VI. Ngjitja dhe kurorëzimi i Krishtit

Ngjitja e Krishtit në qiell është një fakt historik. Në qoftë se ringjallja e Tij mohohet, atëherë doemos mohohet edhe ngjitja e Tij. është e vështirë për disa njerëz që të pranojnë mendimin që një trup i gjallë dhe i lavdëruar është në lavdi, por megjithatë Ai është atje lart.

A. Kuptimi i ngjitjes dhe i kurorëzimit.

1. Ngjitja në qiell. Ngjitja është ajo ngjarje, pas ringjalljes së Tij, kur Ai u largua në mënyrë të dukshme nga toka për në qiell. "Mbasi i tha këto gjëra, ndërsa po e vështronin, u ngjit lart dhe një re e përfshiu dhe ua hoqi prej syve të tyre. Dhe si ata po i mbanin sytë e ngulitur në qiell, ndërsa ai po largohej, ja dy burra në rroba të bardha iu paraqitën atyre dhe thanë: ‘Burra Galileas, pse qëndroni e shikoni drejt qiellit? Ky Jezus, që u është marrë në qiell nga mesi juaj, do të kthehet në të njëjtën mënyrë, me të cilën e keni parë të shkojë në qiell'" (Veprat 1:9-11).

2. Kurorëzimi (lartësimi). Kurorëzimi është ai veprim i Perëndisë me anë të cilit i dha pushtet dhe lavdi të plotë Zotit të ringjallur dhe të ngjitur në qiell, duke e lejuar Atë të ulet në krahun e djathtë të fronit të Perëndisë. "Këtë Jezus Perëndia e ka ringjallur dhe për këtë ne të gjithë jemi dëshmitarë! Ai, pra duke qenë i ngritur në të djathtë të Perëndisë dhe duke marrë nga Ati premtimin e Frymës së Shenjtë, ka përhapur atë që ju tani shihni dhe dëgjoni" (Veprat 2:32-33). "Kujt fiton do t'i jap të ulet me mua mbi fronin tim, sikurse edhe unë fitova dhe u ula me Atin tim mbi fronin e tij" (Zbulesa 3:21). Krishti nuk është i ulur mbi fronin e tij tani, por mbi fronin e Atit të Tij.

B. Mesazhi i ngjitjes dhe i kurorëzimit

1. Në profeci.

a. Dëshmia e një psalmisti. "Sepse ti nuk do ta lësh shpirtin tim në Sheol dhe nuk do të lejosh që i Shenjti yt të shohë kalbjen. Ti do të më tregosh shtegun e jetës; ka shumë gëzim në praninë tënde; në të djathtën tënde ka kënaqësi në përjetësi" (Psalmi 16:10-11). Shihni gjithashtu Psalmi 68:18 dhe 110:4-5.

b. Dëshmia e Shpëtimtarit. "Ç'do të ishte po ta shihnit, pra Birin e njeriut duke u ngjitur atje ku ishte më parë?" (Gjoni 6:62). Shihni gjithashtu Gjoni 16:28.

c. Dëshmia e Lukës. "Ndodhi që kur po plotësohej koha që Jezusi duhej të ngrihej në qiell, ai vendosi prerazi të shkojë në Jeruzalem" (Luka 9:51).

2. Në histori.

a. Dëshmia e Markut. "Zoti Jezus, pra mbasi u foli, u ngrit në qiell dhe u ul në të djathtë të Perëndisë" (Marku 16:19).

b. Dëshmia e Lukës. "Dhe ndodhi që, ndërsa ai po i bekonte, u nda prej tyre dhe e morën lart në qiell" (Luka 24:51). Shihni gjithashtu Veprat 1:9-11.

c. Dëshmia e Stefanit. "Por ai, mbushur me Frymën e Shenjtë, i nguli sytë nga qielli, pa lavdinë e Perëndisë dhe Jezusin që rrinte në këmbë në të djathtën e Perëndisë, dhe tha: 'Ja unë po shoh qiejt e hapur dhe Birin e njeriut që rri në këmbë në të djathtën e Perëndisë'" (Veprat 7:55-56).

d. Dëshmia e Pjetrit. "I cili shkoi në qiell dhe është në të djathtë të Perëndisë ku i janë nënshtruar engjëj, pushtete dhe fuqi" (1 Pjetri 3:22). Shihni edhe Veprat 3:15-21 dhe 5:30-31.

e. Dëshmia e Palit. "Kush është ai që do t'i dënojë? Krishti është ai që vdiq, po për më tepër ai u ringjall; ai është në të djathtë të Perëndisë dhe ai ndërmjetëson për ne" (Romakëve 8:34). Shihni edhe Efesianëve 1:20-21, 4:8-10, Kolosianëve 3:1 dhe 1 Timoteu 3:16.

f. Dëshmia e Gjonit. Krejt kapitulli i parë i librit të Zbulesës jep dëshminë e Gjonit për Krishtin e ngjitur në qiell dhe të kurorëzuar.

C. Natyra e ngjitjes dhe e kurorëzimit.

1. Ai u ngjit trupërisht dhe në mënyrë të dukshme. Luka shkroi: "mbi të gjitha gjërat që Jezusi nisi të bëjë dhe të mësojë, deri në ditën në të cilën u muar në qiell, pasi u kishte dhënë urdhërime nëpërmjet Frymës së Shenjtë apostujve që ai i kishte zgjedhur" (Veprat 1:1-2). Shikoni Veprat 1:9-11.

2. Ai ka përshkuar qiejt. "Duke pasur, pra, një kryeprift të madh që ka përshkuar qiejt, Jezusin, Birin e Perëndisë, le të mbajmë fort rrëfimin tonë të besimit" (Hebrenjve 4:14).

3. Ai ishte ngritur përmbi qiejt. Kjo do të thotë që Ai u bë më i lartë se të gjitha gjërat e krijuara në qiej. "Sepse edhe një kryeprift i tillë na duhej, i shenjtë, i pafaj, i papërlyer, i ndarë nga mëkatarët dhe i ngritur përmbi qiej" (Hebrenjve 7:26).

4. Ai u ul në të djathtën e Perëndisë. "Dhe pika kryesore e atyre gjërave që po themi është kjo: ne kemi një kryeprift të tillë, i cili qëndron në të djathtën e fronit të Madhërisë në qiejt" (Hebrenjve 8:1). Shihni për këtë Efesianëve 1:20 dhe Kolosianëve 3:1.

D. Domosdoshmëria e ngjitjes dhe e kurorëzimit.

1. Për shpalosjen e arritjes së Tij të plotë. "Perëndia e lartësoi me të djathtën e vet dhe e bëri Princ dhe Shpëtimtar për t'i dhënë Izraelit pendimin dhe faljen e mëkateve" (Veprat 5:31). "Ai tha: ‘Ja, unë vij për të bërë, o Perëndi, vullnetin tënd' … Prej këtij vullneti, ne jemi shenjtëruar me anë të kushtimit të trupit të Jezus Krishtit, që u bë një herë për të gjithë" (Hebrenjve 10:9-10). Në tabernakull këtu mbi tokë nuk kishte karrige dhe ky fakt nënkuptonte që vepra paraqitëse nuk u mbarua kurrë. Ai hyri në qiell dhe u ul në fron dhe, kështu, deklaroi se puna e shpengimit tonë ishte tashmë një veprim i kryer.

2. Për lehtësimin e adhurimit njerëzor. "Por vjen ora, madje ajo ka ardhur, që adhuruesit e vërtetë ta adhurojnë Atin në frymë dhe në të vërtetën, sepse të tillë janë adhuruesit që kërkon Ati. Perëndia është Frymë dhe ata që e adhurojnë duhet ta adhurojnë në frymë dhe në të vërtetën" (Gjoni 4:23-24).

3. Për dhuratën e Frymës së Shenjtë. "Megjithatë unë ju them të vërtetën: është mirë për ju që unë të shkoj, sepse, po nuk shkova nuk do të vijë tek ju Ngushëlluesi; por, po shkova, unë do t'jua dërgoj" (Gjoni 16:7).

4. Për caktimin e kryesimit të Tij mbi kishën. "[Perëndia] vuri çdo gjë nën këmbët e tij, edhe ia dha për krye përmbi çdo gjë kishës, e cila është trupi i tij, plotësia e atij që mbush çdo gjë në të gjithë" (Efesianëve 1:22-23).

E. Qëllimi i ngjitjes dhe i kurorëzimit.

1. Ai hyri në qiejt si pararendës. "Ku ka hyrë Krishti, si pararendës për ne, pasi u bë kryeprift në amshim sipas rendit të Melkizidekut" (Hebrenjve 6:20). Një fjalë tjetër për "pararendës" është "kapiten", "princ udhëheqës", "një që ka të tjerë që e ndjekin". Zoti Jezus na prin dhe, në qoftë se vjen vdekja ndërsa Ai vonon, ne do të shkojmë të jemi me Të.

2. Ai hyri në qiejt si një që jep dhunti. "Ai thotë: ‘Kur ai u ngjit lart, ai e burgosi burgosjen dhe u dha dhurata njerëzve' … Dhe ai vetë i dha disa si apostuj, të tjerë si profetë, të tjerë si ungjilltarë dhe të tjerë si barinj e mësues" (Efesianëve 4:8-11).

3. Ai hyri në qiejt si një që përgatit vendin. "Unë po shkoj t'ju pregatis një vend. Dhe kur të shkoj e t'ju pregatis vendin, do të kthehem dhe do t'ju marr pranë meje, që aty ku jam unë, të jeni edhe ju" (Gjoni 14:2-3).

F. Rezultatet e ngjitjes dhe të kurorëzimit.

1. Na siguron një ndërmjetës me Perëndinë. "Sepse Krishti nuk hyri në një shenjtërore të bërë me dorë, që është vetëm shëmbëllesë e asaj të vërtetë, por në vetë qiellin për të dalë tani përpara Perëndisë për ne" (Hebrenjve 9:24). Shihni gjithashtu Hebrenjve 7:25.

2. Na siguron hyrje tek Perëndia. "Duke pasur, pra, një kryeprift të madh që ka përshkuar qiejt, Jezusin, Birin e Perëndisë, le të mbajmë fort rrëfimin tonë të besimit. Sepse ne nuk kemi kryeprift që nuk mund t'i vijë keq për dobësitë tona, po një që u tundua në të gjitha ashtu si ne, por pa mëkatuar. Le t'i afrohemi, pra, me guxim fronit të hirit, që të marrim mëshirë e të gjejmë hir, për të pasur ndihmë në kohë nevoje" (Hebrenjve 4:14-16).

3. Na jep aftësim për shërbesë. "Në të vërtetë, në të vërtetë po ju them: kush beson në mua do të bëjë edhe ai verpat që bëj unë; madje do të bëje edhe më të mëdha se këto, sespe unë po shkoj tek Ati" (Gjoni 14:12). "Vepra edhe më të mëdha" nuk do të thotë shërime ose të folurit në gjuhë të panjohura, por shpërndarja e ungjillit të shpëtimit. Për shembull, Pjetri foli dhe mijëra besuan. Ai foli përsëri dhe pesë mijë të tjerë besuan.

4. Na jep besim në përkujdesjen e Perëndisë. "Dhe ne e dimë se të gjitha gjërat bashkëveprojnë për të mirë për ata që e duan Perëndinë, për ata që janë të thirrur sipas qëllimit të tij" (Romakëve 8:28).

5. Na jep vendin tonë qiellor. "[Perëndia] na ringjalli me të, dhe me të na vuri të rrimë në vendet qiellore në Krishtin Jezus" (Efesianëve 2:6).


Ktheu tek faqja: Përmbajtja e Librit

pixelburg.gif (801 bytes)

© Copyright  Të Krishterët  Përgjigjen
Faqja Kryesore | Kush Jemi | Të RejatKontakt | Kërko

"Të jini gjithëherë të gatshëm t'u jipni përgjigje çdo njërit që kërkon nga ju shpjegime per shpresën që ju keni (1 Pjetrit 3:15)"