TË LINDUR SËRISHT

Origjinali:

The New Birth

Autori: 

Mike Brown

Përkthyesi:

Holger Dashi

Shtyp:

Misioni Ungjillor, Angli

Boton:

Kisha Ungjillore, Korçë

Hyrje

Kjo broshurë është përgatitur nga disa predikime mbajtur në Kishën Ungjillore të Korçës dhe në takimet publike në Ersekë. Qëllimi i saj është ta shpjegojë atë që Dhiata e Re na mëson mbi çështjen e të lindurit sërish.

Zoti Jezu dhe apostujt e bënë të qartë në mësimet e tyre se ishte fakt që për t'u bërë besimtar i vërtetë njeriu duhet të lindë sërish. Na mësojnë gjithashtu se kjo rilindje është e mundshme nëpërmjet veprimit dhe fuqisë së Perëndisë Frymë e Shenjtë dhe Fjalës së Perëndisë.

Bibla, gjithashtu, na e bën të qartë se e vetmja shpresë e sigurtë për të sjellë një ndryshim të qëndrueshëm në jetën e individit dhe, për rrjedhojë, më pas, edhe në jetën e kombeve tona, është të përjetosh një rilindje të tillë. Për këtë arsye, kjo broshurë u kushtohet të gjithë vëllezërve dhe motrave në Trupin e Krishtit dhe në Kishën Ungjillore të Shqipërisë, të cilët kam pasur kënaqësinë t'i njoh gjatë këtyre tri viteve të fundit.

Mike Brown
Korçë
Korrik '94

 

Kapitulli 1
Natyra mëkatare

Tek Marku 7,21-23 lexojmë: Sepse nga brenda, domethënë nga zemra e njeriut, dalin mendimet e mbrapshta, shkeljet e kurorës, kurvërimi, vrasjet, vjedhjet, lakmitë, ligësitë, mashtrimet, pafytyrësia, smira, blasfemia, kryelartësia, budallallëku. Të gjitha këto të mbrapshta dalin nga brenda dhe e ndotin njeriun.

Zoti Jezu këtu na tregon mjaft qartë se problemi më i madh i njeriut është çështje shpirtërore/morale. Nuk është çështje ekonomike apo politike; nuk është problem i nivelit të ulët arsimor as i mungesës së arritjeve në fushën shkencore, as edhe problem i shkaktuar thjesht prej rrethanave në të cilat ndodhet individi. Eshtë ky problem i zemrës.

Problemet e mëdha të jetës sonë nuk do t'i zgjidhim thjesht duke pasur një ekonomi më të mirë, edhe sikur kjo të jetë e nevojshme apo e dëshirueshme. Ka probleme bazë që kurrë nuk do të zgjidhen duke pasur më tepër të mira materiale. Ato nuk do të zgjidhen as me ndjekjen e ndonjë filozofie në jetën tonë, as me zbatimin e ndonjë serie rregullash (edhe pse kjo është gjë e mirë), as edhe me përpjekjen që të imponohet mbi njeriun apo shoqërinë një sistem social, filozofik, ekonomik e politik dhe duke u përpjekur që ky të ketë sukses dhe ta ndryshojë njeriun me forcë. Këto do të zgjidhen vetëm duke e ndryshuar vetë njeriun, duke e ndryshuar zemrën e tij. Njeriun nuk mund ta ndryshojmë nga jashtë, atë duhet ta ndryshojmë nga brenda. Problemet e shoqërisë sonë do t'i zgjidhim vërtet, kur të kemi diçka që t'i ndryshojë njerëzit që përbëjnë shoqërinë tonë dhe që shkaktojnë problemet që i kemi.

Me gjithë arritjet e mëdha të njerëzimit në fushat e shkencës, letërsisë dhe artit, njeriut i mbetet përsëri një problem për të zgjidhur, problem ky që nuk mund të mënjanohet lehtë. Teoria e evolucionit na tregon se njeriu po evoluon në mënyrë të vazhdueshme dhe po përmirësohet gjithnjë e më shumë. Por kjo teori nuk mund të na e shpjegojë faktin se pse, qysh prej kohës që njeriu erdhi në këtë botë, ka shumë gjëra tek ai që nuk kanë ndryshuar kurrë. Dhe sado të përpiqet ai, ato nuk mund të ndryshohen! As ka evoluar dhe as po evoluon zemra e njeriut; nga brezi në brez, ajo mbetet ashtu siç ka qënë gjithmonë.

Njeriu është i aftë të bëjë dhe të arrijë gjëra të mëdha, por ai e ka treguar se është i aftë gjithashtu të bëjë edhe të këqija të mëdha. Është pikërisht kjo ajo që Bibla na mëson mbi mëkatin dhe natyrën mëkatare njerëzore. Ajo na thotë se të gjitha ato që përshkruhen në vargjet që i cituam më sipër nuk janë thjesht pasojë e zgjedhjes së qëllimshme dhe e veprimeve të jashtme të njeriut. Ajo na thotë se janë shfaqje dhe rezultat i asaj çfarë është njeriu në vetvete, në natyrën e tij të brëndshme. Ato rrjedhin prej zemrës së tij. Albert Ajnshtajni ka thënë: "Problemi i vërtetë qëndron në zemrën dhe mëndjen e njeriut. Ky është problem jo fizik por etik. Ajo që ne na tremb nuk është fuqia e shpërthimit të bombës atomike, por fuqia e ligësisë së zemrës së njeriut, fuqia plasëse e saj për të keqen".

Është fjala këtu jo për intelektin, vullnetin apo ndjenjat e njeriut, por për zemrën e tij, për natyrën e tij. Ne i bëjmë këto gjëra (përmendur në citimin nga Marku 7,21-23) thjesht ngaqë kemi lindur me një natyrë që e ka në vetvete farën e të gjitha këtyre. S'bëhet dot mëkatar njeriu, qenka mëkatar në natyrën e vet. Veprimet e jashtme të njeriut janë pasojë e asaj çka është në zemrën e tij. Në qoftë se flet keq, kjo ndodh sepse është i keq në zemrën e tij (Mat. 12,34 Sepse ç'ka zemra qet goja). Në qoftë se është imoral, kjo vjen nga që zemra e tij është pushtuar prej epshit (Mat. 5,28 Kushdo që shikon një grua për ta dëshiruar, ka shkelur kurorën me të në zemrën e vet) e kështu me radhë.

Dhiata e Re e thekson faktin që mëkati s'ka të bëjë thjesht me veprimin e jashtëm mëkatar, por edhe me atë që gjendet brënda në zemër. Në citimin e mësipërm të Mat. 5,28, Jezui na e bën të qartë se tradhtia bashkëshortore nuk është thjesht veprim i jashtëm, ajo kryhet së pari në zemër dhe është pikërisht ai shkaku që pasohet nga veprimi i jashtëm të tradhtisë bashkëshortore. Apostull Gjoni, tek 1 Gjoni 3,15, në të njëjtën mënyrë flet për qëndrimin e brendshëm të zemrës plot urrejtje që në fakt është vrasja, jo sepse njeriu ka kryer vrasje, por sepse është mëkati i zemrës ai që e përbën rrënjën e veprimit të jashtëm.

Këtë mësim apostull Pali e vërteton tek Galatasit 5,19-21 Dhe veprat e mishit janë të zbuluar dhe janë: kurorëshkelja, kurvëria, ndyrësia, shthurja, idhujtaria, magjia, armiqësimi, grindjet, xhelozitë, mëritë, zënkat, përçarjet, tarafet, smira, vrasjet, të dehurit, grykësia dhe gjëra të ngjashme me këto. Kështu, e shohim të na theksohet prapë fakti se veprimi i jashtëm i mëkatit është pasojë e atij që quhet mishi (d.m.th. natyra mëkatare e njeriut).

Ai vazhdon të thotë dhe të nxjerrë përfundimin se gjithë njerëzimi i është nënshtruar këtij parimi të mëkatit tek Romakët 3,22-23, ku thotë se të gjithë kanë mëkatuar dhe kanë humbur lavdinë që ua dha Perëndia. Nuk janë thjesht disa njerëz që kryejnë mëkate të tmerrshme dhe që quhen fajtorë prej gjithë të tjerëve, por jemi të gjithë ne ata që janë mëkatarët. Ne të gjithë jemi ata që i kanë kryer të gjitha këto, kemi menduar t'i kryejmë ato ndonjëherë apo i kemi në zemër. Mbase nuk kemi kryer vrasje apo ndonjë mëkat tjetër të tmerrshëm, por të gjithë ne e kemi menduar apo kemi bërë qoftë edhe vetëm një nga gjërat që na përmenden tek Marku 7,21-23 dhe Galatasit 5,19-21.

Pali vazhdon edhe më tej në analizën e kësaj çështjeje tek Romakët 7,14-19, ku thotë se njeriu është një skllav ndaj mëkatit dhe nuk mund të çlirohet prej tij dhe pushtetit të tij thjesht me dëshirën e vet apo me forcën e vullnetit të vet. Përpjekjet e tij për të çliruar veten nga ky parim i mëkatit vetëm do të dështojnë. Ai nuk mund të pushojë së qeni ai që është në natyrën e vet.

Atëherë kush është rrugëzgjidhja për këtë dilemë në të cilën gjendet njeriu? Zhvillimi i shkencës? Jo! Rrugëzgjidhja do të jetë diçka që të ketë të bëjë me vetë zemrën e njeriut në mënyrë që ai të ndryshohet nga brenda. Ajo që i nevojitet njeriut është ndryshimi i natyrës së tij, ndryshimi i zemrës së tij. Ky është një parim i domosdoshëm që duhet zbatuar në jetën e njeriut, në mënyrë që ai të çlirohet nga fuqia e mëkatit.

Në qoftë se nuk arrihet ky ndryshim, atëherë të gjitha ndryshimet dhe përmirësimet e jashtme janë thjesht një maskë nën të cilën fshihet problemi i vërtetë. Në qoftë se mendojmë se ndryshimet dhe përmirësimet e jashtme mund t'i zgjidhin vërtet problemet e njeriut, atëherë thjesht e gënjejmë veten. Kjo është vetëm një formë vetëmashtrimi. Në fund të fundit, do të vërtetohet se njeriu gjithmonë do të mbetet ai që është dhe do të duket qartë se të gjitha ndryshimet dhe përmirësimet e jashtme nuk do t'ia kenë ndryshuar aspak zemrën, shkakun e problemeve të tij. Por në qoftë se njeriu ndryshon nga brenda, vetëm atëherë do të duken pasojat në veprimet e tij të jashtme si dhe në mënyrën e tij të jetesës. Ai do të jetë një njeri krejt i ri.

Kapitulli 2
Ligji i Perëndisë

Mund të mendohet se, në qoftë se njeriu përpiqet aq sa duhet për të zbatuar një sërë rregullash morale apo shpirtërore, atëherë, ndoshta, kjo gjë mund të ketë efekt në këtë ndryshim të brendshëm në zemrën e tij dhe ai mund të bëhet kështu një njeri i ri. Kjo është përpjekja që bën feja për ta ndryshuar njeriun. Njeriu fetar e kupton se ka një problem dhe përpiqet që me forcat e tij ta ndryshojë veten.

Sidoqoftë, siç do ta shikojmë edhe në këtë kapitull, Bibla na e thotë qartë se ky ndryshim në natyrën e brendshme është diçka që njeriu nuk mund ta bëjë, edhe sikur të jetë fetar i madh. Kjo është një punë që vetëm Perëndia mund ta bëjë. Vetë njeriu nuk mund ta bëjë. Sado e madhe qoftë dëshira e tij, ai do ta përjetojë vetëm mjerimin e dështimit. Këtë s'mund ta bëjë as feja, as edhe dëshira për t'i pranuar dhe zbatuar mësimet morale të Biblës dhe as përpjekjet për ta zbatuar Ligjin që na e dha Perëndia.

10 Urdhërimet

Në Dhiatën e Vjetër, Perëndia i dha Ligjin dhe Urdhërimet e Tij. Më të njohurat prej tyre janë 10 Urdhërimet e shkruara tek Eksodi 20,2-17 të cilat i shohim të përsëriten edhe tek Ligji i  Përtërirë 5,6-21. Ato po i japim më poshtë:

1.        Mos kini asnjë perëndi tjetër para Zotit.

2.        Mos bëni dhe mos adhuroni idhujt.

3.        Mos e përdorni kot emrin e Zotit.

4.        Mbajeni ditën e Sabatit si ditë të shenjtë.

5.        Nderojini babanë dhe nënën tuaj.

6.        Mos vrisni.

7.        Mos bëni tradhti bashkëshortore.

8.        Mos vidhni.

9.        Mos bëni dëshmi të rreme.

10.      Mos lakmoni pronën e tjetrit.

Këto ishin Urdhërimet që Perëndia ia dha kombit të Izraelit. Ato janë shprehje e standardeve që i kërkon Ai dhe për këtë arsye edhe e karakterit moral të Tij. Në qoftë se dikush mund t'i zbatonte këto Urdhërime në mënyrë të përsosur, atëherë ai do të ishte i drejtë në sy të Perëndisë dhe do të pranohej prej Tij. Sidoqoftë, Perëndia e dinte se njerëzit nuk do të mund t'i zbatonin ato, kështu që Ai ua dha një sistem flijimesh me anë të të cilave mund të faleshin mëkatet e tyre.

Ka shumë njerëz që i marrin këto Urdhërime dhe i përdorin ato (ashtu si dhe çifutët) si bazë e jetës morale të tyre, duke u përpjekur t'i zbatojnë me përpikërinë më të madhe, me shpresën se mund të bëjnë një jetë të mirë, të moralshme dhe të ndershme në këtë botë dhe për këtë të pranohen prej Perëndisë. Sidoqoftë, kur i lexojmë dhe mendohemi mirë mbi këto Urdhërime duke qenë të sinqertë ndaj vetes, do të shohim mjaft mirë dhe qartë se i kemi thyer ato dhe se nuk ka qoftë edhe një njeri të vetëm që t'i ketë zbatuar ato në mënyrë të përsosur dhe se, për më tepër, ne nuk mund t'i zbatojmë ato. Tek Jakovi 2,10-11 na thuhet Kushdo që e zbaton gjithë Ligjin, por e shkel në një pikë, është fajtor në të gjitha. Sepse Ai që ka thënë: "Mos shkel kurorën!", ka thënë gjithashtu: "Mos vraj!". Prandaj nëse ti nuk shkel kurorën, por vret, ti je shkelës i Ligjit.

Dashuria - përmbushja e Ligjit

Kur i shqyrtojmë 10 Urdhërimet, shohim se ka dy lloj urdhërimesh: së pari, ato që kanë të bëjnë me Perëndinë (4 të parat) dhe së dyti, ato që kanë të bëjnë me njerëz të tjerë (6 të fundit). Prandaj edhe Jezui na thotë tek Mateu 22,34-40 se Urdhërimet mund të përmblidhen me dy fraza: "Duaje Perëndinë" dhe "Duaje njeriun". Këtë e përforcon Pali tek Romakët 13,9-10, ku thotë se dashuria është përmbushja e Ligjit.

Argumentimi është i thjeshtë dhe i qartë. Në qoftë se je i mbushur me dashuri për Perëndinë do t'i zbatosh katër të parat në mënyrë të përsosur; në qoftë se je i mbushur me dashuri për të gjithë njerëzit, do t'i zbatosh gjashtë të fundit në mënyrë të përsosur. Prej kësaj rrjedh edhe fakti që dashuria është përmbushja e Ligjit.

Por, natyrisht, ne e dimë nga vetë përvoja jonë e përditshme se ne nuk e duam në mënyrë të përsosur as Perëndinë dhe as njeriun. Kjo është edhe arsyeja pse i thyejmë Urdhërimet. Dashuria e përsosur, që e përmbush Ligjin, nuk gjendet tek ne, d.m.th. në natyrën tonë njerëzore të brendshme. Me forcat tona, nuk mund ta zbatojmë dot Ligjin.

Ndërgjegjësimi për mëkatin

Pali na mëson, tek Romakët 3,20; 7,7.13, se me anë të Ligjit arrijmë të njohim mëkatin, d.m.th. mund të kuptojmë se kemi një natyrë mëkatare, se ka diçka në zemrën tonë që na pengon t'u bindemi Urdhërimeve të Perëndisë. Ai argumenton se, në përpjekjet tona për ta zbatuar Ligjin, na bëhet e qartë (në qoftë se tregohemi të sinqertë me veten tonë) se nuk është e mundur që ne ta zbatojmë atë. Kërkesat e Ligjit janë të standardeve të paarritshme. Kështu ne ndërgjegjësohemi për faktin se ka diçka në ne, në natyrën tonë, që na pengon ta zbatojmë atë në mënyrë të përkryer, d.m.th. ndërgjegjësohemi për faktin që, në brendësinë tonë, ekziston ky parim i mëkatit; që ne kemi një natyrë mëkatare. Tek Romakët 8,7-8 na tregohet se mendja e kontrolluar nga mishi është armiqësi kundër Perëndisë, sepse nuk i nënshtrohet Ligjit të Perëndisë dhe as nuk mundet. Prandaj ata që janë në mish nuk mund t'i pëlqejnë Perëndisë, ose në një përkthim tjetër, njeriu prej natyrës ngrihet kundër Perëndisë...dhe se, në të vërtetë, përjashtohet mundësia që ndokush të plotësojë vullnetin e Perëndisë.

Mëkati diçka e brendshme

Pali thotë diçka mjaft interesante tek Romakët 7,7, ku thotë se ai nuk do të kishte kuptuar se çfarë ishte mëkati, sikur të mos e kishte mësuar këtë nëpërmjet Ligjit dhe se nuk do ta kishte mësuar se ç'ishte lakmia sikur Ligji të mos thoshte: "Mos lakmo". Çfarë nënkuptonte ai me këtë?

Para kthimit të tij në besimtar, Pali kishte qenë fetar i madh, rritur dhe brumosur me mësimet fetare çifute të Dhiatës së Vjetër qysh në fëmijërinë e tij. Ai ishte ekspert i vërtetë për sa i përket Ligjit të Perëndisë. Sidoqoftë, besonin çifutët (ashtu si dhe shumë njerëz fetarë të ditëve tona) se në qoftë se jeta e jashtme ishte konform Ligjit të Perëndisë (sikur Ligji të merrej vetëm me anën e jashtme të jetesës), atëherë ishte kjo diçka e mjaftueshme që njeriu ta kënaqte Perëndinë. Në qoftë se do të arrije të bëje që jeta jote të dukej se ishte konform Ligjit të Perëndisë, atëherë do të ishe i pranueshëm nga Perëndia si dhe nga njerëzit.

Sidoqoftë, Pali e merr këtu Urdhërimin e dhjetë për të na e treguar faktin që mëkati është diçka e brendshme. Gjashtë Urdhërimet e fundit kanë të bëjnë me marrëdhëniet midis njerëzve dhe pesë të parat nga këto të gjashta kanë të bëjnë me veprime të jashtme p.sh.: "Mos vrisni", "Mos vidhni", "Mos bëni dëshmi të rreme" etj. Të gjitha këto janë veprime të jashtme. Sidoqoftë, Urdhërimi i dhjetë merret me mëkatin e brendshëm të të lakmuarit. Të lakmuarit nuk është veprim i jashtëm, por një dëshirë e brendshme e zemrës (që mund të të çojë ose jo në mëkate të jashtme të tilla si p.sh. vjedhja).

Prej këtej, Pali nxjerr përfundimin se mëkati nuk është çështje që ka të bëjë me veprimet e jashtme, por problem i zemrës që i shkakton veprimet e jashtme të mëkatshme. Por mëkati, duke marrë shkas nga ky urdhërim, ngjalli në mua çdo lakmi (Rom. 7,8). Me fjalë të tjera, mëkatet e jashtme dalin nga zemra dhe e kanë burimin nga ajo. Zemrat tona janë mëkatare, ne kemi një natyrë mëkatare. Prandaj edhe Jezui e Gjoni thonë ato fjalë mbi epshin dhe urrejtjen tek Mat. 5,28 dhe 1 Gjoni 3,15, dhe Jezui na mëson, tek Marku 7,20-23, se mëkati del prej zemrës (siç e pamë edhe në kapitullin e mëparshëm). Dhe është pikërisht shqyrtimi i Ligjit ai që na bën ta kuptojmë zemrën tonë.

Paaftësia për ta ndryshuar veten

Romakët 7,14-24

Sepse ne e dimë se Ligji është frymëror, por unë jam i mishë, i shitur mëkatit si skllav. Sepse unë nuk kuptoj atë që bëj, sepse nuk bëj atë që dua, por bëj atë që urrej. Edhe, nëse bëj atë që nuk dua, unë pranoj që Ligji është i mirë. 

Por tani nuk jam më unë që veproj, por mëkati që banon në mua. Në fakt unë e di se në mua domethënë në mishin tim nuk banon asgjë e mirë, sepse, ndonëse e kam dëshirën për të bërë të mirën, nuk ia gjej mënyrën. Në fakt të mirën që unë e dua nuk e bëj; por të keqen që s'dua, atë bëj. Edhe, në qoftë se bëj atë që nuk dua, s'jam më vetë ai që e bëj, por është mëkati që banon në mua.

Unë, pra, po zbuloj këtë ligj: duke dashur të bëj të mirën, e keqja gjendet në mua. Në fakt unë gjej kënaqësi në Ligjin e Perëndisë sipas njeriut të brendshëm, por shoh një ligj tjetër në gjymtyrët e mia, që lufton kundër ligjit të mendjes sime dhe që më bën skllav të ligjit të mëkatit që është në gjymtyrët e mia. Oh, njeri i mjerë që jam! Kush do të më çlirojë nga ky trup i vdekjes?

Në këto vargje na flitet për njeriun që është i bindur nga vërtetësia e faktit se ai është mëkatar dhe se Ligji i Perëndisë është i drejtë dhe i mirë, dhe që përpiqet ta zbatojë atë sikur kjo të ishte mënyra me anë të së cilës ai do ta shpëtojë veten dhe do të bëjë që të pranohet nga Perëndia. Ai e di shumë mirë që nuk është gjë tjetër veçse mëkatar dhe përpiqet të bëjë çmos që ta zbatojë Ligjin me forcat e tij, sa më mirë që të mundet, në mënyrë që ta heqë qafe mëkatin e tij.

Por mund të lexojmë për gjendjen e vajtueshme të tij në vargjet 15-19. Sa më tepër që përpiqet ta zbatojë Ligjin, aq më tepër bindet se nuk mund ta zbatojë, por, përkundrazi, vazhdon ta thyejë atë. Të mirën që ai kërkon ta bëjë (të veprojë sipas Ligjit), nuk mund ta bëjë; dhe të keqen që nuk dëshiron ta bëjë (thyerjen e Ligjit), shikon se e bën vazhdimisht. Natyra mëkatare e vet e pengon atë ta zbatojë Ligjin, edhe pse ai kaq shumë dëshiron që ta zbatojë! (vargjet 20-23). Ai e kupton se nuk mund ta zbatojë Ligjin dhe kështu nuk mund ta ndryshojë vetveten me forcat e tij. Ai mbetet dështak i mjerë! Oh, njeri i mjerë që jam! (vargu 24). Kurrë s'e ndryshon dot Ligji zemrën e njeriut.

Rrugëzgjidhja në Ungjill

Kështu, në qoftë se Ligji dhe përpjekjet e njeriut për ta zbatuar atë nuk mund ta ndryshojnë njeriun, atëherë na mbetet të kërkojmë diku gjetkë rrugëzgjidhjen për problemin tonë. Dhe pikërisht këtu ne vijmë tek Ungjilli si e vetmja gjë që mund të na e japë zgjidhjen e vërtetë dhe përfundimtare. Pali tha se qëllimi i Ligjit ishte të na çonte drejt Krishtit (Gal. 3,24). Nëpërmjet Ligjit Perëndia na tregon se kemi një natyrë mëkatare dhe, pastaj, Ai na çon drejt Krishtit si e vetmja rrugëzgjidhje. Atë që Ligji nuk mundi ta bënte, e bëri vetë Perëndia nëpërmjet Jezu Krishtit (Romakët 8,3), duke bërë kështu të mundur që, thellë në zemrën e njeriut, të ndodhë një ndryshim.

Kapitulli më pas tregon se si arrihet pikërisht një gjë e tillë, si sëpata godet thellë në rrënjë të natyrës mëkatare të njeriut, dhe si kryhet ky ndryshim në jetën e një besimtari në Jezuin.

Kapitulli 3
Të lindurit sërish

Fara e Fjalës

Zoti Jezu në shëmbëlltyrën e Tij të Mbjellësit e krahasoi Fjalën e Perëndisë, Ungjillin, me farën që mbillet në jetën e njerëzve nëpërmjet predikimit. Fara bie në shumë lloje të ndryshme tokash të cilat simbolizojnë zemrat e dëgjuesve. Në disa raste fara nuk ka asnjë efekt, kjo për shkak të gjendjes së zemrës së njeriut. Në të tjerat ajo fillon të rritet, por nuk arrin të lëshojë rrënjë të thella dhe kështu vdes.

Sidoqoftë, ka njerëz të cilët simbolizohen nga toka e mirë. Zemrat e tyre janë të hapura ndaj Fjalës dhe e pranojnë atë me kënaqësi. Në ta Fjala ka efekt dhe arrin të lëshojë rrënjë, të rritet dhe më së fundi të japë fruta.

E dimë se është ligj i natyrës që fara të prodhojë vetëm fruta nga lloji i saj. Për shembull, fiku mund të prodhojë vetëm fiq dhe jo rrush etj. Ai nuk mund të japë fruta të ndonjë lloji tjetër. Ky ligj vepron gjithashtu edhe me Fjalën e Perëndisë. Fara e Fjalës jep dhe mund të japë vetëm fruta të llojit të vet. Fjala e Perëndisë mund ta prodhojë vetëm natyrën e Krishtit, sepse ky është lloji i vet. Eshtë po aq e pamundur për Fjalën e Perëndisë t'i japë frutat e mëkatit, sa ç'është e pamundur që hardhia të prodhojë fiq. Fjala e Perëndisë nuk mund të prodhojë ferra dhe gjemba shpirtërorë, por vetëm natyrën e Krishtit. Mungesa e natyrës së Krishtit tregon se nuk ka farë të Fjalës së Perëndisë që të ketë lëshuar rrënjë e bisk në zemrën e njeriut.

1 Pjetri 1,23 Jeni rilindur jo nga një farë që prishet, por që nuk prishet, me anë të fjalës së Perëndisë së gjallë dhe që mbetet përjetë. Apostull Pjetri këtu na tregon se është kjo farë e Fjalës së Perëndisë, që ndodhet brenda nesh, ajo që na e jep rilindjen, d.m.th. ajo fillon t'i lëshojë brenda nesh biskun dhe frutën e saj, natyrën e Krishtit. Kështu, kur Fjala e Perëndisë zë vend në zemrat tona dhe fillon të lëshojë bisqe, ne lindim sërish dhe kjo natyrë e re fillon të rritet brenda nesh. Eshtë e pamundur që kjo farë të lëshojë rrënjë dhe bisqe pa pasur si rezultat një rilindje, e cila nga ana e saj ka për rrjedhojë një jetë të re.

Zoti Jezu e theksoi këtë të vërtetë të të lindurit sërish tek Gjoni 3,3-8 Po të them që nëse një nuk ka rilindur, nuk mund ta shohë mbretërinë e Perëndisë... kush nuk ka lindur nga uji dhe nga Fryma, nuk mund të hyjë në mbretërinë e Perëndisë. Ç'ka lindur nga mishi është mish; por ç'ka lindur nga Fryma është frymë. Mos u mrekullo që të thashë: "Duhet të lindni përsëri". Era fryn ku të dojë dhe ti ia dëgjon zërin, por ti nuk e di nga vjen as ku po shkon; kështu është edhe çdo njeri që ka lindur nga Fryma.

Kështu, Jezui thotë që eshtë e domosdoshme që njeriu të lindë sërish në mënyrë që të bëhet besimtar i vërtetë dhe pjesëtar i Mbretërisë së Perëndisë. Ai thekson, gjithashtu, se kjo rilindje nuk është diçka natyrore, ajo është diçka shpirtërore që kryhet nëpërmjet veprimit të Frymës së Shenjtë. Ç'ka lindur nga mishi është mish; por ç'ka lindur nga Fryma është frymë.

Kështu pra i shohim këta dy agjentë - Fjala dhe Fryma - të veprojnë së bashku për t'i krijuar brenda nesh këtë jetë të re dhe natyrën e Krishtit.

Apostull Gjoni na e shpreh po këtë të vërtetë në një mënyrë tjetër tek Gjoni 1,12-13. Ata që e besojnë dhe e pranojnë Jezu Krishtin në jetën e tyre, bëhen fëmijë të Perëndisë. Gjoni thotë se këta fëmijë nuk kanë lindur në mënyrë të natyrshme, nga veprimi i njeriut (as nga prejardhja e tyre natyrore, as nga vendimet apo vullneti i tyre njerëzor) por kanë lindur nga Perëndia. Me fjalë të tjera, në zemrën e njeriut që vërtet e pranon Krishtin kryhet një veprim hyjnor që punon për ta lindur brenda tij këtë natyrë të re të Krishtit.

Kështu, është e pamundur që dikush të besojë vërtet në Krishtin pa përjetuar këtë ndryshim hyjnor në zemrën e tij. Lindja e re e prodhon natyrën e re. Ajo e prodhon jetën e re.

Kthimi i vërtetë sjell ndryshim

Na bëhet e qartë në mësimet e Dhiatës së Re se kthimi i vërtetë (në besimtar) sjell ndryshim. Nuk mund të ketë kthim të vërtetë pa këtë ndryshim. Ndryshimi përshkruhet në mënyra të ndryshme, dhe i japim tri prej atyre më poshtë. Tek Gjoni 9,39 përshkruhet si të dhënët të verbërve aftësinë për të parë; tek Efes. 5,8-9 e 2 Kor 4,4-6 përshkruhet si të kaluarit nga errësira në dritë; dhe tek Gjoni 5,21.24-25 përshkruhet si ngjallja së vdekuri. Kështu ky ndryshim është me të vërtetë ndryshim i madh! Na tregohet tek Efes. 1,19-20 e 2,1.5-6 se Perëndia vepron me këtë fuqi ringjallëse në jetën e gjithë atyre që vërtet i besojnë Jezu Krishtit.

Tek Efesianët 2,1-5 gjendja e njeriut pa Krishtin na përshkruhet kështu: Ai është i vdekur shpirtërisht (2,1.5); është mëkatar (2,1); është i pabindur dhe jo i nënshtruar ndaj Perëndisë (2,2-3); jeton duke i ndjekur rrugët e kësaj bote (2,2); jeton nën sundimin e Satanit (2,2); jeton sipas dëshirave mëkatare, instinkteve dhe kokëfortësisë së tij (2,3); jeton nën zemërimin e Perëndisë (2,3). Tek Romakët 8 shtohet se ai është i drejtuar nga mishi (natyra e tij mëkatare) dhe nuk mund ta kënaqë Perëndinë (8,8); është armiqësor ndaj Perëndisë (8,7); nuk i nënshtrohet dhe nuk mund t'i nënshtrohet Ligjit të Perëndisë (8,7). Tek 2 Korintasit 4,4 shtohet edhe se ai është verbuar prej Satanit, që të mos besojë.

Gjendja e njeriut të ndryshuar, në Krisht, mund të përmblidhet në një frazë nga Dhiata e Re: Krishti ndodhet në të (Rom. 8,10; Efes. 3,17; Kol. 1,27). Njeriu i ri është njeri i lindur sërish, fëmijë dhe trashëgimtar i Perëndisë. Ka një natyrë të re, natyrën e Krishtit. Ka ndryshuar në pjesën më të thellë të qenies së tij. Eshtë pjesëmarrës i natyrës hyjnore (2 Pjetri 1,4). Tani ka një faktor sundimtar të ri, diçka prej Perëndisë brenda tij. Ai bëhet si Jezui. Fryma e Shenjtë banon në zemrën e tij dhe e transformon atë nga dita në ditë në ngjashmërinë e Tij.

Është e qartë se në qoftë se njeriu vërtet e ka këtë natyrë të re, ashtu si dhe thotë se beson, atëherë kjo natyrë e re, meqë vjen prej Perëndisë, shpejt a vonë do të shfaqet hapur. Nuk mund të mbetet e fshehur. Nuk mund të imitohet. Njeriu nuk mund të mbetet në veprimet dhe sjelljet e tij të jashtme ashtu siç ndodhej më parë. Nëse dikush është në Krishtin, ai është një krijesë e re (2 Kor. 5,17). Dhe, natyrisht, në qoftë se nuk shfaqet kjo natyrë e re, atëherë lind pyetja: A ekziston vërtet? Njihet pema prej frutave të saj (Mat. 7,16-20).

Ky ndryshim brenda njeriut mund të shikohet në tri mënyra të ndryshme.

1) Ai është një ndryshim në natyrë. Tek Romakët 8,7-8 na tregohet se jobesimtari është nën sundimin e natyrës mëkatare të vet. Pali thotë se ai është vërtet skllav i mëkatit (Rom. 6,6.17.20). Këtë natyrë e ka trashëguar prej Adamit, nëpërmjet rebelimit të tij (Rom. 5,12-19). Ai është i korruptuar në zemër dhe nuk mund ta kënaqë Perëndinë. Lindja e re nëpërmjet farës së Fjalës së Perëndisë dhe veprimit të Frymës së Shenjtë i jep njeriut, thellë në qenien e tij, një natyrë të re. Eshtë pikërisht kjo natyrë natyra e Krishtit.

Kështu njeriu fillon të ndryshojë. Për shembull, në vend që ta dojë padrejtësinë, ai tani fillon ta dojë drejtësinë. Kur njeriu bëhet besimtar Perëndia e shpall atë të drejtë për hir të Krishtit (Rom. 5:19), dhe nëpërmjet rilindjes shpirtërore Ai e bën këtë drejtësi pjesë të natyrës së tij. Tek 1Pjetri 2:24 na thuhet se qëllimi i punës së Jezuit në kryq ishte që ne besimtarë të vdesim ndaj mëkateve dhe të rrojmë për drejtësi. Njeriu bëhet i drejtë, i drejtë në praktikë, i drejtë në natyrën e tij. Kësaj nuk mund t'i shpëtojë.  Njeriu fillon ta dojë drejtësinë dhe ta urrejë të keqen (Ps. 45,7). Të gënjyerit ndryshohet në të thënët e së vërtetës. Pushon të vjedhurit. Ndalon të mashtruarit. Të pasurit e Krishtit tek vetja i bën të mundura gjithë këto ndryshime. Kështu e zbulon vetveten Krishti.

2) Ai është një ndryshim karakteri. Tek Galatasit 5,19-23 na përshkruhet ky ndryshim. Së pari, jepet lista e mëkateve që karakterizojnë jetën e njeriut para kthimit në besimtar. Kur ndodh kthimi kemi një ndryshim gradual, fillojmë t'i shohim frutat e Frymës në jetën e tij - një karakter me cilësitë e dashurisë, gëzimit, paqes, durimit, mirëdashjes, mirësisë, besnikërisë, zemërbutësisë dhe vetëkontrollit. Urrejtja kthehet në dashuri. Dëshira për hakmarrje kthehet në dëshirë për pajtim.

Njeriu hidhnak dhe inatçi fillon të falë. Marrëdhëniet e prishura fillojnë të ndreqen. Gjaknxehtësia kthehet në durim etj.

3) Ai rezulton në një ndryshim dëshirash. Njeriu tregon se ka dëshira të reja, kërkesa të reja. Ai ka një dëshirë të

natyrshme për punët e Perëndisë, ka dëshira të cilat nuk i ka pasur kurrë më parë; ka dëshirë për lutje; dëshirë për Fjalën; dëshirë për shoqëri me besimtarë të tjerë. Dëshirat e vjetra që ai kishte më parë për botën, shoqërinë dhe ato gjëra që e tërhiqnin më parë fillojnë të humbasin dalngadalë. Vendet ku shkonte shpesh më parë, nuk e interesojnë më. Veset e tij fillojnë të thyhen dalngadalë. Ai fillon të kuptojë se pangopësia dhe lakmia janë të kota dhe fillon t'ia besojë Perëndisë plotësimin e gjithë nevojave (Mat. 6,19-34). Ai e di tani se asgjë në këtë botë nuk mund t'ia plotësojë nevojat e brendshme të zemrës së tij. Ai nuk ndien më kënaqësi në ato gjëra për të cilat dikur drithërohej. Tani dëshira e tij e re është Krishti. Zemra e tij ndien kënaqësi të plotë vetëm me Të.

Këtë e përmbledh apostull Gjoni tek 1 Gjoni 2,15-17: Mos e doni botën, as gjërat që janë në botë. Në qoftë se ndokush do botën, dashuria e Atit nuk është në të, sepse gjithçka që është në botë, lakmia e mishit, lakmia e syve dhe krenaria e jetës, nuk vjen nga Ati, por nga bota. Dhe bota kalon me lakminë e saj; por ai që bën vullnetin e Perëndisë mbetet përjetë.

Ai na ka dhënë një natyrë të re, që në mënyrë të natyrshme e do Perëndinë, fillon ta urrejë mëkatin dhe e dëshiron drejtësinë. Ai na e ka shkruar Ligjin e Tij në zemrat tona (Heb. 8,10). Kjo nuk mund të rrijë pa shprehur veten në jetën e besimtarit. Tani në vend të mosbindjes është bindja ajo që është e natyrshme për besimtarin.

Një pohim i tillë i besimit në Jezuin që nuk i jep këto ndryshime nuk është një rilindje e vërtetë.

Lexojmë në Dhiatën e Re se pati disa njerëz që thoshin se besonin në Jezuin, por është e qartë se ata nuk ishin vërtet të lindur sërish. Për shembull, Simon magjistari tha se besonte dhe bile edhe ishte pagëzuar, por cilat ishin motivet e tij të vërteta? Vetëm të fitonte pushtet e fuqi për vete! (Vep. 8,13.18-23). Vetëm shprehja e besimit ndaj Jezuit nuk provon se ka ndodhur rilindja e vërtetë shpirtërore.

Sëpata godet në rrënjë të pemës

Sidoqoftë, Perëndia nuk do vetëm që të na japë një natyrë të re si ajo e Krishtit. Në atë që bëri Krishti, rrënjëve të mëkatit në natyrën tonë iu dha një goditje vdekjeprurëse. Perëndia jo vetëm që e dërgoi Krishtin drejt Kryqit që ne të mund të marrim falje për mëkatet tona, por gjithashtu edhe për ta shkatërruar pushtetin e mëkatit (Rom. 6,5-14; 8,3;).

Kur vdiq Krishti në Kryq, ai bëri gjithçka që ishte e nevojshme që ne ta gjenim faljen për mëkatet tona, për t'i marrë pastrimin e çlirimin prej pushtetit të mëkatit (1 Gjoni 1,9; Gjoni 8,34-36; Romakët 6,14). Ai i mbajti mëkatet tona, në mënyrë që ne ta gjenim faljen, dhe e theu edhe pushtetin e mëkatit, edhe atë të Satanit. Ai u ngjall së vdekuri dhe sot është i gjallë në mënyrë që t'i realizojë këto të vërteta nëpërmjet fuqisë së Perëndisë në jetën e të gjithëve që vërtet besojnë në Të.

Kështu pra, s'ka arsye pse një besimtar të jetojë nën zgjedhën e mëkatit. Eshtë thyer pushteti i tij. Dëgjoni se si e thekson Pali këtë: Mëkati nuk do të ketë më pushtet mbi ju... (Rom. 6,14). Eshtë një shtrembërim i Ungjillit në qoftë se besimtarët jetojnë nën zgjedhën e mëkatit. Krishti vdiq për ta thyer pushtetin e tij dhe për ta ndryshuar natyrën e njeriut në një natyrë që bëhet praktikisht e drejtë dhe e shkëputur prej zgjedhës së mëkatit. Prandaj dhe Pali, tek Romakët 6, argumenton se ne kemi vdekur ndaj mëkatit dhe nuk duhet të jetojmë më në të dhe nën pushtetin e tij.

Natyrisht që nuk po themi këtu se një besimtar nuk mëkaton kurrë, por se mëkati, ky faktor që dikur ia pushtonte jetën e ka humbur pushtetin e tij. Tek 1 Gjoni 3,8 na bëhet e qartë se besimtari i vërtetë nuk e ka më zakon të jetojë në mëkat apo nën zgjedhën e tij. Nëpërmjet Ungjillit, njeriut i është dhënë rruga në të cilën do të ndryshojë natyra e tij dhe në të cilën do të thyhet pushteti i mëkatit.

Dy natyrat

Tek Efesianët 4,20-24 na thuhet se besimtari ka kështu dy natyra, njërën mëkatare të vjetër dhe tjetrën e re dhe të ngjashme me atë të Krishtit. Këtu Pali na inkurajon ta veshim natyrën e re dhe të mos jetojmë më sipas natyrës së vjetër. Kjo natyrë e re duhet të rritet brenda nesh dhe, ndërsa rritet, ajo bëhet më e fortë se sa natyra e vjetër e cila dalngadalë fillon t'i humbasë fuqinë dhe pushtetin e saj, kështu që natyra e re fillon të korrë fitore mbi mëkatin. Natyra e re ushqehet, rritet dhe forcohet me anë të bindjes, leximit të Biblës, lutjes, shoqërie me besimtarë të tjerë, adhurimit etj. Kjo çon në mënyrë mjaft të natyrshme në procesin e pastrimit dhe shenjtërimit të jetës së besimtarit.

Kapitulli 4
Puna e Frymës së Shenjtë

Ky kapitull diskuton për vendin që e zë Fryma e Shenjtë në punën për të sjellë një njeri tek Krishti në mënyrë që të ndodhin tek ai ndryshimet për të cilat po flasim. Fryma e Shenjtë jo vetëm që punon në jetën e një besimtari gjatë kthimit të tij dhe pas këtij kthimi, por punon gjithashtu edhe për ta çuar këtë njeri drejt Krishtit, para se ai të kthehet.

Por nga e dallojmë dhe si e kuptojmë se Fryma e Shenjtë punon në jetën e një jobesimtari për ta drejtuar atë tek Krishti? Çfarë duhet të presim që të shohim në jetën e një njeriu të tillë? Eshtë e rëndësishme që këto pyetje t'i diskutojmë duke pasur parasysh që njerëzit bëjnë nganjëherë pohime të rreme besimi në Krishtin (çfarëdo lloj motivi paçin), ose që nganjëherë ndryshimet për të cilat kemi folur duket sikur nuk po ndodhin.

Shenjat që vërtetojnë se po vepron Fryma e Shenjtë

Dhe kur të ketë ardhur, Ai do ta bindë botën për mëkat, për drejtësi dhe për gjykim.

Gjoni 16,8

Një njeri nuk mund të vijë tek Perëndia pa qenë më parë i bindur në zemër për mëkatet e tij, qoftë kjo një bindje e madhe apo e vogël. Perëndia është i shenjtë. Nën dritën e shenjtërisë së Perëndisë njeriu sheh errësirën e mëkateve të tij. Në qoftë se ai është duke kërkuar vërtet Perëndinë, do të ketë një ndjenjë trishtimi e keqardhjeje dhe një dëshirë për pendim thellë në shpirtin e tij. Këtë e bën të qartë Pali tek 2 Korintasit 7,9-11.

Së bashku me këtë ne duhet të kërkojmë një zgjim të ndërgjegjes. Ndërgjegjja bëhet e ndjeshme dhe njeriu, kur bën mëkat, është i ndërgjegjshëm se ka mëkatuar. Ai nuk mund të mos ndërgjegjësohet për mëkatin e tij. Të mos ndërgjegjësohesh për mëkatin do të thotë të vazhdosh të jetosh në errësirë. Ka raste ku kemi vetëm një pranim të përgjithshëm të mëkatit, atëherë lind pyetja a ka ky person një zgjim të vërtetë? Nganjëherë rrëfimi i përgjithshëm i mëkatit bëhet për t'i shpëtuar rrëfimit dhe trajtimit të açme.

Bibla na thotë: Do të më kërkoni dhe do të më gjeni, sepse do të më kërkoni me gjithë zemrën tuaj (Jer. 29,13). Njerëzit mund ta gjejnë vërtet Perëndinë, vetëm kur tregohen të sinqertë me veten. Njeriu nuk mund ta kërkojë Perëndinë me gjysmë zemre dhe të ketë shpresë ta gjejë Atë apo të ketë këto ndryshime në jetën e tij. Ata që janë të etur e të uritur për drejtësinë janë ata të cilëve u jepet (Mat. 5,6). Atëherë si mund ta kërkojmë bekimin e vërtetë të Perëndisë kur përpiqemi të jetojmë me një dorë në bakllava dhe një dorë në revani? A është vërtet besimtar një njeri që përpiqet të jetë edhe për botën edhe për Krishtin? A është e mundur që një njeri, i cili nuk është penduar vërtet, të presë me të drejtë që në jetën e tij të veprojë fuqia e Ungjillit?

Më tepër se çdo gjë tjetër do të ketë një pranim dhe kuptim të Ungjillit thellë në zemër. Të pranuarit e Ungjillit vetëm mendërisht nuk ka për ta ndryshuar kurrë jetën e askujt. Ungjilli është diçka jetësore dhe jo një mësim apo filozofi që mund të kuptohet thjesht mendërisht. Njeriu mund ta dijë të gjithin në mendje dhe prapëseprapë të mos e ketë përvojën e rilindjes në zemrën e tij. Aftësia e ndonjërit për të recituar pasazhe të Shkrimeve të Shenjta apo për të ditur pjesë të Biblës nuk vërteton se jeta e tij ka ndryshuar.

Një njeri që është kthyer vërtet në besimtar e di që Jezui është rruga e vetme për tek Perëndia. Vetëm Ai i mbajti mëkatet tona dhe vdiq që të na çlironte. Prandaj nuk ka se si të ketë mbështetje për shpëtim në ikonat dhe hajmalitë, ritet dhe ceremonitë apo në ndonjë njeri që konsiderohet i shenjtë (qoftë ky i gjallë apo i vdekur). Asnjë nga këto nuk na ndihmon aspak që ta gjejmë Perëndinë. Të kuptuarit e vërtetë e Ungjillit si bazë për shpëtim nuk mund të përzihet me gjëra të tjera. Vërtet në jetën e besimtarëve të hershëm tek Veprat vëmë re se ata i ishin të përkushtuar plotësisht Jezuit, bile edhe nga përndjekjet nuk trembeshin. Ata e donin Atë në mënyrë sipërore dhe iu nënshtruan e përkushtuan pa rezerva Atij dhe vetëm Atij.

Kur Fryma e Shenjtë vepron vërtet në jetën e një njeriu për ta sjellë atë tek Krishti, natyrisht që do të lihen mënjanë motivet false. Ai është Fryma e së Vërtetës. Ai do t'ia futë zemrës së këtij njeriu shqetësimin për shpirtin e tij, në vend të ndonjë dëshire që mund të ketë ai për përfitime materiale apo qëllime të tjera.

Bibla na thotë se frika ndaj Perëndisë është fillimi i çdo urtësie. Në qoftë se kjo është e vërtetë, dhe sigurisht që është, atëherë a nuk duhet ta kërkojmë këtë gjë në jetën e atyre që tregojnë interes për Ungjillin? Së bashku me këtë, në jetën e tyre, ne duhet t'i shohim edhe përultësinë, dëshirën dhe gatishmërinë për t'iu nënshtruar autoriteteve shpirtërore. Njeriu që nuk u nënshtrohet autoriteteve është njeri që nuk është thyer akoma, njeri tek i cili vetja është akoma mbi gjithçka. Askush nuk mund të vijë tek Perëndia me egoizëm të fryrë dhe krenari. Gjithmonë ka një element përuljeje dhe nënshtrimi të vërtetë tek njeriu që kthehet tek Perëndia.

Besimtari i vërtetë e di se nuk mund të pretendojë se ai vetë ka ndonjë meritë për shpëtimin e tij, d.m.th. kupton se nuk e meriton atë dhe është shpëtuar vetëm me anë të hirit të Perëndisë (Efes. 2,8-9). Ai e kupton se nuk mund të pretendojë se është besimtar duke e bazuar këtë vetëm në ndonjë përvojë që ai ka pasur në jetën e tij, qoftë kjo një përvojë fetare apo e ndonjë lloji tjetër. Në fakt, ai duhet ta kuptojë se jo të gjitha përvojat, ëndrrat dhe vegimet fetare etj., vijnë prej Perëndisë. Disa prej tyre vijnë prej Djallit që mundohet të na mashtrojë në mënyrë që të shkojmë në rrugë të gabuar.

Mjaft njerëz në ditët e sotme i janë kthyer Perëndisë ngaqë lutjet e tyre morën përgjigje. Duket që kjo ka qenë një nga mënyrat që Perëndia u ka treguar vërtetësinë e ekzistencës dhe të dashurisë së Tij. Për këtë gëzojmë ne të gjithë. Por le të kemi gjithmonë parasysh se ky është vetëm fillimi dhe jo pikëarritja ku duam të arrijmë. Nuk është një qëllim në vetvete. Duhet ta çojë njeriun drejt përkushtimit ndaj Krishtit. Ne shpëtohemi duke kuptuar gjithçka mbi Kryqin, jo duke e parë dhe ndier Perëndinë si Plotësues të nevojave dhe kërkesave tona.

Nuk duam që njerëzit të mendojnë se gjithë të sipërpërmendurat kërkojmë t'i shohim menjëherë në jetën e atyre që kthehen në besimtarë. Ne e dimë se në njerëz të ndryshëm Perëndia vepron në mënyra të ndryshme për t'i sjellë tek Krishti. Shpesh kthimi është një proces dhe jo një veprim që kryhet e përfundon menjëherë. Në këto fusha do të ketë thellësi të ndryshme kuptimi. Sidoqofttë, ajo që vërtet po themi është kjo: në qoftë se pohimi i besimit i një njeriu është i vërtetë, atëherë, shpejt a vonë, fara e besimit të vërtetë që ai ka në zemrën e tij patjetër që do të ketë për rrjedhojë gjërat e sipërpërmendura. Nuk mund të ndodhë ndryshe. Në qoftë se nuk i shohim këto gjëra, atëherë ngrihet pyetja: A është besimi i këtij njeriu besim i vërtetë dhe a është kthimi i tij kthimi i duhur?

Fryma e Perëndisë banon tek besimtari

Ndoshta gjëja më e lavdishme dhe përulëse që i ndodh një njeriu kur ai lind sërish është fakti që vetë Perëndia e vendos Frymën e Tij të Shenjtë në zemrën e njeriut për t'i zbatuar këto ndryshime dhe për t'i realizuar ato në jetën e tij.

Në kapitullin e mëparshëm pamë se rilindja kryhet nga puna që e bën Fryma e Shenjtë (Gjoni 3,3-8). Rilindja nuk është diçka që njeriu mund ta kryejë me forcat apo dëshirat e tij njerëzore, por është diçka që kryen Perëndia në jetën e njeriut.

Puna e parë që e kryen Fryma e Shenjtë në jetën e një individi është rigjenerimi i tij (d.m.th. sjellja në jetë e shpirtit të tij - shih tek Titi 3,5 Ai na shpëtoi jo me anë të veprave të drejta që ne bëmë, por sipas mëshirës së Tij, me anë të larjes së rilindjes dhe të ripërtëritjes së Frymës së Shenjtë) dhe pastaj Fryma futet për të banuar tek njeriu (Rom. 8,9-11), duke ia sjellë kështu fuqinë e Perëndisë jetës së tij.

Kjo punë përshkruhet edhe tek Ezekieli 36,26-27 Do t'ju jap një zemër të re dhe do të shtie brenda jush një shpirt të ri; do të heq nga mishi juaj zemrën prej guri dhe do t'ju jap zemër prej mishi. Do të vë brenda jush Shpirtin tim dhe do të bëj që ju të ecni sipas statuteve të mia, dhe ju do të respektoni dhe do të zbatoni në praktikë dekretet e mia. Besimtari ka një zemër të re dhe një shpirt të ri dhe Fryma e Shenjtë banon tek ai. Kështu i lindet dëshira që t'i bindet Perëndisë.

Rrjedhojat e të banuarit të Frymës së Shenjtë në zemrën e besimtarit janë të trefishta.

Së pari, ndodh një ndryshim karakteri, siç e shqyrtuam në kapitullin e mëparshëm. Kjo na jepet tek Galatasit 5,19-21. Këtu ne shohim një listë të frutave të Frymës në jetën e besimtarit. Pali krahason atë karakter që kishte njeriu kur ishte jobesimtar me ndryshimin e madh që ndodhi nëpërmjet veprimit të Frymës së Shenjtë me rritjen e frutave të dashurisë, gëzimit, paqes, durimit, dashamirësisë, mirësisë, besnikërisë, butësisë dhe vetëkontrollit. Ky ndryshim nënvizohet në vargun 24: ata që janë të Krishtit e kanë kryqëzuar mishin bashkë me pasionet dhe lakmitë e tij.

Së dyti, në jetën e besimtarit ndodh edhe procesi i pastrimit dhe shenjtërimit. Jeta e tij pastrohet prej mëkatit dhe efektit të tij, pastrohet në një mënyrë të tillë që veset e tij të pastrohen dhe ai nuk është më skllav i tyre; zgjyra, plehu dhe bataku i mëkatit nuk janë më pjesë e jetës së tij; janë pastërtia dhe dëlirësia shenjat dalluese të jetës së tij. Këtë e jep mjaft bukur Isaia tek Isaia 1,18 Edhe sikur mëkatet tuaja të ishin të kuqe flakë, do të bëhen të bardha si bora, edhe sikur të ishin të kuqe të purpur, do të bëhen si leshi.

Së treti, brenda jetës së besimtarit ndodh rritja e natyrës së Krishtit. Tek Romakët 8,9 na bëhet e qartë se kur ke Frymën e Shenjtë që banon brenda teje, ke edhe Krishtin d.m.th. natyra e Tij po zhvillohet në brendësinë e zemrës sate. Kjo është fruta e pranisë së Frymës së Shenjtë. Dhe e gjithë kjo punë është një e vërtetë e lavdishme të cilën vetëm Ungjilli mund ta sjellë në jetën e një njeriu! Dalngadalë, ditë pas dite, jeta e njeriut përshtatet edhe më shumë me atë të Krishtit, ai bëhet gjithnjë e më shumë si Jezui! Kjo mund të shihet në qëndrimet e tij, në veprimet e tij dhe në pjesë të tjera të jetës së tij. Njeriu e kupton p.sh. dobinë e Predikimit në Mal dhe fillon ta zbatojë atë në jetën e tij.

Pali i inkurajon besimtarët tek Efesianët 5,18 që të mbushen me Frymën e Shenjtë. Perëndia dëshiron jo vetëm që Fryma e Shenjtë të banojë në zemrat tona, por gjithashtu që ne të mbushemi me Të dhe me fuqinë e Tij. Vargu mund të përkthehet fjalë për fjalë, kështu: "Vazhdoni të mbusheni me Frymën", pra na përshkruhet këtu një proces i vazhdueshëm dhe i përditshëm. Dhe sigurisht, në qoftë se jeta e një besimtari mbushet vazhdimisht me Frymën dhe me fuqinë e Tij, atëherë është më se e kuptueshme se do të shihen mjaft qartë ndryshimet për të cilat po flasim në këtë broshurë. Ndryshimet do të jenë më të mëdha në jetën e njeriut dhe do të kenë gjithashtu një efekt të madh edhe në jetën e të tjerëve. Duhet kjo të jetë dëshira jonë si besimtarë.

Domosdoshmëria për të qenë i bindur

Sigurisht, të gjitha këto që i kemi thënë rreth punës së Shpirtit të Shenjtë në jetën e besimtarit dhe rreth ndryshimeve që i shkakton dhe sjell Ai, varen nga bashkëpunimi plot bindje i besimtarit. Ato kurrë nuk do të ndodhin automatikisht, shkëputur nga bindja e besimtarit. Shkrimet na flasin shumë për punën e Frymës në besimtarët, por po kaq ato flasin edhe për nevojën që besimtari t'i tregohet i bindur dhe të zbatojë Fjalën e Perëndisë. Një besimtar i pabindur nuk ka asnjë të drejtë të presë që këto të ndodhin në jetën e tij. Ai duhet të bëjë atë që i kërkohet atij. Për sa kohë nuk e bën këtë, nuk ka për t'i parë kurrë këto të pasqyrohen në jetën e tij. Eshtë besimtar i bindur ai që shikon në jetën e tij realizimin e këtyre të vërtetave.

Kapitulli 5
Pendimi dhe besimi

Kështu, cilat janë kushtet që i ka vendosur Perëndia për realizimin e efektshëm të këtij mesazhi për rilindjen në jetën e një njeriu? Çfarë duhet të bëjë njeriu që në jetën e tij të ndodhin ndryshimet e sipërpërmendura? Ç'kushte duhet të plotësojë ai që ta fitojë këtë natyrë të re në zemër dhe ta shohë thyerjen e pushtetit të mëkatit në jetën e tij? Ky kapitull merret me shqyrtimin e dy kushteve që duhet të plotësohen për këtë gjë.

Dhiata e Re na e bën të qartë se ka dy gjëra themelore që duhet t'i kërkojmë në jetën e atyre që quhen besimtarë në Jezu Krishtin. Këto janë pendimi ndaj Perëndisë dhe besimi në Zotin Jezu Krisht (Veprat 20,21). Të dyja këto janë thelbësore për të pasur një realizim të plotë të mesazhit të Ungjillit në jetën e njeriut.

Nevoja për besim

Kushti i parë që ne duhet ta plotësojmë, para se Ungjilli të ketë efektet e tij në jetën tonë, është ta besojmë Ungjillin. Kjo, sigurisht, që është diçka e thjeshtë dhe e kuptueshme. Në qoftë se nuk e besojmë Ungjillin, natyrisht që ai nuk do të ketë asnjë efekt ndaj nesh.

Por çfarë nënkuptojmë saktësisht kur themi se një njeri duhet të besojë Ungjillin dhe Jezu Krishtin? Cili është të besuarit e vërtetë? Mos do të thotë kjo që dikush mund të thotë se beson në Krishtin dhe pastaj t'i largohet e ta bëjë jetën ashtu si i pëlqen atij? A është ai besimtar i vërtetë? A është e mundur që një njeri të besojë vërtet në Jezuin dhe që ky besim të mos ketë efekt në jetën e tij?

Fjala greke që përdoret në Dhiatën e Re dhe që përkthehet "besoj" është pisteuo. Ajo do të thotë të besosh, të jesh i bindur për..., të vendosësh besimin tek..., nënkupton përkushtim ndaj...dhe mbështetje tek...në vend të një besimi thjesht mendor.

Kështu pra, nuk e kemi fjalën vetëm për një besim mendor, kur dikush i kupton faktet e Ungjillit në mendjen e tij por jo në zemrën e tij. Eshtë një e vërtetë e trishtueshme që një person mund të kuptojë çdo të vërtetë të Biblës në mendjen e tij dhe prapëseprapë të mos e ketë aspak përvojën e rilindjes në zemrën e tij. Kështu, edhe pse ai "beson", Ungjilli nuk ka asnjë efekt në jetën e tij.

Këtu e kemi fjalën për një besim që njeriu jo që e ka vetëm në mendjen e tij, por edhe që e ka pranuar me gjithë zemër dhe të cilit i nënshtrohet me tërë qenien e tij. Ai është një besim  veprues e aktiv, një besim praktik, që ka të bëjë me realitetin e jetës së përditshme të njeriut. Jo një besim ndaj Perëndisë vetëm kur gjithçka shkon në rregull, pa asnjë problem, por një besim ndaj Tij edhe kur të jetuarit bëhet i vështirë dhe plot probleme reale e praktike. Dhe, vërtet, në vështirësi të tilla besimi i vërtetë as epet dhe as thyhet si besimi i rremë. Por në fakt forcohet dhe rritet ndërsa njeriu zbulon më tepër nga dashuria dhe besnikëria e Perëndisë gjatë këtyre sprovave. Ai është një besim që mund të jetojë në këtë botë dhe të mposhtë e kapërcejë çfarëdo lloj sfide të cilën e lejon Perëndia me urtësinë e Tij.

Shpëtimtar dhe Zot

Ne duhet të mos harrojmë gjithashtu se tek kush besojmë, d.m.th. është e nevojshme që të kuptojmë se kush është Jezui. Shumë herë (me të drejtë) ai predikohet si Shpëtimtari i botës, fakt ky që është i vërtetë. Sidoqoftë, a nuk është njëkohësisht edhe Zot Ai? Në qoftë se e kemi pranuar Atë, mos vallë e kemi pranuar vetëm si Shpëtimtarin tonë, apo e kemi vënë edhe në vendin e duhur si Zotin e Zotëruesin e jetës sonë? Ne e pranojmë Atë si Shpëtimtarin që na çliroi nga mëkati, por a jemi gati të biem në gjunjë para Tij, t'i dorëzojmë Atij gjithçka dhe ta ndjekim çdo ditë të jetës sonë? Fjalët e para të Jezuit ndaj dishepujve të Tij nuk ishin: "Besoni tek unë!" por "Ejani pas meje!" dhe fjalët e Tij të fundit para se të ngrihej në qiell nuk ishin: "Shkoni predikoni dhe bëni që njerëzit të besojnë tek unë!" por "Shkoni dhe bëni dishepuj!".

Eshtë më se e qartë dhe s'ka diskutim që, për të pasur një efekt të plotë të mesazhit të Ungjillit në jetën e individit, Jezui duhet të jetë Zoti i jetës së tij. Ne duhet t'ia dorëzojmë plotësisht veten Atij. Tek Romakët 12,1-2 lexojmë këto fjalë që na thotë apostull Pali: O vëllezër, po ju bëj thirrje, nëpërmjet dhembshurisë së Perëndisë, ta paraqisni trupin tuaj si fli të gjallë, të shenjtëruar, të pëlqyer te Perëndia, që është shërbesa juaj e mençur. Dhe mos u konformoni me këtë botë, por transformohuni me anë të ripërtëritjes së mendjes suaj, që të provoni cili është i miri, i pëlqyeri, dhe i përsosuri vullnet i Perëndisë.

Vetëm kur jeta e një njeriu është vërtet i dorëzuar dhe i nënshtruar ndaj Zotit, atëherë mund të shihet lavdia e Perëndisë në jetën e këtij njeriu si kurrë më parë. Atëherë Perëndia është i lirë të punojë plotësisht për t'i përmbushur qëllimet dhe vullnetin e Tij në jetën dhe karakterin e njeriut.

Nevoja për pendimin

Një nga problemet që po e moleps Kishën e Jezu Krishtit në ditët e sotme dhe që rezulton në një cektësi të madhe në jetën e atyre që e deklarojnë veten për besimtarë është fakti që mesazhi "Pendohuni dhe besoni!" shpesh po ndryshohet në "Vetëm besoni!" Për arsye nga më të ndryshmet, duket se mesazhi për pendimin prej mëkateve nuk bëhet i qartë dhe kthehet shpesh vetëm në një shtojcë ose edhe lihet fare mënjanë. Sidoqoftë, shohim se pendimi ishte guri i qoshes në mesazhin e Gjon Pagëzorit (Luka 3,3, Mat. 3,2), në atë të vetë Zotit Jezu (Mat. 4,17), të apostull Pjetrit (Vep. 2,38) si dhe të apostull Palit (Vep. 17,30). Mesazhi biblik është: "Pendohuni dhe besoni!" - Të DYJAT.

Në qoftë se predikojmë një mesazh të tillë si "vetëm besoni", është mjaft e lehtë të mbledhim turma njerëzish për të na dëgjuar dhe mbase edhe për të pasur një reagim ndaj mesazhit. Ky lloj mesazhi nuk u kërkon njerëzve asgjë dhe përtypet mjaft kollaj prej tyre, por ka një efekt të vogël në ta. Mesazhi i Perëndisë është pendohuni ashtu si dhe besoni. Në fakt, ashtu si thotë Pali tek Veprat 17,30, Perëndia urdhëron cilindo nga njerëzit, kudo që të jenë, të pendohen. Mesazhi "vetëm besoni" nuk është Ungjilli i vërtetë! Vetë Zoti Jezu Krisht nuk pati frikë t'ua bënte njerëzve të vështirë të ndjekurit e Tij.

Kështu pra, çfarë është pendimi? Fjala greke metanoein, që e përdor Bibla, do të thotë "ndryshim i mendjes dhe i synimit, kthim dhe ecje në drejtimin e kundërt". Kështu njeriu pendohet kur vendos që të mos vazhdojë më në rrugën në të cilën ecën bota apo në të cilën ka ecur më parë, por në rrugën e Perëndisë. Përsëri, ky nuk është vetëm një vendim mendor, por një veprim i vullnetit, veprim që rrjedh si pasojë e një dëshire të brendshme të zemrës. Eshtë diçka që njeriu e bën me gjithë qenien e tij. Ai nuk dëshiron më të vazhdojë në rrugën ku ecën bota dhe vendos me gjithë qenien e tij se që këtej e tutje do të ecë në rrugën e Perëndisë. Siç e shprehu edhe djali plëngprishës: "Do të çohem e do të shkoj tek im atë..."

Pendimi nuk është një vendim që merret vetëm një herë dhe gjithçka mbaron. Ai është një proces i vazhdueshëm që vepron në jetën e përditshme të njeriut. Të larguarit prej mëkatit dhe të çliruarit prej pushtetit të tij është diçka që duhet mësuar. Kjo është diçka që nuk ndodh menjëherë sapo fillon njeriu të besojë në Jezu Krishtin. Prandaj flasim edhe për të jetuarit në pendim dhe besim.

Në qoftë se njeriu nuk është penduar vërtet prej mëkatit, atëherë sigurisht që do të vazhdojë në mëkat. Ai nuk do të heqë dorë prej tij, kurrë nuk do të çlirohet prej tij dhe kështu mëkati do të vazhdojë ta mbajë nën zgjedhë dhe ta kontrollojë jetën e tij; njeriu do të vazhdojë t'i ndjekë rrugët e filozofitë e kësaj bote dhe kurrë nuk do të jetë i lirë ta ndjekë Krishtin; çdo dëshirë e tij për t'i ndjekur rrugët e Perëndisë do të mbytet nga dëshira për mëkatin (dhe sigurisht që mëkati do të triumfojë gjithmonë!). Ai do të rrëshqasë gjithmonë e vazhdimisht pas deklaratës së tij se është besimtar apo pas çdo ripërkushtimi të jetës së tij ndaj Krishtit. Nuk ka kthim të vërtetë dhe të plotë në besim në qoftë se nuk ka pendim.

Në qoftë se e dëshirojmë suksesin e Ungjillit, në qoftë se duam që t'i shohim njerëzit të bëhen besimtarë të vërtetë tek të cilët të jetë duke u formuar natyra e Krishtit, atëherë le të predikojmë me guxim mesazhin e Biblës: "pendohuni dhe besoni".

Kapitulli 6
Po ti, a do ta pranosh Jezuin?

Tek Psalmi 107,4-22 na përshkruhen lloje të ndryshme njerëzish: Ata endeshin nëpër shkretëtirë, në vende të shkretuara, dhe nuk gjenin asnjë qytet ku të banonin... Të tjerë rrinin në terr dhe në hijen e vdekjes, robër të pikëlluar dhe në zinxhira, sepse ishin rebeluar kundër fjalëve të Perëndisë... Disa njerëz pa mend vuanin për sjelljen e tyre rebele dhe për mëkatet e tyre...

Mbase ti e ndien se je si këta njërëz. Jeta jote është si një shkretëtirë, boshe dhe e pakuptimtë dhe je larg Perëndisë dhe sigurisë së Tij; mbase e ke kaluar jetën në rebelim ndaj Perëndisë dhe rrugës së Tij dhe tani ndihesh i lidhur me zinxhira shpirtërore, i zhytyr në errësirë dhe dëshpërim; ndoshta e di se për shkak të këtij rebelimi ke qenë si budalla gjithë jetën dhe se, për shkak të kokëfortësisë sate, ke rënë në shumë mëkate dhe madje ke vuajtur si pasojë e tyre...

Por tek ky psalm na thuhet gjithashtu se sa herë që njerëzit thërrisnin me gjithë zemër emrin e Perëndisë, Ai tregonte besnikërinë e Tij ndaj tyre dhe i çlironte: Në fatkeqësitë e tyre ata i thirrën Zotit dhe Ai i çliroi nga ankthet e tyre... [Ai] i çoi në rrugën e drejtë, me qëllim që të arrinin në një qytet ku të banonin... [Ai] i nxori nga terri dhe nga hija e vdekjes dhe i këputi lidhjet e tyre... Ai dërgoi fjalën e Tij dhe i shëroi...

Tek Isaia 61,1-3 gjejmë disa fjalë të mrekullueshme që përshkruajnë atë që Jezui mund të bëjë në zemrat tona: Fryma e Zotit është mbi mua, sepse Zoti më ka vajosur për t'u dhënë një lajm të mirë të përulurve; më ka dërguar të lidh plagën e atyre që e kanë zemrën të thyer, të shpall çlirimin e atyre që janë në robëri, hapjen e burgut të burgosurve, të shpall vitin e hirit të Zotit dhe ditën e hakmarrjes të Perëndisë sonë, për të ngushëlluar tërë ata që pikëllohen, për t'u dhënë gëzim atyre që pikëllohen... për t'u dhënë atyre një diademë në vend të hirit, vajin e gëzimit në vend të zisë, mantelin e lavdërimit në vend të një fryme të ligështuar...

A je edhe ti i varfër në shpirt (i përulur)? A je edhe ti zemërthyer? A je edhe ti rob i mëkatit? A je edhe ti në errësirë shpirtërore? A është edhe zemra jote në zi? A je edhe ti i pikëlluar? A je edhe ti i dëshpëruar? A je edhe ti i zhytur në dhimbje? Perëndia të do dhe dëshiron të të japë shpëtim dhe shërim për zemrën, të të çlirojë nga vargonjtë në të cilët ndodhesh, të të ngushëllojë dhe të të plotësojë nevojat. Ai dëshiron që me anë të Jezu Krishtit të të japë diademën, vajin e gëzimit dhe mantelin e lavdërimit!

Bibla thotë që Jezui vdiq mbi Kryq për mëkatet tona dhe u ngjall së vdekurish ditën e tretë. Nëpërmjet Tij ti mund të gjesh faljen për mëkatet e tua dhe mund të marrësh jetën e re sepse Ai është i gjallë! Jezui është Ai që mund të të japë një jetë të re shpirtërore. Ai mund të bëhet miku yt më i mirë që do të të jetë më pranë se edhe vetë vëllai yt dhe Ai kurrë nuk do të të lërë dhe braktisë. Bibla thotë se Ai ka ngopur shpirtin e etur dhe e ka mbushur me të mira shpirtin e uritur (Ps. 107,9).

Tek Gjoni 7,37-38 Jezui tha disa fjalë shumë të mëdha: Nëse dikush ka etje, le të vijë tek unë e të pijë... [dhe] nga brendësia e tij do të burojnë lumenj uji të gjallë. A je edhe ti i etur? A është boshe zemra jote? Mos vallë edhe ti e ndien se jeta jote nuk ka kuptim? Jezui është Ai që mund të plotësojë nevojat më të thella të zemrës sate. Eja tek Ai dhe pi! Ai që ka etje, le të vijë; dhe ai që do, le të marrë si dhuratë ujin e jetës (Apok. 22,17).

A do të thërrasësh edhe ti Perëndinë dhe a do t'i kërkosh falje? A do të pendohesh për ato gjëra që ke bërë në jetën tënde dhe a do të fillosh të ecësh në rrugën e Tij tani? A do t'i kthehesh Atij si një bir i humbur? A do të lutesh dhe t'i tregosh Atij gjërat më të thella të zemrës sate? Bibla thotë: Po t'i rrefëjmë mëkatet tona, Ai është besnik dhe i drejtë që të na falë mëkatet dhe të na pastrojë nga çdo paudhësi (1Gjoni 1,9).

Nëse e ndien se ke dëshirë që t'i lutesh Perëndisë për të të falur mëkatet dhe t'i kërkosh Jezuit të jetë Shpëtimtari yt, këtë mund ta bësh duke thënë këtë lutje me gjithë zemër:

At Perëndi, të lutem në emër të Jezuit të më falësh për mëkatet që kam bërë ndaj Teje në jetën time. Më fal që kam shkuar në atë rrugë që shkonte larg Teje. Të lutem jepmë një zemër të pastër, të pastër si dëbora. Të lutem më jep atë jetë të re për të cilën flet Bibla dhe ndihmomë të ec në rrugën Tënde. Amin!

FUND


Nëse këto fjalë ju kanë shtyrë të mendoni mbi problemet e shpirtit, ju ftojme të na shkruani, dhe do të na vijë mirë t'ju ndimojmë.

Albanian Evangelical Mission
29 Bridge Street, Penybryn, Wrexham LL13 7HP,
 Britania e Madhe.
email: office [©] aemission.org
(Shënim)


Kthehu tek faqja: Krishterimi

pixelburg.gif (801 bytes)

© Copyright  Të Krishterët  Përgjigjen
Faqja Kryesore | Kush Jemi | Të RejatKontakt | Kërko

"Të jini gjithëherë të gatshëm t'u jipni përgjigje çdo njërit që kërkon nga ju shpjegime per shpresën që ju keni (1 Pjetrit 3:15)"