III. Dy Natyrat e Krishtit

Nuk mund të ketë krishterim pa Krishtin. Vërtetësia e besimit të çdo njeriu, ose kishe, mund të varet nga kjo pyetje: Çfarë mendoni ju për Krishtin? Nuk e dimë pse modernistët e sotëm përpiqen ta poshtërojnë Krishtin. Ka nga ata që përpiqen të vërtetojnë se Ai nuk ka ekzistuar kurrë. Në një universitet të madh, një profesor i veçantë u përpoq me stërmundim që të vërtetojë se Krishti ishte vetëm një sajim i mendjes. Pas shumë leksionesh, ai kishte përfunduar ligjëratën e tij kërcënuese dhe më pas kërkoi nëse kishte pyetje apo komente. Një student pyeti me përulësi: "Në qoftë se Krishti nuk ka ekzistuar kurrë, atëherë pse po e sulmoni Atë?"

Në qoftë se Ai nuk ka ekzistuar kurrë, atëherë pse armiqtë e tij nuk e lënë të qetë? Në qoftë se Ai nuk u ngrit nga të vdekurit, pse ata ngatërrohen me Të? Ai me të vërtetë ekziston. Ai është ringjallur. Ai jeton përgjithmonë!

"Kush është Ai?", ka qenë pyetja që ka mbizotëruar për dy mijë vjet. Ne kemi dëshmitë dhe rrëfimet e njerëzve që e kanë parë Atë.

Gjon Pagëzori: "Ja Qengji i Perëndisë, që heq mëkatin e botës" (Gjoni 1:29). "Unë pashë dhe jap dëshmi që ky është Biri i Perëndisë" (Gjoni 1:34).

Andrea: "Ne e kemi gjetur Mesian, që përkthyer do të thotë Krishti" (Gjoni 1:41).

Filipi: "E gjetëm atë, për të cilin shkroi Moisiu në ligj dhe profetët; Jezusi nga Nazareti, të birin e Jozefit" (Gjoni 1:45).

Pjetri: "Ti je Krishti, Biri i Perëndisë së gjallë" (Mateu 16:16).

Njerëzit ishin të ndarë kur bëhej pyetja se "Kush është Ai?". "Shumë veta nga turma, kur i dëgjuan këto fjalë, thoshin: 'Ky është me të vërtetë Profeti!'. Të tjerë thoshin: 'Ky është Krishti'. Kurse të tjerë thoshin: 'Vallë nga Galilea vjen Krishti? A nuk thotë Shkrimi se Krishti vjen nga pasardhja e Davidit dhe nga Betlehemi, fshati ku jetonte Davidi?'. Kështu pati përçarje në turmë për shkak të tij" (Gjoni 7:40-43). Shihni gjithashtu Gjoni 9:17-18, 10:9-20 dhe Luka 5:21.

Njerëzit kanë dyshuar në hyjninë e Krishtit, por demonët jo. Ata e shpallën Atë si Krijuesi i tyre dhe gjykatësi i ardhshëm. "Dhe ja, ata filluan të bërtasin duke thënë: 'Ç'është mes nesh dhe teje, Jezus, Biri i Perëndisë? Mos ke ardhur këtu të na tundosh para kohe?'" (Mateu 8:29).

Në gjyqin e Zotit Jezus, kjo pyetje zinte vend parësor. "Dhe Jezusi qëndroi para guvernatorit dhe qeveritari e pyeti duke thënë: 'A je ti mbreti i judenjve?'. Dhe Jezusi i tha: 'Ti po thua!'" (Mateu 27:11). Shihni edhe Mateu 26:63 dhe Luka 22:67-70. Ndërsa Ai ishte i varur mbi Kryq, pyetja akoma i brente mendjet e armiqve të tij. "Dhe ata që kalonin e fyenin, duke tundur kokën dhe duke thënë: 'Ti që e shkatërron tempullin dhe e rindërton për tre ditë, shpëto vetveten; në qoftë se je Biri i Perëndisë, zbrit nga kryqi'" (Mateu 27:40).

Përderisa kemi dëshmitë dhe rrëfimet e atyre që e panë Atë, ne që besojmë në Të dhe e duam, kemi Dëshminë (Frymën e Shenjtë) brenda nesh që Ai është Krishti, Biri i Perëndisë së gjallë. "Sepse ai banon me ju dhe do të jetë në ju" (Gjoni 14:17a). "Asnjë njeri nuk mund të thotë se Jezusi është Zot përveçse në Frymën e Shenjtë" (1 Korintasve 12:13b).

A. Natyra njerëzore e Krishtit.

Më përpara, është sulmuar natyra njerëzore e Krishtit dhe jo hyjnia e Tij. Pavarësisht se në ç'kohë jetojmë, Satani është i njëjti armik dhe është ai që frymëzon vazhdimisht sulmin kundër Zotit tonë.

1. Ai ishte njerëzor në mënyrë të përsosur. Kjo do të thotë se Zoti ynë, megjithëse ka qenë nga përjetësia në përjetësi, kur u bë mish, Ai zotëronte një trup njerëzor të përsosur, shpirt dhe frymë. Ne e dimë që njeriu ka trup, shpirt dhe frymë. "Dhe Perëndia i paqes ju shenjtëroftë ai vetë tërësisht; dhe gjithë fryma juaj, shpirt e trup, të ruhet pa të metë për ardhjen e Zotit tonë Jezus Krisht" (1 Thesalonikasve 5:23).

a. Trupi i Tij fizik njerëzor. Zoti Jezus, në natyrën e Tij njerëzore, zotëronte një trup. "Sepse duke e derdhur këtë vaj të parfumuar mbi trupin tim, ajo e bëri për ta pregatitur trupin tim për varrim" (Mateu 26:12). Shihni gjithashtu Hebrenjve 10:5; një shpirt: "Tani shpirti im është i tronditur dhe çfarë të them: O Atë, më shpëto nga kjo orë? Por për këtë kam ardhur në këtë orë" (Gjoni 12:27). Shihni gjithashtu Mateu 26:38; dhe një frymë: "Por Jezusi, i cili menjëherë e kuptoi në frymën e vet se ata po i mendonin këto gjëra në veten e tyre, u tha atyre: 'Pse i mendoni këto gjëra në zemrat tuaja?'" (Marku 2:8). Shihni për këtë edhe Luka 23:46 dhe 10:21.

b. Dukja e Tij njerëzore. Gruaja tek pusi e pa Jezusin si një qenie njerëzore: "Po, qysh ti që je një Jude kërkon të pish prej meje që jam një grua Samaritane?" (Gjoni 4:9). Pas ringjalljes, Krishti e mbajti dukjen e Tij njerëzore, sepse Maria, duke menduar që Jezusi ishte kopshtari, e pa Atë si një qenie njerëzore: "Ajo duke menduar se ishte kopshtari, i tha: 'Zot, po e pate hequr ti, më trego se ku e vure dhe unë do ta marr'" (Gjoni 20:15b).

c. Prindi i Tij njerëzor. Megjithëse Perëndia ishte Ati i Tij, Zoti Jezus kishte një nënë njerëzore, që vërteton kështu që Ai ishte me natyrë njerëzore. "Por, kur u mbush koha, Perëndia dërgoi Birin e tij, të lindur prej gruaje, të nënshtruar ligjit" (Galatasve 4:4). Pali ishte i veçuar për ungjillin "në lidhje me Birin e tij, Zotin tonë Jezus Krisht, i lindur nga fara e Davidit sipas mishit" (Romakëve 1:3). "Ditën e tretë ishte një dasëm në Kanë të Galilesë; dhe nëna e Jezusit ishte atje" (Gjoni 2:1). Shihni gjithashtu Mateu 2:11, 13:55 dhe Gjoni 1:14.

d. Zhvillimi i Tij njerëzor. Duke qenë krejtësisht njeri, Zoti u lind dhe u rrit si gjithë fëmijët e tjerë. "Ndërkaq fëmija rritej dhe forcohej në frymë, duke qenë plot dituri dhe hiri i Perëndisë ishte mbi të. Dhe Jezusi rritej në dituri, në shtat dhe në hir përpara Perëndisë dhe njerëzve" (Luka 2:40, 52).

e. Kufizimi i Tij njerëzor. Duke qenë Perëndi, Biri i Perëndisë u bë njeri, dhe, kur u bë, Ai e kufizoi Veten në nivelin e njeriut. Kështu, Ai kishte kufizime njerëzore, që ishin dobësi jomëkatare. Ndërsa flasim kështu, le të mos i ngatërrojmë dobësinë me mëkatin. Ai kishte dobësi njerëzore, por nuk njohu mëkat. Ai kishte uri: "Dhe mbasi agjeroi dyzet ditë e dyzet netë, më në fund e mori uria" (Mateu 4:2); Ai kishte etje: "Pas kësaj, Jezusi duke e ditur se të gjitha gjërat ishin kryer, që të përmbushej Shkrimi tha: 'Kam etje'" (Gjoni 19:28); Ai u lodh: "Por aty ishte pusi i Jakobit. Dhe Jezusi, i lodhur nga udhëtimi, u ul pranë pusit; ishte rreth orës së gjashtë" (Gjoni 4:6); Ai fjeti: ("Dhe ja që u ngrit në det një stuhi aq e madhe, sa valët po e mbulonin barkën, por ai flinte" (Mateu 8:24). Shihni gjithashtu Mateu 26:36-40, sepse këto vargje përshkruajnë plotësisht provën e Krishtit në kopësht, sa që vetëm një qenie njerëzore mund ta durojë.

f. Emri i Tij njerëzor. Emri i tij ishte një emër i zakonshëm për të gjithë në atë kohë: "Dhe ajo do të lindë një djalë, dhe ti do t'i vësh emrin JEZUS, sepse do të shpëtojë popullin e tij nga mëkatet e tyre" (Mateu 1:21). Shihni edhe Luka 2:21.

g. Vuajtja dhe vdekja e Tij njerëzore. Vuajtja dhe vdekja e Tij ishin të zakonshme për ato që provohen nga njeriu. Shkrimet qëndrojnë në faktin se Ai kishte një trup njerëzor dhe vuajti si një njeri (Mateu 26:26-35, Gjoni 19:20, Luka 22:44). Në qoftë se Jezusi nuk ishte një njeri, Ai nuk mund të kishte vdekur, sepse Perëndia në thelbin e Tij të vërtetë nuk mund të vdesë! Në të vërtetë, Ai vdiq. "Jo me gjakun e cjepve dhe të viçave, por me gjakun e vet, dhe fitoi një shpëtim të amshuar" (Hebrenjve 9:12). Ai u ringjall prej së vdekurish dhe Ai është akoma njeri!

2. Ai është njeriu i përsosur.

a. Ai i tejkalon të gjithë kufizimet e karakterit.

Gjithçka është e ndërthurur tek Ai. Shikoni të gjitha tiparet e njeriut dhe do të zbuloni që disa njerëz kanë tipare të veçanta, ndërsa disa të tjerë kanë të tjera tipare, por në Atë gjejmë plotësi, të gjitha tiparet e njeriut. Ne besojmë se karakteri i Jezusit është i pakopjueshëm. Do të duhej një Platon për të kopjuar Platonin, ashtu siç do të duhej një Jezus për të kopjuar Jezusin.

Mendoni për fuqinë e tij, duke e krahasuar me përuljen e Tij. Ai nxjerr këmbyesit e parave nga tempulli në një çast të caktuar dhe u lan këmbët dishepujve në një çast tjetër.

(1) Ai është krejtësisht i përsosur. Ai kurrë nuk vrapoi nga frika. Askush nuk e frikësoi. Ai kurrë nuk ngazëllohej me suksesin e Tij, ndërsa ne po. Djalli nuk mundi ta pengonte kurrë. Ai është Njeriu përmbi gjithë njerëzit. Nuk mund të vini askënd në të njëjtin nivel me Zotin Jezus. Udhëheqësit e botës, Çezari, Aleksandri i Madh, madje edhe njerëz të perëndishëm si Moody dhe Billy Sunday, kurrë nuk mund t'i afrohen Atij. Nuk mund t'i vini perënditë e njerëzve në të njëjtin nivel me Zotin Jezus. është vetëm një vend për Shpëtimtarin tonë dhe ai është froni!

(2) Ai është pa mëkat. Ai është një qenie njerëzore e përsosur, i vetmi që ka parë bota ndonjëherë. Shikoni 2 Korintasve 5:21 dhe lexoni përshkrimin për Të: "Sepse ai bëri të jetë mëkat për ne, ai që nuk njihte mëkat, që ne të bëhemi drejtësia e Perëndisë në të". Ky varg i Shkrimit nuk thotë që Krishti nuk mëkatoi kurrë, megjithëse Ai nuk mëkatoi, por që Ai nuk kishte natyrë mëkatare.

Në qoftë se një njeri do të jetonte gjatë gjithë jetës së tij pa mëkat, akoma nuk do të ishte i përsosur. Duke jetuar pa mëkat, ai vetëm se do të dilte fitimtar mbi natyrën mëkatare. Krishti nuk pati kurrë një natyrë mëkatare. "Dhe i shenjti që do të lindë prej teje do të quhet Bir i Perëndisë" (Luka 1:35). Ka qenë vetëm një Foshnjë e Shenjtë që duhej lindur në këtë botë dhe e quajtën Jezus! Asnjë i dehur nuk mund ta ndihmojë një të dehur tjetër. Një njeri nuk duhet të bëhet vjedhës për të ndihmuar një vjedhës tjetër. Zoti Jezus nuk mori mbi Vete një natyrë mëkatare, me qëllim që të na ndihmojë ne që kemi natyrë mëkatare.

Kur Zoti Jezus ishte në shkretëtirë për dyzet ditë, Ai e kuptoi se çfarë ishte uria. Ai e di se si shkon puna me ne kur na merr uria. Askush nuk vdiq në dru dhe as nuk ka kaluar periudha provash të tilla, ashtu si kaloi Ai mbi kryq. Ai e di se çfarë do të thotë të vuash. Ne kemi diçka brenda vetes që do që të mëkatojmë, por Ai kurrë nuk deshi të mëkatonte. Ja çfarë vuajti Ai: përpjekjen e djallit për ta nxitur Atë drejt dëshirave të mëkatit.

Mund të ngrihet pyetja: "A mund të mëkatonte Zoti Jezus në qoftë se do të donte?" Pyetja hidhet poshtë me thënien: "Duke qenë Biri i Perëndisë, Ai nuk do të mund të dëshironte". Dikush mund të shtojë: "Në qoftë se Ai nuk mund të mëkatonte, atëherë pse ishte tundimi?" Në qoftë se Ai nuk mund të mëkatonte, atëherë tundimi ishte një tallje! Kjo është përgjigjja e saktë! Sepse Ai nuk u tundua për të parë nëse do të mëkatonte, por u tundua për të treguar se Ai nuk do të mëkatonte.

Edhe diçka për t'u trajtuar: në qoftë se Zoti Jezus mund të ketë mëkatuar në tokë, atëherë është akoma e mundur për Atë të mëkatojë edhe në Parajsë, ndërkohë që Ai ndërmjetëson për ne. Ai nuk mund të ketë mëkatuar në tokë dhe nuk mund të mëkatojë në parajsë. Ai është Kryeprifti ynë i përsosur.

b. Ai i tejkalon të gjitha kufizimet e kohës. Ai është për të gjitha kohërat. Mësimet e tij nuk janë të vjetruara. Ato janë bashkëkohore! Librat e kolegjeve dhe universiteteve tona nuk janë më shumë se dhjetëvjeçare, ato ndryshojnë vazhimisht. Fjala e Tij qëndron e sigurtë. Ai vetë tha: "Qielli dhe toka do të kalojnë por fjalët e mia nuk do të humbasin". S'ka asnjë dëshmi që Ai ka shkruar një libër për jetën e Tij, por akoma fjalët e Tij janë të vërteta, sepse nuk kanë humbur!

c. Ai i tejkalon të gjitha kufizimet e të gjitha kombësive. Judenjtë ishin populli më i veçantë dhe Zoti Jezus erdhi nga raca më e veçantë njerëzore, por Ai i përket çdo farefisi dhe kombi! Ai u përket të gjithëve. Kinezi mendon për Të si të ishte kinez, kurse anglezi mendon për Të si të ishte anglez. Kur ne shpëtohemi, e shpallim Atë si tonin, pavarsisht se çfarë race i përkasim.

Krishti ishte gënjeshtar, budalla ose Zot! Asnjë modernist nuk thotë ndonjëherë se Ai ishte një gënjeshtar, Ai vetëm mendoi që ishte Zot. Atëherë Ai duhet të ketë qenë budalla. Sigurisht që nuk ishte gënjeshtar, as budalla. Ai ishte Biri i Perëndisë, Perëndia njeri!

B. Natyra hyjnore e Krishtit.

1. Profeci hyjnore. "Zoti i tha Zotërisë time: 'Ulu në të djathtën time derisa t'i bëj armiqtë e tu stol të këmbëve të tua'" (Psalmi 110:1). "Por ti, o Betlehem Epafrah, megjithëse je i vogël midis mijërave të Judës, nga ti do të dalë për mua ai që do të jetë sundues në Izrael, origjinat e të cilit janë nga kohërat më të lashta, nga ditët e përjetsisë" (Mikea 5:2). Shihni gjithashtu Isaia 7:14, 9:8, Jeremia 23:6 dhe Zanafilla 3:15.

2. Emra hyjnorë.

a. Ai është quajtur Perëndi. "Atëherë Thomai u përgjigj dhe i tha: 'Zoti im dhe Perëndia im!'" (Gjoni 20:28). "Krishti, i cili është përmbi çdo gjë Perëndi, i bekuar përjetë. Amen" (Romakëve 9:5). "Por ne e dimë se Biri i Perëndisë erdhi dhe na dha të kuptuarit, që ne të njohim atë që është i Vërteti; dhe ne jemi në të Vërtetin, Birin e Tij Jezus Krisht; ky është i Vërteti Perëndi dhe jeta e përjetshme" (1 Gjoni 5:20). Shihni edhe Mateu 1:23, Gjoni 1:1. Krahaso Psalmi 45:6-7 me Hebrenjve 1:8.

b. Ai është quajtur Biri i Perëndisë. Kjo tregon njëjtësi me Perëndinë. "Prej shumë vetëve dilnin shumë demonë që bërtitnin dhe thoshin: 'Ti je Krishti, Biri i Perëndisë'. Por Ai i qortonte dhe nuk i lejonte të flisnin, sepse ata e dinin se ai ishte Krishti" (Luka 4:41). "Në të vërtetë, në të vërtetë po ju them: Po vjen ora, madje ka ardhur, kur të vdekurit do të dëgjojnë zërin e Birit të Perëndisë, dhe ata që e kanë dëgjuar do të jetojnë" (Gjoni 5:25). "Sepse atë që ishte e pamundur për ligjin, sepse ishte pa forcë për shkak të mishit, Perëndia, duke dërguar Birin e vet në shëmbëllim mishi mëkatar, edhe për mëkat, e dënoi mëkatin në mish" (Romakëve 8:3). Shikoni këto vargje: Marku 1:1, Mateu 27:40-43, Gjoni 19:7, 10:36, 11:4.

c. Ai është quajtur Zot. "Biri i njeriut është Zot edhe i së shtunës" (Mateu 12:8). "Ju më thërrisni Mësues dhe Zot dhe mirë bëni, sepse jam" (Gjoni 13:13). "Dhe ata i thanë: 'Beso në Zotin Jezus Krisht dhe do të shpëtohesh ti, dhe shtëpia jote'" (Veprat 16:31). "Dhe mbi rrobën e vet dhe mbi kofshën ishte shkruar një emër: MBRETI I MBRETëRVE dhe ZOTI I ZOTëRVE" (Zbulesa 19:16).

d. Ai është quajtur me emra të tjerë hyjnorë. "Dhe kur e pashë, rashë para këmbëve të tij si vdekur. Dhe ai vuri dorën e tij të djathtë mbi mua, duke më thënë: 'Mos u tremb! Unë jam i pari dhe i fundit'" (Zbulesa 1:17). Shihni gjithashtu Zbulesa 22:13.

3. Barazia hyjnore. "Tani, pra, më përlëvdo, o Atë, pranë teje, me lavdinë që unë e kisha pranë teje para se të bëhej bota" (Gjoni 17:5). "Ai që më sheh mua, ka parë atë që më ka dërguar" (Gjoni 12;45). "Edhe pse ishte në trajtë Perëndie, nuk e çmoi si një gjë ku të mbahej fort për të qenë barabar me Perëndinë" (Filipianëve 2:6). "Sepse tek ai banon trupërisht e gjithë plotësia e Hyjnisë" (Kolosianëve 2:9).

4. Marrëdhënie hyjnore. Emri i Tij është i çiftëzuar me emrin e të Atit. "Unë dhe Ati im jemi një" (Gjoni 10:30). "Hiri i Zotit Jezus Krisht, dhe dashuria e Perëndisë, dhe bashkësia e Frymës së Shenjtë, qoftë me ju të gjithë. Amen" (2 Korintasve 13:14). "Dhe vetë Zoti ynë Jezus Krisht dhe Perëndia Ati ynë, që na deshi dhe na dha me anë të hirit një ngushëllim të përjetshëm dhe një shpresë të mirë, ngushëlloftë zemrat tuaja dhe ju forcoftë në çdo fjalë e punë të mirë" (2 Thesalonikasve 2:16-17).

5. Adhurimi hyjnor. Adhurimi i përket vetëm Perëndisë. Krishti mori adhurim të vërtetë, prandaj Krishti është Perëndi! "Dhe erdhën dijetarë … duke thënë: 'Ku është mbreti i judenjve, që ka lindur? Sepse pamë yllin e tij në lindje dhe erdhëm për të adhuruar'. Dhe mbasi hynë në shtëpi, e panë fëmijën me Marien, nënën e tij, dhe ranë përmbys dhe e adhuruan. Pastaj hapën thesaret e tyre dhe dhuruan ar, temjan e mirrë" (Mateu 2:2, 11).

Dijetarët nuk kishin ardhur për të adhuruar Marien, por Krishtin Jezus. Në vitet e mëvonshme Ai pranoi adhurim. "Atëherë ata që ishin në barkë erdhën dhe e adhuruan duke thënë: 'Me të vërtetë ti je Biri i Perëndisë'" (Mateu 14:33). Shihni gjithashtu Mateu 9:18 dhe Luka 24:52. Në qoftë se Krishti nuk do kishte qenë Perëndi, atëherë ky adhurim do të kishte qenë idhujtari. Urdhërimi i Perëndisë është që Biri të adhurohet. "Dhe akoma kur ta shtjerë të Parëlindurin në botë, thotë: 'Le ta adhurojnë të gjithë engjëjt e Perëndisë'" (Hebrenjve 1:6). "Që të gjithë ta nderojnë Birin ashtu si nderojnë Atin; kush nuk nderon Birin, nuk nderon as Atin që e ka dërguar" (Gjoni 5:23). E vërteta për të gjitha kohërat është që të krishterët e kanë adhuruar Krishtin si Perëndi. Njerëzit të rilindur nuk do të kishin qenë të kënaqur me adhurimin e një njeriu të thjeshtë.

6. Tipare hyjnore.

a. Plotfuqishmëria. "Prandaj Jezusi u afrua dhe u foli atyre duke thënë: 'Mua më është dhënë çdo pushtet në qiell e në tokë'" (Mateu 28:18). Ai ka pushtet mbi vdekjen: "Jezusi i tha: 'Unë jam ringjallja dhe jeta; ai që beson në mua, edhe sikur të duhej të vdesë do të jetojë. Dhe ai që jeton në mua, nuk do të vdesë kurrë përjetë. A e beson këtë?'" (Gjoni 11:25-26). Ai ka pushtet mbi natyrën: "Sepse me të u krijuan të gjitha gjërat, ato që janë në qiejtë dhe ato mbi dhe, gjërat që duken dhe ato që nuk duken; frone, zotërime, principata dhe pushtete; të gjitha gjërat janë krijuar me anë të tij dhe në lidhje me të. Ai është përpara çdo gjëje dhe të gjitha gjërat qëndrojnë në të" (Kolosianëve 1:16-17). Ai ka pushtet mbi demonët: "Atëherë të gjithë i pushtoi habia dhe i thoshin njëri-tjetrit: 'Ç'fjalë është kjo, vallë? Ai i urdhëron me autoritet dhe pushtet frymërat e ndyra dhe ata dalin!'" (Luka 4:36).

b. Gjithëdijshmëria. "Tani e njohim se ti din gjithçka edhe s'ke nevojë që ndokush të të pyesë, prandaj ne besojmë se ke dalë nga Perëndia" (Gjoni 16:30). "Dhe ai [Pjetri] u përgjigj: 'Zot, ti di çdo gjë, ti e di se unë të dua'. Jezusi i tha: 'Kulloti delet e mia'" (Gjoni 21:17b). Shihni gjithashtu Mateu 9:4, Marku 2:8, Luka 6:8, 9:47, Gjoni 1:48-49 dhe Gjoni 4:16-19.

Kjo pyetje e mësuesve të Jeruzalemit vërteton gjithëdijshmërinë e Zotit Jezus: "Si i ditka ky shkronjat pa pasur studiuar?" (Gjoni 7:15). Kjo na bën të kuptojmë se Jezus Krishti nuk mori kurrë mësim nga njeriu. Ai nuk kishte nevojë për shkollë. Dishepujt e tij u ulën tek këmbët e Tij, tek këmbët e kujt u ul Ai? Tek këmbët e askujt! Pali ishte një student i Gamalielit, po Jezusin kush e mësoi? Askush! Krishti tha, "Mësoni nga unë". A tha Ai ndonjëherë: "Më mësoni"? Kurrë! Nganjëherë marim këshillë për të shkuar tek një autoritet më i lartë, por tek cili autoritet shkoi Ai? Tek askush, sepse Ai kishte gjithë autoritetin. A tha Jezusi ndonjëherë, "Nuk më kujtohet, duhet ta shikoj pak?" Kurrë! Ai nuk u kap kurrë në gabim. Tek Marku 12:13 kemi këto fjalë: "Pastaj i dërguan disa farisenj dhe herodianë për ta zënë në gabim në fjalë". Ata u përpoqën t'i bënin kurth në fjalë me fjalët e tij, por Ai ishte gjithë mençuri dhe i vuri të gjithë kundërshtarët e tij në ngatërrim.

(1) Si i mësoi Ai të tjerët.

(a) Me thjeshtësi. Ilustrimet e Tij ishin të çastit. Ai i tërhiqte nga vetë jeta. Ai nuk kishte nevojë për një kompjuter.

(b) Me autoritet. Ju nuk e keni dëgjuar kurrë Zotin Jezus duke thënë: "Ne gjithashtu mund të supozojmë". Shihni Mateu 7:29 dhe Marku 1:22.

(2) Çfarë na mësoi Ai.

(a) Doktrinë. Mësimi i tij nuk vlerësohet sot. Modernistët e zëvendësojnë doktrinën me etikën, domethënë me parimet morale. Ata besojnë në shpëtimin me anë të të jetuarit me parime të ndershme.

(b) Ndershmëri. Krishti, në të vërtetë, i mësoi njerëzit të jenë të ndershëm, por doktrina ishte mbi gjithçka. Ndershmëria duhet të ketë doktrinën si themel.

c. Gjithurtësi. "[Tek Krishti] janë fshehur të gjitha thesaret e diturisë dhe të njohjes" (Kolosianëve 2:3).

d. Kudopranishmëri. "Dhe ja, unë jam me ju gjithë ditët deri në mbarim të botës" (Mateu 28:20). "Askush nuk u ngjit në qiell përveç atij që zbriti nga qielli, pra, Birit të njeriut që është në qiell" (Gjoni 3:13).

e. Pandryshueshmëri. "Ata do të prishen, por ti mbetesh; edhe të gjithë do të vjetrohen si rrobë, dhe ti do t'i mbështjellësh si një mantel edhe do të ndërrohen, por ti je po ai dhe vitet e tua nuk do të shterren kurrë" (Hebrenjve 1:11,12). "Kurse ai, mbasi qëndron për jetë të jetës, ka priftëri të patjetërsueshme" (Hebrenjve 7:24). "Krishti është i njëjtë dje, sot dhe përjetë" (Hebrenjve 13:8). Jezusi mund të ndryshojë pozicionin e Tij, por Personi i tij nuk ndryshon.

f. Përjetësi. "Në fillim ishte Fjala, dhe Fjala ishte me Perëndinë dhe Fjala ishte Perëndi. Ai (fjala) ishte në fillim me Perëndinë" (Gjoni 1:1-2). "Por ti, o Betlehem Epafrah, megjithëse je i vogël midis mijërave të Judës, nga ti do të dalë për mua ai që do të jetë sundues në Izrael, origjinat e të cilit janë nga kohërat më të lashta, nga ditët e përjetësisë" (Mikea 5:2). "Jezusi u tha atyre: 'Në të vërtetë, në të vërtetë unë po ju them; para se të kishte lindur Abrahami, Unë jam'" (Gjoni 8:58). "Mos u frikëso; Unë jam i pari dhe i fundit" (Zbulesa 1:17c).

g. Shenjtëri. "Ai nuk bëri asnjë mëkat dhe nuk u gjet asnjë mashtrim në gojën e tij" (1 Pjetri 2:22). "Dhe ju e dini se ai u shfaq për të hequr mëkatet tona, dhe në të nuk ka mëkat" (1 Gjoni 3:5). Shihni gjithashtu Hebrenjve 7:26.

h. Dashuri. Pali lutet për efesianët: "të njihni dashurinë e Krishtit që tejkalon çdo njohuri, që të mbusheni me tërë plotësinë e Perëndisë" (Efesianëve 3:19). Kjo dashuri:

                    (1) Është vetvetishme.

                    (2) Është e përjetshme.

                    (3) Është e pakufizuar.

                    (4) Është e pashtershme.

                    (5) Është e pamposhtshme. Shihni Efesianëve 5:25; Zbulesa 1:5.

i. Drejtësi. "Por ju e mohuat të Shenjtin, të Drejtin, dhe kërkuat që t'ju jepej një vrasës" (Veprat e Apostujve 3:14).

7. Pushtete hyjnore.

a. Krijimi. I gjithë krijimi vjen nga veprimi i Perëndisë. Krishti krijoi, prandaj Ai është Perëndi. "Edhe ti, o Perëndi, në krye themelove tokën dhe qiejt janë vepër e duarve të tua" (Hebrenjve 1:10). Shihni gjithashtu Gjoni 1:3, Kolosianëve 1:16, Efesianëve 3:9, Gjoni 1:10.

b. Ruajtja. "Ai duke qenë shkëlqimi i lavdisë së tij dhe vula e qenies së tij dhe duke mbajtur të gjitha me fjalën e fuqisë së tij, mbasi e bëri vetë pastrimin nga mëkatet tona, u ul në të djathtën e Madhërisë në vendet e larta" (Hebrenjve 1:3). "Ai është përpara çdo gjëje dhe të gjitha gjërat qëndrojnë në të" (Kolosianëve 1:17).

c. Ndjesa. "Prandaj i tha asaj: 'Mëkatet e tua të janë falur'" (Luka 7:48). Shihni gjithashtu Marku 2:5-10.

d. Ringjallja. "Ky është vullneti i Atit tim që më ka dërguar; që unë të mos humbas asnjë nga të gjithë ata që ai më ka dhënë, por t'i ringjall në ditën e fundit. Ky është vullneti i Atit tim; që kushdo që sheh Birin dhe beson në të, të ketë jetë të përjetshme, dhe unë do ta ringjall atë në ditën e fundit" (Gjoni 6:39, 40).

e. Transformimi. "Shumë të dashur, tani jemi bij të Perëndisë, por ende nuk është shfaqur ç'do të jemi; por e dimë se, kur të shfaqet ai, do të jemi të ngjashëm me të, sepse do ta shohim se si është ai" (1 Gjoni 3:2). Shihni gjithashtu Filipianëve 3:21.

f. Gjykimi. "Sepse Ati nuk gjykon asnjë, por të gjithë gjyqin ia dha Birit" (Gjoni 5:22). Shihni edhe Veprat e Apostujve 17:31, Mateu 16:27, Mateu 25:31, Romakëve 2:16, 14:10, 2 Korintasve 5:10 dhe Zbulesa 22:12.

g. Shpëtimi. "Unë ju jap atyre jetën e përjetshme dhe nuk do të humbasin kurrë, e askush nuk do t'i rrëmbejë nga dora ime" (Gjoni 10:28). Shihni edhe te Gjoni 5:25, 6:47, 10:10 dhe 17:2.

C. Shkrirja e të dy natyrave në një person.

Njeriu nuk mund ta kuptojë. Kjo është një provë që Bibla është Fjala e Perëndisë, sepse, në qoftë se njeriu është autori i saj, ai do t'i kishte lënë jashtë dy natyrat e Krishtit. Këto janë fakte të përjetshme dhe Perëndia nuk kërkon t'i shpjegojë, por bën një deklarim të thjeshtë: Krishti kishte natyrë njerëzore dhe natyrë hyjnore. Të dyja janë të plota. Nuk është biblike të thuash që Krishti është Perëndi dhe njeri, por është më mirë të thuash që Ai është Perëndia-Njeri. Një tip i natyrës së Tij dyshe mund të gjendet në dërrasat e tabernakullit. Dërrasat ishin prej druri dhe ari. Pra, kishte një dërrasë me dy lëndë dhe jo dy dërrasa. Druri nuk u bë ndonjëherë ar dhe as ari nuk u bë dru. Krishti kishte vetëm një personalitet dhe jo dy. Dy natyra në një personalitet. Ne përpiqemi ta bëjmë Gjonin që të thotë "Fjala u bë një njeri" por, ai thotë "Fjala u bë mish" (Gjoni 1:14). Në qoftë se e bëjmë Krishtin me dy personalitete, atëherë e bëjmë Hyjninë me katër dhe jo trini.

D. Gabime në lidhje me dy natyrat e Krishtit.

1. Ebionitizmi. Ky drejtim ishte mbizotërues gjatë shekullit të parë të kishës së krishterë, që mohonte hyjninë e Krishtit. Thuhej që Krishti kishte një marrëdhënie me Perëndinë vetëm pas pagëzimit të Tij.

2. Korintianizmi. Kjo rrymë ishte shumë e përhapur gjatë ditëve të apostullit Gjon. Sipas kësaj rryme, Krishti nuk kishte hyjni fare derisa u pagëzua.

3. Docetizmi. Drejtimi në fjalë zuri rrënjë në kishë gjatë pjesës së dytë të shekullit të dytë. Thuhej se Krishti nuk kishte patur një trup njerëzor. Ai pati një trup, një trup qiellor. Kështu, docetizmi mohonte natyrën njerëzore të Krishtit. Një gabim i tillë është "fryma e anti-Krishtit" (1 Gjoni 4:1-3).

4. Arianizmi. Kjo rrymë mohonte natyrën hyjnore të Krishtit. Arianizmi theksonte se ka qenë një kohë kur Biri nuk ka ekzistuar fare, një kohë kur Perëndia jetoi dhe më pas Ai pati Birin e Tij pas Vetes. Kështu mohonte ekzistencën e përjetshme të Krishtit.

5. Apolinarianizmi. Kjo rrymë theksonte se Krishti kishte një trup të paplotë njerëzor. Apolinarianët arsyetonin se mëkati ishte mbjellë në shpirtin e të gjithë njerëzve. Perëndia nuk kishte mëkat, prandaj Krishti nuk kishte shpirt dhe, si pasojë, Ai kishte një trup të paplotë njerëzor.

6. Nestorianizmi. Nestorianët morën dy natyrat e Krishtit dhe bënë dy persona prej tyre. Me fjalë të tjera, kjo do të thotë që Perëndia erdhi dhe banoi në një njeri të përsosur, prandaj Perëndia ishte në Krishtin, në vend që Krishti të ishte Perëndi.

7. Euticianizmi. Euticianët morën dy natyrat e Krishtit dhe i bashkuan duke bërë një natyrë të re.

8. Monothelitizmi. Ky besim këmbëngulte në besimin që Krishti kishte dy natyra, por vetëm një vullnet.

9. Unitarianizmi. Unitarianët e mohojnë Trininë. Kështu, ata mohojnë edhe hyjninë e Krishtit së bashku me të.

10. Shkenca e Krishterë. Ky besim është një mohim i natyrës njerëzore të Krishtit.

11. Agimi Mijëvjeçar. Ky besim mohon qenien vetjake të Zotit tonë Jezus Krisht.


Ktheu tek faqja: Përmbajtja e Librit

pixelburg.gif (801 bytes)

© Copyright  Të Krishterët  Përgjigjen
Faqja Kryesore | Kush Jemi | Të RejatKontakt | Kërko

"Të jini gjithëherë të gatshëm t'u jipni përgjigje çdo njërit që kërkon nga ju shpjegime per shpresën që ju keni (1 Pjetrit 3:15)"