II. Mishërimi i Krishtit

Kjo është një e vërtetë themelore e krishterimit. Është themeli i hedhur mbi të cilin qëndron besimi ynë. Pa mishërimin, krishterimi nuk do të mund të qëndronte fare. është e pamundur që të zhdukësh mishërimin, pa zhdukur edhe krishterimin. Këtë nuk na e ka shfaqur njeriu, por Perëndia Vetë nëpërmjet zbulesës së Fjalës së Tij. "Sepse dua që të dini ç'luftë të ashpër më duhet të bëj për ju, për gjithë ata që janë në Laodice dhe për të gjithë ata të cilët nuk e kanë parë fytyrën time personalisht, që zemrat e tyre të ngushëllohen, duke u bashkuar me dashuri, dhe të kenë të gjithë pasuritë e sigurisë së plotë të zgjuarsisë për të njohur misterin e Perëndisë, e Atit dhe të Krishtit, ku janë fshehur të gjitha thesaret e diturisë dhe të njohjes" (Kolosianëve 2:1-3). Fjala "mishërim" vjen nga latinishtja e që do të thotë bëhet mish. Kështu, kur flasim për mishërimin e Krishtit Jezus, Birit të Perëndisë, me këtë nënkuptojmë mishërimin e Perëndisë, Perëndinë e shfaqur në mish.

A. Fakti i Mishërimit.

Dy nga ungjijtë, Mateu dhe Luka, e dëshmojnë plotësisht mishërimin. Të dy dëshmitë janë të ndryshme, por të dyja janë në përputhje me njëra-tjetrën në fakte. Mateu, që e portretizon Krishtin si Mbret gjatë gjithë librit, e përshkruan lindjen e Tij si: "Ai që është lindur Mbret i judenjve", duke e ndjekur brezninë e Tij nga Salomoni deri te Davidi. Ungjilli i Lukës, i cili e shfaq Jezusin si Njeriu i përsosur, thekson natyrën njerëzore të Jezusit, duke treguar që linja e brezave të tij kthehej prapa nëpërmjet Maries, tek Nathani (një bir tjetër i Davidit), pastaj tek Davdi dhe Abrahami dhe, më në fund, tek njeriu i parë, Adami.

1. Virgjëria e Maries. Të dy, Mateu dhe Luka, bëjnë të qartë që ajo ishte e virgjër. "Tani lindja e Jezus Krishtit ndodhi në këtë mënyrë: Maria, nëna e tij, i ishte premtuar Jozefit, por para se të rrinin bashkë, mbeti shtatzënë nga Fryma e Shenjtë" (Mateu 1:18). "Në muajin e gjashtë, engjëlli Gabriel u dërgua nga Perëndia në një qytet të Galilesë që quhet Nazaret, te një e virgjër, që ishte e fejuar me një njeri që quhej Jozef, nga shtëpia e Davidit; dhe emri i virgjëreshës ishte Maria … Dhe Maria i tha engjëllit: Si do të ndodhë kjo përderisa unë nuk njoh burrë?" (Luka 1:26-27, 34).

2. Zbulimi se ajo ishte shtatzënë para martesës me Jozefin. "Jozefi gjithashtu u ngjit në Galile, për t'u regjistruar bashkë me Marien, gruan e tij që ishte shtatzënë" (Luka 2:5). Shihni gjithashtu Mateu 1:18-20.

3. Atësia hyjnore. Në qoftë se Jozefi nuk ishte babai i Jezus Krishtit, atëherë kush ishte babai i Tij? Perëndia, sigurisht: "Dhe ja ti do të mbetesh shtatzënë dhe do të lindësh një djalë dhe do t'ia vësh emrin Jezus. Ai do të jetë i madh dhe do të quhet Biri i Shumë të Lartit; dhe Zoti Perëndi do t'i japë fronin e Davidit, atit të tij … Dhe engjëlli duke u përgjigjur i tha: Fryma e Shenjtë do të vijë mbi ty dhe pushteti i Shumë të Lartit do të të mbulojë me hijen e vet; prandaj i shenjti që do të lindë prej teje do të quhet Bir i Perëndisë" (Luka 1:31-32, 35). Shihni gjithashtu Mateu 1:18-20.

B. Mënyra e mishërimit.

Arsyeja që shumë nuk besojnë lindjen e virgjër të Jezus Krishtit është se ata mendojnë që lindja e Tij ishte lindje e një foshnjeje të thjeshtë dhe jo lindja e një foshnjeje të Perëndisë, Biri. Mbani mend që ky është mishërimi, ardhja në mish e Perëndisë, Perëndia i shfaqur në mish!

1. Dëshmitë e Mateut.

a. Për gjenealogjinë e Krishtit. Duke ndjekur brezat e Zotit nga Abrahami në kapitullin 1 (vargu 1 deri në vargun 17) shohim se fjala "i lindi" është përmendur tridhjetë e nëntë herë, por është lënë jashtë pas emrit të Jozefit, burri i virgjëreshës Marie. Jozefit nuk i lindi Jezus Krishti: "Jakobit i lindi Jozefi, burri i Maries, nga e cila lindi Jezusi, që është quajtur Krisht" (Mateu 1:16).

Atëherë ndokush mund të pyesë: pse përmendet kjo gjenealogji? Arsyeja është kjo: Mbreti i ardhshëm i Izraelit duhej të vinte nga ky brez (Davidi, Salomoni etj.) dhe, që të vërtetohej se Jezusi ishte me plot të drejtë trashëgimtari i fronit të Davidit, duhej treguar që Ai erdhi nga kjo linjë breznie. Kur Jozefi u martua me virgjëreshën Marie, biri i virgjërisë së saj u bë trashgimtar i ligjshëm i Jozefit dhe i pari në radhë për fron.

A ishte me të vërtetë Krishti bir i Davidit? Sigurisht që ishte, por jo nëpërmjet Jozefit deri te Solomoni dhe pastaj tek Davidi. Ai ishte një bir i Davidit nga ana e nënës së Tij, perderisa ajo vetë ishte një princeshë e Izraelit, po të ndjekim brezninë e saj nëpërmjet Nathanit (që ishte një bir tjetër i Davidit), deri te Davidi. Për nga lidhja e gjakut, Krishti ishte një bir i Davidit nëpërmjet Maries, por ligjshmërisht ishte një bir i Davidit nga ana e Jozefit.

b. Për qëndrimin e Jozefit. Për këtë, le të shkojmë tek Mateu 1:18-25. "Tani lindja e Jezus Krishtit ndodhi në këtë mënyrë: Maria, nëna e Tij, i ishte premtuar Jozefit, por para se të rrinin bashkë, mbeti shtatzënë nga Fryma e Shenjtë. Atëherë i fejuari Jozefi, i cili ishte një njeri i drejtë dhe nuk donte ta poshtëronte botërisht, vendosi ta linte fshehtas. Por, ndërsa bluante me vete këto çështje, ja që iu shfaq në ëndërr një engjëll i Zotit dhe i tha: 'Jozef, bir i Davidit, mos ki frikë ta marrësh me vete Marinë si gruan tënde, sepse ç'është ngjizur në të është vepër e Frymës së Shenjtë. Dhe ajo do të lindë një djalë dhe ti do t'i vësh emrin Jezus, sepse ai do të shpëtojë popullin e tij nga mëkatet e tyre'. E gjithë kjo ndodhi që të përmbushej fjala e Zotit, e thënë me anë të profetit që thotë: 'Ja, virgjëresha do të mbetet shtatzënë dhe do të lindë një djalë, të cilit do t'i vënë emrin Emanuel, që do të thotë: <<Zoti me ne>>'. Dhe Jozefi, si u zgjua nga gjumi, veproi ashtu siç e kishte urdhëruar engjëlli i Zotit dhe mori pranë vetes gruan e tij; por ai nuk e njohu, derisa ajo lindi djalin e saj të parëlindur, të cilit ia vuri emrin Jezus".

A mund të shpjegohet më qartë që Krishti u lind nga një e virgjër? Në mendjen e tij Jozefi ishte i bindur për papastërtinë e Maries, të fejuarës së tij. Ai arsyetonte se, në qoftë se ai nuk e kishte njohur atë, dikush tjetër do ta kishte njohur. Duke jetuar nën ligj, një njeri i drejtë, ai mendoi për të bërë dy gjëra: ta ndante ose ta shpallte atë publikisht dhe ta vrisnin me gurë. Ai kurrë nuk mendoi që ta marrë dhe ta bëjë atë gruan e tij të vërtetë, derisa engjëlli iu shfaq dhe e urdhëroi që ta bënte një gjë të tillë. Dhe ai veproi ashtu.

Njerëzit sot, madje edhe disa predikues, mendojnë se është diçka e mençur të mohosh lindjen e virgjër të Jezusit. Ata thonë se Jozefi ishte i ati, por ai tha se nuk ishte.

c. Për adhurimin e dijetarëve. "Ja që disa dijetarë nga lindja arritën në Jeruzalem, duke thënë: 'Ku është mbreti i judenjve, që ka lindur? Sepse pamë yllin e tij në Lindje dhe erdhëm për ta adhuruar' … Dhe mbasi hynë në shtëpi, panë fëmijën me Marien, nënën e tij, dhe ranë përmbys dhe e adhuruan" (Mateu 2:1b, 2, 11a). Këta dijetarë ishin me të vërtetë njerëz të mençur. Ata e adhuruan Foshnjën dhe jo nënën Marie. Këta ishin njerëz të Perëndisë, të mësuar dhe të udhëhequr nga Perëndia, ata nuk do ta kishin adhuruar Foshnjën, në qoftë se babai i tij do të ishte Jozefi.

 d. Për shprehjet e "Fëmijës dhe nënës së Tij". Katër herë është përdorur kjo thënie (Mateu 2:11, 13-14, 20) dhe asnjëherë nuk thuhet "gruan tënde dhe fëmijën". Në lidhje me këtë, vëmë re një thënie tjetër: "Tani pasi u nisën dijetarët, ja një engjëll i Zotit iu shfaq në ëndërr Jozefit dhe i tha: 'Çohu, merr fëmijën dhe nënë e tij, dhe ik në Egjipt, dhe rri aty deri sa të të lajmëroj, sepse Herodi do ta kërkojë fëmijën për ta vrarë'. Jozefi, pra u zgjua, mori fëmijën dhe nënën e tij natën dhe iku në Egjipt. Dhe qëndroi aty derisa vdiq Herodi, që të përmbushet ç'ishte thënë nga Zoti me anë të profetit: 'E thirra birin tim nga Egjipti'" (Mateu 2:13-15).

2. Dëshmitë e Lukës.

a. Për fjalët e Zakarias. "Por engjëlli i tha: 'Mos u tremb, Zakaria, sepse lutja jote u plotësua dhe gruaja jote Elizabeta do të lindë një djalë, të cilit do t'ia vësh emrin Gjon. Dhe ai do të jetë për ty shkak gëzimi dhe hareje, dhe shumë vetë do të gëzohen për lindjen e tij. Sepse ai do të jetë i madh përpara Zotit; nuk do të pijë as verë as pije dehëse dhe do të jetë i përplotë me Frymën e Shenjtë që në barkun e s'ëmës. Dhe do t'i kthejë shumë prej bijve të Izraelit te Zoti, Perëndia i tyre. Dhe do të shkojë përpara tij në frymë dhe pushtet të Elias, për t'i kthyer zemrat e prindërve te fëmijët dhe rebelët në urtinë e të drejtëve, për t'ia bërë gati Zotit një popull të përgatitur mirë'" (Luka 1:13-17). Këtu Zakarias iu tregua se ai do të kishte një bir që do të ishte paralajmërues i Krishtit, Birit të Perëndisë.

b. Për njoftimin e Maries nga engjëlli. "Dhe engjëlli i tha: 'Mos ki frikë, Mari, sepse ke gjetur hir para Perëndisë dhe ja ti do të mbetesh shtatzënë dhe do të lindësh një djalë dhe do t'ia vësh emrin Jezus'" (Luka 1:30-31). Maria u bë grua me fëmijë jashtë martese, gjë që ishte e keqe para Zotit, por Maria kishte gjetur hir para Zotit. Kështu, në qoftë se Maria u bë me fëmijë nga njeriu dhe Zoti e bekoi atë, ndërsa ajo ishte në ato kushte, atëherë Perëndia do të ishte një Perëndi i së keqes. Ne e dimë që Ai pati hir me të dhe ajo gjeti hir në Perëndinë, sepse vërtetë ishte shtatzënë, por nga Fryma e Shenjtë.

c. Për lavdërimin e Elizabetës. "Dhe [Elizabeta] thirri me zë të lartë, duke thënë: 'Ti je e bekuar ndër gratë dhe i bekuar është fryti i barkut tënd. Dhe përse po më ndodh kjo që nëna e Zotit tim të vijë tek unë? Sepse ja, sapo arriti në veshët e mi zëri i përshëndetjes sate, fëmija nga gëzimi kërceu në barkun tim. Tani e lumtur është ajo që besoi, sepse gjërat që i janë thënë nga ana e Zotit do të realizohen'" (Luka 1:42-45). A ishte ky një lëvdim për Marijen? JO!

d. Për këngën e Maries. "Dhe Maria tha: 'Shpirti im e madhëron Zotin, dhe fryma ime ngazëllon në Perëndinë, Shpëtimtarin tim'" (Luka 1:46-47). Kjo nuk ishte kënga e një gruaje që ishte shtatzënë dhe do të lindte me turp; ishte një këngë e mbushur me gëzim dhe lëvdim për Perëndinë, që e kishte zgjedhur të lindte Mesian.

e. Për profecinë e Zakarias. "Dhe ti, o fëmijë i vogël, do të quhesh profet nga Shumë i Larti, sepse ti do të shkosh përpara fytyrës së Zotit për të përgatitur udhët e tij" (Luka 1:76). Kjo është vetëm një pjesë e profecisë së babait të Gjon Pagëzorit në lidhje me punën e Gjonit, i cili ishte i sapolindur. Ai shpall se Ai, përpara të cilit do të shkojë Gjoni, është Biri i Perëndisë dhe jo bir i një njeriu.

f. Për përvojën e barinjve. "Tani në po atë krahinë ishin disa barinj që rrinin jashtë, në fusha dhe natën ruanin kopenë e tyre. Dhe ja një engjëll i Zotit iu shfaq atyre dhe lavdia e Zotit shkëlqeu rreth tyre e ata i zuri një frikë e madhe. Por engjëlli u tha atyre: 'Mos druani, sepse unë po ju lajmëroj një gëzim të madh për gjithë popullin; sepse sot në qytetin e Davidit lindi për ju një Shpëtimtar, që është Krishti Zoti. Dhe kjo do t'ju vlejë si shenjë; ju do të gjeni një fëmijë të mbështjellur me pelena, të shtrirë në grazhd'. Dhe menjëherë engjëllit iu bashkua një shumicë e ushtrisë qiellore, që lavdëronte Perëndinë, duke thënë: 'Lavdi Perëndisë në vendet më të larta, dhe paqe mbi tokë njerëzve mbi të cilët qëndron mirëdashja e Tij'" (Luka 2:8-14).

Kur lindi Krishti, qielli lëshoi një mesazh lavdërimi. A do të kishte ndodhur e gjithë kjo për një kopil? Padyshim jo, por Jezusi është, siç thotë Fjala, Krishti, Zoti, biri i virgjërisë së Maries.

C. Kundërshtimet e mishërimit.

Shumë nga armiqtë e Perëndisë që janë brenda trupit të të ashtuquajturve besimtarë, shpallin se janë të krishterë dhe mohojnë lindjen e virgjër të Krishtit. Dikush mund të pyesë: "Kur një njeri duhet të shpëtohet, a duhet të besojë ai lindjen e virgjër të Krishtit? A është kjo një doktrinë që një njeri duhet të kuptojë dhe të besojë që të shpëtohet?" Le të përgjigjemi duke pyetur për këtë gjë: "A e besoni që është e mundur për një person të shpëtuar të mos besojë lindjen e virgjër të Krishtit?" Sigurisht që nuk është e mundur! Të gjithë shenjtorët e Perëndisë, të rilindur dhe të shpëtuar, besojnë se Shpëtimtari ynë kishte një lindje të virgjër.

E vetmja gjë që një person i humbur duhet të bëjë, është që të pendohet për mëkatet e tij dhe të besojë në Krishtin si Shpëtimtari i tij, duke besuar se Ai vdiq për mëkatet e tij dhe që Ai u ringjall përsëri nga të vdekurit. Njerëzit e shpëtuar besojnë në lindjen e virgjër të Zotit tonë. Ata që thonë se janë të krishterë dhe e mohojnë lindjen e virgjër, janë thjeshtë njerëz që "e shpallin" por nuk e "kanë Atë në zemër". Këta armiq, edhe jashtë, edhe "përbrenda" Kishës, e kundërshtojnë lindjen e virgjër me këto argumente:

1. Dituria e ditëve të sotme është kundër kësaj. Kjo thënie nuk është e vërtetë, por nuk do të kishte shumë rëndësi edhe sikur të ishte, sepse e dimë që "mendja e kontrolluar nga mishi është armiqësi kundër Perëndisë: sepse nuk i nënshtrohet ligjit të Perëndisë dhe nuk mundet" (Romakëve 8:7). Zemra e pakthyer nuk e njeh Perëndinë dhe as gjërat e Perëndisë dhe, sigurisht, nuk do të besonte në lindjen e virgjër të Krishtit. Studiues të pashpëtuar mund të mos e pranojnë këtë të vërtetë hyjnore, por ka mendje të mëdha të kësaj bote që ulen në karriget e mësimit, në kolegjet dhe në universitetet udhëheqëse, njerëz të shpëtuar, që besojnë dhe dëshmojnë për lindjen e virgjër të Jezusit. Në të vërtetë, një person nuk është i edukuar siç duhet derisa ai të besojë Perëndinë dhe Fjalën e Tij, sepse "Frika e Zotit është fillimi i njohjes" (Fjalët e urta 1:7).

2. Dhiata e Re është e heshtur në lidhje me këtë. Sigurisht, Mateu nuk është i heshtur në lidhje me këtë gjë. Natyrisht, as Luka nuk mbetet i heshtur për këtë gjë. Perëndia ka siguruar dy dëshmitarë, sepse "Çdo gjë do të qëndrojë në gojën e dy ose tre dëshmitarëve" (2 Korintasve 13:1). Perëndia e përmbush ligjin, duke themeluar kështu të vërtetën në lidhje me lindjen e virgjër të Shpenguesit tonë. Po sikur të ishte vetëm një dëshmitar? Përsëri, do të ishte e vërtetë, sepse është Perëndia Ai që flet.

a. Por kemi dëshminë e Markut. Me këtë dëshmi ne paraqesim një fakt jo të drejtpërdrejtë, që vërteton lindjen e virgjër të Krishtit. Nuk thuhet asgjë kundër lindjes së virgjër. Marku nuk e dëshmon lindjen e Zotit. A do të thotë ai me këtë që Krishti nuk ekzistoi kurrë? Sigurisht jo! Ungjilli i Markut e paraqet Jezusin si Shërbëtori i Përsosur, dhe, kur flet për një shërbëtor, askush nuk do t'ia dijë për gjenealogjinë e tij; kështu, lindja e Krishtit nuk është përmendur. Vargu i parë i Ungjillit të Markut thotë: "Fillimi i Ungjillit të Jezus Krishtit Birit të Perëndisë". Çdo hebre e di që kjo do të thotë se Jezus Krishti ishte në një barazi me Perëndinë, dhe ne e dimë që dëshmia na tregon se gjërat që bëri Jezus Krishti, askush tjetër nuk mund t'i bënte.

b. Kemi edhe dëshminë e Gjonit. "Në fillin ishte Fjala, dhe Fjala ishte me Perëndinë dhe Fjala ishte Perëndi ... Dhe Fjala u bë mish dhe banoi ndër ne dhe ne soditëm lavdinë e tij, si lavdinë e të vetëmlindurit prej Atit, plot hir dhe të vërtetë" (Gjoni 1:1,14). Me të vërtetë kjo nuk është dëshmia e një njeriu të thjeshtë, por Biri i Njeriut, Biri i Perëndisë, Perëndia Vetë!

c. Kemi edhe dëshminë e Palit. Ndërsa themi se këto argumente janë të Markut, Gjonit, Palit apo të të tjerëve, le të mbajmë mend që, ndërsa këta njerëz po i shkruanin këto fjalë, ato ishin fjalët e Perëndisë dhe shprehin mendjen e Tij mbi lindjen e virgjër të Birit të Tij.

Pali ishte i veçuar "për ungjillin e Perëndisë … lidhur me Birin e Tij, të lindur nga fara e Davidit sipas mishit, i deklaruar Bir i Perëndisë në fuqi, sipas Frymës së shenjtërisë nëpërmjet ringjalljes prej së vdekurit; Jezus Krishti Zoti ynë … Sepse atë që ishte e pamundur për ligjin, sepse ishte pa forcë për shkak të mishit, Perëndia, duke dërguar Birin e Vet në shëmbëllim mishi mëkatar, edhe për mëkat, e dënoi mëkatin në mish" (Romakëve 1:3-4, 8:3). "Sepse ju e njihni hirin e Zotit tonë Jezus Krisht, i cili, duke qenë i pasur, u bë i varfër për ju, që ju të bëheni të pasur me anë të varfërisë së tij" (2 Korintasve 8:9). Shihni gjithashtu Filipianëve 2:5-7, Galatasve 4:4, 1 Gjoni 4:2 dhe Kolosianëve 2:8.

3. Kisha e hershme nuk e besoi. Ky është një tjetër argument i rremë kundër lindjes së virgjër, i cili mund të hidhet poshtë fare lehtë. Besimet e hershme të kishës e deklarojnë qartë lindjen e virgjër.

a. Kredoja e Apostujve. Kjo i përket kohës së vonshme në shekullin e dytë. Fjala "kredo" vjen nga latinishtja credo, që do të thotë besosh/besim. Këto kredo erdhën, së pari, gojarisht dhe më pas të shkruara.

b. Kredoja e Nices. Kjo na çon në shekullin e katërt, kur Arius tha që Jezusi ishte një qenie e krijuar dhe jo Biri nga përjetësia, prandaj një këshill u thirr për të vërtetuar faktin se Krishti, megjithëse i lindur nga e virgjëra, ka bashkëjetuar përjetësisht me Atin. Këshilli u thirr në Kostandinopojë (Stambolli i sotshëm) në vitin 381. Ky këshill i drejtohet gjithashtu faktit të lindjes së virgjër të Krishtit.

4. Është kundër ligjeve të natyrës. Këtij argumenti kundër lindjes së virgjër, ne i përgjigjemi: "Po, është më se e sigurt që është kundër ligjeve të natyrës", sepse kjo nuk ishte lindja e një foshnjeje të thjeshtë, ishte lindja e Birit të Perëndisë në mish. A keni kaluar ndonjëherë kohë duke menduar se kjo mund të ketë qenë e vetmja mënyrë me anë të cilës Perëndia mund të vinte në mish, me anë të lindjes së virgjër?

Janë tre mënyra me të cilat Perëndia bëri qenie njerëzore jo sipas ligjeve të natyrës:

          (1) Kur Ai bëri Adamin pa ndihmën e një burri apo gruaje.

          (2) Kur Ai bëri Evën pa ndihmën e një gruaje.

          (3) Kur bëri Krishtin pa ndihmën e një burri.

5. I përngjet shumë mitologjisë. është e vërtetë që shumë fe idhujtare kanë mësuar se perënditë e tyre ishin të lindur prej gruaje, por jo krejtësisht nga virgjëria, për më tepër, këto gra kishin kryer marrëdhënie mishërore me perëndi të tjerë, të cilët prodhuan perënditë e njerëzve. A mund të krahasohet lindja e Krishtit me historitë e treguara rreth këtyre miteve? Absolutisht jo! Lindjet e njerëzve të mitologjisë nuk ishin nga virgjëria, por nga marrëdhëniet mishërore.

6. Duke e quajtur veten Biri i Njeriut, Krishti e mohoi lindjen e virgjër. Mbani mend që Zoti Jezus nuk tha kurrë "Unë jam një bir njeriu", por "Unë jam Biri i Njeriut".

7. Nevoja e pastrimit vërteton se kjo ishte një lindje natyrore. Nën ligjin e Izraelit, të gjitha gratë ishin të papastra. Qëllimi i këtij ligji ishte higjienik, të shpëtojë shëndetin e gruas, duke e mbrojtur atë nga kënaqësitë e burrit të saj, ndërsa ajo është akoma në kushte të dobësuara, të shkaktuara nga lindja e fëmijës.

D. Qëllimet e mishërimit.

Cilat ishin qëllimet e lindjes së virgjër?

1. Për të shfaqur të padukshmin Perëndi. "Askush s'e pa Perëndinë kurrë; i vetëmlinduri Bir, që është në gjirin e t'Et, është ai që e ka bërë të njohur" (Gjoni 1:18). Jezus Krishti është shfaqja e Perëndisë, shpalosësi i Perëndisë. Në qoftë se doni ta dini se si është Perëndia, shikoni Jezusin.

2. Për të përmbushur profeci.

a. Fara, si një shembull. "Dhe unë do të shtie armiqësi midis teje dhe gruas, midis farës sate dhe farës së saj, fara e saj do të shtypë kokën tënde, dhe ti do të plagosësh thembrën e farës së saj" (Zanafilla 3:15). Një grua nuk ka farë, fara i përket burrit. Shkrimi e përmend "fara e gruas". Kjo është kundër natyrës dhe ka të bëjë, sigurisht, me lindjen e virgjër, që është përmbushur kur Maria lindi Jezus Krishtin.

b. Virgjëresha si shembull. "Prandaj vetë Zoti do të japë një shenjë: Ja, e virgjëra do të mbetet me barrë dhe do të lindë një fëmijë të cilin do ta quajnë Emanuel" (Isaia 7:14).

3. Për të përmbushur marrëveshjen e Davidit. "Pastaj një degëz do të dalë nga trungu i Jeseut, dhe një filiz do të mbijë nga rrënjët e tij … Atë ditë do të ndodhë që rrënja e Jeseut do të ngrihet si një flamur për popujt, kombet do ta kërkojnë dhe vendi i prehjes së tij do të jetë i lavdishëm" (Isaia 11:1,10). "'Ja ditët po vijnë' thotë Zoti, 'në të cilat do të shkaktoj që të dalë nga Davidi një filiz i drejtë, që do të mbretërojë si mbret, dhe do të ketë mbarësi dhe do të ushtrojë gjykimin dhe drejtësinë në vend. Në ditët e tij Juda do të shpëtohet dhe Izraeli do të qëndrojë në siguri. Ky do të jetë emri me të cilin do të thirret: <<Zoti drejtësia jonë>>'" (Jeremia 23:5-6). "Vëllezër, mund të thuhet haptas për Davidin patriark që ai vdiq dhe u varros; dhe varri i tij është ndër ne deri ditën e sotme. Ai, pra, duke qenë profet, e dinte se Perëndia i kishte premtuar me betim se nga fryti i belit të tij, sipas mishit, do të ngjallet Krishti për t'u ulur mbi fronin e tij; dhe duke parashikuar këtë, foli për ringjalljen e Krishtit, duke thënë se shpirti i tij nuk do të lihej në Hades dhe se mishi i tij nuk do të shihte kalbjen" (Veprat e Apostujve 2:29-31). Shihni gjithashtu 1 Samueli 4:17 dhe Luka 1:32-33.

4. Për t'u flijuar për mëkatet tona. "Dhe ju e dini se ai u shfaq për të hequr mëkatet tona; dhe në të nuk ka mëkat" (1 Gjoni 3:5). "Sepse është e pamundur që gjaku i demave dhe i cjepve të heqë mëkatet. Prandaj duke hyrë në botë, ai thotë: 'Ti nuk deshe as flijim as mblatë, por bëre gati për mua një trup'; Mbasi tha: 'Ti nuk deshe as flijim as mblatë, as olokauste as flijime për mëkatin, që të blatohen sipas ligjit', ai shtoi: 'Ja, unë vij për të bërë, o Perëndi, vullnetin tënd'. Ai heq të parën që të vërë të dytën" (Hebrenjve 10:4-5, 8-10). "Tani, o vëllezër po ju deklaroj ungjillin që ju kam shpallur dhe që ju keni marrë dhe mbi të cilin ju qëndroni, dhe me anë të të cilit ju jeni shpëtuar, nëse do ta mbani fjalën që ju kanë predikuar, veç nëse besuat kot. Sepse unë ju kam transmetuar para së gjithash ato që edhe unë vetë i kam marrë se Krishti vdiq për mëkatet tona sipas Shkrimeve, se u varros dhe u ringjall të tretën ditë, sipas Shkrimeve" (1 Korintasve 15:1-4).

a. Flijimi i një kafshe nuk i ka hequr kurrë mëkatet. është vetë Perëndia Ai që themeloi flijimin e kafshëve. Sidoqoftë, i gjithë gjaku i derdhur për shekuj mbi altarët e izraelitëve, s'ka hequr ndonjë mëkat. Pse, atëherë, kërkohej një gjë e tillë? Ishte e kërkuar me qëllim që të siguronte një "mbulesë" për mëkatet deri sa të vinte gjaku i Krishtit dhe t'i "lante" ato. Asnjë flijim nuk ka mundur ndonjëherë të heqë mëkatet, sepse flijimi duhet të ngrihet deri në nivelin e njeriut për të cilin është flijuar.

b. Flija duhet të jetë pa mëkat. Ne jemi me mendimin se një "njeri duhet të flijohet për një njeri", meqenëse kafshët nuk ngjiten dot në nivelin e njeriut, por, sidoqoftë, një njeri mëkatar nuk mund të flijohet për një tjetër njeri mëkatar, sepse, në qoftë se i pari duhet të vdesë, ai duhet të vdesë për mëkatet e tij vetjake.

c. Flijimi duhet të jetë një flijim i përjetshëm. Flijimi nuk duhet të ngrihet vetëm deri në nivelin e njeriut për të cilin po flijohet, por edhe deri në nivelin e Perëndisë të cilin duhet të kënaqë! Jezusi, Zoti ynë i përmbushi të gjitha! "Ai vetë i barti mëkatet tona në trupin e tij mbi drurin e kryqit që ne, të vdekur për mëkate, të rrojmë për drejtësi dhe me vurratat e tij ju u shëruat" (1 Pjetrit 2:24).

5. Për t'u siguruar të shpenguarve një kryeprift. "Prandaj ai duhej t'u ngjante në çdo gjë vëllezërve, që të mund të ishte i mëshirshëm e kryeprift besnik në ato që i përkasin Perëndisë, për t'u bërë pajtim për mëkatet e popullit. Prandaj, o vëllezër të shenjtë, pjestarë të thirrjes qiellore, vështroni apostullin dhe kryepriftin e rrëfimit të besimit tonë, Jezus Krishtin" (Hebrenjve 2:17, 3:1). Sot ne kemi një, madje Jezus Krishtin, që qëndron për ne përpara Perëndisë. Ne kemi një paditës (Zbulesa 12:10), i cili na akuzon çdo ditë para Perëndisë, por në të njëjtën kohë kemi një avokat tek Ati, i cili ndërmjetëson për ne.

6. Për t'u treguar besimtarëve si të jetojnë. "Ai që thotë se qëndron në të, duhet të ecë edhe vetë sikurse ka ecur ai" (1 Gjoni 2:6). "Sepse për këtë ju u thirrët, sepse edhe Krishti vuajti për ne duke lënë një shembull, që të ecni pas gjurmës së tij" (1 Pjetri 2:21).

7. Për t'u bërë kreu i një krijese të re. "Dhe ai që rrinte mbi fron tha: 'Ja unë i bëj të gjitha gjërat të reja'. Dhe më tha: 'Shkruaj sepse këto gjëra janë të vërteta dhe besnike'" (Zbulesa 21:5). Shihni gjithashtu 2 Korintasve 5:17 dhe 1 Korintasve 15:45-47.

E. Përjetësia e mishërimit.

Perëndia do të jetë gjithmonë i shfaqur në mish në personin e Birit të Tij, Jezus Krishtit.

1. Është thelbësore për plotësinë e natyrës njerzore të Zotit tonë. Zoti ynë, tani në lavdi, ka natyrën e tij njerëzore. Ai është njeri sot.

2. Është thelbësore për kryepriftërinë e Zotit tonë. "Sepse duke qenë se bijtë kanë marrë pjesë prej mishi dhe gjaku, po ashtu edhe ai u bë pjestar në po ato gjëra, që të shkatërronte, me anë të vdekjes, atë që ka pushtetin e vdekjes, domethënë djallin, edhe të çlironte të gjithë ata që nga frika e vdekjes, i ishin nënshtruar robërisë për tërë jetën. Sepse ai nuk kujdeset për engjëjt, por ndihmon pasardhjen e Abrahamit. Prandaj ai duhej t'u ngjante në çdo gjë vëllezërve, që të mund të ishte i mëshirshëm e kryeprift besnik në ato që i përkasin Perëndisë, për t'u bërë pajtim për mëkatet e popullit. Sepse duke qenë se ai vetë hoqi kur u tundua, mund t'u vijë në ndihmë atyre që tundohen" (Hebrenjve 2:14-18). "Për më tepër ata qenë bërë priftërinj në numër të madh, sepse vdekja nuk i linte të qëndronin përgjithnjë, kurse ai, mbasi qëndron për jetë të jetës, ka priftëri të patjetërsueshme, prandaj edhe mund të shpëtojë plotësisht ata që me anë të tij i afrohen Perëndisë sepse gjithmonë rron të ndërmjetësojë për ta. Sepse ne, një kryeprift i tillë na duhej, i shenjtë, i pafaj, i papërlyer, i ndarë nga mëkatarët dhe i ngritur përmbi qiej, i cili nuk ka nevojë çdo ditë, si ata kryepriftërinjtë, të ofrojë flijime më parë për mëkatet e veta e pastaj për ato të popullit, sepse këtë e bëri një herë e mirë, kur e kushtoi vetveten. Sepse ligji vë kryepriftërinj njerëz që kanë dobësi, por fjala e betimit, që vjen pas ligjit, vë Birin që është i përkryer në jetë të jetës" (Hebrenjve 7:23-28). "Sepse Krishti nuk hyri në një shenjtore të bërë me dorë, që është vetëm shëmbëllesë e asaj të vërtetë, por në vetë qiellin për të dalë tani përpara Perëndisë për ne" (Hebrenjve 9:24). "Duke i drejtuar sytë te Jezusi, kreu dhe plotësonjësi i besimit, i cili , për gëzimin që ishte përpara tij, duroi kryqin duke e përçmuar fyerjen dhe u ul në të djathtën e fronit të Perëndisë" (Hebrenjve 12:2).

3. Është thelbësore për kthimin dhe sundimin mijëvjeçar të Zotit tonë. "Dhe, si ata po i mbanin sytë e ngulitur në qiell, ndërsa ai po largohej, ja dy burra në rroba të bardha iu paraqitën atyre, dhe thanë: 'Burra Galileas, pse qëndroni e shikoni drejt qiellit? Ky Jezus, që u është marrë në qiell nga mesi juaj, do të kthehet në të njëjtën mënyrë, me të cilën e keni parë të shkojë në qiell'" (Veprat e Apostujve 1:10-11). "Sepse kam thënë: 'Mirësia jote do të vazhdojë përjetë, ti do të vendosësh besnikërinë tënde në vetë qiejtë. Unë kam lidhur një besëlidhje me të zgjedhurin tim, i jam betuar Davidit, shërbëtorit tim, duke thënë: Do t'i vendos pasardhësit e tu përjetë dhe do të ndërtoj fronin tënd për gjithë brezat'" (Psalmi 89:2-4). "Atë ditë do të ngre përsëri tabernakullin e Davidit që ka rënë, do të ndreq të çarat e tij dhe do të ngre rrënojat e tij, dhe do ta rindërtoj si në ditët e lashta" (Amosi 9:11). Shihni gjithashtu Isaia 9:6-7 dhe 55:3-4.

F. Provat e mishërimit.

Provat e mishërimit janë të përqëndruara në Vetë Krishtin!

1. Jeta e Tij pa mëkat. "Sepse ne nuk kemi një kryeprift që nuk mund t'i vijë keq për dobësitë tona, po një që u tundua në të gjitha ashtu si ne, por pa mëkatuar" (Hebrenjve 4:15). "Sepse ai bëri të jetë mëkat për ne ai që nuk njihte mëkat, që ne të bëhemi drejtësia e Perëndisë në të" (2 Korintasve 5:21). Vetëm Perëndia, në mish njerëzor, mund të jetonte një jetë pa mëkat.

2. Ringjallja e Tij. "Por tashti Krishti u ringjall prej së vdekurish, dhe është fryti parë i atyre që kanë fjetur" (1 Korintasve 15:20). A do të ishte ngritur dot nga të vdekurit, po të mos kishte qenë Biri i mishëruar i Perëndisë? Sigurisht që jo.


Ktheu tek faqja: Përmbajtja e Librit

pixelburg.gif (801 bytes)

© Copyright  Të Krishterët  Përgjigjen
Faqja Kryesore | Kush Jemi | Të RejatKontakt | Kërko

"Të jini gjithëherë të gatshëm t'u jipni përgjigje çdo njërit që kërkon nga ju shpjegime per shpresën që ju keni (1 Pjetrit 3:15)"