III. Njeriu në gjëndjen e tij hirit

A. Qëndrimi i tij.

1. Në Krishtin. "Sepse, ashtu sikur të gjithë vdesin në Adamin, kështu të gjithë do të ngjallen në Krishtin" (1 Korintasve 15:22). Shihni gjithashtu 1 Korintasve 15:21, 45, 47 dhe Romakëve 5:12-21.

2. I përsosjes. "Duke na paracaktuar që të birësohemi në veten e tij me anë të Jezus Krishtit, sipas pëlqimit të vullnetit të vet, në të cilin kemi shpengimin me anë të gjakut të tij, faljen e mëkateve sipas pasurisë së hirit të tij" (Efesianëve 1:4, 6). Nuk ka asnjë fajësim kundër Kreut dhe, ndërsa është kështu, nuk mund të ketë asnjë fajësim për Trupin.

B. Gjendja e tij.

Me këtë nënkuptojmë gjendjen e tij frymërore. Kjo ndryshon nga jeta e jobesimtarit. Në jetën e besimtarit është e pranishme drejtësia e Zotit Jezus Krisht.

1. Një krijesë e re. "Prandaj nëse dikush është në Krishtin, ai është një krijesë e re; gjërat e vjetra kanë shkuar; ja, të gjitha gjërat u bënë të reja" (2 Korintasve 5:17). Shihni gjithashtu 2 Pjetri 1: 4; Galatasve 6:15 dhe Gjoni 3:16. Ripërtëritja është një rikrijim. Vetëm Perëndia mund të krijojë; vetëm Perëndia mund të rikrijojë.

2. I shpëtuar. "Që na shpëtoi dhe na thirri me një thirrje të shenjtë, jo sipas veprave tona, por sipas qëllimit të tij dhe sipas hirit, që na u dha në Krishtin Jezus përpara fillimit të kohëve" (2 Timoteu 1:9). Shihni edhe Efesianëve 2:8-9.

3. Vdekje për mëkat. "Kështu edhe ju, konsideroheni veten të vdekur për mëkatin, por të gjallë për Perëndinë, në Jezus Krishtin, Zotin tonë" (Romakëve 6:11). "Ai vet i barti mëkatet tona në trupin e tij mbi drurin e kryqit që ne, të vdekur për mëkate, të rrojmë për drejtësi dhe me vurratat e tij ju u shëruat" (1 Pjetri 2:24).

4. Fëmijë i Perëndisë. "Por të gjithë atyre që e pranuan, ai u dha pushtetin të bëhen bij të Perëndisë, atyre që besojnë në emrin e tij" (Gjoni 1:12). "Sepse të gjithë ju jeni bij të Perëndisë me anë të besimit te Jezus Krishti" (Galatasve 3:26).

5. Nën pëlqimin e Perëndisë. "I bekuar qoftë Perëndia, Ati i Zotit tonë Jezus Krisht, që na bekoi me çdo bekim frymëror në vendet qiellore në Krishtin" (Efesianëve 1:3). Shihni gjithashtu Romakëve 5:2.

6. Pret Perëndinë dhe lavdinë. "Sepse qytetaria jonë është në qiejt, prej nga edhe presim Shpëtimtarin, Zotin Jezus Krisht, i cili do ta transformojë trupin tonë të përunjur, që të bëhet i ngjashëm me trupin e tij të lavdishëm, sipas fuqisë së tij që t'i nënshtrojë ndaj vetes të gjitha gjërat" (Filipianëve 3:20-21).

7. I sigurt për parajsën. "Edhe Zoti do të më shpëtojë nga çdo vepër e keqe dhe do të më ruajë për mbretërinë e tij qiellore. Lavdi atij në shekuj të shekujve. Amen" (2 Timoteu 4:18). Shihni edhe 1 Pjetri 1:4.

C. Dy natyrat e tij.

"Sepse mishi ka dëshira kundër Frymës dhe Fryma ka dëshira kundër mishit; dhe këto janë të kundërta me njëra-tjetrën, që ju të mos bëni ato që dëshironi" (Galatasve 5:17). Ky Shkrim nuk mund të përshkruante askënd tjetër, përveç njeriut të shpëtuar. Mëkatari ka vetëm një natyrë; një bir i Perëndisë ka dy natyra. Çdo besimtar i vërtetë ka përjetuar betejën pë të cilën flet Pali. Kjo betejë është e shfaqur nga shtëpia e Abrahamit. Ai kishte dy djem, Ismaeli, i madhi, dhe Isaku, më i riu. Ismaeli qëndron si i linduri në mish, kurse Isaku si i linduri nga Fryma. Problemi filloi kur Isaku erdhi në shtëpi. Problemi hyn në jetën e një të krishteri kur Krishti hyn brenda.

1. Përshkrimi i natyrës së vjetër

a. Emra dhe karakteristika.

(1) Mishi. "Ç'ka lindur nga mishi është mish; por ç'ka lindur nga Fryma është frymë" (Gjoni 3:6). Shihni gjithashtu Romakëve 7:18, 23 dhe 8:9. Me fjalën "mish" nuk nënkuptojmë muskuj apo kocka që janë pjesë e trupit njerëzor, por më tepër natyrën mishore që të gjithë e kanë që nga lindja. Nuk jemi ne në mish, mishi është në ne. Asnjërit nuk i ka lindur ndonjëherë një foshnjë e parënë në mëkat. "Në fakt unë e di se në mua, domëthënë në mishin tim, nuk banon asgjë e mirë" (Romakëve 7:18a). Shihni gjithashtu Gjoni 3:63 dhe Romakëve 8:8. Nuk ka njeri që lind me një shkëndijë hyjnore brenda tij.

(2) Njeriu natyror. "Dhe njeriu natyror nuk i rrok gjërat që janë të Frymës së Shenjtë; sepse për të janë marrëzi dhe nuk mund t'i njohë; sepse ato gjykohen frymërisht" (1 Korintasve 2:14). Kështu është njeriu nga natyra, nga lindja natyrore.

(3) Njeriu i vjetër. "Duke ditur këtë: se njeriu ynë i vjetër u kryqëzua me të, që trupi i mëkatit mund të jetë anuluar dhe që ne të mos i shërbejmë më mëkatit" (Romakëve 6:6). Shihni për këtë edhe Efesianët 4:22 dhe Kolosianët 3:9. Ky është njeriu i vjetër, ashtu siç ishim edhe ne dikur: të shthurur, plot dëshira dhe lakmi të këqija.

(4) Njeriu i jashtëm. "Prandaj nuk na lëshon zemra, por, edhe pse njeriu ynë i jashtëm shkon në shkatërrim, ai i brendshëm përtërihet nga dita në ditë" (2 Korintasve 4:16).

(5) Zemra. "Sepse nga brenda, domethënë nga zemra e njeriut, dalin mendimet e mbrapshta, shkeljet e kurorës, kurvërimi, vrasjet, vjedhjet, lakmitë, ligësitë, mashtrimet, pafytyrësia, smira, blasfemia, kryelartësia, budallallëku. Të gjitha këto të mbrapshta dalin nga brenda dhe e ndotin njeriut" (Marku 7:21-23). Dëgjojmë shumë për njerëz që e kanë ndryshuar zemrën, por kjo është e pamundur, sepse vetëm Perëndia mund të japë një zemër të re.

(6) Mendja mishërore. "Në fakt mendja e kontrolluar nga mishi është armiqësi kundër Perëndisë, sepse nuk i nënshtrohet ligjit të Perëndisë dhe as nuk mundet" (Romakëve 8:7).

(7) Mëkati. "Prandaj, ashtu si me anë të një njeriu të vetëm mëkati hyri në botë dhe me anë të mëkatit vdekja, po ashtu vdekja u shtri tek të gjithë njerëzit, sepse të gjithë mëkatuan" (Romakëve 5:12). Fjala "mëkat" ka lidhje me natyrën e rënë të njeriut, ndërsa fjala "mëkatet" ka të bëjë me veprime të kësaj natyre.

b. Karakteri dhe fundi.

(1) Është një natyrë e Adamit. Kjo do të thotë që Adami ra dhe, si rrjedhim, fëmijët e tij janë bij të rënë të një ati të rënë.

(2) Është një natyrë e trashëguar. Ne marrim natyrën tonë të rënë nga Adami.

(3) Është një natyrë e keqe. Kapitulli i tetë i Romakëve na mëson për këtë pikë.

(4) Është një natyrë e pandryshueshme. "Ç'ka lindur nga mishi është mish" (Gjoni 3:6a). Edhe natyra e tij e rënë mbetet në njeriun për aq gjatë sa ai jeton. Kjo do të zhduket vetëm në ringjalljen e të vdekurve në Krishtin dhe në transformimin e atyre që janë të gjallë në Krishtin, në shfaqjen e Tij të dytë.

(5) Fundi i tij është vdekja. "Sepse paga e mëkatit është vdekja" (Romakëve 6:23a). Shihni gjithashtu Romakëve 8:5-13.

2. Përshkrimi i natyrës së re.

a. Emrat dhe karakteristikat e saj.

(1) Frymë. "Ç'ka lindur nga mishi është mish; por ç'ka lindur nga Fryma është frymë" (Gjoni 3:6).

(2) Natyrë hyjnore. "Na u dhuruan premtimet e çmueshme dhe shumë të mëdha, që nëpërmjet tyre të bëheni pjestarë të natyrës hyjnore, duke i shpëtuar prishjes që është në botë për shkak të lakmisë" (2 Pjetri 1:4). Shihni edhe 1 Gjoni 3:9 dhe 5:18-19.

(3) Njeriu i ri. "Të visheni me njeriun e ri, të krijuar sipas Perëndisë në drejtësinë dhe shenjtërinë e së vërtetës" (Efesianëve 4:24). Shihni gjithashtu Kolosianëve 3:10 dhe 2 Korintasve 5:17.

(4) Njeriu i brendshëm. "Edhe pse njeriu ynë i jashtëm shkon në shkatërrim, ai i brendshëm përtërihet nga dita në ditë" (2 Korintasve 4:16). "Në fakt unë gjej kënaqësi në ligjin e Perëndisë sipas njeriut të brendshëm" (Romakëve 7:22). Shihni gjithashtu Efesianëve 3:16.

(5) Mendja e tij. "I falemnderit Perëndisë me anë të Jezus Krishtit, Zotit tonë. Unë vetë, pra, me mendjen, i shërbej ligjit të Perëndisë, por me mishin, ligjit të mëkatit" (Romakëve 7:25).

b. Karakteri dhe fundi i saj.

(1) Është një natyrë në Krishtin.

(2) Është një natyrë e kumtuar.

(3) Është një natyrë e shenjtë.

(4) Është një natyrë e pandryshueshme.

(5) Është një natyrë jo e humbur.

Vargjet 1 dhe 2 tek 1 Gjoni 2 flasin për lidhjen e shenjtorit me Atin. Edhe kur shenjtori mëkaton, është një çështje familjare.

(6) Fundi i tij është ringjallja dhe rrëmbimi. "Ja, unë po ju them një të fshehtë: të gjithë nuk do të vdesim, por të gjithë do të shndërrohemi në një moment, sa hap e mbyll sytë, në tingullin e burisë së fundit; sepse do të bjerë buria, të vdekurit do të ringjallen të paprishshëm dhe ne do të shndërrohemi, sepse ky trup që prishet duhet të veshë mosprishjen dhe ky i vdekshëm të veshë pavdekësinë … Por ta falënderojmë Perëndinë që na jep fitoren me anë të Zotit tonë Jezus Krisht" (1 Korintasve 15:51-53, 57).

3. Konflikti midis dy natyrave.

a. Përvoja e besimtarit. Çdo fëmijë i Perëndisë ka dy natyra; njeriu i pashpëtuar ka vetëm një natyrë. Natyra e vjetër nuk mund të zhduket aq kohë sa besimtari jeton në mish, prandaj kemi luftë mes natyrës së re dhe të vjetrës. "Sepse mishi ka dëshira kundër Frymës dhe Fryma ka dëshira kundër mishit dhe këto janë të kundërta me njëra-tjetrën, që ju të mos bëni ato që dëshironi" (Galatasve 5:17). Romakëve 7:15-25 është një shembull tjetër i mrekullueshëm që ilustron këtë të vërtetë. Megjithatë dikush mund të thotë që këto vargje shfaqin konfliktin në jetën e Palit para se ai të shpëtohej, por një varg në këtë pjesë tregon shumë qartë që ky konflikt, i përshkruar në një mënyrë kaq të gjallë, ndodhi pasi ai ishte shpëtuar: "Në fakt unë gjej kënaqësi në ligjin e Perëndisë sipas njeriut të brendshëm" (Romakëve 7:22). Asnjë njeri i pashpëtuar nuk kënaqet kurrë në ligjin e Perëndisë. Gjithashtu, vetëm njeriu i shpëtuar e ka njeriun e brendshëm, që është natyra e re.

b. Përgjegjësia e besimtarit.

(1) Në lidhje me natyrën e vjetër.

(a) Pranoje vlerësimin e Perëndisë për të. "Duke ditur këtë: se njeriu ynë i vjetër u kryqëzua me të, që trupi i mëkatit mund të jetë anuluar dhe që ne të mos i shërbejmë më mëkatit. Në fakt, ai që ka vdekur është shfajësuar nga mëkati. Tani nëse vdiqëm me Krishtin, ne besojmë gjithashtu që do të jetojmë me të, duke ditur se Krishti, që u ringjall prej së vdekurish, nuk vdes më; vdekja s'ka më pushtet mbi të. Sepse në atë që vdiq, vdiq për mëkatin një herë e përgjithmonë; por në atë që rron, rron për Perëndinë. Kështu edhe ju, konsideroheni veten të vdekur për mëkatin, por të gjallë për Perëndinë, në Jezus Krishtin, Zotin tonë" (Romakëve 6:6-11). Duhet theksuar e vërteta, që nuk thuhet kurrë, që njeriu i vjetër është i kryqëzuar në besimtarin, por është i kryqëzuar me Krishtin. është një realitet! Pranoje! Nuk është çështje ndjenjash, por besimi. E gjithë kjo e vërtetë është sipas mendimit të Perëndisë. Sa për mendimin e besimtarit, ai e di që natyra e vjetër, njeriu i vjetër, nuk është i vdekur; ai është shumë i gjallë. Shkrimi thotë: "Konsiderojeni veten të vdekur për mëkatin". Nëse natyra e vjetër do të ishte e vdekur, besimtari nuk do të duhej ta konsideronte veten të tillë!

(b) Mos i bëj asnjë përkujdesje mishit. "Por vishuni me Zotin Jezus Krisht dhe mos tregoni kujdes për mishin, që t'ia kënaqni lakmitë" (Romakëve 13:14). Me fjalë të tjera: mos e ushqeni mishin. Le të tretet në uri.

(c) Bëni që të vdesë mishi. "Bëni, pra, të vdesin gjymtyrët tuaja që janë mbi tokë: kurvërinë, ndyrësinë, pasionet, dëshirat e këqija dhe lakminë, që është idhujtari" (Kolosianëve 3:5). Një shprehje mjaft e goditur është "i vritni gjymtyrët tuaja". Fjalët "gati për të vdekur" (Hebrenjtë 11:12) janë e njëjta terminologji.

(d) Kurrë mos u mundoni ta përmirësoni. "As mos i jepni gjymtyrët tuaja në shërbim të mëkatit si mjete paudhësie, por tregoni veten tuaj te Perëndia, si të gjallë prej së vdekurish dhe gjymtyrët tuaja si mjete drejtësie për Perëndinë" (Romakëve 6:13).

(e) Zhvisheni. "Që të zhvisheni, për sa i takon sjelljes së mëparshme, nga njeriu i vjetër që korruptohet me anë të lakmive të gënjeshtrës" (Efesianëve 4:22). E njëjta fjalë është përkthyer si "i vunë … te këmbët" tek Veprat e Apostujve 7:58.

(2) Në lidhje me natyrën e tij të re.

(a) Ta konsiderojmë veten si të gjallë. "Kështu edhe ju, konsideroheni veten të vdekur për mëkatin, por të gjallë për Perëndinë, në Jezus Krishtin, Zotin tonë" (Romakëve 6:11).

(b) Ecim në risinë e jetës. "Ne në fakt jemi vepra e tij, e krijuar në Krishtin Jezus për veprat e mira që Perëndia përgatiti që më parë, që ne të ecim në to" (Efesianëve 2:10). Shihni gjithashtu Romakëve 6:14 dhe 7:6.

(c) Ta ushqejmë e ta përtërijmë. "Posi foshnja të sapolindura, të dëshironi fort qumështin e pastër të fjalës, që të rriteni me anë të tij" (1 Pjetri 2:2). Duhet ta ushqejmë natyrën e re me anë të shpalosjes së Fjalës dhe jo nga nxitja e njeriut. Ne kemi dy natyra dhe është mirë të marrim parasysh që ushqimi për njërën do të lërë pa ushqim tjetrën. është individi i krishterë që duhet të vendosë se cili njeri, i riu apo i vjetri, do të ushqehet. Ai nuk mund t'i ushqejë të dy në të njëjtën kohë.

(d) Vishni njeriun e ri. "Dhe të visheni me njeriun e ri, të krijuar sipas Perëndisë në drejtësinë dhe shenjtërinë e së vërtetës" (Efesianëve 4:24).

(e) Mbështetu për fuqi tek Fryma që banon brenda. "Dhe mos e trishtoni Frymën e Shenjtë të Perëndisë, me të cilin u vulosët për ditën e shpengimit" (Efesianëve 4:30). "Për çfarë mbetet, vëllezërit e mi, forcohuni në Zotin dhe në forcën e fuqisë së tij" (Efesianëve 6:10). "Jo për fuqinë dhe as për forcën, por për Frymën time", thotë Zoti i ushtrive" (Zakaria 4:6b).


Ktheu tek faqja: Përmbajtja e Librit

pixelburg.gif (801 bytes)

© Copyright  Të Krishterët  Përgjigjen
Faqja Kryesore | Kush Jemi | Të RejatKontakt | Kërko

"Të jini gjithëherë të gatshëm t'u jipni përgjigje çdo njërit që kërkon nga ju shpjegime per shpresën që ju keni (1 Pjetrit 3:15)"