Antropologjia

Fjala "antropologji" vjen nga fjala greke "anthropos" që do të thotë njeri. Antropologjia është doktrina e njeriut. Ka mjaft përkufizime për njeriun, disa komike dhe disa tragjike. Në këtë studim të antropologjisë ne do të shkojmë tek burimi i vërtetë, Shkrimi i Shenjtë. Njeriu ka dëshiruar gjithmonë të dijë se kush është, nga ka ardhur dhe ku është duke shkuar. Fjala e Shenjtë e Perëndisë e jep të vetmen dëshmi të plotë.

I. Njeriu në Gjendjen e tij të Ndershmërisë (Pafajësisë)

Me këtë ne nënkuptojmë njeriun në gjendjen e tij fillestare të pastërtisë—drejtësia e tij.

A. Origjina e tij.

1. Negative.

a. Jo nga abiogjeneza. Kjo teori beson se nuk ka patur asnjë krijues të njeriut, por që njeriu erdhi thjesht në jetë, pa ndonjë shkak dhe filloi të jetojë, duke përmbushur edhe rimën e ninullës, që thotë:

Nga erdhe vogëlush i dashur?

Nga hiçi deri këtu kam ardhur!

Ky argument nuk ka nevojë për përgjigje, por, me qëllim që të përballemi me kritikën, ne vetëm po theksojmë se, nëse diçka e tillë si abiogjeneza ishte e mundur, nuk do të kishte asnjë fuqi që ta ndalonte që të ndodhte përsëri. Nuk ka asnjë dëshmi të një ndodhie të dytë dhe, sigurisht, që nuk ndodhi kurrë as në rastin e parë.

b. Jo nga evolucioni apo zhvillimet natyrore. Një përkufizim i shkurtër i evolucionit është: "Ai proces me anë të cilit, nëpërmjet një lloj grumbullimi të materies gjatë shumë epokave dhe prej shumë specieve, nga rastësia apo nga ligji, shfaqet njeriu". Ky koncept ka mbizotëruar për shumë vite, por mbështetësit e tij janë në rënie. Shkenca moderne, siç është edhe antropologjia, po i kundërshton të gjitha thëniet e këtij koncepti. Bibla shpall që njeriu është një krijesë e veçuar e Perëndisë dhe që kafshët u krijuan në një kohë tjetër, krejtësisht veçmas nga njeriu. Evolucioni na mëson që njeriu dhe kafshët kanë një origjinë të njëjtë, e cila ndahet si në degë, në shumë specie të ndryshme. Për ta kundërshtuar këtë, ne përdorim Shkrimin dhe arsyetimin njerëzor si më poshtë:

(1) Kundërshton Shkrimin. Shkrimet thonë: "Sipas llojit të tyre" (Zanafilla 1:24). Kjo i mbërthen speciet në vetvete, duke i ndaluar të zhvillohen në një specie krejt ndryshe.

(2) Nuk ka asnjë dëshmi të ndonjë kafshe që është bërë njeri. Me siguri, në gjashtë mijë vite, në qoftë se evolucioni do të ishte i vërtetë, do të kishte patur shembuj të tij edhe sot.

(3) Nuk ka asnjë dëshmi që hallka që mungon, është gjetur. Shumë të ashtuquajtur libra historie japin piktura krijesash, të cilat i kanë quajtur si lidhja (hallka) që mungon. Këto piktura janë fotografi vizatimesh dhe jo fotografi krijesash të vërteta, përderisa asnjë nga këto nuk ka ekzistuar. Ne kemi mësuar që "lidhja (hallka) që mungon", është një krijesë mes njeriut dhe majmunit. Piktura e saj është krejtësisht imagjinatë e një artisti, i cili mori një copë kockë apo dhëmb dhe ndërtoi një njeri rreth saj. Kjo është thjesht si shprehja popullore "peshku në det, tigani në zjarr". Do të na pëlqente të përmendnim William Jennings Bryan[1] në lidhje me "lidhjen (hallka) që mungon": "Në qoftë se lidhja që mungon është gjetur, atëherë pse po e kërkojnë akoma"?

(4) Nuk ka dëshmi që njeriu primitiv ndryshonte nga njeriu i sotshëm.

(5) Ka dëshmi që gjaku njerëzor është i njëjti gjak për të gjithë (Veprat 17:26). Lufta e Dytë Botërore e ka vërtetuar këtë. Gjaku i një njeriu të bardhë mund të vendoset në venat e një njeriu të zi, dhe e kundërta, dhe mund të japë jetë. Transfuzionet e gjakut janë praktikuar vetëm gjatë njëqind viteve të fundit, por Perëndia na e shfaqi këtë mijëra vite më parë.

(6) Ka një ndryshim të madh mes ndërtimit të njeriut dhe të kafshëve.

(a) Fizikisht. Njeriu është një krijesë me trup pingul, kurse kafshët janë me katër këmbë.

(b) Nga ana intelektuale. Njeriu ka intelekt, ndërsa kafshët kanë instinkte.

(c) Moralisht. Njeriu është e vetmja krijesë e Perëndisë që ka cilësi morale.

(d) Frymërisht. Vetëm njeriu është krijuar me koncepte frymërore. Vetëm ai, në dallim nga të gjitha krijesat, mund të adhurojë Perëndinë.

2. Pozitive. Njeriu është një krijesë e drejtpërdrejtë e Perëndisë. "Kështu Perëndia krijoi njeriun simbas shëmbëlltyrës së vet, simbas shëmbëlltyrës së Perëndisë; Ai krijoi mashkullin e femrën" (Zanafilla 1:27).

B. Natyra e tij.

1. Shëmbëllimi fillestar i njeriut. "Pastaj Perëndia tha: 'Ta bëjmë njeriun sipas shëmbëlltyrës sonë dhe në ngjasim me ne'" (Zanafilla 1:26a). "Cilido që derdh gjakun e një njeriu, gjaku i tij do të derdhet nga një njeri, sepse Perëndia e ka krijuar njeriun simbas shëmbëlltyrës së tij" (Zanafilla 9:6). Shihni gjithashtu 1 Korintasve 11:7 dhe Jakobi 3:9.

a. E parë në tre njësitë përbërëse të njeriut. "Atëherë Zoti Perëndi formoi njeriun nga pluhuri i tokës, i fryu në vrimat e hundës një frymë jete dhe njeriu u bë një qenie e gjallë" (Zanafilla 2:7). "Dhe Perëndia i paqes ju shenjtëroftë ai vetë tërësisht; dhe gjithë fryma juaj, shpirt e trup, të ruhet pa të metë për ardhjen e Zotit tonë Jezus Krisht" (1 Thesalonikasve 5:23).

b. E parë në natyrën intelektuale dhe morale të njeriut. "Mos gënjeni njeri tjetrin, sepse ju e zhveshët njeriun e vjetër me veprat e tij, edhe veshët njeriun e ri, që përtërihet në njohurinë sipas shëmbullit të atij që e krijoi" (Kolosianëve 3:9-10). Shihni për këtë edhe Efesianët 4:24.

c. E parë në shëmbëllimin fizik. është e vërtetë që Perëndia është një Frymë (Gjoni 4:24) dhe Perëndia është i padukshëm (Kolosianëve 1:15), por gjithmonë Perëndia ka patur një formë në të cilën Ai e ka shfaqur Veten e Tij: "Sa për mua, për hir të drejtësisë do të shoh fytyrën tënde; do të ngopem nga prania jote kur të zgjohem" (Psalmi 17:15). Shihni gjithashtu Filipianëve 2:6-7, Mark 15:12 dhe Gjoni 5:37.

Krishti nuk u formua në formën apo shëmbëlltyrën e Adamit, por Adami u bë në formën dhe shëmbëlltyrën e Krishtit, që do të vinte: "por vdekja mbretëroi nga Adami deri te Moisiu edhe mbi ata që nuk kishin mëkatuar me një shkelje të ngjashme nga ajo e Adamit, që është figura e atij që duhej të vinte" (Romakëve 5:14).

2. Pafajësia fillestare e njeriut. Disa shpallin që Adami u krijua në shenjtëri ose në drejtësi. Kjo nuk është krejt e saktë. Njeriu u krijua i përsosur jo në drejtësi, por në pafajësi. Ka ndryshim të madh midis pafajësisë dhe drejtësisë. Pafajësia është pastërti (të jesh pa mëkat) që nuk është vënë kurrë përballë provës. Drejtësia është pafajësi që është provuar e sprovuar dhe që ka dalë fitimtare.

C. Ndërtimi i tij.

Siç do ta shohim, njeriu është i përbërë nga elemente tokësore (Zanafilla 2:7) dhe frymërore (1 Thesalonikasve 5:23; Hebrenjve 4:12).

1. Trupi. Trupi i tij u bë nga toka. Kjo ishte pjesa e parë e njeriut që u formua. "Atëherë Zoti Perëndi formoi njeriun nga pluhuri i tokës, i fryu në vrimat e hundës një frymë jete, dhe njeriu u bë një qenie e gjallë" (Zanafilla 2:7). Trupi paraqitet në Shkrim si shtëpia e njeriut të brendshëm. "Aq më tepër tek ata që banojnë në shtëpi prej argjile, themelet e të cilave janë në pluhur dhe shtypen si një tenjë" (Jobi 4:19). Shihni edhe 2 Korintasve 5:1, 3-4. Procesi me anë të të cilit Perëndia e krijoi njeriun, nuk është i njohur. Këtë ia lëmë Perëndisë. Njerëzit japin mendimet dhe hamendjet e tyre, por ato mbeten vetëm hamendje. Fjala "pluhur" nuk do të thotë argjilë apo pisllëk i vjetër, por lënda më cilësore e tokës.

a. Analiza vërteton burimin e njeriut. Analiza kimike moderne zbulon në trupin e njeriut po ato elemente që janë edhe në tokë, poshtë këmbëve të njeriut, si: natrium, karbon, hekur etj.

b. Toka mbështet ekzistencën e njeriut. Trupi mbahet nga ajo që rritet nga toka. është trupi i njeriut dhe jo fryma e tij që mbahet e ushqehet. Zija e bukës në ditët e sotme ka vërtetuar që, nëse ushqimi hiqet, hiqet edhe jeta. Nëse vret ushqimin, do të vrasësh njeriun.

c. Vdekja konkretizon elementet e njeriut. Me vdekjen, fillon prishja dhe trupi i njeriut së shpejti kthehet në pluhur nga i cili ishte formuar (Zanafila 3:19).

2. Shpirti. "Atëherë Zoti Perëndi formoi njeriun nga pluhuri i tokës, i fryu në vrimat e hundës një frymë jete, dhe njeriu u bë një qenie e gjallë" (Zanafilla 2:7). Shihni gjithashtu 1 Korintasve 15:45. Shpirti është mbajtësi i ndjenjave dhe orekseve. Bimët, kafshët dhe njeriu kanë trupa. Kafshët dhe njeriu kanë shpirt, por vetëm njeriu ka një frymë. Shpirti është jeta e ndërgjegjshme që është në njeriun dhe në kafshën. Bimët kanë jetë, por kjo është jetë e pandërgjegjshme. Ka një ndryshim midis shpirtrave të njerëzve dhe shpirtrave të kafshëve. Shpirti i kafshës është i lidhur me trupin e saj, ndërsa shpirti i njeriut është i lidhur me frymën e tij. Shpirti i kafshës vdes bashkë me kafshën, kurse shpirti i njeriut nuk vdes kurrë, sepse ai u krijua "shpirt i gjallë" (1 Korintasve 15:45), si një shpirt që nuk do të vdiste kurrë.

Siç është theksuar, shpirti i njeriut është mbajtësi i ndjenjave dhe orekseve të tij dhe Shkrimi i mëposhtëm do të nxjerrë në pah shkallët e secilës … Orekset: "Por sa herë që të duash, mund të vrasësh kafshë dhe të hash mishin e tyre në të gjitha qytetet, simbas bekimit që të ka bërë Zoti; atë mund ta hanë si i papastri, ashtu dhe i pastri, siç bëhet me mishin e gazelës dhe të drerit;" (Ligji i Përtërirë 12:15). Dëshirat: "Dhe në qoftë se njeriu i thoshte: 'Më parë të tymoset dhjami, pastaj të marrësh sa të duash' ai përgjigjej: 'Jo, duhet të ma japësh tani; përndryshe do ta marr me forcë'" (1 Samueli 2:16). Shihni gjithashtu Ligji i Përtërirë 12:20; Psalmi 107:18; Fjalët e Urta 6:30; Isaia 29:8 dhe 1 Samueli 18:1. Urrejtjet: "Davidi tha atë ditë: 'Kushdo që i mund Jebusejtë, të arrijë deri në kanal dhe t'i zmprapsë çalamanët dhe të verbërit që i urren Davidi'. Prandaj thonë: 'I verbri dhe çalamani nuk do të hyjnë në Shtëpi'" (2 Samueli 5:8). Vajtimet: "Ai ndjen vetëm dhembjen e madhe të mishit të tij dhe pikëllohet për veten e tij" (Jobi 14:22). Trishtimi: "Lëre të qetë, sepse e ka shpirtin të trishtuar dhe Zoti ma ka fshehur dhe nuk ma ka treguar" (2 Mbretërve 4:27b). "U tha atyre: 'Shpirti im është thellësisht i trishtuar, deri në vdekje; qëndroni këtu dhe rrini zgjuar'" (Marku 14:34). Ngazëllime: "Unë do të gëzohem shumë tek Zoti, shpirti im do të kremtojë Perëndinë tim, sepse më ka veshur me rrobat e shpëtimit, më ka mbuluar me mantelin e drejtësisë, ashtu si një dhëndër që vë një diademë, si një nuse që zbukurohet me xhevahiret e saj" (Isaia 61:10). Vuajtjet: "Atëherë i thonin njëri-tjetrit: 'Ne jemi me të vërtetë fajtorë ndaj vëllait tonë, sepse e pamë ankthin e shpirtit të tij kur ai na lutej, por nuk ia vumë veshin! Ja pse na ra kjo fatkeqësi'" (Zanafila 42:21).

Ku e merr njeriu shpirtin e tij?

a. Paraekzistenca. Kjo teori mëson që të gjithë shpirtrat që kanë qenë ndonjëherë ose që do të jenë në botë, u krijuan në fillim. Në kohën e ngjizjes, ato bashkohen me trupin. Kjo u mësua nga Platoni, por nuk u pranua kurrë nga kisha, sepse ishte pa bazë në Shkrimin e Shenjtë.

b. Teoria e dyzet ditëve. Kjo teori shpall që pas dyzet ditësh nga ngjizja, shpirti bashkohet me trupin. Katolicizmi romak e propozon këtë gjë. Nëse ky besim është i vërtetë, atëherë Perëndia është krijuesi i shpirtrave mëkatarë.

c. Trashëgimia. Kjo është e vërteta që mbështetet në thënien se edhe shpirti, edhe trupi janë të ardhur nga prindërit. "Adami jetoi njëqind e tridhjetë vjet dhe i lindi një djalë që i përngjiste, një lloj në shëmbëlltyrë të tij dhe e quajti Seth" (Zanafilla 5:3). Shihni gjithashtu Veprat 17:24-26.

3. Fryma. Këtu është pika ku njeriu ndryshon nga të gjitha krijesat e tjera. Tek Hebrenjtë 12:9 Perëndia thuhet të jetë "Ati i frymërave". Kjo nuk do të thotë Ati i engjëjve, por i frymërave të njerëzve që janë bërë të përsosur. Nuk është thënë kurrë që Perëndia të jetë Ati i shpirtrave. "Sepse, sikurse trupi pa frymën është i vdekur, ashtu edhe besimi, pa vepra, është i vdekur" (Jakobi 2:26). Kur një trup vdes, shpirti shkon me frymën e njeriut. Shpirti dhe fryma mund të ndahen: "Sepse fjala e Perëndisë është e gjallë dhe vepruese, më e mprehtë se çdo shpatë me dy tehe dhe depërton deri në ndarjen e shpirtit dhe të frymës, të nyjeve dhe të palcave, dhe është në gjendje të gjykojë mendimet dhe dëshirat e zemrës" (Hebrenjve 4:12). Megjithatë nuk ka asnjë provë biblike që ato janë ndarë ndonjëherë. Pasaniku tek Luka 16 shkon në ferr dhe ai ka me vete si frymën, ashtu edhe shpirtin. Shihni edhe Mateu 10:28.

Fryma e njeriut është mbajtësi i inteligjencës së tij. "Sepse cili nga njerëzit, pra, njeh gjërat e njeriut, përveç se fryma e njeriut që është në të? Po kështu, asnjeri s'i njeh gjërat e Perëndisë, përveç Fryma e Perëndisë" (1 Korintasve 2:11). Kafshët nuk zotërojnë inteligjencë. "Mos u bëni si kali dhe si mushka që nuk kanë mend, goja e të cilëve duhet të mbahet me fre dhe me kapistër, përndryshe nuk të afrohen" (Psalmi 32:9).

Fjala "frymë", si në hebraisht, ashtu edhe në greqisht është përkthyer si frymëmarrje dhe erë. Konteksti vendos për përkthimin. Materialistët thonë që fjala për frymën duhet të jetë "frymëmarrje" dhe që, kur njeriu vdes, ai shuhet përgjithmonë. Disa njerëz mendojnë që njeriu e humbi frymën që nga Rënia dhe e rimerr frymën e tij në çastin e kthimit në besim. Kjo do ta bënte njeriun një qenie dyshe, megjithatë kjo nuk ka asnjë bazë në Shkrimin e Shenjtë.

4. Zemra. Kur flasim për zemrën, nuk nënkuptojmë muskujt në trup, por mbajtësin e ndërgjegjes. "Le t'i afrohemi me zemër të vërtetë, me siguri të plotë besimi, duke i pasur zemrat tona të lara prej ndërgjegjes së ligë dhe trupin të larë me ujë të kulluar" (Hebrenjve 10:22). Shihni gjithashtu 1 Gjoni 3:19-20; Veprat 2:26; 5:3, 5; Mateu 22:37. Paralajmërimi është që mund të ketë një rrëfim gojor, një njohuri pa një besim zemre. "Shumë do të më thonë atë ditë: 'O Zot, o Zot, a nuk profetizuam ne në emrin tënd, a nuk i dëbuam demonët në emrin tënd, a nuk kemi bërë shumë vepra të fuqishme në emrin tënd?' Dhe atëherë unë do t'u sqaroj atyre: 'Unë s'ju kam njohur kurrë; largohuni nga unë, ju të gjithë, që keni bërë paudhësi'" (Mateu 7:22-23).

D. Gjendja e tij.

Me këtë nënkuptojmë kushtin e njeriut në gjendjen e tij para se të binte.

1. Njohuria e tij. Ai kishte njohuri të menjëhershme, njohuri ndjesore. Ai nuk ishte një foshnjë e rritur. Ai ua vuri emrin të gjitha kafshëve që erdhën nga dora e Perëndisë. Do të duhej një njeri inteligjent për ta bërë këtë. "Dhe njeriu u vuri emra tërë bagëtisë, zogjve të qiellit dhe çdo kafshe të fushave; por për njeriun nuk u gjend asnjë ndihmë e përshtatshme për të" (Zanafilla 2:20).

2. Përbashkësia e tij. Për njeriun ishte e mundur që të kishte bashkësi me Perëndinë. "Dhe Zoti Perëndi e urdhëroi njeriun duke i thënë: 'Ha bile lirisht nga çdo pemë e kopshtit'" (Zanafilla 2:16). "Dhe Perëndia tha: 'Ja unë po ju jap çdo bar që lëshon farë mbi sipërfaqen e mbarë tokës dhe çdo pemë të ketë fruta që përmbajnë farë; kjo do t'ju shërbejë si ushqim'" (Zanafilla 1:29).

3. Shtëpia e tij. Kjo shtëpi ishte e vendosur në një kopësht. "Pastaj Zoti Perëndi mbolli një kopsht në Eden, në lindje, dhe vendosi në të njeriun që kishte formuar" (Zanafilla 2:8). Disa njerëz besojnë që njeriu primitiv ishte një njeri shpellash, por kjo nuk është kështu, sepse ai ishte një njeri i kopshtit. Dëshmia e parë e njerëzve që jetuan në shpella, flet për të përndjekurit dhe të çmendurit: "(bota nuk ishte e denjë për ta), u sollën nëpër shkretëtira e nëpër male, nëpër shpella dhe nëpër guva të dheut" (Hebrenjve 11:38). "Dhe, sapo Jezusi zbriti nga barka, menjëherë i doli përpara nga varrezat një njeri i pushtuar nga një frymë e ndyrë" (Marku 5:2). Ky kopsht nuk është quajtur Eden, por Kopshti në Eden. Fjala "Eden" do të thotë rrafshinë ose rrafshnaltë. Armenia është pa dyshim vendi ku filloi njeriu.

4. Mikja e tij. "Për njeriun nuk u gjend asnjë ndihmë e përshtatshme për të ... Pastaj Zoti Perëndi me brinjën që i kishte hequr njeriut formoi një grua dhe e çoi te njeriu" (Zanafilla 2:20, 22). Fjalët "ndihmë e përshtatshme" nuk janë fjalë e përbërë, por dy fjalë më vete, që do të thonë e përshtatshme për (diçka ose dikë). Eva ishte e përshtatshme për Adamin. Disa që qeshin me këtë "histori të brinjës", nuk mund të na tregojnë se nga erdhi gruaja. Si mendoni ju, pse nuk e bëri Perëndia gruan nga pluhuri? Për shkakun e thjeshtë që Perëndia nuk deshi që njeriu të ketë dy origjina.

Perëndia mund të krijojë një qenie njerëzore në katër mënyra:

1) Me anë të ngjizjes.

2) Pa ndihmën e një gruaje, si Evën.

3) Pa ndonjë burrë apo grua, si Adamin.

4) Pa ndonjë burrë, me anë të gruas, si Krishtin.

5. Puna e tij. "Dhe Perëndia i bekoi; dhe Perëndia u tha atyre: 'Të jeni të frytshëm dhe shumëzohuni, mbushni tokën e nënshtrojeni, e sundoni mbi peshqit e detit, mbi zogjtë e qiellit dhe mbi çdo qenie që lëviz mbi tokë'" (Zanafilla 1:28). "Zoti Perëndi e mori pra njeriun dhe e futi në kopshtin e Edenit, me qëllim që ta punonte dhe ta ruante" (Zanafilla 2:15). Kishte punë në kopësht, por jo punë me stërmundim. Kishte punë, por jo një lloj pune që të rraskapit. Fjala "ruaj" në Zanafilla 2:15 është përkthyer shumë mirë me fjalën "mbroj". Nga kush do ta mbronte Adami kopshtin? Nga kafshët e egra? Jo, sepse nuk kishte. Nga njerëzit e egjër? Jo, sespe Adami ishte i vetmi njeri. Ai ishte vendosur që ta ruante kopshtin kundër shfaqjes së Djallit. Sa herë që njeriu vendoset në një pozitë besimi, Perëndia gjithmonë jep një paralajmërim të mjaftueshëm.

6. Ushqimi i tij. "Dhe Perëndia tha: 'Ja unë po ju jap çdo bar që lëshon farë mbi sipërfaqen e mbarë tokës dhe çdo pemë të ketë fruta që përmbajnë farë; kjo do t'ju shërbejë si ushqim'" (Zanafilla 1:29). Njeriu i parë dhe kafsha e fushës ishin vegjetarianë. Dietat e tyre nuk përfshinin fare mish. Njeriu nuk ishte mishngrënës, siç besojnë evolucionistët.

7. Përgjegjësia e tij.

a. Të mbushë tokën me një rregull të ri—njeriu. "Dhe Perëndia i bekoi; dhe Perëndia u tha atyre: 'Të jeni të frytshëm dhe shumëzohuni, mbushni tokën e nënshtrojeni, e sundoni mbi peshqit e detit, mbi zogjtë e qiellit dhe mbi çdo qenie që lëviz mbi tokë'" (Zanafilla 1:28). Adami ishte njeriu i parë: "Kështu edhe është shkruar: 'Njeriu i parë, Adami, u bë shpirt i gjallë; por Adami i fundit është Frymë që jep jetë'" (1 Korintasve 15:45). Eva është nëna e gjithë qenieve njerëzore: "Dhe burri i vuri gruas së tij emrin Evë, sepse ajo qe nëna e tërë të gjallëve" (Zanafilla 3:20).

b. Të përmbahej për të mos ngrënë frutin. Ky frut ishte nga pema e njohjes të së mirës dhe të së keqes. "Dhe Zoti Perëndi e urdhëroi njeriun duke i thënë: 'Ha bile lirisht nga çdo pemë e kopshtit; por mos ha nga pema e njohjes të së mirës dhe të së keqes, sepse ditën që do të hash prej saj ke për të vdekur me siguri'" (Zanafilla 2:16-17).

Ata ishin të lejuar të hanin ç'të donin, përderisa kishte bollëk. Ishte vetëm një pemë që u ishte ndaluar atyre. Ne nuk e dimë se çfarë lloj fruti ishte. Nuk kishte gjë të keqe me frutin. Ishte thjesht fakti që Perëndia e ndaloi. Perëndia donte që Adami dhe Eva të kishin njohuri, por jo që ata ta fitonin me anë të mosbindjes. Mbani mend, pra, që njeriu ishte vendosur për të ruajtur. Ai ishte paralajmëruar për armikun, prandaj Satani nuk erdhi papritmas. Duke qenë kjo e vërtetë, pse lejoi Perëndia që Adami dhe Eva t'i nënshtroheshin sulmit të Djallit? Prova vjen gjithmonë përpara një bekimi. Njeriu gjithmonë duhet të provohet, përpara se të emërohet në një pozitë.

E. Kryesia e tij.

E gjithë raca njerëzore vjen nga ai njeri i vetëm, Adami. Ashtu siç është kreu, ashtu janë edhe pasardhësit.

1. Etnografia. Kjo është një degë e antropologjisë që e trajton njeriun gjeografikisht dhe në mënyrë përshkruese, duke trajtuar nëndarjet e racave, shkaqet e migrimit dhe çështje të tjera që janë të lidhura me këtë. Kjo shkencë i drejtohet një mëmëdheu të përbashkët, që është Armenia.

2. Filologjia krahasuese. Kjo është shkencë e gjuhës dhe mendon që të gjithë njerëzit vijnë nga e njëjta origjinë.

3. Psikologjia. Kjo është shkenca e mendjes që, gjithashtu, tregon se njeriu ka ardhur nga një origjinë.

4. Fiziologjia. është shkenca që merret me strukturën organike të trupit dhe shpall që njeriu vjen nga i njëjti burim, një origjinë e përbashkët.
--------------------------------------------------------------------------------

[1] William Jennings Bryan (1860-1925) ishte avokat dhe udhëheqës politik në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, i cili fitoi një gjyq kundër John Thomas Scopes, mësues i shkencës që mësoi teorinë e evolucionit kundër ligjeve të atëhershme që ndaluan mësimin e doktrinave kundër Biblës. Sot ligji amerikan ndalon mësimin e Biblës apo krijimit në shumicën e shkollave shtetërore (shënim i përkthyesve).


Ktheu tek faqja: Përmbajtja e Librit

pixelburg.gif (801 bytes)

© Copyright  Të Krishterët  Përgjigjen
Faqja Kryesore | Kush Jemi | Të RejatKontakt | Kërko

"Të jini gjithëherë të gatshëm t'u jipni përgjigje çdo njërit që kërkon nga ju shpjegime per shpresën që ju keni (1 Pjetrit 3:15)"