Pneumatologjia

Fjala "pneumatologji" vjen nga fjala greke "pneuma", që do të thotë frymë, erë ose frymëmarrje. Si rrjedhim, pneumatologjia është doktrina e Frymës, ose e Frymës së Perëndisë, doktrina e Frymës së Shenjtë.

Doktrina e Frymës së Shenjtë është me të vërtetë një doktrinë biblike. Bibla është i vetmi burim nga i cili mund të sigurohemi për ndonjë informacion në lidhje me Të. Vetëm feja e krishterë e ka Frymën e Shenjtë.

Ndërsa studiojmë doktrinën e Frymës së Shenjtë, le të mos harrojmë që Krishti është qendra e librit, tema e gjithë shkrimeve të fshehta. Në qoftë se vëmë dikë në vendin e Tij, kjo do të sjellë ngatërresë. Fryma e Shenjtë nuk mund ta zëvendësojë Birin e Perëndisë. Fryma e Shenjtë nuk erdhi për të folur për Veten (ose nga Vetja), por për Krishtin. Dikush që flet vazhdimisht për Frymën dhe lë jashtë Birin, jep dëshmi që ai në të vërtetë nuk e ka Frymën.

I. Personaliteti i Frymës së Shenjtë

Le të themi, para së gjithash, se nuk duhet t'i drejtohemi kurrë Frymës së Shenjtë sikur është një send. Nganjëherë ngatërrojmë personalitetin me paraqitjen e jashtme. Personaliteti nuk është një tipar i trupit, por është tipar i frymës. Vetë ju nuk ju kanë parë asnjëherë. Ju nuk jeni një trup, por një frymë që ka një trup.

A. Cilësitë vetjake.

1. Ai zotëron inteligjencë. "Dikujt, pra, i jepet, me anë të Frymës, fjalë diturie; një tjetri, sipas po atij Frymë, fjalë njohurie" (1 Korintasve 12:8). Shihni gjithashtu Isaia 11:2-3, Nehemia 9:20, 1 Pjetri 1:11, 2 Pjetrit 1:21 dhe 1 Korintasve 2:10-11.

2. Ai zotëron vullnet. "Dhe të gjitha këto i bën i njëjti dhe i vetmi Frymë, duke i ndarë gjithsecilit dhunti veç e veç ashtu si do vetë" (1 Korintasve 12:11).

3. Ai zotëron fuqi. "Dhe Perëndia i shpresës le t'ju mbushë me çfarëdo gëzimi dhe paqe me anë të besimit, që të keni mbushulli në shpresë, me anë të fuqisë së Frymës së Shenjtë … Me fuqi shenjash dhe çudirash, me fuqi të Frymës së Perëndisë; kështu prej Jeruzalemit e përqark dhe gjer në Iliri, kam kryer shërbimin e ungjillit të Krishtit" (Romakëve 15:13-19). Shihni gjithashtu Zakaria 4:6, Isaia 11:2 dhe Efesianëve 3:16.

4. Ai zotëron njohuri. "Po Perëndia na i ka zbuluar me anë të Frymës së Tij, sepse Fryma heton çdo gjë, edhe të thellat e Perëndisë. Sepse cili nga njerëzit, pra, njeh gjërat e njeriut, përveç se fryma e njeriut që është në të? Po kështu asnjëri s'i njeh gjërat e Perëndisë, përveçse Fryma e Perëndisë. Dhe ne nuk kemi marrë frymën e botës, por Frymën që vjen nga Perëndia, që të njohim gjërat që na janë dhuruar falas nga Perëndia" (1 Korintasve 2:10-12).

5. Ai zotëron dashuri. "Dhe ju bëj thirrje, o vëllezër, për Zotin tonë Jezus Krisht dhe për dashurinë e Frymës, të luftoni bashkë me mua në lutje te Perëndia për mua" (Romakëve 15:30).

B. Përemra vetorë.

Emri vetjak i Frymës së Shenjtë është i panjohur. Titulli "Fryma e Shenjtë" nuk është emri i Tij, ai është një emërtim që tregon se ç'është Ai. Heshtja e Shkrimit të Shenjtë në lidhje me emrin e Tij është shumë e veçantë dhe kuptimplote. Ai e mban të fshehtë këtë emër, që emri i Zotit Jezus Krisht të lartësohet. Titulli "Fryma e Shenjtë" është emër i gjinisë asnjanëse në gjuhën greke, por kurdo që përdoret një përemër në vend të Tij, atëherë përemri i përdorur është gjithmonë në gjininë mashkullore. "Dhe unë do t'i lutem Atit dhe ai do t'ju japë një Ngushëllues tjetër, që do të qëndrojë përgjithmonë me ju, Frymën e së Vërtetës, që bota nuk mund ta marrë, sepse nuk e sheh dhe nuk e njeh; por ju e njihni, sepse qëndron me ju dhe do të jetë në ju … Por Ngushëlluesi, Fryma e Shenjtë, që Ati do ta dërgojë në emrin tim, do t'ju mësojë çdo gjë dhe do t'ju kujtojë të gjitha këto që ju thashë" (Gjoni 14:16-26). Shihni edhe Gjoni 16:7-8, 13-15 dhe Romakëve 8:16, 26.

C. Verpimet vetjake.

Pse veprojmë si qenie njerëzore? Sepse jemi njerëz. Pse vepron Fryma e Shenjtë si një person? Sepse Ai është person.

1. Ai flet. "Dhe ndërsa po kryenin shërbesën e Zotit dhe po agjëronin, Fryma e Shenjtë tha: 'Mi ndani veç Barnabën dhe Saulin për veprën për të cilën i kam thirrur'" (Veprat 13:2).

2. Ai ndërmjetëson. "Kështu, pra, edhe Fryma na ndihmon në dobësitë tona, sepse ne nuk dimë çfarë të kërkojmë në lutjet tona, sikurse duhet; por vetë Fryma ndërhyn për ne me psherëtima të patregueshme" (Romakëve 8:26).

3. Ai dëshmon. "Por kur të vijë Ngushëlluesi, që do t'ju dërgoj prej Atit, Fryma e së Vërtetës, që del nga Ati im, ai do të dëshmojë për mua" (Gjoni 15:26).

4. Ai urdhëron. "Kur ata po kalonin nëpër Frigji dhe në krahinën e Galatisë, u penguan nga Fryma e Shenjtë që të shpallin fjalën në Azi. Si arritën në kufijtë e Misisë, ata këkuan të shkojnë në Bitini, por Fryma nuk i lejoi".

5. Ai mbikëqyr. "Tregoni kujdes, pra për veten tuaj dhe për tufën, në mes të së cilës Fryma e Shenjtë ju ka vënë ju kujdestarë që të kullotni kishën e Perëndisë, të cilën ai e ka fituar me gjakun e tij" (Veprat 20:28).

6. Ai udhëheq. "Por kur të vijë ai, Fryma e së vërtetës, ai do t'ju prijë në çdo të vërtetë, sepse ai nuk do të flasë nga vetja, por do të thotë të gjitha ato gjëra që ka dëgjuar dhe do t'ju kumtojë gjërat që do të vijnë" (Gjoni 16:13).

7. Ai mëson. "Por Ngushëlluesi, Fryma e Shenjtë, që Ati do ta dërgojë në emrin tim, do t'ju mësojë çdo gjë dhe do t'ju kujtojë të gjitha këto që ju thashë" (Gjoni 14:26).

D. Kundërveprime vetjake.

Veprime që mund të kryhen ndaj Frymës, mund të kryhen vetëm ndaj një personi. Fryma e Shenjtë ka ndjenja.

1. Ai mund të trishtohet. "Dhe mos e trishtoni Frymën e Shenjtë të Perëndisë, me të cilin u vulosët për ditën e shpengimit" (Efesianëve 4:30).

2. Ai mund të zemërohet. "Ata u rebeluan dhe e trishtuan Frymën e tij të Shenjtë; prandaj ai u bë armiku i tyre dhe luftoi kundër tyre" (Isaia 63:10).

3. Ai mund të vihet në provë. "Atëherë Pjetri i tha: 'Pse u morët vesh që ta tundoni Frymën e Zotit? Ja, këmbët e atyre që e varrosën burrin tënd janë në prag të derës dhe do të mbartin jashtë edhe ty!" (Veprat 5:9).

4. Ai mund të kundërshtohet. "O njerëz qafëfortë dhe me zemër e veshë të parrethprerë, ju gjithnjë e kundërshtoni Frymën e Shenjtë; ashtu siç bënin etërit tuaj, ashtu bëni edhe ju" (Veprat 7:51).

5. Ai mund të blasfemohet. "Por për atë që do të blasfemojë kundër Frymës së Shenjtë nuk do të ketë falje përjetë; ai është fajtor për dënim të përjetshëm. Sepse ata thoshin: 'Ai ka një frymë të ndyrë!'" (Marku 3:29-30).

E. Marrëdhënie vetjake.

1. Me Atin. "Shkoni, pra, dhe bëni dishepuj nga të gjithë popujt duke i pagëzuar në emër të Atit e të Birit e të Frymës së Shenjtë" (Mateu 28:19).

2. Me Krishtin. "Ai do të më përlëvdojë, sepse do të marrë prej meje dhe do t'jua kumtojë" (Gjoni 16:14).

3. Me të krishterët. "Në fakt na u duk mirë Frymës së Shenjtë dhe neve që të mos ju ngarkojmë asnjë barrë tjetër përveç këtyre gjërave të nevojshme" (Veprat 15:28).

F. Emërime vetjake.

1. Emri "parakletos". Kjo është një fjalë greke që do të thotë Ngushëllues, një që është thirrur për të ndihmuar. "Por kur të vijë Ngushëlluesi, që do t'ju dërgoj prej Atit, Fryma e së vërtetës, që del nga Ati im, ai do të dëshmojë për mua" (Gjoni 15:26).

2. Veçanti të tjera.

a. Frymë premtimi. "Dhe pasi besuat, u vulosët me Frymën e Shenjtë të premtimit" (Efesianët 1:13).

b. Frymë fuqie. "Fryma e Zotit do të pushojë mbi të, fryma e diturisë dhe e zgjuarsisë, fryma e këshillës dhe e fuqisë, fryma e njohurisë dhe e frikës së Zotit" (Isaia 11:2).

c. Frymë e së vërtetës. "Ai do t'ju japë një Ngushëllues tjetër, Frymën e së Vërtetës, që bota nuk mund ta marrë, sepse nuk e sheh dhe nuk e njeh; por ju e njihni, sepse qëndron me ju dhe do të jetë në ju" (Gjoni 14:16-17).


Ktheu tek faqja: Përmbajtja e Librit

pixelburg.gif (801 bytes)

© Copyright  Të Krishterët  Përgjigjen
Faqja Kryesore | Kush Jemi | Të RejatKontakt | Kërko

"Të jini gjithëherë të gatshëm t'u jipni përgjigje çdo njërit që kërkon nga ju shpjegime per shpresën që ju keni (1 Pjetrit 3:15)"