Kosova shtet autonom!
Në prag të hapjes së pakos më të pritshme të z. Ahtisarit

Shkruar nga:
Pastor Femi Cakolli

Është krijuar një akt paradoksal në politikën ndërkombëtare për sa i përket së ardhmes politike të Kosovës. Në dhe për Kosovën kanë luftuar sa ushtarakisht edhe politikisht ushtri të ndryshme, qeveri dhe organizata të fuqishme (UÇK, NATO, SHBA, BE, IPVK etj.)

Dhe aktualisht është formësuar një pezulli e tërë këtij procesi në dorën e një personi të vetëm që quhet z. Ahtisari. Të gjithë jemi kureshtar se çka do të përmbajë pakoja e tij, edhe pse tashmë janë publikuar disa pika të saj. Personalisht, paraqitet një sfidë për të thënë diçka për këtë pako edhe pse do të hapet më 2 shkurt, sikurse që edhe mund të  ndryshojë qoftë për mirë ose për të keq edhe pas kësaj date. Kureshtja konsiston në këto dilema: A do të ketë Kosova pavarësi dhe çfarë do të jetë kjo?! Çfarë detyrimesh shtesë do t’i ketë Kosova për pavarësinë e saj?! A do të ndahet dhe a do të enklavizohet zyrtarisht vendi ynë?!

Kosova shumë shpejt do të jetë një shtet, por nuk do të jetë e pavarur, sepse sovraniteti i saj i plotë nuk do të jetë sigurisht edhe për një periudhë kohore prej 10 e deri në 20 vjet. Kosova po krijohet si një shtet i ri në kuadër të një filozofie moderne dhe pragmatike të politikës europiane. Në bazë të kësaj filozofie politike Kosova po bëhet shtet edhe sipas formulës që e ka diktuar etnogjeografia dhe etnopolitika ballkanike, veçmas ajo serbo-shqiptare: shtet autonom (antonim i shtetit sovran, përkatësisht shtet me sovranitet shumë të vogël). Po kështu ne dëgjojmë se gjoja edhe shtetet e pavarura me shekuj çdo ditë e më shumë kanë më pak sovranitet. Pra Kosova sipas pakos së z. Ahtisarit, dhe sigurisht se edhe sipas rezolutës së KS të OKB, do të jetë një shtet autonom i mbikëqyrur kryesisht nga BE por edhe me një hise jozyrtare të Serbisë.

Shteti autonom i Kosovës nuk po vjen pra vetëm për shkak të politikës europiane por edhe për shkak të klasës politike dhe të shoqërisë kosovare në përgjithësi. Këtë gjykim e bazoj në një postulat sa shkencor dhe psikologjik aq edhe fetar kryekëput nga etika e kishës protestante: nëse (vetë) i parashtron ose i përcakton (vetës) vendimet, qëllimet dhe udhëheqjen atëherë detyrat do t’i kryesh në një afat më të shkurtër kohor me më shumë rezultate me më shumë autoritet dhe me më shumë zhvillim sesa kur këto detyra të t’i shtrojë dikush tjetër. Tërë kjo do të thotë se klasa politike, intelektualët shqiptarë dhe populli i Kosovës menjëherë pas ndryshimit të hartës politiko- ushtarake të Kosovës, pra pas v.1999, sa nuk kanë ditur po aq kanë qenë të ngatërruar me parashtrua qëllime, udhëheqje dhe vendime për të ardhmen e Kosovës. Dy kanë qenë së paku nyjet për të cilat ne kemi mundur të ndërmarrim përgjegjësitë tona e për të cilat ka pritur edhe komuniteti ndërkombëtar. E para, trajtimi i minoriteteve, veçanërisht atij serb. E dyta, gjithë ajo që quhet kultura e një vendi ose një populli. Që të jem modest, këto gjëra nuk po e them tani, por fillimisht në vitin 2000 (burimi: Letra e Gjallë nr.10, fq.19, Prishtinë, 2001). Atëherë dëgjova prej një serbeje këtë konstatim: “NATO erdhi në Kosovë për t’i mbrojtur shqiptarët kurse ata gabuan dhe ne ditëm sesi tash të na mbrojnë neve prej tyre”. Prandaj po përsëris. Fjala e vjetër thotë se populli po shkonte në errësirë për shkak të diturisë. Në vend se ne shqiptarët, si fitues të luftës së bashku me bashkësinë ndërkombëtare, të silleshim si zot shtëpie të Kosovës, ne jemi sjellë në Kosovë si të huaj, si për kohë plaçkeje, si për kohë hakmarrjeje, si për kohë anarkie e shfrenimi etj. Fajin kryesor këtu e kanë të zgjedhurit, pra liderët. Prandaj politikisht Lëvizjen “Vetëvendosja” e kuptoj si përpjekjen e mundshme që ta kthejë kohën kur ne vetë do të duhej që t’i shtronim dhe t’i kryenim detyrat e shtetformimit shembullor. Shumë njerëz që kanë prirje për teori konspiracioni fajin ia lënë mungesës së pushtetit kosovar, shërbimeve sekrete serbe dhe të huaja etj., por realiteti qëndron ndryshe: edhe pas 7 vjetëve ne e shohim si shoqëri kosovare se çfarë demokracie kemi çfarë keqpërdorimi të parasë publike bëhet çfarë shkelje të ligjesh kemi madje edhe prej atyre që i miratojnë ku është shkalla e krimit bishtnimi i taksimeve mospagesa e faturave tendencë konstante e dekulturalizmit etj. Në Kosovën e pasluftës duket që vetëm TMK dhe mediat kanë qenë në shkallën e duhur (morale dhe misionuese) duke bërë çdoherë progres të pranueshëm në platformat e tyre.

Megjithëse ne s’kemi paracaktuar qëllime, udhëheqje dhe vendime strategjike me kohë për të ardhmen e Kosovës atëherë të tjerët na i kanë bërë këto gjëra. Andaj që të përmbushen këto segmente do të shpenzohet shumë më shumë kohë. E me matematikë, ja kështu: në vend së pavarësimi të bëhej për tre vjet kjo nuk do të bëhet para se të mbushen 20 vjet. Këto ishin disa nga detyrat që na i ka dhënë politika ndërkombëtare përmes akronimit të njohur UNMIK: multietniciteti, standardet, nënstandardet, standardet shtesë, decentralizimi, trashëgimia kulturore etj. Kryesisht politikanët tanë çdoherë kanë gabuar, janë shtirur, në këto detyra. E para se këto ishin çdoherë detyra të huaja, dhe e dyta duke e injoruar detyrën e parë ata si pasojë kanë marrë detyra shtesë pasi po humbnin kredibilitetin partnerues me bashkësinë ndërkombëtare, kurse pasoja evidentuese është se sovraniteti i Kosovës u shpërndara jashtë Kosove (OKB, BE, NATO, OSBE, Serbi etj.). Në anën tjetër do të duhet shumë punë, shumë përgjegjësi e mirëbesim që sovraniteti i Kosovës të mblidhet, të bëhet dhe të kthehet në Kosovë. E si do të bëhet sovraniteti i plotë është një proces i ri.

Duke i anashkaluar të gjitha këto kundrime pakoja e M. Ahtisarit do t’i shënojë disa elemente të nevojshme. E para, shkëputja de jure e Kosovës nga Serbia. E dyta, modalitete që Kosova të anëtarësohet në organizatat ndërkombëtare me interes të madh politik dhe ekonomik. E treta, Kosova bëhet shtet, kurse çfarë shteti  kjo është çështje tjetër mbase krejt çështjet tjera janë në proces dhe në test edhe për IPVK e edhe për shoqërinë kosovare. Prej kësaj del mësimi se mos të gabojmë edhe më shumë lidhur me detyrat që na i kanë dhënë të tjerët, sepse pas çdo gabimi do të vjen një detyrë edhe më e vështirë.

Kosovarët dhe politikanët tanë patjetër se duhet të sillen me kooperim të hapur në gjithë këto faza të shtetësisë së Kosovës me miqtë tanë dhe në përgjithësi me bashkësinë ndërkombëtare. Politikanët do të gabonin nëse argumentojnë se me rëndësi është një herë shteti se pastaj ne do t’i ndryshojmë disa gjëra më vonë me forcën tonë. Kurrsesi, sepse atë që do ta nënshkruash obligohesh që edhe t’i përmbahesh, duke ditur tani se në marrëdhëniet ndërkombëtare po dalin kushtëzime madje edhe për gjëra banale nganjëherë. Në fund të fundit masa e sovranitetit mund të ndryshohet. Sa më shumë që është vonuar procesi i statusit të Kosovës është ditur se sovraniteti i saj vetëm sa do t’u shpërndahej fuqive të tjera dhe sa më shumë që është bërë negociata me Serbinë është ditur se s’do të ketë sovranitet. Prej këtyre ndërlikimeve tash ne kemi shtet jo të pavarur, pra shtet autonom. Si ta deshifroj ndryshe formulën e politikës serbe ndaj Kosovës: më pak se pavarësia dhe më shumë se autonomia. Negociatat e ardhshme me Serbinë do të jenë që mundësisht të ketë një pëlqim të dyanshëm, sipas recetës ruse, për shtetin autonom të Kosovës, duke ndërmjetësuar ekipi i z. Ahtisarit.

Përfundimisht shtetësia autonome e Kosovës po ndërtohet mbi një baraspeshë të brishtë politike dhe historike dhe mbi disa fakte të tjera nga terreni:

  1. Për ta ruajtur formalisht Kosovën në kufijtë e saj.

  2. Krijim mekanizmash për një lloj kontrollimi afatgjatë të shumicës së popullit të Kosovës.

  3. Se kaq e kanë merituar kosovarët (përjashto flijetarët dhe sakrifikuesit jo të shumtë).

  4. Se negociatat me Serbinë nuk do të marrin fund tash por edhe për shumë vite të tjera.

  5. Rast, test dhe detyrë e re (pra jo shpërblime) për Kosovën që në të ardhmen të ketë masë më të madhe të sovranitetit dhe anëtarësim në BE.

Jam gati që të betohem në përulësinë time, me dëshirë: dashtë Zoti që të jem gabim!


Kthehu tek faqja: Histori

pixelburg.gif (801 bytes)

© Copyright  Të Krishterët  Përgjigjen
Faqja Kryesore | Kush Jemi | Të RejatKontakt | Kërko

"Të jini gjithëherë të gatshëm t'u jipni përgjigje çdo njërit që kërkon nga ju shpjegime per shpresën që ju keni (1 Pjetrit 3:15)"