjë do të ndodhte ndoshta dhe sot. Megjithatë ky dyshim është shumë kuptimplotë pasi ai i ka rrënjët në idenë e gabuar se meqenëse Bibla është e frymëzuar, ajo nuk mund të jetë në të vërtetë njerëzore, dhe si rrjedhim shkruesit në të vërtetë nuk luajtën asnjë rol të vetëdijshëm në shkrimin e saj. është mëse e domosdoshme që ne të kuptojmë gabimin e kësaj pikëpamjeje. Në themel ajo është produkti i të besuarit në një Perëndi i cili nuk ulet në nivelin tonë, por, që gjithmonë qëndron mënjanë. Zotra të tillë janë zotrat e mitologjisë greke dhe herezisë së shekullit të parë, por jo Perëndia dhe Ati i Zotit tonë Jezu Krisht. Derisa ne të kuptojmë mrekullinë e Perëndisë që u foli njerëzve, dhe e bëri këtë gjë nëpërmjet tyre, nuk do të mësojmë kurrë ta duam Biblën dhe Perëndinë që na e dha atë. Dhe kjo është pikërisht pika së cilës duhet t'i kthehemi tani.

Përshtatja

            Nëse duam ta mendojmë për Biblën siç duhet dhe të dëgjojmë zërin e Perëndisë në të, nevojitet të pranojmë faktin se Bibla është e frymëzuar nga Perëndia. Por për të kuptuar siç duhet mesazhin e saj, duhet që ne të pranojmë gjithashtu, dhe faktin binjak me të parin, që Perëndia ia ka përshtatur urtësinë e tij të pafundme nivelit tonë të përjetimit duke na e dhënë Biblën nëpërmjet njerëzve.

            Karakteristikat njerëzore të Biblës janë mjaft të dukshme. Tek e fundit, ajo është një vepër e përbërë e shkruar nga njerëz të ndryshëm në kohë të ndryshme. Personaliteti, sfondi, preokupimet dhe dhuntitë e tyre shkëlqejnë përmes gjithë asaj që shkruajtën. Përveç kësaj, librat e Biblës u hartuan në mënyra shumë të ndryshme.

            Si i shkroi Moisiu librat e parë të Biblës? Ja një sugjerim nga i ndieri E. J. Jang (Young),

 

            Është plotësisht e mundur që në përpilimin e Pentateukut [pesë librat e parë të Dhiatës së Vjetër - shën. përk.], Moisiu të ketë patur fragmente dokumentesh ekzistuese të shkruara më parë... (të cilat) në raste të caktuara, mund të shpjegojnë përdorimin e emrave hyjnorë në Zanafillë.

            (Një Hyrje në Dhiatën e Vjetër fq.153)

            Libri i Psalmeve, siç kuptohet qartë, u zhvillua brenda një periudhe të gjatë kohore, dhe pasqyron, ndoshta më tepër se çdo libër tjetër i Dhiatës së Vjetër, përjetimet dhe emocionet e zakonshme njerëzore të cilat, nën mbikëqyrjen e dashur të Perëndisë, kontribuoi në vlerën shpirtërore të Shkrimit.

            Ungjilli sipas Llukës është një dokument interesant, pasi autori i tij faktikisht na tregon se si e përpiloi atë. Si një student i sotshëm kur shkruan një tezë, ai përshkruan metodën dhe qëllimet e tij:

            Mbasi shumë veta ndërmorën të renditin tregimin e ngjarjeve që ndodhën në mesin tonë, ashtu si na i përcollën ata që ishin bërë nga fillimi dëshmitarë okularë dhe shërbyes të fjalës, m'u duk e mirë edhe mua, pasi i hetova të gjitha gjërat me kujdes që nga fillimi, të t'i shkruaj sipas radhës, fort i nderuari Teofil, që ti të njohësh vërtetësinë e gjërave që të kanë mësuar.

(Lluka 1:1-4)

Bibla është një libër njerëzor prej kreut në fund! Po nuk e kuptuam këtë kemi për ta humbur mesazhin e saj.

            Disa javë para se të shkruaja këtë libër, dëgjova në radio një diskutim midis dy njerëzve me aftësi të konsiderueshme intelektuale që mjerisht po ilustronte këtë pikë. Ata po qaheshin së bashku për zhdukjen në rritje të Versionit të Autorizuar (Authorised Version, një ndër përkthimet më të vjetra të Biblës në anglisht). Pse? Sepse asnjë version tjetër nuk krahasohej me dinjitetin e gjuhës së tij. Në versionet e tjera gjuha ishte tepër e rëndomtë! Pikëpamja e tyre për qëllimin e gjuhës së Biblës është pikërisht e kundërta e qëllimit të Perëndisë. Ai donte të ulej në nivelin e njeriut dhe të plotësonte nevojat e tij; kurse ata donin që Bibla të hiqej nga përjetimi dhe gjuha e zakonshme njerëzore. Por, të bësh këtë do të thotë të mbyllësh sytë para mrekullisë së Shkrimit - se Perëndia ka denjuar t'u flase krijesave të tij rebele dhe t'u tregojë atyre veten e tij si Shpëtimtar.

Augustini shkroi kështu:

Shkrimi vepron si të thuash, si me hapat e një nëne që përkulet për fëmijën e saj, për të mos na lënë pas në dobësinë tonë. Perëndia flet nëpëmjet një njeriu, në një mënyrë njerëzore, sepse në të folurit në këtë mënyrë ai na kërkon.

            Ndikimi i kësaj është i dyfishtë. E para është influenca që kjo gjë ka në mënyrën se si ne e studiojmë Biblën. Nëse ajo është jo vetëm hyjnore por edhe njerëzore, atëherë ne nuk kemi për ta studiuar atë sikur të kishte rënë nga qielli. Bibla është shumë e ndryshme nga lloji i librit që pretendohet të jetë Libri i Mormonit! është e nevojshme që ne të shqyrtojmë kohët, rrethanat dhe përjetimet pas shkrimit të saj. Nevojitet që ne të zbulojmë se çfarë kishte në mendje shkrimtari kur ai shkroi, dhe çfarë besonte ai se po u thoshte bashkëkohësve të tij. E gjithë kjo do të na ndihmojë që ne të zbulojmë se çfarë po na thotë Perëndia sot. Në qoftë se këtë lloj studimi nuk e marrim seriozisht, nuk duhet që të na çudisë nëse përfundojmë duke e përdorur fjalën e Perëndisë në jetën tonë në një mënyrë të ndryshme nga ajo që ai dëshiron.

            Ndikimi i dytë i njohjes së elementit njerëzor në Bibël është: kjo do të na ndihmojë të çmojmë faktin se është e pashmangshme që rreth natyrës dhe mesazhit të Biblës të ketë pyetje dhe probleme që ne nuk mund t'i zgjidhim. Ngaqë duke na dhënë Biblën Perëndia ka depërtuar në historinë, është e mundur që të arrijmë në përfundimin se misteret e Biblës janë aq të shumta sa dhe ato për t'u përpjekur të kuptohet personi dhe veprat e Zotit Jezus. Por këto janë mistere që duhet të na bëjnë të mrekullohemi dhe adhurojmë - që Perëndia erdhi tek ne, edhe pse ne jemi burra dhe gra besimpakë; po, dhe gjithashtu, kuptimpakë.

            Zoti ka folur. Ai ka zbritur në nivelin tonë si një atë që flet me fëmijët e tij. Ai e ka përulur veten e tij. Prandaj, dhe ne, kur të hapim faqet e Shkrimit duhet që ta përulim veten tonë nëse duam të takohemi me këtë Zot të mëshirshëm dhe komunikues. Sepse, me të vërtetë, ne nuk kemi për ta njohur Zotin në fjalën e tij nëse nuk jemi të gatshëm të bëhemi si ai nëpërmjet studimit të faqeve të saj.

2.

Si u Mblodh Bibla

 

            Kapitullin e parë e filluam duke bërë pyetjen e thjeshtë por themeltare: Pse e kemi Biblën? Jemi mësuar kaq shumë me ekzistencën e saj saqë rrallë, për të mos thënë kurrë, ndalemi për ta bërë këtë pyetje.

            Por ka dhe një pyetje tjetër themelore që duhet të bëjmë. Si u mblodh Bibla - këta gjashtëdhjetë e gjashtë libra të ndryshëm të shkruar gjatë një periudhe shumëshekullore - në një vëllim të vetëm?

            A të dhanë, kur ke qenë i ri, një kartë të vogël me një pikturë të një rafti librash të ndarë në një sërë seksionesh, ku secili përmban libra të ndryshëm të Biblës? A ishin këto seksione të titulluara 'historia', 'poezia', 'biografia' e kështu me radhë? Kjo kishte për qëllim të na mësonte se Bibla nuk është një libër i vetëm, por një përmbledhje librash, një librari e së vërtetës së Perëndisë e përpiluar gjatë shumë viteve, që përmban lloje të ndryshme literature. Por nga e dimë ne se cilët libra duhet të jenë në librari? Si e gjetën vendin e tyre gjashtëdhjetë e gjashtë librat që kemi? Si mund të jemi të sigurt se ne kemi librat e duhur? A mund t'i shtojmë libra të tjerë Biblës? Dhe, tek e fundit, ç'rëndësi praktike ka kjo?

            Tridhjetë e nëntë Nenet e Anglikanizmit, dhe Rrëfimi i Besimit i Uestminsterit (1643) i Presbiterianizmit na tregojnë të dyja se gjashtëdhjetë e gjashtë librat që ne kemi në Bibël formojnë 'Kanunin' e Dhiatës së Vjetër dhe të Re. 'Kanuni' është një fjalë greke. Ajo do të thotë stap, apo shkop i drejtë. Ajo filloi të përdorej, natyrisht, si një fjalë për masë, apo rregull, dhe kështu për një rregull veprimi. Ajo përdoret në Dhiatën e Re në këtë kuptim (2 Kor. 10:13,15,16), dhe më qartë në fjalët mbyllëse të Palit drejtuar Galatasve: Dhe të gjithë ata që do të ecin sipas kësaj rregulle paçin paqe dhe mëshirë, e ashtu qoftë edhe për Izraelin e Perëndisë (Gal. 6:16). Gjatë shekujve të parë të jetës së kishës, ajo filloi të përdorej për përmbajtjen e Dhiatës së Re: së bashku ato formuan 'rregullën e besimit dhe jetës' me të cilën e gjithë kisha dhe të krishterët personalisht qeverisnin jetën e tyre.

            Por si erdhën në ekzistencë Dhiata e Vjetër dhe e Re?

Kanuni i Dhiatës së Vjetër

 

            Moisiu u urdhërua të shkruantë në një formë të qëndrueshme zbulesën që Perëndia i dha atij: Atëherë Moisiu erdhi dhe i tregoi popullit tërë fjalët e Zotit dhe tërë ligjet. Dhe gjithë populli u përgjigj me një zë dhe tha: "Ne do të bëjmë tërë gjërat që Zoti ka thënë". Dhe Moisiu i shkroi tërë fjalët e Zotit. (Eksodi 24:3,4)

            Kur Ligji i Përtërirë regjistron fazën përfundimtare të jetës së Moisiut, ai na tregon për rregullimet që ai bëri për udhëheqësinë e ardhshme të popullit të Perëndisë. Ai i foli Jozueut në një mbledhje të madhe publike, ia caktoi ofiqit të udhëheqësit, dhe e siguroi për ndihmën e Perëndisë. Por ai bëri dhe një furnizim tjetër për popullin:

            Kështu Moisiu e shkrojti këtë ligj dhe ia dorëzoi priftërinjve, bijve të Levit, që mbajnë arkën e besëlidhjes të Zotit dhe të gjithë pleqve të Izraelit. Pastaj Moisiu i urdhëroi ata, duke thënë: "Në fund të çdo shtatë vjetëve, në kohën e caktuar si vit i faljes, në festën e Kasolleve, kur tërë Izraeli do të vijë të paraqitet përpara Zotit, Perëndisë tënd, në vendin që ai ka zgjedhur, do të lexosh këtë ligj para tërë Izraelit, në veshët e tërë izraelitëve. Do të mbledhësh popullin, burra, gra, fëmijë dhe të huajin që ndodhet brenda portave të tua, që të dëgjojnë dhe të mësojnë të kenë frikë nga Zoti, Perëndia juaj, dhe të kenë kujdes të zbatojnë në praktikë tërë fjalët e këtij ligji, kështu që bijtë e tyre që akoma nuk e njohin, të dëgjojnë Zotin, Perëndinë tuaj, dhe të kenë frikë prej tij, për të gjithë kohën që do të jetojnë në vendin që ju po hyni ta pushtoni, duke kaluar Jordanin."

(Ligji i Përtërirë 31:9-13)

            Në të vërtetë, megjithëse Perëndia caktoi një udhëheqës dhe i dha njerëzve një Shkrim, ai e bëri të qartë se ky i fundit ushtron gjithnjë autoritet mbi të parin. Fjala e tij për Jozueun në fillim të shërbimit të tij ishte:

            Vetëm tregohu i fortë dhe shumë trim, duke u përpjekur të veprosh simbas tërë ligjit që Moisiu, shërbëtori im, të ka urdhëruar; mos u shmang prej tij as djathtas, as majtas, që të kesh mbarësi kudo që të shkosh. Ky libër i ligjit mos u ndaftë kurrë nga goja jote, por mendohu për të ditë e natë, duke kërkuar të veprosh simbas të gjitha atyre që janë shkruar, sepse atëherë do të kesh sukses në veprimet e tua, atëherë do të përparosh.

(Jozueu 1:7,8)

            Fjala e Perëndisë, në formë të shkruar, si Shkrim, u bë rregulla me të cilën Jozueu dhe i gjithë populli i Perëndisë duhej të qeverisnin jetën e tyre. Ajo duhet të ishte 'Bibla' e tyre.

            Gjatë leximit të mëtejshëm të faqeve të Dhiatës së Vjetër zbulojmë se e gjithë jeta e Izraelit përcaktohet nga besnikëria, ose jobesnikëria e tyre ndaj kësaj urdhërese të Zotit. E gjithë historia interpretohet prej këtij parimi; i gjithë adhurimi është një pasqyrim i tij. Çelësi për të kuptuar mesazhin e profetëve është se ata janë njerëz të dërguar nga Perëndia për të theksuar dështimin e popullit për të ecur sipas fjalës së Perëndisë; ata i paralajmërojnë ata se gjykimet që ai premtoi për të pabesët janë shfaqur tashmë në horizontin e historisë. I njëjti Perëndi i cili foli duke dhënë Ligjin po flet përsëri nëpërmjet profetëve. Ai i thërret njerëzit që t'i kthehen besnikërisë ndaj detyrimeve të tyre të besëlidhjes dhe bindjes ndaj Ligjit. Si rrjedhim, njerëzit besimtarë të kohës së Dhiatës së Vjetër e panë se e njëjta fjalë e Perëndisë që dëgjohej në shkrimet e Ligjit dëgjohej edhe në predikimet e profetëve.

            Çifutët vlerësuan diçka që shpesh u shpëton lexuesve joçifutë të Biblës. Ata i përfshinë librat e tillë si Jozueu, Samueli, Mbretërit dhe Kronikat në Profetët. Ata e kuptuan se parimet që përshkruheshin kaq qartë në predikimin e profetëve ishin po kaq fuqimisht të pranishme në mënyrën me të cilën 'librat historikë' të Dhiatës së Vjetër e regjistruan historinë kombëtare. Ata u shkruan nga pikëvështrimi i Ligjit të Perëndisë. Shfaqja e profetëve të tillë si Elija dhe Eliseu në kronikat e marrëdhënieve të Perëndisë me popullin e tij ishte thjesht maja e aisbergut. Perëndia po e gjykonte gjithnjë popullin e tij nën dritën e Ligjit, madje edhe kur ai nuk dërgonte asnjë lajmëtar për t'i kujtuar ata se kishin ngritur krye kundër tij.

            Kështu, shohim tashmë se në 'kanun', Shkrimet që Perëndia po i jepte popullit të tij, kishte dy ndarje. Ishte Ligji, dhe pastaj duke u zhvilluar prej tij, Profetët. Këtyre iu shtuan ato që u bënë të njohura si 'Poezia'; libra si Psalmet dhe Fjalët e Urta, libri i Jobit, Ruthi, Kantiku i Kantikëve, Vajtimet, Predikuesi dhe Esteri. Ka një mister të madh për mënyrën me të cilën këta libra në veçanti arritën të konsideroheshin si Shkrime. Pesë librat e fundit (të njohur si Pesë Rrotullat) kanë qenë të lidhur për shumë shekuj me Festimet e mëdha çifute. Për një kohë të gjatë ata u lexuan publikisht në raste të tilla, dhe u përdorën si shembuj të rrugëve të Perëndisë me njerëzit. Ata ishin protrete grafike të parimeve të shtjelluara në Ligj dhe të theksuara në Profetët.

            Mund të mos jemi në gjendje t'u përgjigjemi të gjitha pyetjeve rreth mënyrës se si këta libra u bënë pjesë e Biblës. Ajo që është megjithatë e qartë, është se me kalimin e kohës populli i Perëndisë e kuptuan se ata i transmetonin njerëzimit zërin e vërtetë të Perëndisë. Me gjithë ndryshimet e tyre në autorësi, stil, lloj literature dhe kohë, ata i bashkonte një fill bashkues. Kjo filloi të njihej nga zemra e dëgjuesit besnik: zëri i Perëndisë foli me një autoritet të palëkundur; të njëjtat parime që ai u kishte dhënë në mënyrë dramatike njerëzve në Sinai shfaqeshin dhe ilustroheshin në këtë librari shkrimesh të ndryshme.

            Gjatë shekullit të parë pas Krishtit, Rabinët çifutë u takuan në Xhamnia dhe diskutuan përmbajtjen e Shkrimeve të Dhiatës së Vjetër. Ata nuk po kërkonin dhe aq të formulonin kanunin e Dhiatës së Vjetër, sesa të diskutonin nëse librat që përgjithësisht njiheshin si Shkrime të Dhiatës së Vjetër ishin në fakt librat të cilët duhet të njiheshin si të tillë apo jo. Shumë kohë më vonë, gjatë Reformacionit Protestant, kur mësimi i pranuar për një kohë të gjatë i Kishës Romake mbi kanunin e Shkrimit u vu në dyshim, pati një diskutim të mëtejshëm për të.

            Megjithatë, për shumicën e të krishterëve është e mjaftueshme të dihet se Dhiata e Vjetër që ne kemi është, me aq sa mund të themi me siguri, e njëjta Dhiatë e Vjetër që përdori vetë Jezusi. Ai citoi lirshëm pjesë të ndryshme të Dhiatës së Vjetër si fjala e Perëndisë apo Shkrimi. është e qartë që ai e pranoi pikëpamjen e bashkëkohësve të tij se ajo ishte e gjithë-frymëzuar dhe përfundimisht e autoritetshme. Nuk ishte përmbajtja e Shkrimit (kanuni) ajo për të cilën ishin në kundërshti Jezusi dhe farisenjtë, por interpretimi i tij (dhe përfundimisht, pra, autoriteti i tij, meqë ata nuk e lejonin Shkrimin që t'u interpretohej vetë atyre). Kështu Zoti ynë foli për origjinën hyjnore të Pentateukut (p.sh., Mat. 19:4,5); ai foli herë pas here për nevojën që profecitë të përmbusheshin; ai komentoi mbi mënyrën me të cilën shkrimi i Davidit ishte i frymëzuar nga Fryma (Marku 12:36). Kur u takua me dy dishepujt në rrugën për në Emaus ai filloi nga Moisiu dhe nga gjithë profetët dhe shpjegoi se fjalët e tyre ishin vetëm përgatitja e ardhjes së tij (Lluka 24:27). Më vonë atë mbrëmje, Jezusi i ringjallur tregoi më qartë:

            'Këto janë fjalët që unë ju thoja kur isha ende me ju: se duhet të përmbushen të gjitha gjërat që janë shkruar lidhur me mua në ligjin e Moisiut, në profetët dhe në psalmet.' Atëherë ua hapi mendjen, që të kuptonin Shkrimet.

(Lluka 24:44,45)

            Bibla e Jezusit dhe Dhiata jonë e Vjetër ishin të njëjta. Bibla e tij nuk ishte një libër i vetëm, por shumë rrotulla; Bibla e tij ishte e ndarë në tri ndarje të mëdha, ndryshe nga e jona. Librat kishin një renditje të ndryshme. Por përmbajtja ishte e njëjtë, dhe mbi këtë përmbajtje ai vendosi firmën e tij: 'Kjo është fjala e Zotit'. Atë që ai e mendoi si fjala e Perëndisë edhe ne mund ta quajmë me mirëbesim 'fjala e Perëndisë'.

Kanuni i Dhiatës së Re

            Ndoshta keni dëgjuar të thuhet (ose e keni menduar edhe vetë), se nëse apostujt do të mund të shihnin se sa thellë studiohen shkrimet e tyre, pothuaj dy mijë vjet pas vdekjes së tyre; apo, nëse ata do të kishin mundësi të ktheheshin sot në kishë, do të mrekulloheshin kur të zbulonin se çfarë ndodhi me letrat e tyre. Ata nuk e prisnin kurrë që ne do t'u vinim kaq shumë rëndësi!

            Por, kur hapim vetë Dhiatën e Re për të parë se çfarë na mëson ajo për qëndrimin e shkruesve kundrejt asaj që ata shkruan, ne zbulojmë se e kundërta është e vërtetë. Asgjë nuk do t'i habiste më pak apostujt sesa zbulimi se të krishterët po lexojnë akoma atë që shkruan ata. Asgjë nuk do t'i hidhëronte ata më shumë sesa kur të na shihnin se sa pak kujdes i kushtojmë shpesh mësimit të tyre. Ata e dinin se ajo që po shkruanin ishte një shtesë në fjalën e Perëndisë.

Ky mund të duket një pohim ekstrem, por nuk është i vështirë për t'u vërtetuar. Ai është një pohim kaq i rëndësishëm saqë ne duhet ta konsiderojmë më tej.

Kur autorët e Dhiatës së Re shkruan, ata e bënë këtë me qëllim që t'u komunikonin Ungjillin bashkëkohësve të tyre të atëhershëm. Por duke vepruar kështu, ata ishin të dijshëm se ajo që shkruan ishte më shumë sesa thjesht një shprehje personale e dëshmisë së tyre për Krishtin. Ajo duhej të merrej dhe lexohej si një mësim i autoritetshëm. Kështu, për shembull, Pali u thotë të krishterëve të rinj në Thesalonik: Ju përbetoj për Zotin që kjo letër t'u lexohet gjithë vëllezërve të shenjtë (1 Thes. 5:27). Një thënie e ngjashme shfaqet në fund të Kolosianëve (4:16).

            Në fund të Letrës drejtuar Romakëve ka një thënie tjetër e cila i jep peshë kësaj pikëpamjeje. Duke folur për Ungjillin e Krishtit, Pali thotë se ai tani u shfaq e u zbulua me anë të Shkrimeve të profetëve, sipas urdhërimit të Perëndisë të përjetshëm dhe u njoh ndër të gjitha kombet, për t'i sjellë në dëgjesën e besimit (Rom. 16:26). Këto fjalë na kujtojnë atë që shkroi ai në Efes. 3:3-6 për zbulesën që Perëndia i kishte dhënë atij. Ajo zbulesë është e shkruar tani - dhe përfshihet në 'Shkrimet e profetëve'. Pali nuk mund ta kishte përdorur kurrë një shprehje të tillë, kaq të ngjashme me mënyrën me të cilën ai përshkruan shkrimet e Dhiatës së Vjetër, nëse ai nuk do ta kishte kuptuar rëndësinë e asaj që ai vetë po shkruante.

            I njëjti sens i autoritetit hyjnor shfaqet nga fundi i diskutimit të tij të gjatë për vendin dhe përdorimin e dhuntive frymërore: Në qoftë se dikush mendon se është profet ose frymëror, le të njohë se ato që po ju shkruaj janë urdhërime të Zotit. Dhe nëse dikush është i paditur le të jetë i paditur. (1 Kor. 14:37,38) Prova e të qenit vërtet frymëror nuk është ushtrimi i dhuntive frymërore, por pranimi plot gëzim se fjala e letrës së apostullit është gjithashtu fjala e Zotit! është e vështirë të imagjinohet ndonjë pohim më i fortë për autoritetin e qëndrueshëm të Dhiatës së Re dhe të vlefshmërisë së saj për kishën.

            Pohime të ngjashme shfaqen në korrespondencën me Thesalonikun:

            Prandaj dhe ne e falënderojmë pa pushim Perëndinë, se kur ju keni marrë nga ne fjalën e Perëndisë, e pritët atë jo si fjalë njerëzish, por, sikurse është me të vërtetë, si fjalë Perëndie, që vepron ndër ju që besoni.

(1 Thes. 2:13)

            Dhe në qoftë se dikush nuk i bindet fjalës sonë në këtë letër, shënojeni atë dhe mos u shoqëroni me të, që ai të turpërohet.

(2 Thes. 3:14)

            Kjo nuk duhet të na habisë. Ideja e një apostulli në Dhiatën e Re është e atij që është i dërguar. Ai vishet me autoritetin e atij që e dërgoi - në këtë rast, vetë Krishti. Kjo është arsyeja që Pali nganjëherë e mbron pushtetin e tij apostolik kaq fort (krahaso 1 Kor. 9:1 e sipër; Gal. 1:1,11-24). Këtë ai e bën jo ngaqë është i shqetësuar për namin e tij personal, siç e bën të qartë (në 2 Kor. 11, 12), por sepse ai është thellësisht i shqetësuar që fjala e Zotit nëpërmjet tij të mos braktiset, injorohet apo përbuzet. Ai është po aq apostull sa dhe apostujt e tjerë. Ai e transmeton fjalën e autoritetshme të Mjeshtrit, po ashtu si ata (krah. Mat. 10:40; Gjoni 13:20; 14:26; 15:26; 16:13-15; Vep. 1:2). Prandaj dhe në Heb. 2:2 apostujt krahasohen me engjëjt të cilët ishin ndërmjetës në dhënien e ligjit në Sinai. Asgjë nuk mund ta shprehte më qartë se ajo që ata thanë ishte fjala e Perëndisë për popullin e Perëndisë. Kështu, kur u shkruajt Ungjilli sipas Gjonit, autori i tij përdori të njëjtën shprehje për librin e tij me atë që ai kishte përdorur për librat e Dhiatës së Vjetër - janë shkruar (Gjoni 20:31; krah. Gjoni 2:17; 6:31,45; 10:34; 12:14; 15:25).

            Është ky themel që e bën të mundur që Letra e Dytë e Pjetrit të përmbajë thënien e shquar:

            Dhe kini parasysh se durimi i Zotit tonë është në shërbim të shpëtimit, sikurse ju ka shkruar edhe vëllai ynë i dashur Pal, sipas diturisë që iu dha; ashtu bën ai në të gjitha letrat e tij, ku flet për këto gjëra. Në to ka disa gjëra të vështira për t'u kuptuar, të cilat të paditurit dhe të paqëndrueshmit i shtrembërojnë, sikurse bëjnë me Shkrimet e tjera, për përhumbjen e tyre.

(2 Pjetri 3:15,16)

            Pjetri i vendos letrat e Palit në të njëjtin nivel me Shkrimet e tjera. Shkrimet që Perëndia i ka dhënë kishës nëpërmjet apostujve duhet të konsiderohen pjesë e Shkrimit.

            Apostujt vetë ishin të dijshëm se kjo ishte arsyeja që Krishti i kishte thirrur ata në shërbimin e tyre të veçantë. Ishte kjo që i bënte ata dëshmitarë unikalë për të. Të tjerë mund të flisnin për fuqinë e tij shpëtuese; të tjerë mund të përdoreshin për ungjilltarë, pastorë dhe mësues. Por ata kishin marrë një premtim të veçantë prej Zotit Krisht, se ai do t'u dërgonte Frymën e tij për t'i aftësuar që ata të shkruanin faqet e Dhiatës së Re. Ai u dha atyre autoritetin për t'i dhënë kishës një grup literature për të gjitha kohërat si rregull të besimit dhe jetës. Ai kishte autoritetin e plotë në qiejt dhe tokën; ata duhej pra, të shkonin, në autoritetin e tij, për t'u mësuar kombeve gjithçka që ai u mësoi atyre.

            Përfundimisht, pra, përmbajtja e Dhiatës së Re pasqyron mësimin e autoritetshëm të vetë Jezusit (shih Gjoni 14:25,26; 15:26,27; 16:12-15; Mat. 28:18-20).

            Natyrisht, u desh pak kohë përpara se çdo i krishterë në çdo pjesë të botës së ungjillizuar të kuptonte se 27 librat e Dhiatës së Re të sotme ishin fjala e Perëndisë. Disa kisha zotëronin vetëm disa pjesë të Dhiatës së Re, dhe Letrat dhe Ungjijtë u shkruan në kohë dhe vende të ndryshme. Ishte e paevitueshme që të formoheshin versione të vogla të Dhiatës së Re, dhe të shfaqeshin kanune të ndryshme në pjesë të ndryshme të botës. Dhe kështu, në një zonë do të dilnin pyetje nëse librat që ishin pranuar në një zonë tjetër duhej apo jo të përfshiheshin në Dhiatën e tyre të Re.

            Pa dyshim, këtij procesi iu desh kohë. Megjithatë që nga periudha e hershme kisha e krishterë e kuptoi se Perëndia kishte qenë duke i shtuar fjalës së tij nëpërmjet apostujve. Shkrimet më të hershme të shekujve të dytë dhe të tretë tregojnë se pjesë të Dhiatës së Re po përdoreshin si fjalë e Perëndisë. Nga fundi i shekullit të katërt ishte e pranuar gjerësisht se 27 librat që ne i quajmë tani Dhiata e Re ishin fjala e Perëndisë për epokën e re të Ungjillit.

Rëndësia

            Ndoshta ju mund të pyesni se çfarë vlerë të mundshme praktike ka e gjithë kjo, sado që është interesante. Në fakt, rëndësia e saj është shumë e gjerë.

            Gjashtëdhjetë e gjashtë librat e Dhiatës së Vjetër dhe të Re i janë dhënë kishës nga Zoti Jezu Krisht dhe nga apostujt si fjala e Perëndisë. E gjithë Bibla është fjala e Perëndisë. Perëndia flet përmes saj thjesht dhe qartë. Perëndia na flet neve sot vetëm nëpërmjet fjalës së tij. Vetëm ajo që gjejmë në faqet e Biblës na aftëson të themi: 'Këtë e ka thënë Perëndia.'

            Pse duhet që kjo të jetë kaq e rëndësishme? Sepse njerëzit e krishterë, të cilët rrëfejnë se vetëm Bibla është rregulla e besimit dhe jetës së tyre, se vetëm Bibla është fjala e Perëndisë, shpesh nuk veprojnë në përputhje me rrëfimin e tyre. Megjithëse ata e pranojnë me gojë pikëpamjen se vetëm fjala e Perëndisë është udhëzuesi ynë, në fakt ata jetojnë sikur Perëndia të ketë mënyra të tjera 'të foluri'.

            Më kujtohet shumë qartë kur udhëhiqja një mision veror me një grup të rinjsh. Vonë një mbrëmje, tre të rinj - të cilët nuk i njihnim - arritën në qendër. 'Zoti na ka thënë të qëndrojmë me ju sonte', thanë ata.

            Mua m'u duk pak interesante që Zoti nuk u kishte dhënë asnjë njoftim udhëheqësve të ekipit tonë për këtë! I interesuar të zbuloja se çfarë qëndronte pas 'udhëzimit' që kishin marrë këta të panjohur, unë pyeta më tej: 'Nga e dini ju se Zoti ju tha të rrini me ne?' Përgjigjja u dha menjëherë, 'Ai na ka thënë.' Kur unë pyeta më tej, përgjigjja u zgjerua në 'Ai vetëm na e tha.' 'Mirë,' thashë unë, 'Unë mendoj se nëse Zoti do të kishte planifikuar që ju të qëndroni me ne sonte ai do t'ju kishte siguruar shtretër për ta bërë të mundur këtë gjë - dhe ne nuk kemi asnjë shtrat të tepërt për ju!'

            Diskutimi i nxituar solli një ndryshim planesh: 'Zoti po i thotë njërit prej nesh që të qëndrojë, dhe dy të tjerët të shkojnë' erdhi përgjigjja.

            Në këtë kohë unë mendova se do të ishte një gjë e urtë ta pranoja propozimin e tyre, por në të njëjtën kohë të diskutoja me ta mënyrën me të cilën Perëndia udhëheq dhe udhëzon fëmijët e tij në jetë. Unë u përpoqa t'u sugjeroja atyre se normalisht (madje ndoshta dhe rrallë), Perëndia nuk i udhëheq fëmijët e tij nëpërmjet këtyre lloj nxitjesh të pashpjegueshme dhe të menjëhershme që kishin përjetuar këta të rinj. 'Nga e dini ju se ai që po fliste ishte Perëndia, dhe jo djalli?'  pyeta unë, 'si mund të jeni të sigurt?' 'Ne jemi të sigurt' ishte përgjigjja.

            Kur njerëzit pretendojnë të kenë një udhëzim të drejtpërdrejtë nga Perëndia veçan shkrimeve, është praktikisht e pamundur ta diskutosh çështjen me ta dhe t'i bindësh se vullneti i Perëndisë njihet me rrugë të tjera. Për më tëpër, edhe ata të krishterë inteligjentë që janë të bindur se Perëndia na udhëheq gjerësisht nëpërmjet nxitjesh të brendshme, parandjenjash dhe 'ndjenjash', kundërshtojnë zakonisht që t'ia nënshtrojnë këtë lloj udhëzimi provës, dhe ta sjellin atë te guri provë i Shkrimit.

            Kur ne vijmë për të kuptuar domethënien e kanunit të Shkrimit - se Perëndia e ka zbuluar vullnetin e tij në mënyrë të autoritetshme për kishën në Bibël - një nga bekimet që kjo sjell në jetën tonë është se ne çlirohemi nga varësia mundësisht shkatërruese ndaj parandjenjave dhe përshtypjeve. Ne çlirohemi nga mendimi 'si rrufeja në qiell të pastër' ndaj udhëzimit i cili, megjithëse me dukje shpirtërore, është më tepër i mundur të vijë nga e nënvetëdija jonë, apo madje edhe nga një frymë e keqe, sesa nga Fryma e Shenjtë. Ne nuk kemi për të gjetur më udhëzim të autoritetshëm në ndjenjat tona subjektive, por në drejtimet, premtimet, shembujt dhe urdhërimet e Perëndisë në Bibël. Çdo mendim që do të kemi për atë që mund të jetë vullneti i Perëndisë ne do të duam të sjellim te mesimi i Biblës, dhe ta shqyrtojmë nën dritën e saj.

            Edhe kjo ka nënkuptime të gjera për kishën sot në fushën e dhuntive frymërore, apo 'frymëroreve' (1 Kor. 12:1). Unë kam parasysh veçanërisht përjetime të tilla si vizione, ëndrra, dhuntitë e profecive dhe të folurit në gjuhë të panjohura. Në epokën tonë (që karakterizohet nga një reagim ndaj racionalizmit steril dhe moralit viktorian) ka një prirje pothuaj të natyrshme për t'u tërhequr në valën e entuziazmit për përjetim shpirtëror. Ishte në një situatë çuditërisht të ngjashme në kishën e Korintit që apostulli Pal (i cili dinte për këto gjëra më shumë se çdokush tjetër!) e ndjeu të nevojshme që të jepte shumë fjalë paralajmërimi. Do të bënim mirë që t'ia vinim veshin asaj që ka për të thënë ai.

            Ne mund të jemi në rrezik sot që t'u ngjitim një autoritet të tillë ëndrrave, vizioneve, profecive dhe mesazheve në gjuhëra që nuk u ishte dhënë kurrë prej apostujve. Shumë të krishterë sigurisht i kanë parë këto përjetime të pandërmjetme si një prej rrugëve më kryesore në të cilat Perëndia e udhëheq popullin e tij individualisht dhe bashkarisht.

            Përsëri, mund të jetë e dobishme që ta ilustrojmë këtë pikë. Unë kam njohur njerëz që u është thënë, nëpërmjet një mesazhi të folur në gjuhë të panjohur, dhe të interpretuar, se ata duhet të fillonin të takoheshin, dhe se kjo duhej të çonte në martesë. Në mënyrë të ngjashme, janë bërë profeci për sferën e ardhshme të shërbimit, apo të çfarëdo gjëje tjetër, të një krishteri të veçantë. Ç'mund të themi për këtë? Në rastin e dy të rinjve të cilët 'u drejtuan' drejt njëri-tjetrit nga një mesazh në gjuhë të panjohura, mua më kujtohet mirë se do të kishte qenë e vështirë për Perëndinë të bashkonte dy njerëz të tjerë më pak të përshtashëm për njëri-tjetrin! 'Ky është thjesht një gjykim njerëzor!' mund të thotë dikush. Por çfarë nëse parimet e mëdha biblike për dashurinë, njohjen dhe martesën, dhe magazina e pasur e udhëzimit për qëllimin e Perëndisë kur na bëri burrë dhe grua, na sugjeron se dy të rinj do të ishin partnerë të papërshtatshëm jete për njëri-tjetrin? Çfarë nëse, kur vendoset pranë mësimit të Biblës, mesazhi në gjuhë të duket një kontraditë? Kush ka autoritet përfundimtar?

            Në të njëjtën zonë të përgjithshme të përjetimit ka një histori shumë me kripë në Veprat e Apostujve. Kur Pali ishte në Cezare, profeti Agabus (ndoshta i njëjti njeri i cili profetizoi saktësisht në Vep. 11:28) profetizoi se Pali do të burgosej në Jeruzalem (Vep. 21:11). Njerëzit iu lutën Palit që të mos shkonte në Jeruzalem. Pse atëherë ai shkoi? Sepse ai u shty nga Fryma (Vep. 20:22). Tani, është interesante të vërehet se kur Pali kishte qenë në Tiro, ai qëndroi me dishepujt për një javë: Të shtyrë nga Fryma, ata i thoshin Palit të mos ngjitej në Jeruzalem (Vep. 21:4).

            Ç'kuptim ka ky rrëfim në pamje kontradiktor për atë që po thoshte Fryma? Ai do të thotë se, edhe në ditët e apostujve, shprehjet profetike duhej të provoheshin objektivisht për të dalluar se cili ishte vullneti i Perëndisë dhe çfarë ishte thjesht një thënie e njeriut dhe kështu ishte e prirur të gabonte. Ku mund të gjendeshin prova të tilla? Në besnikërinë ndaj zbulesës së Perëndisë nëpërmjet apostujve.

            A nuk ka kjo diçka për t'i thënë kishës sot? Ne jetojmë në 'një epokë të menjëhershme'. Jemi më tepër të prirur të kërkojmë një Perëndi i cili na udhëheq gjithashtu në mënyrë të menjëhershme, sesa një Perëndi i cili e ka thënë të vërtetën e tij në faqet e Shkrimit, dhe na ka ftuar për të zbuluar vullnetin e tij duke zbatuar të vërtetën e saj në jetë tonë. Pa dyshim duket sikur ka diçka më shpirtërore në udhëzimin e menjëhershëm, por kujtoni fjalët e Palit për Korintasit: Do të lutem me frymën, POR DO TA BëJ EDHE ME MENDJEN. Do të këndoj me frymën, POR DO Të KëNDOJ EDHE ME MENDJEN (1 Kor. 14:15). Ne duhet të themi: Do të udhëhiqem me frymën time - por do të udhëhiqem edhe me mendjen.

            Ja pra, çfarë ndodh nëse ne e kërkojmë vullnetin e Perëndisë në fjalën e Perëndisë. Në vend që të na i ngushtojë apo kufizojë jetën, një udhëzim i tillë e bën atë më të fortë dhe më të qëndrueshme - dhe, ndryshe nga udhëzimi i menjëhershëm, ai na e transformon karakterin. Siç kemi për ta parë, Perëndia na e ka dhënë Biblën pikërisht për të na e forcuar karakterin. Pra, në fund të fundit, kanuni ka ndikimin

3.

A është Kjo Fjala  e Perëndisë?

            Nëse dikush do t'ju pyeste: 'Nga e di ti se Bibla është me të vërtetë fjala e Perëndisë?' si do t'i përgjigjeshit?

            Mesazhi që Pali u solli Thesalonikasve u pranua jo si fjalë njerëzish, por, sikurse është me të vërtetë, si fjalë Perëndie, që vepron ndër ju që besoni (1 Thes. 2:13). Por nga e dinte ai këtë? Si mund ta gjejmë këtë lloj sigurie për Biblën?

            Ne arrijmë në përfundimin se Dhiata e Vjetër dhe e Re përmban fjalët autentike të Perëndisë për ne pikë së pari nga pohimet që bëjnë ato, dhe së dyti nga efektet që ato prodhojnë.

Pohimet e Biblës

            Bibla nuk është vetëm një përmbledhje vëllimesh, të shkruara në kohë të ndryshme dhe të mbledhura gjatë shumë shekujve, por ajo është edhe një libër i vetëm me një temë të madhe qendrore që rrjedh nëpër të. Kjo është ajo që e bën Biblën unikale - nga njëra anë ajo është shumë libra, nga ana tjetër ajo është një vepër e vetme.  A ka ndonjë arsye për këtë paradoks? Pa dyshim që ka! Bibla është shkruar nga shumë njerëz në kohë të ndryshme. Por në analizën përfundimtare ajo ka vetëm një burim, dhe një autor - vetë Perëndinë.

            Ky nuk është thjesht një interpretim i kishës për Biblën. Por ajo është vetë pikëpamja e Biblës për veten. Nganjëherë sugjerohet se, meqë kisha 'e përpiloi' Shkrimin, është e pamundur të flitet për 'pikëpamjen e Biblës për veten'. Por bibla flet për veten: Ajo flet në mënyrë të vetëdijshme për natyrën e saj. Siç e kemi parë tashmë (në 2 Pjetrin) ajo e bën këtë duke patur parasysh se në ditët e apostujve vetë Bibla po rritej dhe po plotësohej.

            Letra drejtuar Hebrenjve e ka kështu: Perëndia, mbasi u foli së lashti shumë herë dhe në shumë mënyra etërve me anë të profetëve, së fundi, këto ditë na ka folur më anë të Birit. (Heb. 1:1,2) Ja pikëpamja e Dhiatës së Re për llojllojshmërinë e zbulesës në Dhiatën e Vjetër, si dhe theksi i fortë mbi faktin se është Perëndia ai që ka folur përmes këtyre kanaleve të ndryshme. Ngaqë autori është një, Bibla e përfunduar transmeton një sens të madh uniteti dhe harmonie.

            Pali e shpreh pozicionin me këto fjalë: I gjithë Shkrimi është i frymëzuar nga Perëndia (2 Tim. 3:16). Ai do të thotë se çdo pjesë shkrimi që ka karakterin e 'Shkrimit' ka edhe ai këtë veçori të Shkrimeve të Dhiatës së Vjetër - Shkrimet e shenjta të cilat Timoteu i njihte qysh femijë (2 Tim. 3:14,15) - ato ishin frymëzuar nga vetë Perëndia.

            Në mënyrë të ngjashme, shkruesit e Ungjijve besuan (ashtu si dhe Gjoni) se ata po i shtonin asaj 'që është shkruar'. Shkruesit e Dhiatës së Re ishin plotësisht të dijshëm se ata po i kalonin kishës një mesazh të autoritetshëm. Zbulojmë se edhe për ta Bibla nuk ishte një seri librash të izoluar, por një përpilim literature përmes të cilit Perëndia po i jepte popullit të tij një mesazh të madh të vetëm.

            Kur Jezusi i mësoi dishepujt e tij për Shkrimet, ai vuri firmën e tij mbi Dhiatën e Vjetër si fjala e Perëndisë. Për të, Shkrimi nuk mund të binte poshtë, sepse ai ishte zëdhënësi i Perëndisë. Prandaj, dhe kur dishepulli e merr mësimin e Jezusit seriozisht, ai shtyhet drejt përfundimit se Shkrimi është fjala e Perëndisë. Konkluzioni logjik i çdo interpretimi tjetër është se pikëvështrimi i Jezusit për Biblën (dhe si rrjedhim, dhe vetë Jezusi) është i pabesueshëm dhe i mangët.

            Përveç kësaj, kur Jezusi i veçoi dishepujt e tij të veçantë për shërbimin e të qenit apostuj të tij, shtimi ndaj Shkrimeve tashmë ekzistuese ishte një nga detyrat parësore që u dha atyre. Fryma e Shenjtë u ishte dhënë atyre për t'i ndihmuar që ata të shkruanin Shkrimin (krah. Gjoni 14:25,26; 16:12-15). Ata u dërguan në botë për të mësuar gjithçka që vetë Jezusi u kishte mësuar (Mat. 28:18-20). Gjithë këtë ne e kemi vënë re më lart.

            Nëse ka patur një kohë të veçantë gjatë shërbimit të Zotit tonë kur kishte më shumë të ngjarë se do të dilnin në pah bindjet e tij më të thella për Biblën, ka qenë kur ai u përballua me trysninë e jashtëzakonshme të Gjetsemanit dhe Kalvarit. Por është pikërisht atëherë që ne e shohim atë ta pranojë autoritetin përfundimtar të Shkrimit në vetë jetën e tij.

   Pse duhet të vdesë? SIKURSE ËSHTË SHKRUAR PËR TË, Biri i njeriut pa tjetër shkon. (Mat. 26:24)

   Pse duhet të tradhtohet? DUHET TË PËRMBUSHET KY SHKRIM: "Ai që ha bukën me mua, ka ngritur thembrën kundër meje." (Gjoni 13:18)

   Pse duhet të braktiset? SEPSE ËSHTË SHKRUAR: "Do ta godas Bariun dhe delet do të shpërndahen." (Marku 14:27)

   Pse duhet të urrehet aq shumë? Që Të PËRMBUSHET FJALA E SHKRUAR NË LIGJIN E TYRE: "Më kanë urryer pa shkak." (Gjoni 15:25)

   Pse nuk e përdor pushtetin e tij për t'i shpëtuar kryqit? PO ATËHERË, SI DO Të PËRMBUSHESHIN SHKRIMET, sipas të cilave duhet të ndodhte kështu? (Mat. 26:54)

            Këto fjalë pasqyrojnë bindjet më të thella të Jezusit. Dishepulli i krishterë mund të jetë i sigurt se Zoti i tij i konsideroi Shkrimet si fjala e frymëzuar dhe e pacënueshme e Perëndisë. Ajo që thoshin ato ishte ajo që tha Perëndia. Pavarësisht nga prirjet e tij personale (dhe thirrja e tij në Gjetsemani, Ati im, në qoftë se është e mundur, largoje prej meje këtë kupë, tregon se ku qëndronin dëshirat e tij natyrale njerëzore), ai pa drejt Shkrimit për të zbuluar vullnetin e Perëndisë. Prandaj dhe ai iu nënshtrua përulësisht atij.

            Kur Krishti i takoi dy dishepujt në rrugën për në Emaus ai i drejtoi ata tek Shkrimi si interpretimi i autoritetshëm i Perëndisë për jetën, vdekjen dhe ringjalljen e tij. Ai nuk tha: 'Harrojeni studimin e Biblës tani që u ngjalla!' Përkundrazi, ai theksoi autoritetin e fjalës së Perëndisë. Ai i inkurajoi ata për të kuptuar dhe besuar dëshminë e saj, ndonëse ata nuk e kishin kuptuar ende prezencën e tij me ta. A nuk është domethënëse që pasi Jezusi ua shpjegoi atyre mesazhin e Biblës ata filluan ta kuptonin kush ishte ai?

Ne e dimë se Bibla është fja