Kristologjia

Në thelb, Kristologjia është doktrina e Krishtit. Lum ai që e njeh Atë si Zot dhe Shpëtimtar. Nganjëherë të tjerët na thonë që mund të predikojmë tepër për Krishtin, pa theksuar sa duhet doktrinën e Perëndisë dhe atë të Frymës së Shenjtë; por mund të themi me siguri se një njeri nuk mund të predikojë tepër për Krishtin! Për më tej, nuk ka xhelozi në Hyjninë. Nga Shkrimet mund të shohim se Perëndia do që ne të theksojmë Krishtin edhe më shumë: "Ai vetë është kreu i trupit, pra i kishës; ai është fillimi, i parëlinduri nga të vdekurit, përderisa të ketë parësinë në çdo gjë" (Kolosianëve 1:18).

I. Emrat dhe titujt e Krishtit

Ne besojmë në frymëzimin e Shkrimit të Shenjtë fjalë për fjalë. Kjo do të thotë që besojmë se çdo fjalë në tekstet origjinale është fjala e zgjedhur drejtpërdrejt nga Perëndia, me të cilën Ai shpalos vullnetin e Tij ndaj nesh. Duke besuar një gjë të tillë, u japim shumë rëndësi titujve dhe emrave të Zotit tonë Jezus Krisht. Emri më i njohur i Shpëtimtarit tonë është Jezus.

A. Jezusi.

Emri "Jezus" gjendet 612 herë në katër ungjijtë dhe 71 herë në pjesën tjetër të Dhiatës së Re. Emri "Krisht" gjendet vetëm 56 herë në katër ungjijtë, ndërsa në pjesën tjetër të Dhiatës së Re përdoret 256 herë.

Jezus gjendet përpara vdekjes, varrosjes dhe ringjalljes së Tij, ndërsa Krisht gjendet pas kësaj. Jezus është emri personal i Zotit, është emri i Tij tokësor, emri me të cilin Ai u lind, jetoi dhe vdiq. Ai është emri i përuljes, vuajtjes dhe pikëllimit të Tij, emri i Atij që e përuli vetveten. Emri "Jezus", në kohën e Zotit tonë, nuk ishte i pazakontë, sepse kishte shumë njerëz me këtë emër. Jezus është forma greke e fjalës hebraike "Jozueu" dhe të dy kanë kuptimin Jehova, Shpëtimtari ynë. Emri "Jezus" ishte emri që u gozhdua përmbi Të në kryq.

Ne theksojmë përsëri faktin që emri "Jezus" mbizotëron në katër ungjijtë, ndërsa emri "Krisht" është përmendur më shumë në Letrat. Emri "Jezus" ishte më i përdorur para se të plotësohej shpëtimi, ndërsa emri "Krisht" është mbizotërues pas plotësimit të veprës së shpëtimit. I krishterë nuk është ai që vetëm beson në Jezusin, sepse e gjithë bota beson se ekziston një Jezus. I krishterë është ai që beson në Zotin Jezus Krisht. Ai është Zot! Duke pasur parasysh që një person shpëtohet duke e shpallur Jezusin si Zot (Romakëve 10:9) dhe duke besuar që Perëndia e ringjalli Atë nga të vdekurit (dhe ne e dimë nga 1 Korintasve15:1-3 që ungjilli është vdekja, varrosja dhe ringjallja e Zotit Jezus Krisht si zëvendësues për mëkatarin), ne themi se ka shumë pak "ungjill" në katër ungjijtë. Ata japin shumë pak nga doktrina për shpëtimin e mëkatarëve, sepse vetëm në disa kapituj në fund të çdo ungjilli është regjistruar vdekja, varrosja dhe ringjallja e Krishtit, prandaj emri "Jezus" është mbizotërues.

Letrat janë shkrime që nxjerrin në pah shumë qartë doktrinën e shpëtimit me anë të hirit, nëpërmjet besimit në flijimin zëvendësues të Krishtit. Ato janë të mbushura me doktrinën e shpëtimit, prandaj theksi bie mbi emrat "Krisht" dhe "Zot"! Në periudhën përpara Kalvarit theksohej emri "Jezus", ndërsa pas Kalvarit, është emri "Krisht" që theksohet më shumë. "Ta dijë, pra, me siguri, gjithë shtëpia e Izraelit se atë Jezus që ju e keni kryqëzuar, Perëndia e ka bërë Zot dhe Krisht" (Veprat e Apostujve 2:36). "Dhe duke u gjetur nga pamja e jashtme si njeri, e përuli vetveten duke u bërë i bindur deri në vdekje, deri në vdekje të kryqit. Prandaj edhe Perëndia e lartësoi madhërisht dhe i dha një emër që është përmbi çdo emër, që në emër të Jezusit të përkulet çdo gju i krijesave (ose gjërave) tokësore dhe nëntokësore dhe çdo gjuhë të rrëfejë se Jezus Krishti është Zot, për lavdi të Perëndisë Atë" (Filipianëve 2:8-11). është me interes të theksojmë se, kur ishte në tokë (para se të kryqëzohej), Ai kurrë nuk u thirr me emrin "Jezus" para syve të Tij. Ai u quajt gjithmonë Zot, Mësues ose Rabi nga dishepujt e Tij. "Ju më thoni Mësues dhe Zot dhe mirë thoni; sepse Unë jam" (Gjoni 13:13). "Pse më thërrisni Zot, Zot dhe nuk bëni gjërat që unë ju them?" (Luka 6:46).

Arsyeja pse emri "Jezus" është përdorur më shumë në ungjijtë (612 herë) është se ungjijtë theksojnë përulësinë e Tij, dhe arsyeja pse emri "Krisht" është përdorur më shumë në Veprat dhe Letrat është se këto shkrime theksojnë lartësimin e Tij! Ka një arsye pse emri "Jezus" është përdorur në Letrën drejtuar Hebrenjve tetë herë: sepse Fryma e Shenjtë do të na bënte të ditur se ky Person ishte një njeri. Darka e Zotit është një shembull i mirë i theksit që bie mbi emrin "Jezus" në ungjijtë dhe mbi titullin "Krisht" në Letrat. "Dhe ndërsa po hanin, Jezusi mori bukën, e bekoi, e theu, dhe ua dha dishepujve dhe tha: ‘Merrni, hani; ky është trupi im'" (Mateu 26:26). "Sepse unë mora nga Zoti atë që ju transmetova edhe juve; Zoti Jezus, në atë natë që po tradhtohej, mori bukën" (1 Korintasve 11:23).

Njerëzit e botës, demonët e Satanit dhe të gjithë i drejtoheshin Atij si Jezus, por asnjëherë si Zot. Universalizmi dhe rryma të tjera besojnë në një Jezus, por ata thonë se Ai nuk mund të të shpëtojë, sepse nuk ekziston asnjë mëkat, ndaj s'kemi nga se të shpëtohemi. Çdo sistem i rremë fetar e ka Zotin Jezus si objekt sulmi. Çdo sistem i rremë fetar me anë të arsyetimit përligj mëkatin dhe, duke bërë një gjë të tillë, nevoja e një shpëtimtari përjashtohet. Thuhet se s'ka qenë e nevojshme që Jezusi të vdiste, dhe për më tepër, me këtë akt, Ai nuk e dinte se çfarë po bënte, prandaj, duke bërë një gjë të tillë, nuk duhet të ketë qenë Bir i Perëndisë, sepse Perëndia i njeh të gjitha gjërat. A nuk e shihni se çdo sulm mbi Birin e Perëndisë, Jezusin, Zotin tonë, qoftë në lidhje me gjakun e Tij, ringjalljen, flijimin zëvendësues të Tij apo me ardhjen e dytë të Tij, nuk është gjë tjetër veçse një sulm dinak mbi hyjninë e Krishtit.

Ne nuk e marrim emrin tonë nga Jezus, por nga Krishti, prandaj quhemi të krishterë. E dimë që ky emër iu dha besimtarëve nga ata që e urrenin Perëndinë dhe Krishtin e Tij, megjithatë ne jemi krenarë të mbajmë emrin e Tij dhe të vuajmë për Të.

Duhet mbajtur mend që jobesimtarët nuk e kanë quajtur Atë, Zot Shpëtimtar, por e kanë quajtur Jezus dhe as besimtarët nuk e kanë thirrur Atë Jezus, me një përjashtim (përjashtimi bën rregullin). "Dhe ai u tha atyre: ‘Cilat?'. Ata i thanë: Çështjen e Jezusit nga Nazareti që ishte një profet i fuqishëm në vepra dhe në fjalë përpara Perëndisë dhe përpara gjithë popullit. Dhe si krerët e prifërinjve dhe kryetarët tanë e kanë dorëzuar për ta dënuar me vdekje dhe e kanë kryqëzuar. Por ne kishim shpresë se ai do të ishte ky që do ta çlironte Izraelin; por megjithatë sot është e treta ditë që kur ndodhën këto gjëra" (Luka 24:19-21). Këto janë fjalët e dishepujve të zhgënjyer: "ne shpresuam se ky do të ishte ai", të gjitha shpresat e tyre u shkatërruan me kryqëzimin e Jezusit. Ata nuk i dinin Shkrimet dhe as nuk mbanin mend fjalët e Zotit që do të ngrihej përsëri nga vdekja, prandaj ata folën për Të si një "i dështuar" dhe këtu e quajtën Jezus. Në qoftë se Krishti nuk do të ishte ngjallur prej së vdekurish, shpresat e tyre, dhe jo vetëm të tyret, por edhe tonat gjithashtu, do të ishin shkatërruar. Ai do të kishte qenë thjesht Jezus. "Por tashti Krishti u ringjall prej së vdekurish, dhe është fryti i parë i atyre që kanë fjetur" (1 Korintasve 15:20). Ai është Krisht dhe Zot, jo vetëm njeri i thjeshtë, por Perëndia-njeri.

Ai është Zot për besimtarët. Me Atë nuk duhet të përdorim mbiemra. Ai nuk është "i bekuari Jezus" apo "i ëmbli Jezus". Megjithëse i ka të gjitha këto, Ai është Zoti Jezus Krisht! Kur lutemi, duhet të lutemi në emër të Krishtit dhe jo në emër të Jezusit.

B. Krishti.

Ne e kemi trajtuar në gjerësi emrin "Krisht" ashtu siç është përdorur, por le të shtojmë edhe këto hollësi. Emri "Krisht" do të thotë i vajosuri. Ky është emri zyrtar i Birit të Perëndisë. Kurdo që dëgjojmë fjalën "i vajosur", kujtojmë rrethanat në të cilat vajoseshin njerëzit. Dimë gjithashtu që njerëzit vajoseshin si mbretër, profetë dhe priftër. "Pastaj Samueli i tha Saulit: ‘Zoti më ka dërguar që të të vajos mbret mbi popullin tënd, mbi Izraelin; tani dëgjo fjalët e Zotit'" (1 Samueli 15:1). "Do ta vajosësh gjithashtu Jehun, birin e Nimshit, do të vajosësh pastaj Eliseun, birin e Shafatit nga Abel-Melohahu, si profet në vendin tënd" (1 Mbretëve 19:16). "Zoti i foli akoma Moisiut, duke thënë: ‘Merr Aaronin dhe bijtë e tij bashkë me të, rrobat, vajin e vajosjes, demin e vogël të flijimit të mëkatit, dy deshtë dhe shportën e bukëve të ndorme … Pas kësaj derdhi pak nga vaji i vajosjes mbi kokën e Aaronit dhe e vajosi për ta shenjtëruar" (Levitiku 8:1,2,12).

1. Krishti është vajosur profet. "Vetë Moisiu, në fakt, u tha etërve: ‘Zoti, Perëndia juaj do të ngjallë për ju një profet si unë nga mesi i vëllezërve tuaj; dëgjojeni në të gjitha gjërat që ai do t'ju thotë! Dhe do të ndodhë që kushdo që nuk do ta dëgjojë atë profet, do të shkatërrohet në mes të popullit" (Veprat e Apostujve 3:22-23).

2. Krishti është vajosur prift. "Dhe duke pasur, pra, një kryeprift të madh që ka përshkuar qiejtë, Jezusin, Birin e Perëndisë, le ta mbajmë fort rrëfimin tonë të besimit. Sepse ne nuk kemi një kryeprift që nuk mund t'i vijë keq për dobësitë tona, po një që u tundua në të gjitha ashtu si ne, por pa mëkatuar" (Hebrenjve 4:14-15).

3. Krishti është vajosur mbret. "Dhe ja ti do të mbetesh shtatzënë dhe do të lindësh një djalë, dhe do t'ia vësh emrin Jezus. Ai do të jetë i madh dhe do të quhet Bir i Shumë të Lartit; dhe Zoti Perëndi do t'i japë fronin e Davidit atit të tij; dhe do të mbretërojë mbi shtëpinë e Jakobit përjetë, dhe mbretëria e tij nuk do të ketë kurrë të sosur" (Luka 1:31-33).

Në Ungjijtë Krishti është paraqitur si Mbret i Izraelit dhe tek Letrat si Kreu i Kishës.

C. Mesia.

"Ky gjeti më të parin vëllanë e vet, Simonin dhe i tha: ‘E gjetëm Mesian që përkthyer do të thotë: Krishti'" (Gjoni 1:41). "Gruaja i tha: ‘Unë e di se do të vijë Mesia, që e quajnë Krisht; kur të ketë ardhur ai do të na kumtojë çdo gjë'" (Gjoni 4:25). Mesia është fjala hebraike me të njëjtin kuptim Krisht, "I Vajosuri". Dhiata e vjetër është e mbushur me profeci të Mesisë, ndërsa Dhiata e re është plot me përmbushje të Krishtit. Dhiata e vjetër është e shkruar në gjuhën hebraike, ndërsa Dhiata e re është e shkruar në gjuhën greke.

D. Zoti.

Ky është titulli i hyjnisë së Krishtit, titulli i autoritetit. Që të tre emrat e Perëndisë, që gjenden në Dhiatën e vjetër, janë të përfshirë në këtë emër, Zot. Në studimet e emrave të Perëndisë pamë se fjala "Perëndi" vjen nga fjala hebraike "Elohim", që është zyra e Perëndisë; fjala "Zoti" ose "Perëndi" vjen nga fjala hebraike "Jehova", që është emri personal i Perëndisë dhe fjala "Zot" ose "zot" vjen nga fjala hebraike "Adonai", që do të thotë mësues.

Në Dhiatën e re fjala "Zot" vjen nga fjala greke "kurios", që është përkthyer si Zot, Perëndi, mësues dhe zotëri. Ky rast është i barabartë me Adonai (Mësues), në Dhiatën e vjetër. Krishti, Zoti është Mësuesi ynë. "Dhe ju zotërinj, bëni po kështu ndaj tyre, duke i lënë kërcënimet, duke ditur që i tyre dhe i juaji Zot është në qiell dhe se tek ai nuk ka anësi" (Efesianëve 6:9). "Zotërinj bëni ç'është e drejtë dhe e arsyeshme ndaj shërbëtorëve duke ditur se edhe ju keni një Zotëri në qiejt" (Kolosianëve 4:1). Siç është theksuar më sipër, titulli "Zot" përfshin edhe emra të tjerë për Perëndinë, të cilët janë "Zot" ose "Jehovai". Ne e dimë që kjo fjalë është përdorur edhe në Dhiatën e re. Dhiata e re jep referime nga Dhiata e vjetër duke përdorur fjalën "Zot", ndërsa në Dhiatën e vjetër është fjala "Zot" ose "Jehova". "Jezusi i tha: ‘është shkruar gjithashtu: Mos e tundo Zotin [Dhiata e Vjetër: Jehova], Perëndinë tënd'" (Mateu 4:7). Në këtë varg shihet gjithashtu se emri "Elohim" (Perëndia) i vihet Zotit, që është Zoti Jezus Krisht. Për shpëtim, ne duhet të pranojmë se Jezus Krishti është Jehova, Perëndi dhe Mësues. "Sepse po të rrëfesh me gojën tënde Zotin [Jehova, Perëndi, Mësues-të tre] Jezus, dhe po të besosh në zemrën tënde se Perëndia e ngjalli prej së vdekurish, do të shpëtohesh" (Romakëve 10:9).

Në qoftë se e shpallim Atë si Zot, [Jehova, Perëndi dhe Mësues], atëherë pranojmë që Ai na zotëron. Ai vendos për ecjen dhe jetën tonë. Ai ka të drejtën e Tij mbi ne dhe mbi gjithçka që kemi. Ne kemi një përgjegjësi të madhe ndaj Atij. Vullneti i Tij duhet të jetë vullneti i jetëve tona. "Prandaj mos u bëni të pakujdesshëm, por kuptoni cili është vullneti i Zotit [Jezus Krisht: Jehova, Perëndi dhe Mësues]" (Efesianëve 5:17). Në të njëjtën mënyrë, edhe në martesë, njeriu duhet të jetojë në vullnetin e Zotit Jezus Krisht. "Gruaja është e lidhur për sa kohë rron burri i saj; por në qoftë se i vdes burri, ajo është e lirë të martohet me cilin të dojë veçse kjo punë të bëhet në Zotin" (1 Korintasve 7:39). Këto fjalë marrin një kuptim edhe më të thellë kur të kuptoni se një martesë jo vetëm duhet të jetë mes të krishterëve, por ata duhet ta bëjnë këtë vetëm sipas vullnetit të Perëndisë. Pas martesës, vullneti i Zotit duhet të kërkohet. "Ju bashkëshorte, jini të nënshtruara bashkëshortëve tuaj, ashtu si ka hije në Zotin" (Kolosianëve 3:18). Asnjë njeri nuk mund ta thërrasë Jezusin Zot, përveçse me anë të Frymës së Shenjtë, sepse mishi (mëkati, natyra mishore) nuk e njeh Krishtin si Zot. "Prandaj ju bëj të ditur se askush që flet në Frymën e Shenjtë, nuk thotë: ‘Mallkuar qoftë Jezusi!'; edhe asnjë nuk thotë: ‘Jezusi është Zot'; veçse në Frymën e Shenjtë" (1 Korintasve 12:3).

E. Jezus Krishti.

Ky është një titull tjetër i Zotit, i cili është një kombinim me emrin e Tij personal (Jezus) dhe titullin e Tij zyrtar (Krisht). Theksi bie mbi fjalën e parë Jezus, domethënë, çfarë ishte Ai, kundrejt asaj që Ai është, pra, Jezusi, i cili njëherë e përuli Veten, ndërsa tani është i lartësuar.

F. Krishti Jezus.

Theksi është edhe këtu mbi fjalën e parë, Krisht, që do të thotë Ai që u lartësua, u përul më përpara. "Kini në ju po atë ndjenjë që ishte në Krishtin Jezus; i cili edhe pse ishte në trajtë Perëndie, nuk e çmoi si një gjë ku të mbahej fort për të qenë barabar me Perëndinë, por e zbrazi veten e Tij, duke marrë trajtë shërbëtori, e u bë i ngjashëm me njerëzit; dhe duke u gjetur nga pamja e jashtme posi njeri, e përuli vetveten duke u bërë i bindur deri në vdekje, deri në vdekje të kryqit" (Filipianëve 2:5-8).

G. Zoti Jezus Krisht.

Ky është titulli me i plotë i Zotit. "I bekuar qoftë Perëndia, Ati i Zotit tonë Jezus Krisht, që na bekoi me çdo bekim frymëror në vendet qiellore në Krishtin" (Efesianëve 1:3).

H. Unë Jam.

Ky është një titull nga Dhiata e vjetër, i sjellë në Dhiatën e re. Jehovai iu shfaq Moisiut në ferrën që digjej dhe e urdhëroi t'i thoshte Faraonit që t'i lejonte bijtë e Izraelit të largoheshin nga toka e skllavërisë. "Atëherë Moisiu i tha Perëndisë: ‘Ja kur të shkoj te bijtë e Izraelit dhe t'u them: <<Perëndia i etërve tuaj më ka dëguar te ju>>, po të jetë se ata më thonë: <<Cili është emri i tij?>>, ç'përgjijgje duhet t'u jap?'. Perëndia i tha Moisiut: ‘UNë JAM AI Që JAM'. Pastaj tha: ‘Do t'u thuash kështu bijve të Izraelit: <<UNë JAM-i më ka dërguar tek ju>>'" (Eksodi 3:13-14).

Zoti Jezus e quajti veten UNë JAM kur ishte në kopshtin e Gjetsemanisë. "Ndërsa turma kishte ardhur me heshta, pishtarë dhe shpata, Zoti Jezus u doli përpara t'i takonte duke i pyetur: "Kë kërkoni? Ata ju përgjigjën: ‘Jezusin Nazareas'. Jezusi u tha atyre: ‘Unë jam!'" (Gjoni 18:4-5). Kur Zoti shpalli që ishte i madhi "Unë Jam", çfarë bënë ata? "Sapo ai u tha atyre: ‘Unë jam', ata u zmbrapsën dhe ranë përdhe" (Gjoni 18:6). Edhe një pjesë tjetër e Fjalës së Perëndisë nxjerr në pah faktin se Jezusi ishte i madhi Unë Jam. "Jezusi u tha atyre: ‘Në të vërtetë, në të vërtetë unë po ju them; para se të kishte lindur Abrahami, unë jam'" (Gjoni 8:58). "Sepse tek ai banon trupërisht gjithë plotësia e Hyjnisë" (Kolosianëve 2:9).

I. Biri i Perëndisë.

Ky është titulli i Zotit për lavdinë dhe hyjninë e tij personale. "Dhe engjëlli duke u përgjigjur i tha: ‘Fryma e Shenjtë do të vijë mbi ty dhe pushteti i Shumë të Lartit do të të mbulojë me hijen e vet; prandaj i shenjti që do të lindë prej teje, do të quhet Bir i Perëndisë'" (Luka 1:35). "Judenjtë iu përgjigjën: ‘Ne kemi një ligj dhe sipas ligjit tonë ai duhet të vdesë, sepse e bëri veten Bir të Perëndisë'" (Gjoni 19:7). Shihni gjithashtu Gjoni 5:18. Zoti Jezus është Biri i Perëndisë. Një i krishterë është një bir i Perëndisë. Zoti Jezus është Biri i Perëndisë nga marrëdhënia dhe natyra, kurse një i krishterë është një bir i Perëndisë me anë të ripërtëritjes dhe birësimit. Zoti Jezus ka qenë Biri i Perëndisë për gjitha kohët dhe në përjetësi, por një i krishterë bëhet një bir i Perëndisë kur beson në Krishtin, Zotin.

J. Biri i Njeriut.

Ky duket sikur është titulli më i pëlqyer nga Zoti, emri me të cilin Ai e quajti Veten herë pas here: "Por Jezusi i tha: ‘Dhelprat kanë strofka dhe zogjtë e qiellit fole; kurse Biri i Njeriut nuk ka ku ta mbështesë kokën'" (Luka 9:58).

Ky është titulli i Krishtit për Mijëvjeçarin. Kudo që është përdorur, është i lidhur me ardhjen e mbretërisë së sundimit të Zotit Jezus Krisht. Edhe në Dhiatën e Vjetër e njëjta gjë është e vërtetë. Disa njerëz e marrin këtë si argument, duke thënë që Ezekieli ka marrë mbi vete të njëjtin titull, bir njeriu. Megjithatë lexuesi mund t'u drejtohet pjesëve ku është përdorur. Aty flitet qartë për Mijëvjeçarin e Mbretërisë. Për shembull, në Ezekielin 37 është profecia e Luginës së Kockave të Thata: e gjithë shtëpia e Izraelit do të vijë në jetë përsëri kur Zoti do t'u profetizojë atyre që të kthehen në Tokën e Palestinës; ky do të jetë Mijëvjeçari.

Ky është titulli i Zotit dhe jo i njeriut. Ju jeni një bir njeriu, por Ai është Biri i Njeriut. Titulli "Bir i Njeriut" gjendet tetëdhjetë e tetë herë në Dhiatën e Re, një herë në Veprat, një herë tek Hebrenjtë dhe dy herë tek Zbulesa, si dhe tetëdhjetë e katër herë tek ungjijtë, por asnjëherë në Letrat. Letrat janë të lidhura me kishën dhe jo me ardhjen e mbretërisë mijëvjeçare. Krishti është Mbreti i Mbretërisë, por Kreu i Kishës. Përderisa Kisha nuk është Mbretëria, as titulli i Mijëvjeçarit (Biri i Njeriut) për Krishtin nuk gjendet në Letrat drejtuar Kishave.

K. Biri i Abrahamit.

Ungjilli sipas Mateut është përshkruar "si libri i breznisë së Jezusit, bir i Davidit, bir i Abrahamit" (Mateu 1:1). "Dhe premtimet iu bënë Abrahamit dhe pasardhjes së tij. Shkrimi nuk thotë: ‘Dhe pasardhësve', sikur të ishin shumë, por të një të vetme: ‘Dhe pasardhjes sate', pra Krishti" (Galatasve 3:16). Mesia (Krishti) do të ishte një judé. Krishti ishte judé, sepse ishte një Bir i Abrahamit, pra, ishte Mesia!

L. Biri i Davidit.

Ky është titulli mbretëror i Zoti Jezus: "Kur dëgjoi se ai që po kalonte ishte Jezusi Nazareas, filloi të bërtasë dhe të thotë: ‘Jezus, Bir i Davidit, ki mëshirë për mua!'" (Marku 10:47).

M. Biri i Shumë të Lartit.

Ky është një titull dallimi. "Ai do të jetë i madh dhe do të quhet Bir i Shumë të Lartit; dhe Zoti Perëndi do t'i japë fronin e Davidit, atit të tij" (Luka 1:32).

N. Njeriu i dytë.

"Njeriu i dytë" tregon që ishte një njeri përpara Tij, vetëm një, dhe ky njeri ishte Adami: "Njeriu i parë i bërë prej dheu, është tokësor; njeriu i dytë është Zoti nga qielli" (1 Korintasve 15:47).

O. Adami i fundit.

"Adami i Fundit" tregon se nuk ka asnjë njeri ta pasojë Atë. Janë vetëm dy njerëz në regjistrat e Perëndisë: Adami dhe Krishti. Si rrjedhim, bota është e ndarë në këto dy udhëheqje: Adami dhe Krishti. Të gjithë janë të Adamit nga lindja natyrore, ndërsa të Krishtit janë vetëm ata që kanë provuar lindjen e re. "Kështu edhe është shkruar: ‘Njeriu i parë, Adami, u bë shpirt i gjallë; por Adami i fundit është Frymë që jep jetë" (1 Korintasve 15:45).

P. Fjala.

"Në fillim ishte Fjala dhe Fjala ishte pranë Perëndisë, dhe Fjala ishte Perëndi. Ai (fjala) ishte në fillim me Perëndinë" (Gjoni 1:1-2). Ashtu si fjalët na shfaqin mendimet e padukshme të njeriut, ashtu edhe Fjala e dukshme (e gjallë) shfaq para nesh Perëndinë e padukshëm.

Q. Emanuel.

"Ja, virgjëresha do të mbetet shtatzënë dhe do të lindë një djalë, të cilit do t'i vënë emrin Emanuel, që do të thotë: ‘Zoti me ne'" (Mateu 1:23). Siç na tregon Shkrimi, Emanuel do të thotë "Perëndia me ne". Kujtoni, pra, që Zoti Jezus është Emanuel, Perëndia me ne. Ai kurrë nuk do të na lërë, kurrë nuk do të na braktisë (Hebrenjve 13:5-6).

R. Shpëtimtar.

"Sepse sot në qytetin e Davidit lindi për ju një Shpëtimtar, që është Krishti Zoti" (Luka 2:11). Nuk lindi një ndihmës, por lindi një Shpëtimtar!

S. Rabi.

Kjo fjalë me burim nga hebraishtja do të thotë mësues. "Por Jezusi u kthye dhe, kur i pa se po e ndiqnin, u tha atyre: ‘Ç'kërkoni?'. Ata i thanë: ‘Rabi (që përkthyer do të thotë ‘mësues'), ku banon?'" (Gjoni 1:38).

T. Rabboni.

është e njëjta fjalë si "rabi", por vjen nga gjuha kaldease. "Jezusi i tha: ‘Mari!'. Dhe ajo atëherë u kthye dhe i tha: ‘Rabboni!', që do të thotë: Mësues" (Gjoni 20:16).

U. Mësues.

"Farisenjtë kur e panë këtë, u thanë dishepujve të tij: ‘Pse Mësuesi juaj ha bukë me tagrambledhësit dhe me mëkatarët?' (Mateu 9:11). Kuptimi këtu është Udhëzues. Ideja e Zotëruesit nuk ofrohet këtu, si në fjalën "Zot" (Adonai). Bota sot e pranon që Jezusi është një Mësues i madh (Udhëzues), por nuk e kanë Atë si Zot. Zoti Jezus nuk është thjesht Udhëzuesi ynë: Ai është Perëndia ynë, Jehovai ynë, Zoti ynë!


Ktheu tek faqja: Përmbajtja e Librit

pixelburg.gif (801 bytes)

© Copyright  Të Krishterët  Përgjigjen
Faqja Kryesore | Kush Jemi | Të RejatKontakt | Kërko

"Të jini gjithëherë të gatshëm t'u jipni përgjigje çdo njërit që kërkon nga ju shpjegime per shpresën që ju keni (1 Pjetrit 3:15)"