III. Puna e Frymës së Shenjtë

A. E paraqitur në Dhiatën e Vjetër.

Dikush ka thënë që Fryma e Shenjtë është përmendur tetëdhjetë e tetë herë në Dhiatën e Vjetër. Megjithatë mësimi i Frymës së Shenjtë nuk është aq i qartë në Dhiatën e Vjetër sa në Dhiatën e Re.

1. Shfaqja e Tij.

a. Duke ardhur mbi njerëzit. "Dhe, me sytë e ngritur, Balaami pa Izraelin që kishte fushuar sipas fiseve, dhe Fryma e Perëndisë e mbuloi atë" (Numrat 24:2). "Atëherë Fryma e Zotit erdhi mbi Jefteun dhe ai kaloi nëpër Galaadin dhe Manasin, arriti në Mitspah të Galaadit dhe që këtej lëvizi kundër bijve të Amonit" (Gjyqtarët 11:29). Shihni gjithashtu Gjyqtarët 3:10 dhe 14:6.

b. Duke veshur njerëzit. "Por Fryma e Zotit (Jehova) depërtoi te (në hebraisht do të thotë u vesh me të) Gideoni që i ra borisë; dhe Abiezeritët u thirrën që t'i shkonin pas" (Gjykatësit 6:34). Shihni gjithashtu 2 Kronikave 24:20.

c. E derdhur mbi njerëzit. "Mbi tokën e popullit tim do të rriten gjemba dhe ferra … deri sa mbi ne të përhapet Fryma nga lart, shkretëtira të bëhet pemishte dhe pemishtja të konsiderohet si një pyll" (Isaia 32:13, 15).

d. Duke mbushur njerëzit. "Dhe e mbusha me Frymën e Perëndisë, me dituri, me zgjuarsi, me njohuri dhe çdo shkathtësi" (Eksodi 31:3). Shihni gjithashtu Mikea 3:8.

e. Duke pushuar mbi njerëzit. "Atëherë Zoti zbriti në renë dhe i foli atij, mori nga Fryma që qëndronte mbi të dhe e çoi mbi të shtatëmbëdhjetë pleqtë; por kur Fryma u vu mbi ta, ata bënë profeci, megjithëse më vonë nuk bënë më" (Numrat 11:25). Shihni gjithashtu Numrat 11:26 dhe Isaia 11:2.

Fryma e Shenjtë nuk paraqitet sikur banonte brenda besimtarit. Fryma e Shenjtë i mbushte ata, por kurrë nuk mori vendbanesë brenda tyre.

Asnjë shenjtor i Dhiatës së Vjetër nuk u pagëzua me Frymën e Shenjtë. Ky pagëzim fillestar nisi në ditën e Rrëshajve, pesëdhjetë ditë pas ngjalljes së Krishtit prej së vdekurish.

2. Shërbimi i Tij.

a. Në lidhje me krijimin.

(1) Krijimi.

(a) I qiejve dhe i tokës. "Qiejtë u bënë me anë të fjalës së Zotit dhe tërë ushtria e tyre me anë të frymës së gojës së tij. Ai mblodhi ujërat në një tog dhe vendosi thellësitë e tyre të mëdha si rezervuare. Tërë toka le të ketë frikë nga Zoti dhe le të dridhen para tij tërë banorët e botës. Sepse ai foli dhe gjëja bë; ai urdhëroi dhe gjëja u shfaq" (Psalmi 33:6-9). Shihni edhe Jobi 26:13.

(b) I kafshëve. "Sa të shumta janë veprat e tua, o Zot! Ti i ke bërë të gjitha me dituri; toka është plot me pasuritë e tua. Ti dërgon frymën tënde dhe ata krijohen, kështu ti ripërtërin faqen e dheut" (Psalmi 104:24-30).

(c) I njeriut. "Fryma e Perëndisë më ka krijuar dhe fryma e të Plotfuqishmit më jep jetë" (Jobi 33:4). Shihni gjithashtu Zanafilla 1:26-27 dhe 2:7.

(2) Ripërtëritja.

(a) E tokës së rënë[1]. "Dhe Fryma e Perëndisë fluturonte mbi sipërfaqen e ujërave" (Zanafila 1:2b).

(b) E njeriut të rënë. "Atëherë ai më tha: 'Profetizoji frymës, profetizo bir njeriu dhe i thuaj frymës: Kështu thotë Zoti, Zoti: Frymë, eja nga të katër erërat dhe fryj mbi këta të vrarë, që të jetojnë'. Kështu profetizova, si më kishte urdhëruar dhe shpirti hyri në to dhe u kthyen në jetë dhe u ngritën në këmbë; ishte një ushtri e madhe, shumë e madhe" (Ezekieli 37: 9-10). Shihni gjithashtu Isaia 55:3.

(3) Ruajtja. "Ti dërgon frymën tënde dhe ata krijohen, kështu ti ripërtërin faqen e dheut" (Psalmi 104:30).

b. Në lidhje me Satanin. Që nga fillimi, Fryma e Shenjtë ka qenë kundërshtari i Satanit. "Dhe Zoti tha: 'Fryma ime nuk do të hahet gjithnjë me njeriun, sepse në shthurjen e tij ai nuk është veçse mish; ditët e tij do të jenë pra, njëqind e njëzet vjet'" (Zanafilla 6:3).

c. Në lidhje me Izraelin.

(1) Etërit e tij. (Abrahami, Isaku dhe Jakobi dhe të tjerë). "Dhe Faraoni u tha nëpunësve të tij: 'A mund të gjejmë një njeri si ky, tek i cili të gjendet Fryma e Perëndisë?'" (Zanafilla 41:38).

(2) Themeluesit e tij. (Moisiu dhe ndihmësit e tij). "Atëherë Zoti i tha Moisiut: 'Mblidhmë shtatëdhjetë njerëz nga pleqtë e Izraelit, që ti njeh si pleq të popullit dhe funksionarë të tij; silli në çadrën e mbledhjes dhe të rrinë aty me ty. Unë do të zbres dhe aty do të flas me ty: do të marr pastaj nga Fryma që është mbi ty dhe do t'ua kaloj atyre me qëllim që ta mbajnë bashkë me ty barrën e popullit dhe të mos e mbash ti vetëm'" (Numrat 11:16-17). Shihni gjithashtu Numrat 27:18-19, Ligji i Përtërirë 34:9 dhe Nehemia 9:20.

(3) Gjykatësit e tij. "Fryma e Zotit ishte mbi të dhe ai ishte një gjyqtar i Izraelit; doli për të luftuar …" (Gjyqtarët 3:10a).

(4) Mbretërit e tij. Saul: "Me të dëgjuar këto fjalë, Fryma e Perëndisë përfshiu Saulin, zemërimi i të cilit u rrit me të madhe" (1 Samueli 11:6). Shihni gjithashtu 1 Samueli 6:14, një frymë e keqe u dërgua nga Perëndia si gjykim mbi Saulin. Davidi: "Atëherë Samueli mori bririn e vajit dhe e vajosi para vëllezërve të tij; që nga ajo ditë Fryma e Zotit zbriti tek Davidi. Pastaj Samueli u ngrit dhe shkoi në Ramah" (1 Samueli 16:13). Shihni Psalmet 51:11-12 dhe 143:10.

(5) Priftërinjtë e tij. "Atëherë Fryma e Perëndisë erdhi mbi Zakarian, birin e priftit Jehojada, që u ngrit përpara popullit" (2 Kronikave 24:20a).

(6) Profetët e tij. "E bënë zemrën e tyre si diamanti, për të mos dëgjuar ligjin dhe fjalët që Zoti i ushtrive u dërgonte atyre me anë të Frymës së tij, me anë të profetëve të së kaluarës. Kështu u krijua një indinjatë e madhe te Zoti i ushtrive" (Zakaria 7:12). Shihni edhe Nehemia 9:30, Ezekieli 3:2, Danieli 5:1-14 dhe Mikea 3:8.

(7) Shenjtërorja e tij.

(a) Tabernakulli. Asgjë nuk u bë nga mençuria ose aftësia njerëzore. "Dhe e mbushi me Frymën e Perëndisë, me dituri, me zgjuarsi, me njohuri dhe me gjithfarë aftësish" (Eksodi 35:31). Shihni gjithashtu Eksodi 28:3 dhe 31:1-5.

(b) Tempulli. "Atëherë Davidi i dha birit të tij Solomonit projektin e portikut të tempullit, të godinave të tij, të dhomave të tij, të thesareve të tij, të dhomave të sipërme, të dhomave të brendshme dhe të vendit të pajtuesit, si dhe projektin e të gjitha gjërave që kishte në mendje për Frymën lidhur me oborret e shtëpisë së Zotit, me të gjitha dhomat anësore, me thesaret e shtëpisë së Perëndisë dhe me thesaret e sendeve të shenjtëruara" (1 Kronikave 28:11-12).

d. Në lidhje me Mesinë. "Fryma e Zotit, Zoti është mbi mua, sepse Zoti më ka vajosur për t'u dhënë një lajm të mirë të përulurve; më ka dërguar të lidh plagën e atyre që e kanë zemrën të thyer, të shpall çlirimin e atyre që janë në robëri, hapjen e burgut të burgosurve, të shpall vitin e hirit të Zotit dhe ditën e hakmarrjes të Perëndisë tonë, për të ngushëlluar tërë ata që pikëllohen" (Isaia 61:1-2). Shihni gjithashtu Isaia 11:2.

e. Në lidhje me mijëvjeçarin. "Mbas kësaj do të ndodhë që unë do të përhap Frymën time mbi çdo mish, bijtë tuaj dhe bijat tuaja do të profetizojnë, pleqtë tuaj do të shohin ëndërra, të rinjtë do të kenë vegime. Në ato ditë do të përhap Frymën time edhe mbi shërbëtorët dhe shërbëtoret" (Joeli 2:28-29). "Mbas kësaj" do të thotë pas rivendosjes së Izraelit. Shihni edhe Ezekieli 36:25-28 dhe 37:14.

f. Në lidhje me frymëzimin. "Këto janë fjalët e fundit të Davidit. Kështu thotë Davidi, bir i Isait, kështu thotë njeriu që u ngrit lart, i vajosuri i Perëndisë së Jakobit, këngëtari i ëmbël i Izraelit: 'Fryma e Zotit ka folur nëpëmjet meje dhe fjala e tij ka qenë mbi buzët e mia'" (2 Samueli 23:1-2). Shihni për këtë edhe Numrat 24:2, Veprat 1:16, 4:25, 1 Pjetri 1:10-12, 2 Pjetri 1:21 dhe 2 Timoteu 3:16-17.

E paraqitur në Dhiatën e Re

1. Fryma e Shenjtë dhe Krishti.

a. Referim ndaj punës së Tij në dispensacionin [2] e vjetër.

(1) Në predikim. "Sepse edhe Krishti ka vuajtur njëherë për mëkatet, i drejti për të padrejtët, për të na çuar te Perëndia. U vra në mish, por u ngjall nga Fryma, me anë të së cilës ai shkoi t'u predikojë frymërave që ishin në burg, që dikur ishin rebelë, kur durimi i Perëndisë i priste në ditët e Noeut, ndërsa po ndërtohej arka, në të cilën, pak vetë, gjithsej tetë, shpëtuan nëpërmjet ujit" (1 Pjetri 3:18-20). Kjo pjesë e Shkrimit është përdorur nga shumë kulte, të cilat predikojnë që Perëndia i jep njeriut një rast të dytë pas vdekjes. Ata e interpretojnë këtë pjesë të Shkrimit kështu: Krishti, mes kryqëzimit dhe ringjalljes së Tij, shkoi në Hades dhe u ofroi shpëtimin të padrejtëve të vdekur. Në qoftë se ata besuan në Të, atëherë ata u shpëtuan.

Dimë që teoria e mësipërme nuk është e vërtetë, sepse "duke qenë se është caktuar që njerëzit të vdesin vetëm njëherë, dhe më pas vjen gjyqi" (Hebrenjve 9:27). Asnjë rast i dytë nuk gjendet këtu. Interpretimi i drejtë është që Krishti, me anë të Frymës së Shenjtë në Noeun, u predikoi ungjillin njerëzve, duke i paralajmëruar nga gjykimi botëror. Ata e kundërshtuan lajmin dhe vdiqën në përmbytje, kështu që shpirtrat e tyre janë tani në burg, duke pritur për ringjalljen e fundit.

(2) Në profeci. "Për këtë shpëtim kërkuan dhe hetuan profetët që profetizuan nga hiri për ju, duke duke kërkuar të njohin kohën dhe rrethanat që tregonte Fryma e Krishtit që ishte në ta, dhe që dëshmonte që më parë për vuajtjet që do të vinin mbi Krishtin dhe për lavditë që do të pasonin" (1 Pjetri 1:10-11).

(3) Në tip. Tabernakulli është një tip i Krishtit. Gjithçka në të shpalos Shpëtimtarin. Fryma e Shenjtë ishte Ai që u dha dhunti njerëzve për të ndërtuar tabernakullin. "Shiko, unë e thirra me emër Betsaleelin, birin e Urit, birin e Hurit, nga fisi i Judës; dhe e mbusha me Frymën e Perëndisë, me dituri, me zgjuarsi, me njohuri dhe me çdo shkathtësi, që të jetë i aftë të përgatisë vizatime artistike, të punojë arin, argjendin dhe bronzin, për të gdhendur gurë për t'u ngallmuar, për të punuar drurin dhe për të kryer çdo lloj punimesh. Dhe ja, i dhashë për shok Oholiabin, të birin e Ahisamakut, nga fisi i Danve; dhe shtiva dituri në mendjen e të gjithë njerëzve të shkathët, me qëllim që të mund të bëjnë ato që të kam urdhëruar" (Eksodi 31:2-6).

b. Referim ndaj punës së Tij në shfaqjen e Tij tokësore.

(1) Lindja e Krishtit. "Dhe engjëlli duke u përgjigjur, i tha: 'Fryma e Shenjtë do të vijë mbi ty dhe pushteti i Shumë të Lartit do të të mbulojë me hijen e vet; prandaj i shenjti që do të lindë prej teje do të quhet Bir i Perëndisë'" (Luka 1:35). Në Shkrimin e Shenjtë nuk gjejmë asnjëherë që Jezusi deklarohet Bir i Frymës. Fryma e Shenjtë prodhoi trupin, të pamëkat; "po bëre gati një trup për mua" (Hebrenjve 10:5c), jo Personin.

(2) Pagëzimi i Krishtit. "Tani u pagëzua gjithë populli, edhe Jezusi u pagëzua; dhe ndërsa po lutej, qielli u hap dhe Fryma e Shenjtë zbriti mbi të, në trajtën trupore si të pëllumbit, dhe nga qielli erdhi një zë, që thoshte: 'Ti je Biri im i dashur, në ty unë jam kënaqur!'" (Luka 3:21-22). Shihni gjithashtu Marku 1:10-11 dhe Gjoni 1:32-34.

(3) Tundimi i Krishtit. "Dhe Jezusi, plot me Frymën e Shenjtë, u kthye nga Jordani dhe Fryma e Shenjtë e çoi në shkretëtirë, ku për dyzet ditë e tundoi djalli" (Luka 4: 1-2a). Shihni gjithashtu Mateu 4:1 dhe Marku 1:12.

(4) Vajosja e Krishtit. "Perëndia e vajosi me Frymën e Shenjtë dhe me fuqi Jezusin nga Nazareti, i cili e përshkoi vendin duke bërë mirë dhe duke shëruar të gjithë ata që ishin të pushtuar nga djalli, sepse Perëndia ishte me të" (Veprat 10:38). Shihni gjithashtu Luka 4:16-21.

(5) Mësimi i Krishtit. "Sepse ai që Perëndia ka dërguar flet fjalët e Perëndisë, sepse Perëndia nuk e jep frymën e tij me masë" (Gjoni 3:34).

(6) Mrekullitë e Krishtit. "Por, në qoftë se unë i dëboj djajtë me ndihmën e Fymës së Perëndisë, atëherë mbretëria e Perëndisë ka ardhur në mes tuaj" (Mateu 12:28).

(7) Jeta e Krishtit. "Dhe Jezusi, plot me Frymën e Shenjtë, u kthye nga Jordani dhe Fryma e çoi në shkretëtirë" (Luka 4:1). Shihni gjithashtu Luka 10:21 dhe Hebrenjve 9:14.

(8) Vdekja e Krishtit. "Aq më shumë gjaku i Krishtit, i cili me anë të Frymës së Shenjtë e dha veten e tij të papërlyer nga asnjë faj ndaj Perëndisë, do ta pastrojë ndërgjegjen tuaj nga veprat e vdekura për t'i shërbyer Perëndisë së gjallë!" (Hebrenjve 9:14).

(9) Ringjallja e Krishtit. "Dhe në qoftë se Fryma e atij që ringjalli Krishtin prej së vdekurish banon në ju, ai që e ringjalli Krishtin prej së vdekurish do t'ju japë jetë edhe trupave tuaj vdekatarë me anë të Frymës së tij që banon në ju" (Romakëve 8:11).

(10) Urdhërimet e Krishtit para ngjitjes në qiell. Luka na tregon se në ungjillin e tij ai shkroi "mbi të gjitha gjërat që Jezusi nisi të bëjë dhe të mësojë, deri në ditën në të cilën u muar në qiell, pasi u kishte dhënë urdhërime nëpërmjet Frymës së Shenjtë apostujve që ai kishte zgjedhur" (Veprat 1:1-2). Shihni gjithashtu Veprat 1:8.

c. Referim ndaj punës së Tij gjatë këtij dispensacioni.

(1) Ai lavdëron Krishtin. "Ai do të më përlëvdojë, sepse do të marrë prej meje dhe do t'jua kumtojë" (Gjoni 16:14).

(2) Ai dëshmon për Krishtin. "Perëndia i etërve tanë e ka ringjallur Jezusin, që ju e vratë, duke e varur në dru. Perëndia e lartësoi me të djathtën e vet dhe e bëri princ dhe shpëtimtar për t'i dhënë Izraelit pendimin dhe faljen e mëkateve. Dhe për këto gjëra ne jemi dëshmitarë të tij, si dhe Fryma e Shenjtë, që Perëndia ua ka dhënë atyre që i binden atij" (Veprat 5:30-32).

(3) Ai e kurorëzon Krishtin. "Prandaj ju bëj të ditur se askush që flet në Frymën e Shenjtë nuk thotë: 'Mallkuar qoftë Jezusi!'; edhe asnjë nuk mund të thotë: 'Jezusi është Zot', veçse në Frymën e Shenjtë" (1 Korintasve 12:3).

2. Fryma e Shenjtë dhe bota.

a. Bindje. "Dhe kur të ketë ardhur, ai do të bindë botën për mëkat, për drejtësi dhe për gjykim. Për mëkat sepse nuk besojnë në mua; për drejtësi, sepse unë po shkoj tek Ati dhe ju nuk do të më shihni më; për gjykim, sepse princi i kësaj bote është gjykuar" (Gjoni 16:8-11).

(1) Për mëkat. Nuk është puna e Frymës së Shenjtë që ta bindë botën kundër vrasjes, kurvërisë dhe të tjera. Këtë e bën ligji natyror. Fryma e Shenjtë e bind botën ndaj mosbesimit, "sepse nuk besojnë në mua" (Gjoni 16:9). Shumë herë ne e ngatërrojmë fjalën "bind", duke menduar që do të thotë të ndjehesh fajtor; por ky nuk është kuptimi i vërtetë. Bind do të thotë të gjendesh fajtor. Mëkatari është gjetur fajtor tashmë për mëkat, mosbesim, pavarësisht nëse ai e ndjen apo jo. Po, mëkatari tashmë është bindur, është dënuar dhe është duke pritur për t'u ndëshkuar. "Ai që beson në të nuk dënohet, por ai që nuk beson tashmë është dënuar, sepse nuk ka besuar në emrin e Birit të vetëmlindur të Perëndisë … gjykimi i Perëndisë qëndron mbi të" (Gjoni 3:18, 36c). Froni i Madh i Bardhë nuk është vendi ku përcaktohet fajësia e mëkatarit (për ta bindur atë si mëkatar), por është vendi ku ai ndëshkohet deri në masën e dënimit që meritojnë veprat e tij.

(2) Për drejtësi. Në ç'mënyrë e bind Fryma botën për drejtësi? Fryma e Shenjtë nuk e bind botën për drejtësinë që ka, por bind botën se drejtësia është në Krishtin, "sepse unë po shkoj tek Ati" (Gjoni 16:10).

(3) Për gjykim. Në qoftë se bota e kundërshton Krishtin, s'mbetet asgjë tjetër veç gjykim. "Dhe në asnjë tjetër nuk ka shpëtim, sepse nuk ka asnjë emër tjetër nën qiell që u është dhënë njerëzve dhe me anë të të cilit duhet të shpëtohemi" (Veprat 4:12). Mendimi i botës mbi gjykimin e ardhshëm është i turbullt. Njeriu ka ide të rreme që vijnë njëra pas tjetrës, por, sidoqoftë, këto besime të përgjithshme, që, megjithëse janë të gabuara, vërtetojnë se ka një kohë kur njeriut i duhet të japë llogari për vetveten përpara Perëndisë. Bibla është i vetmi burim i vërtetë i gjykimit të Fronit të Madh të Bardhë.

b. Ripërtëritje. "Prandaj nëse dikush është në Krishtin është një krijesë e re; gjërat e vjetra kanë shkuar, ja, të gjitha gjërat u bënë të reja" (2 Korintasve 5:17). Shihni gjithashtu Gjoni 3:5. Njeriu mund të zbusë ligjet, duke menduar që mund të bëhet bir i Perëndisë me një mënyrë tjetër, por Perëndia nuk i ndryshon. Ai përsëri kërkon që ju duhet të rilindni.

c. Pengesa të paudhësisë. "Misteri i paudhësisë në fakt është tashmë në veprim, duke pritur vetëm që të hiqet nga mesi ai që e ndalon tashti" (2 Thesalonikasve 2:7). Paudhësia në një nga këto ditë do të ngrihet në një njeri, Antikrishti. Edhe sot është një person në këtë botë që nuk e lejon mëkatin për të marrë kontrollin e plotë, dhe ky person është Fryma e Shenjtë. Gjatë Mundimit të Madh, kur Antikrishti do të shfaqet, Fryma e Shenjtë do të kalojë mënjanë, duke hequr dorën e Tij të shtrirë prej njeriut mëkatar, duke e lënë atë që të zhytet në thellësitë e shkatërrimit.

3. Fryma e Shenjtë dhe Kisha. Shihni Efesianëve 1:22-23, 2:12-16 dhe 3:4-16.

a. Fryma e Shenjtë i jep formë (përbën) kishës. Pagëzimi i Frymës është veprimi me anë të cilit ndërtohet kisha. "Sepse të gjithë ne jemi pagëzuar në një Frymë të vetme në të njëjtin trup, qofshin hebrenjtë apo grekët, qofshin skllevërit a të liruarit, dhe të gjithë jemi ujitur në të njëjtin Frymë" (1 Korintasve 12:13). Shkrimet që bëjnë fjalë për pagëzimin e Frymës së Shenjtë, janë shtatë. Pesë janë profetike (Mateu 3:11, Marku 1:8, Luka 3:16, Gjoni 1:33 dhe Veprat 1:5); një historike (Veprat 11:16) dhe një didaktike (1 Korintasve 12:13). Në pesë Shkrimet profetike, shohim se dy flasin për pagëzimin e Frymës dhe të zjarrit. Pagëzimi i Frymës dhe i zjarrit nuk është i njëjtë. Pagëzimi i Frymës flet për formimin e Kishës, ndërsa pagëzimi i zjarrit flet për gjykimin. Mateu 34:11 dhe Luka 3:16 janë pjesët ku flitet për pagëzimin e zjarrit. Në këto Shkrime Krishti i drejtonte mesazhet e Tij ndaj njerëzve të shpëtuar dhe "nepërkave" (jobesimtarët). Dëshmitë e Markut dhe të Gjonit nuk përfshijnë "pagëzim zjarri", sepse ata nuk i drejtohen "nepërkave". Të pesë pjesët profetike i drejtohen së ardhmes. Pjesa historike shikon prapa, prandaj pagëzimi i Frymës vjen mes të dyjave. Ky është çasti i Rrëshajve.

Pagëzimi i Frymës së Shenjtë nuk ishte ajo ardhje e fuqisë që i aftësoi apostujt të bënin mrekulli, sepse ata i kryenin këto edhe përpara se të pagëzoheshin me Frymën. Kisha është një organizëm, jo një organizatë, dhe pagëzimi i Frymës është ai veprim i Perëndisë që i bashkon gjymtyrët në atë organizëm. Kurdo që përdoret togu i fjalëve "pagëzim i Frymës", ato zbatohen kolektivisht tek një grup dhe kurrë nuk i drejtohen një individi. Kur u pagëzuam "ne" dhe Korintasit (1 Korintasve 12:13) me Frymën? Ditën e Rrëshajve, njëherë e përgjithmonë. Kur një njeri merr Krishtin, ai vuloset në Krishtin me anë të Frymës. "Në të edhe ju, pasi e dëgjuat fjalën e së vërtetës, ungjillin e shpëtimit tuaj dhe pasi besuat, u vulosët me Frymën e Shenjtë të premtimit" (Efesianëve 1:13). Në të njëjtën kohë, njeriu merr gjithashtu edhe pagëzimin e Frymës.

Për sa i përket Perëndisë, është vetëm një Kalvar dhe vetëm një ditë Rrëshajsh. Megjithatë mëkatari duhet të përvetësojë Kalvarin me anë të besimit dhe duhet që të pranojë Rrëshajtë po me anë të besimit, për t'i bërë që të dyja një realitet për shpirtin e tij. Kjo ndodh menjëherë pasi njeriu pranon Krishtin si Zot dhe Shpëtimtar.

Do të na pëlqente që të jepnim një shpjegim për vargun e mëposhtëm, përderisa shumë e përdorin për mbështetjen e argumentit të mësipërm. "është një Zot i vetëm, një besim i vetëm, një pagëzim i vetëm" (Efesianëve 4:5). Kjo nuk flet për pagëzimin e Frymës, por për pagëzimin e ujit. Vargu që paraprin, e shpjegon pagëzimin e Frymës. "është një trup i vetëm dhe një Frymë i vetëm, sikurse ju u thirrët në shpresën e vetme të thirrjes suaj" (Efesianëve 4:4). Ky trup është i ndërtuar nga pagëzimi i Frymës.

Rrëshajtë vinin gjithmonë pesëdhjetë ditë pas Festës së Frutave të Para. Festa e Frutave të Para ishte një tip i ringjalljes së Krishtit. Kapitulli i dytë i Veprave të Apostujve shkruan dëshminë e njëqind e njëzet dishepujve në dhomën e sipërme që pritnin mbarimin e pesëdhjetë ditëve. Fryma e Shenjtë nuk erdhi si një përgjigje e lutjeve të tyre, sepse as gjithë lutjet dhe agjërimet e tyre nuk do të mund të shpejtonin ardhjen e Tij. Ai erdhi në kohën e duhur. Nuk mund të mendosh që Fryma do të vinte dyzet e nëntë ose pesëdhjetë e një ditë pas ringjalljes së Tij. Ai erdhi tamam në kohë, pesëdhjetë ditë pas ringjalljes.

Fryma e Shenjtë do të vinte, edhe sikur ata të mos luteshin. Ata do të ishin pagëzuar dhe pushtuar nga Fryma e Shenjtë, edhe sikur të mos ishin lutur, por nuk do të kishin marrë fuqi. Ata nuk do të ishin "mbushur me Frymë", po të mos ishin lutur. Më tepër rreth "mbushjes me Frymën e Shenjtë" do të flitet më vonë.

Festa e Mbikalimit (përktheket në disa raste si "festa e Pashkëve") u përmbush në Kalvar. Krishti nuk do të vdesë më kurrë. Festa e Rrëshajve u përmbush me anë pagëzimit të Frymës dhe nuk do të ketë më kurrë Rrëshaj. Kurrë nuk do të ketë një ripërmbushje të Qengjit të Mbikalimit dhe kurrë nuk do të ketë më ripërmbushje tjetër të Rrëshajve.

Festa e Rrëshjave ishte gjithashtu e njohur si Festa e Javëve, koha kur mblidheshin të korrat. Tek Levitiku 23:22 ne lexojmë: "Kur të korrni të mbjellat e tokës suaj, nuk do të korrni deri në cepat e arës sate dhe nuk do të mblidhni kallinjtë që kanë mbetur pas; do t'i lini për të varfrin dhe për të huajin. Unë jam Zoti, Perëndia juaj". Kështu ne shohim që e korra ishte për tre grupe njerëzish:

1. Izraeli në përgjithësi.

2. Të varfërit.

3. Të huajtë.

Që të tre morën bekimet e të korrave. Pagëzimi i Frymës, i cili u përmbush në Festën e Korrjeve (Javëve), ishte për tre grupe njerëzish:

1. Izraeli. Në Jeruzalem (Veprat 2:37-39).

2. Samaritanët (të varfrit). Në Samari (Veprat 8:9-17).

3. Johebrenjtë (të huajt). Në Çezare (Veprat 10:34-44).

Këtu më poshtë është procesi me anë të cilit tre grupet e mësipërme marrin Frymën e Shenjtë:

1. Hebrenjtë në Jeruzalem.

(a) Me anë të besimit në Krishtin.

(b) Më pas me anë të pagëzimit të ujit.

(c) Dhe më pas duke pranuar Frymën e Shenjtë.

2. Samaritanët në Samari.

(a) Me anë të besimit në Krishtin.

(b) Pastaj me anë të pagëzimit të ujit.

(c) Më pas me vënien e duarve.

(d) Pastaj duke pranuar Frymën e Shenjtë.

3. Johebrenjtë në Çezare.

(a) Me anë të besimit në Krishtin.

(b) Pastaj duke pranuar Frymën e Shenjtë.

(c) Më pas me anë të pagëzimit të ujit.

Në ditën e Rrëshajve ndodhën dy veprime të Frymës që nuk duhet t'i ngatërrojmë: pagëzimi dhe mbushja. Besimtarët u pagëzuan me Frymë në ditën e Rrëshajve, megjithëse fjala "pagëzim" nuk mund të gjendet në Veprat 2. Ne e dimë se pagëzimi ndodhi atëherë, për shkak të fjalëve të folura nga Zoti Jezus shumë pak kohë para ngjitjes së Tij. "Sepse Gjoni pagëzoi me ujë, por ju do të pagëzoheni me Frymën e Shenjtë, mbas jo shumë ditësh" (Veprat 1:5).

Ka shumë nga ata që besojnë që të folurit në gjuhë të panjohura ishte një shenjë e pagëzimit me Frymën e Shenjtë, por, në qoftë se shikoni me vemendje, do të vëreni që ata folën në gjuhë sepse ishin mbushur me Frymë. Askush nuk u kthye ndërsa gjuhët fliteshin në ditën e Rrëshajve, por tre mijë u shpëtuan kur Pjetri predikoi. Pjetri deklaroi: "Por kjo është ajo që ishte thënë nëpërmjet profetit Joel: 'Dhe në ditët e fundit do të ndodhë, thotë Perëndia, që unë do të përhap nga Fryma ime mbi çdo mish dhe bijtë tuaj dhe bijat tuaja do të profetizojnë, të rinjtë tuaj do të shohin vegime dhe të moshuarit tuaj do të shohin ëndrra. Në ato ditë do të përhap nga Fryma ime mbi shërbëtorët e mi dhe mbi shërbëtoret e mia dhe do të profetizojnë'" (Veprat 2:16-18). "Kjo është ajo". Çfarë? Ngjarja? Të folurit në gjuhë? Jo. "Kjo" është një shkëputje nga Joeli dhe unë po e përmend atë. Pjetri po jepte si shembull Joelin, sepse Ai, Perëndia, i cili do të bëjë që të ndodhin këto gjëra që Joeli ka profetizuar, ka shkaktuar që të ndodhin këto gjëra që ju keni dëshmuar.

b. Fryma banon në kishën. "A nuk e dini ju se jeni tempulli i Perëndisë dhe se Fryma e Perëndisë banon në ju" (1 Korintasve 3:16).

c. Fryma e ndërton kishën. "Në të cilin edhe ju jeni bashkëndërtuar për të qenë një banesë e Perëndisë në Frymë" (Efesianëve 2:22).

d. Fryma drejton kishën.

(1) Ai emëron zyrtarët. "Tregoni kujdes, pra, për veten tuaj dhe për gjithë tufën, në mes të së cilës Fryma e Shenjtë ju ka vënë ju kujdestarë që të kullotni kishën e Perëndisë, të cilën ai e ka fituar me gjakun e tij" (Veprat 20:28). Shihni gjithashtu Veprat 6:3, 5, 10.

(2) Ai drejton punën. "Dhe, ndërsa po kryenin shërbesën e Zotit dhe po agjëronin, Fryma e Shenjtë tha: 'M'i ndani veç Barnabën dhe Saulin për veprën për të cilën i kam thirrur'" (Veprat 13:2). Shihni gjithashtu Veprat 29, 10:19 dhe 16:7.

4. Fryma e Shenjtë dhe i krishteri.

a. Duke filluar në Frymën. "O Galatas të marrë! Kush ju ka yshtur që të mos i bindeni së vërtetës, ju, që para syve tuaj Jezus Krishti është përshkruar i kryqëzuar midis jush? Vetëm këtë dua të di nga ju: a e morët Fymën me anë të veprave të ligjit apo nëpërmjet dëgjimit të besimit? A jeni kaq të marrë sa që, mbasi nisët në Frymë, të përfundoni në mish?" (Galatasve 3:1-3).

Ne bëhemi të krishterë vetëm me anë të veprës së Perëndisë. Një jetë e re jepet nga Fryma e Shenjtë dhe kjo është një lindje e re. "Duhet të lindni përsëri … Ç'ka lindur nga mishi është mish, por ç'ka lindur nga Fryma është frymë" (Gjoni 3:7-6). Perëndia nuk ka patur kurrë miqësi me njerëz të parinovuar (të parilindur), në asnjë dispensacion derisa njeriu të ketë marrë natyrën e re nga Ai.

b. Banimi brenda i Frymës. "A nuk e dini se trupi juaj është tempulli i Frymës së Shenjtë që është në ju, të cilin e keni nga Perëndia, dhe se nuk i përkisni vetvetes" (1 Korintasve 6:19). Çfarë sigurie ka i krishteri për banimin e Frymës brenda tij? Duke e ndier? Nga ndonjë ndjenjë kënaqësie? Jo. Me Fjalën e Perëndisë! Fryma zë vend brenda besimtarit kur ai vepron mbi atë që ka bërë Krishti, kur ai e pranon Krishtin Jezus me anë të besimit. Prova që Ai banon brenda nesh, nuk është e bazuar mbi ndjenja, sepse ndjenjat e njeriut mund të ndryshojnë nga një ditë në tjetrën. Puna e Krishtit në Kalvar nuk ndryshon kurrë.

"Ditën e fundit, në ditën e madhe të festës, Jezusi u çua në këmbë dhe thirri duke thënë: 'Nëse dikush ka etje, le të vijë tek unë e të pijë. Ai që beson në mua, siç ka thënë Shkrimi, nga brendësia e tij do të burojnë lumenj uji të gjallë'. Por këtë ai e tha për Frymën, që do të merrnin ata që do të besonin në të; sepse Fryma e Shenjtë në fakt nuk ishte dhënë ende, sepse Jezusi ende nuk ishte përlëvduar" (Gjoni 7:37-39). Kjo pjesë e Fjalës së Perëndisë thekson qartë që dishepujt nuk e kishin marrë akoma Frymën e Shenjtë, por do ta merrnin në të ardhmen, dhe e morën në Ditën e Rrëshajve. Një pjesë tjetër e Shkrimit tregon që ata nuk ishin mbushur akoma me Frymën e Shenjtë deri në Rrëshajtë. "Sepse qëndron me ju dhe do të jetë në ju" (Gjoni 14:17c). Përpara Rrëshajve, Fryma ishte me ta, por, pas Rrëshajve, Fryma ishte në ta. Asnjë besimtar nuk duhet të lutet si Davidi: "Mos më largo nga prania jote dhe mos më hiq Frymën tënde të shenjtë" (Psalmi 51:11), sepse Fryma e Shenjtë nuk kishte banuar brenda Davidit, kurse tek i krishteri Ai banon! "Nëse Fryma e Perëndisë banon në ju, ju nuk jeni më në mish, por në Frymë. Por në qoftë se ndokush nuk ka Frymën e Krishtit, ai nuk i përket atij" (Romakëve 8:9).

Një pjesë tjetër e Shkrimit që i ka ngatërruar dhe i ngatërron bijtë e Perëndisë, është Luka 11:13. "Nëse ju, pra, që jeni të këqinj, dini t'u jepni dhurata të bijve tuaj, aq më tepër Ati juaj qiellor do t'u dhurojë Frymën e Shenjtë atyre që ia kërkojnë". Disa propozojnë që ne duhet të kërkojmë për Frymën, me qëllim që ta kemi Atë, por mbani mend që kjo qe thënë para Rrëshajve. Nuk ka ndonjë varg në Shkrimet pas Rrëshajve ku të thuhet që një njeri duhet të kërkojë Frymën. A do t'ua kishte dhënë Ati dishepujve Frymën, nëse ata do ta kishin kërkuar Atë? Zoti Jezus tha që do ta bënte një gjë të tillë, por e vërteta është që ata nuk e kërkuan.

Shkrimi i fundit që do të trajtojmë në lidhje me banimin brenda të Frymës, është Gjoni 20:22. "Dhe, si tha këto fjalë, hukati mbi ta dhe tha: 'Merrni Frymën e Shenjtë!'. Shumë thonë se që nga ajo kohë Fryma e Shenjtë filloi të banonte brenda dishepujve dhe jo në Rrëshajtë. Megjithatë ne e dimë që ata nuk e morën Frymën e Shenjtë në atë kohë, sepse ishin urdhëruar që "të mos largoheshin nga Jeruzalemi, por të prisnin premtimin e Atit: 'që, tha ai, e keni dëgjuar nga unë, sepse Gjoni pagëzoi me ujë, por ju do të pagëzoheni me Frymën e Shenjtë, mbas jo shumë ditësh'" (Veprat 1:4-5). Në qoftë se ata e kishin marrë Frymën e Shenjtë, pse duhej të prisnin për ta marrë Atë?

c. Vulosja e Frymës së Shenjtë. "Në të edhe ju, pasi e dëgjuat fjalën e së vërtetës, ungjillin e shpëtimit tuaj dhe pasi besuat, u vulosët me Frymën e Shenjtë të premtimit" (Efesianëve 1:13). Vulosja është përdorur shumë herë në Shkrimet e Shenjta.

(1) Vulosësi. Vulosësi është Perëndia Atë. "Edhe ai që na themelon neve bashkë me ju në Krishtin dhe na vajosi është Perëndia, i cili edhe na vulosi dhe na dha kaparin e Frymës në zemrat tona" (2 Korintasve 1:21-22).

(2) I vulosuri. Janë dy ata që janë vulosur nga Ati: Biri dhe besimtarët. "Mos punoni për ushqimin që prishet, por për ushqimin që mbetet për jetë të përjetshme, të cilin do t'jua japë Biri i njeriut, sepse mbi të Ati, domethënë Perëndia vuri vulën e tij" (Gjoni 6:27). "Dhe mos e trishtoni Frymën e Shenjtë të Perëndisë me të cilën u vulosët për ditën e shpengimit" (Efesianëve 4:30). Biri u vulos për shkak të asaj që Ai është. Ne jemi vulosur për shkak të Jezusit dhe pozitës sonë në Të. Koha e vulosjes së një besimtari është kur ai pranon Krishtin si Shpëtimtarin e tij: "Në të edhe ju, pasi e dëgjuat fjalën e së vërtetës, ungjillin e shpëtimit tuaj dhe pasi besuat, u vulosët me Frymën e Shenjtë të premtimit" (Efesianëve 1:13).

(3) Vula. Vetë Fryma e Shenjtë është vula. Vula nuk sigurohet nëpërmjet disa përvojave emocionale, por nëpërmjet besimit në Krishtin. "Dhe pasi besuat u vulosët me Frymën e Shenjtë të premtimit" (Efesianëve 1:13).

(4) Kuptimi.

(a) Vula nënkupton pronësi. Në qoftë se jemi të vulosur, kemi vulën e pronësisë së Perëndisë mbi ne. "Megjithatë themeli i fortë i Perëndisë qëndron i patundur dhe ka këtë vulë. 'Zoti i njeh të vetët' dhe 'Le t'i largohet paudhësisë kushdo që përmend emrin e Krishtit'" (2 Timoteut 2:19).

(b) Vula nënkupton njëjtësim. "Në të edhe ju, pasi e dëgjuat fjalën e së vërtetës, ungjillin e shpëtimit tuaj dhe pasi besuat, u vulosët me Frymën e Shenjtë të premtimit, i cili është kapari i trashëgimisë tonë, për shpengimin e plotë të zotërimit të blerë, për lëvdim të lavdisë së tij" (Efesianëve 1:13-14).

(c) Vula nënkupton siguri. Tek Zbulesa 7:4-8 janë 144 000 të vulosur. Satani është i vulosur në gropën e pafund gjatë Mijëvjeçarit (Zbulesa 20:3). Libri i Zbulesës ka shtatë vula, të cilat asnjë njeri nuk mund t'i hapë (Zbulesa 6-8). Ne, besimtarët, jemi vulosur deri në kohën e shpengimit tonë (Efesianëve 1:13-14).

(d) Vula nënkupton një marrëveshje të përfunduar. "E nënshkrove aktin, e vulosa thirra dëshmitarët dhe peshova paratë me peshore" (Jeremia 32:10). Vula e Frymës së Shenjtë është ajo provë e ligjshme që dëshmon se kemi hyrë në punën e mbaruar të Krishtit.

(e) Vula nënkupton vërtetësi. "Pastaj mori shenjën e rrethprerjes, si vulë të drejtësisë për besimin që kishte patur kur ishte akoma i parrethprerë, me qëllim që të ishte ati i të gjithë atyre që besojnë edhe se janë të parrethprerë, me qëllim që edhe atyre t'u numërohet drejtësia" (Romakëve 4:11). Shihni gjithashtu Ester 3:12.

(f) Vula nënkupton pandryshueshmëri. "Ju vetë shkruani një dekret në favor të judenjve në emër të mbretit, si t'ju duket më mirë dhe vuloseni me unazën mbretërore, sepse vendimi i shkruar në emër të mbretit dhe i vulosur me unazën mbretërore është i prerë" (Ester 8:8).

(g) Vula nënkupton vlerë. "E tërë kjo a nuk është ruajtur vallë pranë meje, e vulosur në thesaret e mia?" (Ligji i Përtërirë 32:34).

(h) Vula nënkupton një shenjë. Vula linte gjithmonë shenjën e saj mbi dyll. Në qoftë se jemi vulosur me Frymën, shenja e Tij duhet të jetë mbi ne. "Ndërron trajtë si argjila nën vulë dhe shquhet si një veshje" (Jobi 38:14). "Duke qenë manifestuar se jeni një letër e Krishtit, e hartuar me anë të shërbesës sonë dhe e shkruar jo me bojë, por me Frymën e Perëndisë së gjallë dhe jo mbi rrasa guri por mbi rrasa të një zemre mishi" (2 Korintasve 3:3).

d. Kapari i Frymës. "I cili edhe na vulosi dhe na dha kaparin e Frymës në zemrat tona" (2 Korintasve 1:22). Shihni gjithashtu edhe 2 Korintasve 5:5 dhe Efesianëve 1:13-14.

Kapari është një emblemë që flet për të ardhmen. është pagesa e pjesshme e asaj që do të paguhet plotësisht në të ardhmen. Kur paguhen paratë e kaparit për një copë toke, që të dy palët janë të lidhur. Kur Perëndia e vë kaparin e Tij, Ai është i lidhur me ne për gjithë kohën dhe përjetësinë. Fryma e Shenjtë është Kapari i Perëndisë për shpëtimin tonë. Besimtari nuk i ka marrë ende të gjitha gjërat që ka për të marrë. Ka edhe më shumë përtej. Kjo, e lëkund me të vërtetë imagjinatën. Në qoftë se Fryma e Shenjtë, duke qenë Perëndi, është vetëm një pjesë e asaj që duhet të marrim dhe, duke qenë se Perëndia është gjithçka, atëherë çfarë është pjesa tjetër?

Në qoftë se paratë e kaparit i janë lënë një pjese toke dhe blerësi nuk arrin ta plotësojë marrëveshjen, ai do t'i humbasë paratë e kaparit. Perëndia na ka dhënë Kaparin e Tij, Frymën e Shenjtë. Në qoftë se Ai do të dështonte në plotësimin e shpëtimit tonë, Ai do të humbiste Kaparin e Tij, por e dimë që kjo është e pamundur. Kështu, kjo është një garanci për shpëtimin tonë të përjetshëm.

(1) Ilustrime të kaparit.

(a) Dhuratat për Rebekën (Zanafilla 24). Këto dhurata ishin kapari i asaj që do të pasonte.

(b) Fruti i Kanaanit (Numrat 13). Fruti ishte kapari i asaj që ishte premtuar, një shije paraprake e trashëgimisë së asaj që do të vinte më pas.

(c) Dhuratat e Boazit (Ruth 2). Duajt e grurit, lënë për Ruthin dhe jo vetëm për atë, ishin një kapar i asaj që Boazi do të ofronte në martesë.

(d) Frutat e para (Levitiku 23). Flijimi i tundur për Perëndinë ishte kapari i njeriut që një e dhjeta e të korrave të tij do t'i shkonte Perëndisë.

(2) Dhënësi i kaparit. Perëndia është Dhënësi! "Edhe ai që na themelon neve bashkë me ju në Krishtin dhe na vajosi është Perëndia, i cili edhe na vulosi dhe na dha kaparin e Frymës në zemrat tona" (2 Korintasve 1:21-22).

(3) Përshkrimi i kaparit. Fryma e Shenjtë është kapari: "kaparin e Frymës" (2 Korintasve 1:22b).

(4) Vendi i kaparit. Ky vend gjendet në zemrat tona, "kaparin e Frymës në zemrat tona" (2 Korintasve 1:22b).

(5) Siguria e kaparit.

(a) Siguron ringjalljen tonë. "Dhe jo vetëm kaq, por edhe ne vetë që kemi frytet e para të Frymës, vajtojmë në veten tonë, duke pritur flakët birërimin, shpengimin e trupit tonë" (Romakëve 8:23).

(b) Siguron trashëgiminë tonë. "Dhe nëse jemi bij, jemi trashëgimtarë, trashëgimtarë të Perëndisë dhe bashkëtrashëgimtarë të Krishtit, nëse vuajmë në të dhe lavdohemi në të" (Romakëve 8:17).

(c) Siguron lavdinë tonë. "Por ne duhet ta falenderojmë vazhdimisht Perëndinë për ju, o vëllezër të dashur nga Zoti, sepse Perëndia ju zgjodhi që në fillim për t'ju shpëtuar, me anë të shenjtërimit të Frymës dhe të besimit në të vërtetën; tek e cila ju thirri me anë të ungjillit tonë, që të arrini të merrni ladinë e Zotit tonë Jezus Krisht" (2 Thesalonikasve 2:13-14).

e. Mbushja me Frymë. "Kështu të gjithë u mbushën me Frymën e Shenjtë dhe filluan të flasin në gjuhë të tjera, ashtu si Fryma e Shenjtë ua jepte të shpreheshin"(Veprat 2:4). "Dhe, mbasi qenë lutur, vendi ku ishin mbledhur u drodh; dhe të gjithë u mbushën me Frymën e Shenjtë dhe e shpallnin fjalën e Perëndisë me çiltërsi" (Veprat 4:31). "Dhe mos u dehni me verë, në të cilën ka shthurje, por mbushuni me Frymë"(Efesianëve 5:18). Mbushja me Frymën ka të bëjë me jetën dhe punën e të krishterit, me anë të së cilës ai fuqizohet për të bërë atë që është urdhëruar nga Zoti.

(1) Çfarë? Ka shumë mendime për kuptimin e "mbushjes" me Frymë. Disa thonë se mbushja me Frymë ndodh kur një njeri rilind. Besimtari e merr Frymën e Shenjtë në çastin e kthimit të tij, por kjo nuk është mbushja e Frymës, kjo është ripërtëritja e Frymës (Titit 3:5). Të tjerë propozojnë që "mbushja me Frymë është ajo përvojë me anë të së cilës besimtari merr Frymën e Shenjtë në një çast pasi është shpëtuar". Megjithatë Shkrimi thotë që të gjithë besimtarët e kanë marrë Frymën e Shenjtë: "Në qoftë se ndokush nuk ka Frymën e Krishtit, ai nuk i përket atij" (Romakëve 8:9).

Mbushja e Frymës mund të jetë ngatërruese për shumë njerëz, për shkak të vetë fjalës "mbushje". Ata mendojnë për mbushje materiale, si një enë që mbushet me ujë. Megjithatë Fryma nuk është një gjë materiale, por një Person. është e vërtetë që një enë gjysmëboshe mund të mbushet me më shumë ujë, por është e pamundur për besimtarin i cili e ka Frymën, për të marrë më shumë nga Ai. Një njeri nuk mund të marrë më shumë nga Perëndia, por Perëndia mund të marrë më shumë nga besimtari.

Besimtari e ka tashmë Frymën, por ende merr urdhër që të mbushet me Të. Fryma e Shenjtë banon brenda besimtarit. Ai është i vulosur me Frymën. Ai është pagëzuar me Frymën dhe është ripërtërirë nga Fryma, por prapëseprapë merr urdhër për t'u mbushur me Frymë. Çfarë është "mbushja" me Frymë? Fjala më e mirë ose mendimi më i mirë për "mbushjen" është "kontrolli nga Fryma", prandaj një i krishterë duhet të kontrollohet, të zotërohet dhe të pushtohet nga Fryma e Shenjtë. Tani e dimë kuptimin e plotë të shprehjes: "Nuk është çështja se sa shumë nga Fryma e Shenjtë ka një njeri, por sa shumë ky njeri zotërohet nga Fryma e Shenjtë".

(2) Si? A sigurohet kjo përvojë nëpërmjet kërkimit dhe lutjes? Nuk ka asnjë pjesë në Fjalën e Perëndisë ku të thuhet që një person është lutur ndonjëherë për mbushjen me Frymë dhe ta ketë marrë atë. E gjitha ndodh nga dorëzimi tek Zoti. Kur ne i dorëzohemi krejt Atij, vullneti ynë vdes dhe vullneti i Tij është vullneti për jetët tona. Ambiciet tona bien si hi në këmbët tona. Disa mund të pyesin: çfarë është dorëzimi? është akti me anë të cilit besimtari e vë veten mbi altarin e Perëndisë: "Ecni në dashuri, sikurse edhe Krishti na deshi dhe e dha veten e tij për ne, si ofertë e flijim Perëndisë, si një parfum erëmirë" (Efesianëve 5:2). Flijimi, si një parfum erëmirë për të cilin flitet këtu, është flijimi i vazhdueshëm që digjet. është ai flijim të cilit nuk i mungonte kurrë një qengj flijimi, sepse, kur njëri mbarohej, tjetri vihej në vend të tij menjëherë: një në mëngjes e një në darkë. Kjo ishte e vetmja mënyrë se si mund të ishte një flijim i vazhdueshëm. Ky flijim i djegur nuk u themelua kurrë si një flijim mëkati, por më shumë si një flijim lavdërimi. Të krishterit i kërkohet të japë veten e vet si një flijim të gjallë, një flijim i vazhdueshëm që digjet, duke shfaqur lavdërimet e Atij që e ka thirrur atë nga errësira në dritën e Tij të mrekullueshme (1 Pjetri 2:9).

(3) Kur? Kur e merr kontrollin Fryma e Shenjtë? Kur e kontrollon Ai besimtarin? Vetëm atëherë kur besimtari dorëzohet, kur dorëzohet krejt! A ka hapa të veçantë që duhet të marrë një njeri, me qëllim që të jetë dorëzuar? Jo. Cilat janë atëherë kushtet për dorëzim (nënshtrim)? Një nënshtrim i plotë ndaj vullnetit të Perëndisë! Për disa mund të duhet vdekje në vetvete, për të tjerë bindje ndaj thirrjes së Perëndisë dhe për disa të tjerë braktisje e mëkatit të njohur, etj. Çfarëdo që mund të të kushtojë për t'iu dorëzuar vullnetit të Perëndisë. Ky është kushti!

(4) Pse? A duhet ta bëjë besimtari ndonjëherë këtë pyetje? A është nevoja për "mbushjen" me Frymë? Ne përgjigjemi "po" për të dy pyetjet. Disa të krishterë nuk e kuptojnë që ekziston "mbushja" e Frymës, dhe, si rrjedhim, janë të pafuqishëm. Si shtesë ndaj urdhërimit të Perëndisë për t'u mbushur me Frymë, ne e kuptojmë që "mbushja" është e domosdoshme për fuqi në shërbesë e në jetë, jo për përfitime egoiste, por për lavdinë e Zotit Jezus Krisht dhe për fitimin e të humburve për Krishtin.

(5) Po pastaj çfarë? Një anketë që është bërë me ata që janë mbushur me të vërtetë me Frymën ka dalë me këto përfundime:

(a) Ata do ta pasqyrojnë (shfaqin) Krishtin.

(b) Ata do ta bindin botën.

(c) Ata do ta duan botën.

(d) Ata do të mbushen me fuqi.

(e) Ata do të jenë plot jetë.

Krahasim i Pagëzimit me Mbushjen

Pagëzimi i Frymës

Mbushja e Frymës

1. Ka të bëjë me trupin.

1. Ka të bëjë me individin.

2. Pagëzimi është i jashtëm.

2. Mbushja është e brendshme.

3. Çdo besimtar pagëzohet me Frymën.

3. Një besimtar mund të jetë ose jo i mbushur me Frymën.

4. Asnjë besimtar nuk është i nxitur ndonjëherë për t'u pagëzuar me Frymën.

4. Të gjithë besimatrët nxiten të mbushen me Frymën.

5. Një punë fillestare në kohën e shpëtimit.

5. Një njeri mund të mbushet me Frymën disa vite pas shpëtimit të tij.

6. Besimtari pagëzohet vetëm një herë.

6. Besimtari mund të mbushet disa herë.

7. Asnjë besimtar nuk u pagëzua para Rrëshajve. Pagëzimi i vendos besimtarët në Trup.

7. Disa besimtarë u mbushën me Frymë para Rrëshajve. Mbushja është e domosdoshme për shërbesë.

f. Fryti i Frymës. "Por fryti i Frymës është: dashuria, gëzimi, paqja, durimi, mirëdashja, mirësia, besimi, zemërbutësia, vetëkontrolli. Kundër këtyre gjërave nuk ka ligj"(Galatasve 5:22-23). Fryti i Frymës është karakteri i vërtetë i krishterë. Ju vini re që fjala "fryt" është njëjës. Dikush e ka paraqitur këtë pjesë të Shkrimit në këtë mënyrë: "Fryti i Frymës është dashuria: gëzimi, paqja, durimi, mirëdashja, mirësia, besimi, zemërbutësia dhe vetkontrolli; kundër këtyre gjërave nuk ka ligj". Jeta e Zotit tonë është shembulli më i mirë i frytit të Frymës. Fryti gjithmonë vjen nga jeta brenda. Kur në kohën e Krishtlindjes shohim mollë dhe portokalle në një nga pemët e Krishtlindjes, e dimë që ato janë të lidhura në atë pemë. Nuk nevojitet t'i lidhësh mollët në degë, ato rriten aty në mënyrë natyrore. Ka shumë fe shoqërore që në mënyrë figurative janë duke lidhur mollë dhe portokalle në pemën e Krishtlindjes. Ato bëjnë sikur japin fryt, por nuk kanë jetë fare përbrenda, sepse nuk e kanë Frymën; prandaj janë të perëndishme vetëm në dukje, por mohojnë fuqinë e Tij. Një pemë nuk punon për të prodhuar mollë, ajo vetëm jep. E njëjta gjë është e vërtetë edhe me të krishterin. Ai nuk e jep frytin e Frymës me anë të punës së tij, por thjeshtë me nënshtrim.

(1) Fryti në lidhje me individin: Dashuria, gëzimi, paqja.

(2) Fryti në lidhje me njeriun: Durimi, mirëdashja, mirësia.

(3) Fryti në lidhje me Perëndinë: Besimi, zemërbutësia, vetkontrolli.

g. Ecja në Frymë. "Dhe unë them: Ecni sipas Frymës dhe nuk do t'i përmbushni dëshirat e mishit"(Galatasve 5:16). Një mënyrë tjetër për ta thënë këtë është: "Me anë të Frymës, ecni vazhdimisht". Fryma do të ecë. Një shembull i vjetër është ky: personi që është brenda kostumit, ecën. Kostumi është vetëm për t'u varur. Nuk duhet të kemi një vullnet tonin, por ashtu si kostumi, edhe ne duhet të varemi. Kudo që shkon Fryma, shkojmë edhe ne. Vullneti i Frymës është vullneti ynë.

h. Ripërtëritja e Frymës. "Ai na shpëtoi jo me anë të veprave të drejta që ne bëmë, por sipas mëshirës së tij, me anë të larjes së rilindjes dhe të ripërtëritjes së Frymës së Shenjtë" (Titit 3:5). Kjo ka lidhje me fuqizimin e përditshëm të Frymës për të bërë një jetë të krishterë fitimtare. Ne nuk arrijmë kurrë një kohë të vetëplotësisë.

i. Fuqizimi i Frymës. Pali lutet që Perëndia mund t'u japë efesianëve, "sipas pasurisë së lavdisë së vet, të forcoheni me fuqi nëpërmjet Frymës së tij në njeriun e përbrendshëm" (Efesianëve 3:16). Shenjtorët kanë dëshmuar për të vërtetën e këtij Shkrimi.

j. Mbjellja e Frymës. "Mos u gënjeni: Perëndia nuk vihet dot në lojë, sepse ç'të mbjellë njeriu, atë edhe do të korrë. Sepse ai që mbjell për mish të tij, do të korrë nga mishi i tij prishje, por ai që mbjell për Frymë, do të korrë nga Fryma jetë të përjetshme" (Galatasve 6:7-8). Këto vargje nuk u janë drejtuar të pashpëtuarve, por të krishterëve. Të krishterët mund të mbjellin në mish, çka do të thotë që mund të jetojnë në mëkat, megjithatë koha e korrjes do të vijë.

k. Udhëheqja e Frymës. "Sepse të gjithë ata që udhëhiqen nga Fryma e Perëndisë janë bij të Perëndisë" (Romakëve 8:14). Disa e interpretojnë këtë kështu: "Ata që e kërkojnë Frymën për këshillë në vendimet e tyre të jetës, janë të siguruar që janë bijtë e Perëndisë". Me të vërtetë, është një bekim që të kërkojmë dhe të marrim nga Fryma e Shenjtë vullnetin e Tij në vendimet tona, por kjo nuk është ajo me të cilën lidhet Shkrimi i Shenjtë. Udhëheqja e Frymës i drejtohet udhërrëfimit të Tij për të krishterin në rrugën e lavdisë.

Shqetësimi mund të na bjerë dhe Satani mund të na kundërshtojë,

Perëndia i udhëheq fëmijët e Tij të dashur,

Me hir mund të luftojmë, të gjithë armiqtë mund t'i shkatërrojmë,

Perëndia i udhëheq fëmijët e Tij të dashur.

Disa përmes ujërash, disa përmes përmbytjesh,

Disa përmes zjarrit, por të gjithë përmes gjakut,

Disa përmes pikëllimit, por Perëndia u jep këngë,

Gjatë natës dhe gjatë gjithë ditës gjithashtu.[2][3]

l. Shenjtërimi i Frymës. "Të zgjedhurve sipas paranjohjes së Perëndisë, Atit, me anë të shenjtërimit të Frymës, për t'u bindur dhe për t'u spërkatur me gjakun e Jezus Krishtit; hiri dhe paqja u shtoftë mbi ju"(1 Pjetri 1: 2).

m. Ndihma e Frymës. "E di në fakt, se kjo do të dalë për shpëtimin tim, me anë të lutjes suaj dhe me ndihmën e Frymës së Jezus Krishtit"(Filipianëve 1:19).

n. Dhuntitë e Frymës.

(1) Numërimi i dhuntive. "Edhe për sa u përket dhuntive frymërore, o vëllezër, nuk dua të jeni të paditur … dikujt, pra, i jepet, me anë të Frymës, fjalë diturie; një tjetri, sipas të po atij Frymë, fjalë njohurie; një tjetri besim, nga po ai Frymë; një tjetri dhuntitë e shërimeve, nëpërmjet po atij Frymë; një tjetri pushtet për të kryer veprime të fuqishme; një tjetri profeci; një tjetri të dallojë frymërat; një tjetri larmi gjuhësh; një tjetri interpretimi i gjuhëve. Dhe të gjitha këto i bën i njëjti dhe i vetmi Frymë, duke i ndarë gjithsecilit dhunti veç e veç ashtu si do vetë"(1 Korintasve 12:1, 8-11).

(2) Dhënia e dhuntive. Gjëja e parë që do të donim të theksonim, është që dhuntitë nuk i janë dhënë njeriut për shkak të dëshirave dhe lutjeve të tij, por sipas vullnetit të Frymës: "duke i ndarë gjithsecilit dhunti veç e veç ashtu si do vetë". Gjëja tjetër për të cilën do të kërkonim vëmendje është që dhuntitë u dhanë, me qëllim që të vërtetonin thëniet e Krishtit dhe të dishepujve të Tij, që Jezusi ishte me të vërtetë Biri i Perëndisë dhe që dispensacionit të vjetër të ligjit i kishte ardhur fundi dhe koha e hirit kishte filluar. "Si do të shpëtojmë ne, nëqoftëse e lëmë pas dore një shpëtim kaq të madh? Ky shpëtim, si u shpall në fillim prej Perëndisë, u vërtetua ndër ne nga ata që e dëgjuan, ndërsa Perëndia dëshmonte për të me anë shenjash e mrekullish, me vepra të ndryshme të fuqishme dhe me dhurata të Shpirtit të Shenjtë, sipas vullnetit të tij" (Hebrenjve 2:3-4). Sigurisht që ishte nevoja që Perëndia ta vërtetonte këtë mësim të ri që u fillua nga vetë Zoti, përderisa njerëzit kishin qenë nën traditat e ligjit për më shumë se 1400 vjet dhe, për pasojë, ishte e vështirë për ta që të kuptonin se Perëndia kishte kryer punë me Besëlidhjen e Vjetër dhe kishte themeluar të Renë. Përveç kësaj, nuk kishte ende ndonjë libër të Dhiatës së Re të shkruar. Së fundi, theksojmë faktin që asnjë besimtar nuk i merr të gjitha dhuntitë. "Dhe Perëndia i vuri disa në kishë, së pari apostuj, së dyti profetë, së treti mësues; pastaj vepra të fuqishme; pastaj dhuntitë e shërimit, të ndihmës e të qeverisjes dhe të larmive të gjuhëve. A janë vallë të gjithë apostuj? Janë të gjithë profetë? Janë të gjithë mësues? A kanë të gjithë dhuntinë e veprave të fuqishme? A kanë të gjithë dhuntitë e shërimeve? A flasin të gjithë gjuhë të ndryshme? A interpretojnë të gjithë?" (1 Korintasve 12:28-30). Përgjigjja është jo.

(3) Shfrytëzimi i dhuntive. Si duhej të përdoreshin këto dhunti? 1 Korintasve 13 e thotë qartë që ato duhet të nxiten nga dashuria. Pali, me frymëzimin e Frymës së Shenjtë, thotë që, nëse ai do të kishte të gjitha dhuntitë dhe nuk do të kishte dashuri, nuk do të ishte asgjë, jeta e tij do të ishte e pafryt dhe shpërblimi i tij një hiç.

Disa mund të pyesin: "A është dhuntia e gjuhëve për sot? A nuk thotë Bibla: 'Mos i ndaloni të flasin në gjuhëra'"? Me këtë temë do të merremi më gjerësisht më tutje; megjithatë diçka mund të thuhet për të edhe këtu.

1 Korintasve 14:39 thekson qartë: "Prandaj, o vëllezër të mi, kërkoni me zemër të zjarrtë të profetizoni dhe mos ndaloni të flasin në gjuhëra". Por, nëse kapitulli 14 duhet të përdoret si një leje për të folur në gjuhë të ndryshme, atëherë ata që flasin "në gjuhë të panjohura", duhet të drejtohen nga i njëjti kapitull për përdorimin e kësaj dhuntie. A duhet lejuar, atëherë, një njeri që të flasë në disa gjuhë në një shërbesë kishe? Sigurisht, në qoftë se bëhet sipas 1 Korintasve 14: "Nëse ndonjë flet në gjuhë tjetër, le të bëhet kjo nga dy a më të shumtën tre vetë dhe njeri pas tjetrit, dhe një le të interpretojë. Por, nëse nuk ka interpretues, le të heshtë në kishë dhe le të flasë me veten e tij dhe me Perëndinë" (1 Korintasve 14:27-28). Kurdo që përdoret dhuntia e gjuhëve, vetëm dy ose, më së shumti tre, mund të flasin në një shërbesë. Ky rregull do të përjashtonte shumë gjëra nga e ashtuquajtura "lëvizje e gjuhëve" sot. Çështja tjetër është se të folurit duhet të jetë "me radhë", njëri pas tjetrit. Kjo do të kufizonte edhe më shumë nga lëvizja e gjuhëve, sepse nganjëherë llogaritet që edhe dhjetra, edhe qindra dalin që të flasin në të njëjtën kohë. Shkrimet thonë, gjithashtu, që, në qoftë se nuk ka një interpretues, le të mos ketë fare të folur në gjuhë të ndryshme. Edhe më shumë do të ishte eleminuar, nëse kjo do të ishte ndjekur. Më së fundi: "Gratë tuaja të heshtin në kishë" (1 Korintasve 14:34). Praktikisht kjo i jep fund gjithë lëvizjes së gjuhëve, sepse shumica e atyre që marrin pjesë, janë gra.

Shumë rebelojnë ndaj këtij vargu, duke thënë që nuk ka lidhje me "gjuhët", por, në qoftë se ky varg nuk flet për "gjuhët", atëherë përfshin çdo gjë, madje edhe gjuhët, përderisa thotë që gratë duhet "të heshtin në kishë". Megjithatë, kjo ka të bëjë vetëm me gjuhët, sepse pjesë të tjera të po këtij libri të 1 Korintasve e lejojnë një grua të flasë ose të lutet në kishë. "Edhe çdo grua, që lutet ose profetizon kokëzbuluar, turpëron kryet e saj, sepse është njëlloj sikur të ishte e rruar"(1 Korintasve 11:5). Fjala "profetizon" do të thotë të shpallësh, të tregosh; kështu, një grua lejohet që të "shpallë" Fjalën e Perëndisë përpara fëmijëve ose grave në "shkollën e së dielës", në korin e kishës, etj., veçse të mos "përdorë pushtet mbi burrin" me anë të mësimit (1 Timoteu 2:12).

(4) Mbajtja e dhuntive. A është e mundur që Perëndia i mban disa nga dhuntitë, të cilat Ai i dha në fillim, që të mos ua japë besimtarëve sot? Jo vetëm që është e mundshme, por edhe e sigurt. Në 1 Korintasve 13, Fryma e Shenjtë thekson: "Dashuria nuk ligshtohet kurrë; por profecitë shfuqizohen, gjuhët pushojnë dhe njohuria do të shfuqizohet, sepse ne njohim pjesërisht dhe profetizojmë pjesërisht. Por, kur të vijë përsosmëria, atëherë ajo që është e pjesshme, do të shfuqizohet" (vargjet 8-10). Mbani mend që 1 Korintasve 13 po flet për "dhuntitë" e Frymës dhe, kur thotë që profecitë do të shfuqizohen, nuk do të thotë që disa nga profecitë e treguara nga njerëz të Perëndisë, të regjistruara në Bibël, do të dështojnë përmbushjen e tyre. Kjo do të thotë që dhuntia e profecisë do të hiqet një ditë. Kur thotë që "gjuhët do të pushojnë", nuk do të thotë që në një të ardhme të gjitha gjuhët do të pushojnë, por që dhuntia e gjuhëve do të hiqet. Kur thotë që "njohuria do të shfuqizohet", nuk do të thotë që do të vijë një kohë kur njohuria nuk do të jetë më, por që dhuntia e njohurisë do të hiqet. Kur do të hiqen dhuntitë e profecisë, të gjuhëve dhe të njohurisë? Kur "të vijë përsosmëria". Vargjet e mësipërme nuk flasin për ardhjen e dytë të Krishtit, por më tepër për kohën kur jepet zbulesa e plotë e Fjalës së Perëndisë. A e kemi zbulesën e plotë të Perëndisë sot? Po. Kur apostulli Gjon shkroi: "Hiri i Zotit Jezus Krisht qoftë me ju të gjithë. Amen" (Zbulesa 22:21), zbulesa e plotë e Perëndisë u plotësua. Ajo që ishte e përsosur, kishte ardhur. Prandaj, përderisa kemi zbulesën e plotë, dhuntitë e profecisë, të gjuhëve dhe të njohurisë janë shfuqizuar, pra, janë hequr. Ato nuk janë për sot.

Duke u kthyer tek Efesianëve 4:11, lexojmë: "Dhe ai vetë i dha disa si apostuj, të tjerë si profetë, të tjerë si ungjilltarë dhe të tjerë si barinj e mësues". Vëmë re në këtë zbulesë të mëvonshme që asnjë dhunti mrekullish nuk është e radhitur këtu, siç ishin të radhitura në 1 Korintasve 12-14. Nuk ka më nevojë për dhuntitë e mrekullive, sepse ne kemi zbulesën e plotë të Perëndisë. Një bir i Perëndisë bekohet më shumë duke pasur zbulesën e plotë të Perëndisë sesa të kishte të gjitha dhuntitë çudibërëse.

Disa kanë thënë që ne kemi nevojë për këto dhunti për shenja të "mbushjes" së Frymës. është e vërtetë që Perëndia i dha këto dhunti mrekullish për shenja, megjithatë jo për "mbushjen" e Frymës, por për vërtetimin e apostullimit të Palit (2 Korintasve 12:12), vërtetimin e Palit ndaj joçifutëve (Romakëve 15:18-19), vërtetimin e shpëtimit nëpërmjet Krishtit (Hebrenjve 2:3-4) dhe për vërtetimin e Fjalës (Marku 16:20). A kemi nevojë për këto dhunti për të vërtetuar Fjalën sot, Ungjillin dhe apostullin Pal? Dy mijë vjetët e historisë së kishës i kanë vërtetuar këto gjëra.

(5) Pjesa tjetër e dhuntive. "Tani, pra, këto tri gjëra mbeten: besimi, shpresa dhe dashuria; por më e madhja nga këto është dashuria" (1 Korintasve 13:13). Këto tri gjëra zotërohen nga çdo i krishterë, i cili, duke qenë i kontrolluar nga Fryma e Shenjtë, duhet t'i përdorë ato.

o. Dëshmia e Frymës. "Vetë Fryma i dëshmon frymës sonë se ne jemi bij të Perëndisë" (Romakëve 8:16). Ligji thekson që në gojën e dy dëshmitarëve e vërteta do të shpallet. Kështu, kemi dy dëshmitarë të cilët shpallin që ne jemi fëmijët e Perëndisë. Ata janë Fryma e Shenjtë dhe fryma jonë. Si dëshmon Fryma e Shenjtë për shpëtimin tonë? Nëpërmjet Fjalës. Si dëshmon fryma jonë? Me anë të ndjenjave, apo me anë të ndërgjegjes? Jo. Ndjenjat janë mashtruese. Fryma jonë dëshmon me anë të besimit në Fjalën e Perëndisë. Fjala e Perëndisë shpall shpëtimin tonë kur ne besojmë Krishtin. Kjo është ajo që ne besojmë. Prandaj Fryma dëshmon "së bashku me" frymën tonë.

p. Vajosja e Frymës. "Por ju keni vajosjen nga i Shenjti dhe dini çdo gjë … Dhe, sa për ju, vajosja që keni marrë prej tij qëndron në ju dhe nuk keni nevojë që ndokush t'ju mësojë; por, duke qenë se vajosja e tij ju mëson çdo gjë dhe është e vërtetë e nuk është gënjeshtër, qëndroni në të ashtu sikurse ju mësoi." (1 Gjoni 2:20, 27). "Vajosja" në Shkrime qoftë në Dhiatën e Vjetër, qoftë në Dhiatën e Re ishte për një shërbesë. Mbretër dhe priftërinj u vajosen për shërbimet e tyre të veçanta. Krishti u vajos (Veprat 10:38). Vetë emri "Krisht" do të thotë i vajosuri. Ai ishte Profeti i vajosur (për të kaluarën), Prift (për të tashmen) dhe Mbret (për të ardhmen). Besimtari në Krishtin merr vajosjen e Tij për shërbesë kur rilindet: "keni marrë". Vajosja e Frymës nuk është për një numër të vogël njerëzish të hatëruar. Të gjithë besimtarët janë të vajosur: "[ju] keni marrë". Vajosja e Frymës është njëherë e përgjithmonë: "banon në ju". Nuk ka asnjë vend në Shkrime ku një njeri merr një "vajosje të re". Fetë e rreme mund të përpiqen të largohen nga Krishti dhe nga besimi juaj në Të, por ju, duke i dëgjuar nxitjet e tyre, mos u dorëzoni, sepse keni vajosjen e Frymës "dhe nuk keni nevojë që ndonjë njeri t'ju mësojë ju".

q. Adhurimi në Frymë. "Sepse rrethprerja e vërtetë jemi ne, që i shërbejmë Perëndisë në Frymë dhe që mburremi në Krishtin Jezus pa besuar në mish" (Filipianëve 3:3). I vetmi adhurim i pranuar nga Perëndia duhet të jetë i frymëzuar nga Fryma. Një njeri nuk e adhuron atë me duar, këmbë apo buzë, por në Frymë nëpërmjet duarve, këmbëve dhe buzëve.

r. Bashkësia e Frymës. "Hiri i Zotit Jezus Krisht, dashuria e Perëndisë dhe bashkësia e Frymës së Shenjtë qofshin me ju të gjithë" (2 Korintasve 13:13-14). Fjala "bashkësi" në këtë rast mund të përkthehet më mirë si miqësi, partneritet. Kështu që "bashkësi" do të thotë pjesëmarrje dhe ndarje. Fryma e Shenjtë dhe të krishterët kanë një gjë të përbashkët: Jezus Krishtin!

s. Lutja në Frymë. "Kështu, pra, edhe Fryma na ndihmon në dobësitë tona, sepse ne nuk dimë çfarë të kërkojmë në lutjet tona, sikurse duhet; por vetë Fryma ndërhyn për ne me psherëtima të patregueshme. Dhe ai që heton zemrat e di cila është mendja e Frymës, sepse ai ndërhyn për shenjtorët, sipas Perëndisë" (Romakëve 8:26-27). A është gabim t'i lutemi Frymës së Shenjtë? Nuk ka asnjë vend në Shkrimin e Shenjtë që na urdhëron të bëjmë një gjë të tillë, por përsëri Ai është një anëtar i Hyjnisë; kur ne i lutemi Perëndisë, i lutemi Atij.

t. Beteja e Frymës. "Sepse mishi ka dëshira kundër Frymës, dhe Fryma ka dëshira kundër mishit dhe këto janë të kundërta me njëra-tjetrën, që ju të mos bëni ato që dëshironi" (Galatasve 5:17).

u. Mësimi i Frymës. "Po Perëndia na i ka zbuluar me anë të Frymës së tij, sepse Fryma heton çdo gjë, edhe të thellat e Perëndisë" (1 Korintasve 2:10). Fryma e Shenjtë ua shfaq Fjalën e Tij vetëm të krishterëve të rilindur dhe jo atyre që janë jashtë trupit të Krishtit. Njeriu pa Frymën e Perëndisë nuk mund të mësojë besimin e Perëndisë.

5. Fryma e Shenjtë dhe Shkrimet.

a. Frymëzimi. "I gjithë Shkrimi është i frymëzuar nga Perëndia" (2 Timoteut 3:16a). Kuptimi i plotë i fjalës "frymëzim" është Perëndia hukati. Asnjë profeci nuk është aftësi krijuese individuale e njeriut. Ne besojmë në frymëzimin fjalë për fjalë të Fjalës së Perëndisë. Jo vetëm mendimet, por edhe fjalët janë të frymëzuara, siç janë nga Perëndia në origjinal. Disa mund të pyesin: "A nuk përdori Perëndia instrumente njerëzore?" Po, por përdorimi i instrumenteve njerëzore nuk e bën të mos jetë Fjala e Perëndisë. Kur ju lexoni Pentateukun (librat e ligjit), nuk lexoni fjalët e Moisiut, por lexoni fjalët e Perëndisë. Shihni 1 Korintasve 2:12-13, 10:11, Romakëve 4:20-25 dhe 15:4.

b. Ndriçimi. Mënyra më e mirë për të studiuar Librin, është të njohësh Autorin. Përkthyesi më i mirë i Librit është shkrimtari, Fryma e Shenjtë. Ashtu si Zoti Jezus ua bëri të njohura Shkrimet dishepujve, kështu do të bëjë edhe Fryma e Shenjtë për ne në ditët tona (1 Korintasve 2:9-14).

6. Fryma e Shenjtë dhe mëkatet.

a. Trishtimi i Frymës. "Dhe mos e trishtoni Frymën e Shenjtë të Perëndisë, me të cilin u vulosët për ditën e shpengimit" (Efesianëve 4:30). Fjala "trishtim" ka të bëjë me dashurinë. Njerëzit që nuk ju duan, nuk do të trishtohen kurrë për ju. Fryma e Shenjtë trishtohet për ne, prandaj Ai duhet të na dojë.

b. Mashtrimi i Frymës. "Por Pjetri i tha: 'Anania, pse Satani ta mbushi zemrën që të gënjesh Frymën e Shenjtë dhe të mbash një pjesë të çmimit të arës?'" (Veprat 5:3). Anania gënjeu Kishën, tempullin e Frymës së Shenjtë. Ne, gjithashtu, mund ta gënjejmë Frymën e Shenjtë. Ne mund të këndojmë një gënjeshtër. Nganjëherë, në takime emocionale, njerëzit ia kushtojnë jetën e tyre ndonjë shërbese të veçantë, por shumë shpejt ata e lënë pas dore këtë vendim. Kjo është mashtrim ndaj Frymës së Shenjtë.

c. Shuarja e Frymës. "Mos e shuani Frymën" (1 Thesalonikasve 5:19). Të "shuash" do të thotë të fikësh. Një njeri mund të shuajë dhuntitë e Frymës dhe mund të shuajë Frymën tek të tjerët, duke i ndaluar të mos përdorin dhuntitë e Frymës së Shenjtë.

d. Kundërshtimi i Frymës. "Ju gjithnjë e kundërshtoni Frymën e Shenjtë" (Veprat 7:51).

e. Fyerja e Frymës. "Ç'dënim më të keq meriton, sipas mendimit tuaj, ai që ka shkelur me këmbë Birin e Perëndisë dhe e ka konsideruar profan gjakun e Besëlidhjes me të cilin u shenjtërua, dhe ka fyer Frymën e hirit?" (Hebrenjve 10:29).

f. Blasfemia kundër Frymës. Ky është i ashtuquajturi "mëkat i pafalshëm" që gjendet tek Mateu 12:31-32 dhe Mark 3:29-30. Në qoftë se hiri i Perëndisë, që do të falë gjithë mëkatet e njerëzisë, nuk do të falë këtë, duhet të jetë një mëkat i pazakonshëm. Vrasja nuk është mëkat i pafalshëm. Mosbesimi nuk është mëkat i pafalshëm. Ku do të ishim ne, po të ishte kjo e vërtetë? Kundërshtimi i Jezus Krishtit nuk është mëkat i pafalshëm, megjithatë njeriu që e kundërshton Krishtin dhe vdes, në të vërtetë, është i humbur. Fryma nuk do të luftojë me njeriun pas vdekjes. Kundërshtimi i tij i fundit nuk është i pafalshëm, por i pafalur.

Lexuesi duhet të bëjë dallimin mes këtyre fjalëve:

I Pafalur/I Pafalshëm

I Pashpëtuar/I Pashpëtueshëm

Unë besoj që blasfemia kundër Frymës, që disa e emërtojnë "e pafalshme", ishte një mëkat i asaj kohe (dispensacioni), i kufizuar për tridhjetë e tre vitet e qëndrimit të Krishtit në tokë. Në kohën e sotme, nuk ka mëkatarë në listën e zezë të Perëndisë. Perëndia nuk ka dërguar kurrë një njeri të shkojë dhe të predikojë mesazhin që janë disa njerëz që Ai nuk do t'i falë.

A është shpëtuar ndonjë që e ka kryer këtë blasfemi? Po, Apostulli Pal, "që më parë isha blasfemues, përndjekës dhe i dhunshëm; por m'u dha mëshira, sepse i bëra nga padija, në mosbesimin tim; Por prandaj u mëshirova, që Jezus Krishti të tregojë më përpara në mua gjithë zemërgjerësinë, për të qenë shembull për ata që do të besojnë në të për jetë të përjetshme" (1 Timoteut 1:13, 16). Fjala "flet" tek Mateu 12:32 dhe Marku 3:30 është çelësi për interpretimin e saktë.

7. Simbolet e Frymës së Shenjtë.

a. Pëllumbi. "Dhe Gjoni dëshmoi duke thënë: 'E pashë Frymën duke zbritur nga qielli si një pëllumb dhe ndenji mbi të'" (Gjoni 1:32). Mbi asnjë tjetër nuk zbriti Fryma në këtë mënyrë. Në Zanafilla 1:2 Fryma e Shenjtë është e paraqitur duke lëvizur mbi sipërfaqen e ujërave, si një pëllumbeshë që ngroh vezët e saj. Pëllumbi është një shpend i butë dhe i pastër. Kështu janë edhe ata që janë të Frymës. "I pastër (i butë) si pëllumb" (Mateu 10:16). Dhe me të vërtetë, pëllumbi është simbol i Frymës së Shenjtë. Shkrimi na e paraqet zemërimin e Birit, por asnjëherë zemërimin e Frymës.

b. Uji. "Sepse unë do të derdh ujë mbi atë që ka etje dhe rrëke mbi tokën e thatë; do të derdh Frymën time mbi pasardhësit e tu dhe bekimin tim mbi trashëgimtarët e tu" (Isaia 44:3). Shihni gjithashtu Gjoni 7:38-39. Sa vlerë ka uji për buzët e zhuritura, sa i mirë është shiu për tokën e zhuritur, ashtu është edhe Fryma për individin. Nuk ka asgjë që e shuan etjen më mirë sesa uji dhe nuk ka asgjë që e kënaq pritjen e zemrës sa Fryma e Shenjtë.

c. Vaji. "Atëherë Samueli mori bririn e vajit dhe e vajosi para vëllezërve të tij; që nga ajo ditë Fryma e Zotit zbriti te Davidi. Pastaj Samueli u ngrit dhe shkoi në Ramah" (1 Samueli 16:13). Shihni gjithashtu Isaia 61:1 dhe Veprat 10:38. Kur prifti lyhej me vaj, së pari, vajosej veshi i tij, sepse ai duhej që të dëgjonte gjithmonë Fjalën e Perëndisë; mandej vajosej gishti i madh i tij, sepse veprimet e tij duhej të ishin për lavdinë e Perëndisë; dhe më pas, gishti i madh i këmbës së tij sepse ai duhej të ecte me Perëndinë.

d. Era. "Atëherë ai më tha: Profetizoji frymës, profetizo bir njeriu dhe i thuaj frymës: Kështu thotë Zoti, Zoti: Frymë, eja nga të katër erërat dhe fryj mbi këta të vrarë, që të jetojnë … Do të shtie te ju Frymën tim dhe ju do të jetoni, dhe do t'ju çoj në tokën tuaj; atëherë do të pranoni që unë, Zoti, fola dhe e kam kryer këtë gjë, thotë Zoti" (Ezekieli 37:9, 14). Shihni edhe Gjoni 3:3-8. Era shënon veprimtari. Ju nuk mund ta shihni erën, por megjithatë ajo është e fuqishme. Ajo që duket, nuk është kufiri i veprimit. Era flet gjithashtu për "pastrimin" (Job 37:21).

e. Zjarri. "Dhe atyre u dukën gjuhë, si prej zjarri, të cilat ndaheshin dhe zinin vend mbi secilin prej tyre." (Veprat 2:3). Zjarri nënkupton Frymën e Perëndisë. Është zjarri ai që pastron, djeg, ngroh, provon, ndriçon dhe fuqizon. E njëjta gjë është edhe me Frymën e Shenjtë.

f. Veshja. "Por Fryma e Zotit depërtoi te Gedeoni që i ra borisë; dhe Abiezeritët u thirrën që t'i shkonin pas" (Gjyqtarët 6:34). Veshja flet për mburojën. Fryma është Mburoja jonë.


[1] Njeriu edhe toka "ranë" prej gjendjes së përsosur pas mëkatit të Adamit në kopësht. Toka u mallkua dhe njeriu është nën mëkat, duke perjetuar pasojat e mëkatit (dhimbje, sëmundje, vuajtje dhe vdekje) (shënim i përkthyesve).

[2] Dispensacion—një periudhë kohore që karakterizohet nga një administrim i veçantë i Perëndisë (shënim i përkthyesve).

[3] Fjalët e një himne amerikane, "God Leads His Dear Children Along" (strofa e dytë dhe kori), shkruar nga G.A. Young (shënim i përkthyesve).


Ktheu tek faqja: Përmbajtja e Librit

pixelburg.gif (801 bytes)

© Copyright  Të Krishterët  Përgjigjen
Faqja Kryesore | Kush Jemi | Të RejatKontakt | Kërko

"Të jini gjithëherë të gatshëm t'u jipni përgjigje çdo njërit që kërkon nga ju shpjegime per shpresën që ju keni (1 Pjetrit 3:15)"