II. Njeriu në gjendjen e tij të mëkatit

A. Rënia e njeriut.

Disa mund të thonë që rënia e njeriut është një fabul e vjetër, por, që të kuptojmë që ai ka pësuar një rënie, mjafton vetëm të shikojmë njeriun dhe mund ta vëmë re që punon fort për bukën e tij, dobësohet nga sëmundjet dhe vdes në mjerimin e tij. "Prandaj, ashtu si me anë të një njeriu të vetëm mëkati hyri në botë dhe me anë të mëkatit vdekja, po ashtu vdekja u shtri tek të gjithë njerëzit, sepse të gjithë mëkatuan" (Romakëve 5:12).

1. Burimi i mëkatit. "Por gjarpri ishte më dinaku ndër të gjitha bishat e fushave që Zoti Perëndi kishte krijuar dhe i tha gruas: 'A ka thënë me të vërtetë Perëndia: <<Mos hani nga të gjitha pemët e kopshtit?>>'" (Zanafilla 3:1). "Por druaj se, ashtu si gjarpëri e gënjeu Evën me dinakërinë e tij, kështu edhe mendja juaj të mos prishet duke u shmangur nga thjeshtësia ndaj Krishtit" (2 Korintasve 11:3). Perëndia nuk po flet për një bishë kur Ai përmend gjarpërin, por për një person. Vini re që Shkrimi nuk thotë "më dinaku se ndonjë bishë tjetër e fushës" por lë jashtë fjalën "tjetër" duke theksuar vetëm që ai është më dinak se ndonjë bishë. Kjo është thjesht një shprehje e asaj që Perëndia mendon për djallin. Askund në Shkrime nuk thuhet që djalli ishte në gjarprin, por thotë që gjarpri ishte djalli. "Ai e kapi dragoin, gjarpërin e lashtë, që është djalli dhe Satani, dhe e lidhi për një mijë vjet" (Zbulesa 20:2).

2. Natyra e mëkatit. "Atëherë gjarpri i tha gruas: 'Ju s'keni për të vdekur aspak; por Perëndia e di që ditën që do t'i hani, sytë tuaj do të hapen dhe do të jeni në gjendje si Perëndia të njihni të mirën dhe të keqen'. Dhe gruaja pa që pema ishte e mirë për t'u ngrënë, që ishte e këndshme për sytë dhe që pema ishte e dëshirueshme për ta bërë të zgjuar dikë; dhe ajo mori nga fruti i saj, e hëngri dhe i dha edhe burrit të saj që ishte me të, dhe hëngri edhe ai" (Zanafilla 3:4-6). Fruti ishte në rregull, ishte frut i mirë, vetëm se Perëndia e ndalonte. Disa mund të thonë që ishte një gjë e vogël që solli rënien e njeriut, por ne bëjmë pyetjen: "Sa hapa duhen për të rënë poshtë rrëpirës?"

a. Ai e vuri në dyshim dashurinë e Perëndisë. Duke dyshuar dashurinë e Perëndisë, njeriu mohoi mirësinë e Perëndisë, veproi në kundërshtim me Perëndinë dhe u bë mëkatar. "Është një rrugë që njeriut i duket e drejtë, por në fund ajo të nxjerr në rrugët e vdekjes" (Fjalët e Urta 14:12). Shihni gjithashtu Isaia 55:6.

b. Ai e vuri në dyshim Fjalën e Perëndisë. Duke dyshuar Fjalën e Perëndisë, njeriu mohoi të vërtetën e Tij; duke mohuar të vërtetën e Tij, ai veproi në kundërshtim me Perëndinë dhe u bë kriminel. "Kush qëndron në të nuk mëkaton; kush mëkaton nuk e ka parë dhe as nuk e ka njohur" (1 Gjoni 3:4).

c. Ai vuri në dyshim autoritetin e Perëndisë. Duke dyshuar autoritetin e Perëndisë, njeriu mohoi hyjninë e Perëndisë; duke mohuar hyjninë e Tij, ai u bë i kundërt me Perëndinë. Kështu, ai u bë armiku i Perëndisë dhe një rebel në universin e Perëndisë. "Në fakt mendja e kontrolluar nga mishi është armiqësi kundër Perëndisë, sepse nuk i nënshtrohet ligjit të Perëndisë dhe as nuk mundet. Prandaj ata që janë në mish nuk mund t'i pëlqejnë Perëndisë" (Romakëve 8:7-8). Prova u dha për të parë nëse njeriu do të qëndronte i vërtetë ndaj Perëndisë. Ai dështoi, sepse dëshiroi të ishte një perëndi. Djalli vetë ra (Isaia 14), sepse ai deshi të ishte si Shumë i Larti. Kjo solli rënien e tij, kështu, ai mbolli të njëjtën farë të ambicies së keqe në Adamin dhe Evën për të parë nëse do të sillte rënien e tyre dhe e bëri një gjë të tillë.

Disa mund të pyesin: "A ishte kjo e drejtë për ta?" Ata ishin paralajmëruar dhe u vendosën roje kundër Satanit. Kishte vetëm një gjë të ndaluar në kopësht. Ata nuk kishin nevojë për frutin, atyre nuk u mungonte gjë.

3. Pasojat e mëkatit.

a. Pasojat e menjëhershme mbi Evën.

(1) Turp. "Dhe burri e gruaja e tij ishin që të dy lakuriq dhe nuk kishin turp prej kësaj … Atëherë iu hapën sytë të dyve dhe e panë që ishin lakuriq; kështu ata qepën gjethe fiku dhe bënë breza për t'u mbuluar" (Zanafilla 2:25, 3:7). Perëndia vetë është i mbështjellur me një rrobë drite (Psalmi 104:2); dhe, kur Ai bëri njeriun, e bëri atë në shëmbëlltyrën dhe ngjashmërinë e Tij. Kështu, besojmë që edhe njeriu ishte i veshur me një rrobë drite. Kur njeriu mëkatoi, kjo veshje humbi dhe ai i bëri vetëvetes një mbulesë me gjethe fiku për të zënë vendin e asaj që kishte humbur. Qysh atëherë, njeriu është përpjekur të veshë atë që Perëndia i ka dhënë një herë, por ai nuk ka asgjë, përveç leckave të fëlliqura.

(2) Frikë. "Ai u përgjigj: 'Dëgjova zërin tënd në kopsht dhe pata frikë sepse isha lakuriq dhe u fsheha'" (Zanafilla 3:10). Njeriu ende mundohet të fshihet prej Perëndisë.

(3) Ndarje nga Perëndia. Nuk ka asnjë dyshim që njeriu e humbi natyrën e tij të përsosur dhe i dha fund bashkësisë me Perëndinë. Për njeriun e pashpëtuar, nuk ekziston Atësia e Perëndisë dhe vëllazëria e njeriut.

(4) Dëbim nga kopshti. "Prandaj Zoti Perëndi e dëboi njeriun nga Kopshti i Edenit, me qëllim që të punonte tokën prej nga kishte dalë. Kështu, ai e dëboi njeriun; dhe vendosi në lindje të kopshtit të Edenit kerubinët që vërtisnin nga çdo anë një shpatë flakëruese për të ruajtur rrugën e pemës së jetës" (Zanafilla 3:23-24).

(5) Humbi mbretërimin mbi krijimin. Në fillim Adami ishte me të vërtetë mbretëruesi i të gjitha krijesave tokësore: "E bëre të mbretërojë mbi veprat e duarve të tua dhe vure çdo gjë nën këmbët e tij! Dhentë dhe bagëtitë e tjera, madje bishat e egra, zogjtë e qiellit dhe peshqit e detit, tërë ato që kalojnë nëpër shtigjet e detit" (Psalmi 8:6-8). Kjo nuk është e vërtetë për njeriun sot. Ai e ka humbur atë mbretërim. Krishti do t'ia kthejë këtë njeriut kur të vijë përsëri (Hebrenjve 2 dhe Isaia 11).

b. Pasojat e thella mbi pasardhjen e Adamit.

(1) Fryma është errësuar. "Këtë, pra, po dëshmoj në Zotin: të mos ecni më si po ecin ende johebrenjtë e tjerë, në kotësinë e mendjes së tyre, të errësuar në mendje, të shkëputur nga jeta e Perëndisë, për shkak të padijes që është në ta dhe ngurtësimit të zemrës së tyre" (Efesianëve 4:17-18). Dhoma e errët e të kuptuarit do të mbetet e errësuar, derisa Fryma e Shenjtë të vijë për të ndriçuar.

(2) Shpirti është i poshtëruar dhe i çoroditur. "Ata (jobesimtarë), duke u bërë të pandjeshëm, e dhanë veten në shthurje, duke kryer çdo papastërti me lakmi të pangopur" (Efesianëve 4:19). Shihni gjithashtu Jeremia 17:9.

(3) Trupi pëson sëmundje dhe vdekje. "Me shpresë që vetë krijesa të çlirohet nga skllavëria e prishjes për të hyrë në lirinë e lavdisë së bijve të Perëndisë" (Romakëve 8:21).

4. Efektet mbi mëkatin.

a. Shprehja e menjëhershme e gjykimit të Perëndisë.

(1) Mbi gjarprin. "Atëherë Zoti Perëndi i tha gjarprit: 'Me qenë se bëre këtë gjë, qofsh i mallkuar ndër gjithë kafshët dhe tërë bishat e fushave! Ti do të ecësh mbi barkun tënd dhe do të hash pluhur gjithë ditët e jetës sate. Dhe unë do të shtie armiqësi midis teje dhe gruas, midis farës sate dhe farës së saj; fara e saj do të shtypë kokën tënde, dhe ti do të plagosësh thembrën e farës së saj'" (Zanafila 3:14-15). Satani në gjithë madhështinë e tij trajtohet si një gjarpër. Kjo është një figurë letrare, sepse e dimë që gjarpërinjtë nuk hanë pluhur. Dekreti i Perëndisë mbi gjarprin që ai do të hante pluhur të gjithë ditët e jetës së tij, shfaqi përbuzjen që Ai kishte për Djallin.

(2) Mbi gruan. "Gruas i tha: 'Unë do të shumëzoj në masë të madhe vuajtjet e tua dhe barrët e tua; me vuajtje do të lindësh fëmijë; dëshirat e tua do të drejtohen ndaj burrit tënd dhe ai do të sundojë mbi ty'" (Zanafilla 3:16).

(3) Mbi krijimin. "Pastaj i tha Adamit: 'Me qenë se dëgjove zërin e gruas sate dhe hëngre nga pema për të cilën të kisha urdhëruar duke thënë: <<Mos ha prej saj>>, toka do të jetë e mallkuar për shkakun tënd, ti do të hash frutin e saj me mund tërë ditët e jetës sate. Ajo do të prodhojë gjemba dhe bimë gjembore, dhe ti do të hash barin e fushave'" (Zanafilla 3:17-18).

(4) Mbi njeriun. "Do të hash bukën me djersën e ballit, deri sa të rikthehesh në dhe sepse nga ai ke dalë; sepse ti je pluhur dhe në pluhur do të rikthehesh'" (Zanafilla 3:19). Shihni dhe Zanafilla 5:29.

b. Shprehja e ardhshme e gjykimit të Perëndisë. "Kurse për frikacakët dhe të pabesët, dhe të neveritshmit dhe vrasësit, dhe kurvëruesit, dhe magjistarët, dhe idhujtarët, dhe gjithë gënjeshtarët, pjesa e tyre do të jetë në liqenin që digjet me zjarr dhe squfur, që është vdekja e dytë" (Zbulesa 21:8).

5. Premtimi për mëkatarin. "'Dhe unë do të shtie armiqësi midis teje dhe gruas, midis farës sate dhe farës së saj; fara e saj do të shtypë kokën tënde dhe ti do të plagosësh thembrën e farës së saj" (Zanafilla 3:15). Në kohën kur njeriu mëkatoi, Perëndia premtoi një Shpengimtar. Fara e gruas nuk mund të jetë askush tjetër, përveç Jezus Krishtit. "Pastaj Zoti Perëndi i bëri Adamit dhe gruas së tij tunika prej lëkure dhe i veshi" (Zanafilla 3:21). Kur ata e kuptuan lakuriqësinë e tyre, e mbuluan veten me mbulesa me gjethe fiku. Perëndia, në vend të kësaj, i veshi me lëkurë kafshësh. Sa për mbulesën e lakuriqësisë së tyre, gjethet e fikut ishin njësoj si lëkura e kafshëve, megjithatë duhej derdhur gjak, "sespe pa derdhje gjaku nuk ka falje mëkatesh". Ata duhej të mbuloheshin me atë që u ther për mëkatet e tyre. Ashtu edhe mëkatari sot duhet të vishet me drejtësinë e Atij që vdiq për të.

B. Bijtë e rënë të Adamit.

1. Qëndrimi i tyre.

a. Në Adamin. "Sepse, ashtu si erdhi vdekja me anë të një njeriu, kështu erdhi dhe ringjallja e të vdekurve me anë të një njeriu. Sepse, ashtu sikur të gjithë vdesin në Adamin, kështu të gjithë do të ngjallen në Krishtin" (1 Korintasve 15:21-22). Shihni gjithashtu 1 Korintasve 15:45, 47 dhe Romakëve 5:12-21. Ka vetëm dy njerëz përfaqësues në botë: njeriu i parë dhe njeriu i dytë, Adami i parë dhe Adami i fundit. Të gjithë njerëzit lindin në Adamin; të gjithë të rilindurit janë në Krishtin.

b. Ndaj mëkatit dhe fajit. "E çfarë pra? A kemi ne ndonjë epërsi? Aspak! E kemi treguar në fakt që më përpara se si judenjtë ashtu edhe grekët janë të gjithë nën mëkat, siç është shkruar: 'Nuk ka asnjeri të drejtë, as edhe një'" (Romakëve 3:9-10). Shihni gjithashtu Romakëve 3:19.

2. Gjendja e tyre. Me anë të gjendjes së tyre nënkuptojmë kushtin e tyre frymëror, që do të thotë mungesë e drejtësisë në jetën e tyre frymërore.

a. Mëkatar nga natyra. "Ja, unë jam mbruajtur në paudhësi dhe nëna ime më ka lindur në mëkat" (Psalmi 51:5). Shihni për këtë edhe Efesianëve 2:3; Zanafilla 6:5; Jeremia 17:9; Romakëve 8:9 dhe Galatasve 5:19-21.

b. Mëkatar në praktikë. "Sepse edhe ne dikur ishim të pamendë, rebelë, endacakë, robër të lakmive të ndryshme dhe të qejfeve, duke jetuar në ligësi dhe në smirë, të urryer dhe duke e urryer njeri tjetrin. Po kur u shfaq mirësia e Perëndisë, Shpëtimtarit tonë, dhe dashuria e tij për njerëzit" (Titi 3:2-3). Shihni gjithashtu Romakëve 3:23; Kolosianëve 1:21 dhe Psalmi 14:1-3.

c. I humbur në mëkat. "Sepse Biri i njeriut erdhi të kërkojë dhe të shpëtojë atë që kishte humbur" (Luka 19:10). Shihni gjithashtu Isaia 53:6 dhe 2 Korintasve 4:3-4.

d. Frymërisht i vdekur. "Ai ju dha jetë edhe juve, që ishit të vdekur në faje dhe në mëkate, … edhe atëherë kur ishim të vdekur në faje, na dha jetë me Krishtin (ju jeni të shpëtuar me anë të hirit)" (Efesianëve 2:1, 5). Piktura e Perëndisë për një mëkatar është një njeri i vdekur, një njeri me të gjitha organet e lëvizjes, por pa lëvizje. Ashtu edhe mëkatari nuk mund të lëvizë në gjërat e Perëndisë.

e. Nën zemërimin e Perëndisë. "Sepse zemërimi i Perëndisë zbulohet nga qielli për çdo pabesi e padrejtësi të njerëzve, që mbysin të vërtetën në padrejtësi" (Romakëve 1:18). Shihni gjithashtu Gjoni 3:36.

f. Pret për vdekjen. "Dhe, duke qenë se është caktuar që njerëzit të vdesin vetëm një herë dhe më pas vjen gjyqi" (Hebrenjve 9:27).

g. I sigurt për ferrin. "Dhe, nëse ndokush nuk u gjet i shkruar në librin e jetës, u flak në liqenin e zjarrit" (Zbulesa 20:15). Shihni edhe Zbulesa 21:8.


Ktheu tek faqja: Përmbajtja e Librit

pixelburg.gif (801 bytes)

© Copyright  Të Krishterët  Përgjigjen
Faqja Kryesore | Kush Jemi | Të RejatKontakt | Kërko

"Të jini gjithëherë të gatshëm t'u jipni përgjigje çdo njërit që kërkon nga ju shpjegime per shpresën që ju keni (1 Pjetrit 3:15)"