Ungjilli është për ata që kanë vesh

Shkruan:
Pastor Dr. Femi Cakolli

Reagim ndaj reagimeve lidhur me artikullin tim "Pse vdesin atje haxhilerët".

Duke pasur konsideratë në radhë të parë ndaj lexuesve të javores "Java", më duhet të reagojë ndaj dy shkrimeve reaguese me titull "Për cilën Bibël flisni" të autorit Avni Aliut, si dhe ndaj artikullit me titull "Kur ndërrohen rolet, pason gabimi", të autorit Abdullah Krasniqit. Personalisht qëllimi im nuk ka qenë që të zgjojë edhe një temë islame me frymë debatimi ashtu siç ishte më herët në këtë gazetë lidhur me çështjen "me shami apo pa shami", sikurse që edhe janë hapur edhe më herët debate të ndryshme fetare, jo vetëm tash po ato dihen se janë bërë me qindra vjet rresht, madje edhe për të njëjtën problem.

Artikulli z. Avni Aliut është krejt jashtë teme. Mprehtësia e jote sarkastike, z. Avni, është fare e tejdukshme qysh në fillim të shkrimit duke më shprehur ngushëllime për haxhilerët dhe kështu gjoja edhe për të justifikuar fyerjen e ndjenjave islame që i paskam bërë, kësaj biblikisht i thonë "mençuri gjarpëri", por na është thënë se nëse përdorim mençuri gjarpëri atëherë duhet të jemi edhe të pastër dhe të butë si pëllumbat. Po përsëris se këto tema nuk lejojnë as sarkazmë e as lojë. Qëllimi i shkrimit tim nuk ka qenë që të mësojë as e as ndonjë person se çka është në përgjithësi haxhi, por kam ofruar dëshmi themelore historike se nga janë drejtuar myslimanët e hershëm për lutje, si ka qenë Meka, dhe pika ime kryesore është pse të vdesin njerëzia duke e gjuajtur djallin me gurë. Dhe kur jemi tek kjo çështje ende insistojë se djalli me gurë të gjuhet ka pasoja, sepse kjo është një provë biblike, dhe këto prova janë shumë më të hershme, shumë më praktike përpara se të shkruhej Kurani, përpara se të lindte Muhamedi, dhe përfundimisht po sjellë në dritë vetëm një të vërtetë historike dhe pragmatike.

I nderuar, unë s’kam asnjë qasje perfide, por krejt të hapur. Pra nuk po fsheh asnjë qëllim, por s’pajtohem kur thoni se i kam ftuar myslimanët që të gjejnë strehë tek Bibla dhe te Krishti. Jo, ftesë nuk kam bërë fare. Unë kam thënë se nëse dëshiron ta gjuash djallin këtë mund të bësh vetëm me Krishtin, dhe po ashtu nuk e kam nxitur askënd që ta hedh gurë kundër djallit, por nëse e bën atëherë unë vetëm e kam dëshmuar kush është arma, personi, me të cilën luftohet dhe fitohet beteja frymore ndaj çdolloj pushteti qiellor.

Saktësisht nuk e di se sa herë përmendet Krishti dhe sa Muhamedi në Kuran, por di edhe një gjë nga hadithet e Muhamedit se kur është pyetër nga nxënësit e tij se kush është Krishti (Isaja), ai u ka thënë se "Isaja është më i afërmi i Perëndisë Isaja, dhe pas tij vij unë" (për këtë mund të shohësh më gjerë Hadithet, vëllimi II, Prishtinë). Pra me këtë dua të të them se çfarë lloj vlerësimesh janë bërë ndaj Krishtit s’kanë rëndësi nëse ne nuk jemi zbatues dhe pranues të autoritet të tij.

Në vazhdim ju shtroni një pyetje shumë të madhe dhe hipotetike: për cilën Bibël flisni? Kjo pyetje është e pakuptimtë akulturore, amatore, injorante do të thosha së fundi. Krejt bota e civilizuar di për një Bibël. Se s’e vlen shumë me polemizue me ty mund të shihet se ti ke ngatërruar edhe emrin dhe mbiemrin tim, pastaj ti nuk e di dallimin e çëshjteve mes kanonizimit dhe të përkthimit të Biblës, pasi sipas teje këto dy çështje me rëndësi për bibliologjinë krishtere qenkanë njësoj, apo një çështje e vetme; pastaj ti duket se s’e merr vesh çka është "revelata", ose "reveluar" shprehje të padëgjuara deri tani në gjuhën shqipe, kurse ti shumë mirë duhesh ta dish se terminologjia krishtere në gjuhën shqipe është shumë e saktë pasi ajo është në përdorim qe 2000 vjet. Jo "revelata", por Zbulesa, ose në greqisht Apokalipsi, sepse "revelata", rrjedh nga anglishtja "revelation" – zbulesa. Por ju nuk ndaleni vetëm këtu, por ju supozoni se edhe emërtimi i këtij libri është bërë nga protestantët. Gabim pra!.

Shkrimi yt ka edhe plot lajthitje tjera teologjike, por vetëm sa për dijeninë tuaj, Bibla ka dy kanone. Kanoni i parë është ai protestant, kurse kanoni i dytë është ai katolik. Kanonizimi i Biblës nga katolikët është bërë në vitin 1548, kurse para kësaj është bërë kanoni protestant, kështu që librat apokrifë që ju i përmend ato s’ishin asnjëherë në Bibël, prandaj s’kishte mundësi që Kisha Protestante t’i ketë larguar, kurse ju thoni se jo protestantët i kanë larguar me plot trimëri 7 libra të shenjta. Jo! Ato libra kurrë s’kanë qenë të shenjta, sepse Shkrimet e shenjta vijnë prej hebrenjve, dhe jo prej katolikëve e as prej protestantëve, dhe hebrenjtë, që janë shkrues të librave të Dhiatës së Vjetër dhe të Re ata kurrë nuk i kanë besuar librat apokrife, pra 7 librat e përmendura në artikullin tënd, por që në shekullin XVI kisha katolike i shpall për kanonike. Lidhur me këtë çështje mjafton të dish se çka ka shkruar edhe Gjon Buzuku, që ishte një prift katolik, kurse e botoi veprën e tij në vitin 1555, pra shumë afër kohës së kanonizimit katolik.

Në vazhdim ju citoni në të vërtetë vetëm disa përkthime të Biblës (RSV, NASB, NIV, NWT) që bëhen nga shtete dhe kohëra të ndryshme. Për mua njëjtë është sikur të them për cilin Kuran flisni  a të Feti Mehdiut, a të Ibrahim Nahut apo të Sherif Ahmetit? Për mua këtu nuk përbëjnë tre Kurana, por tri përkthime të të njëjtit libër, zotëri, megjithëse në gjuhën shqipe ka edhe autorë të tjerë që e kanë përkthyer Kuranin, ashtu siç kemi edhe tri përkthime të plota të deritanishme të Biblës në shqip.

Në vazhdim ju nuk ndjeheni rehat se pse janë katër ungjij, se Jezusi nuk është Zoti, se ka kontradikta mes Biblës etj. Mund të përgjigjem me saktësi për të gjitha këto çështje që i keni ngritur në artikullin tënd, por po them sërish janë jashtë temës fillestare, kurse nëse redaksia vendos që të debatohet për këto çështje atëherë mund të vazhdojmë në të ardhmen, duke iu siguruar në fund se sipas Biblës Perëndia u bë njeri për shkak të dashurisë së tij ndaj nesh! Duke të siguruar se Krishti ishte plotësisht njeri dhe plotësisht Perëndi, pra Ai i kishte dy natyra deri sa ishte në tokë, atë hyjnore dhe natyrore, andaj ju s’mund ta kuptoni dynatyrësinë e tij, e një substance të njëllojtë me Zotin dhe njeriun, prandaj të gjitha vargjet biblike që flasin për hyjësinë e tij ju i cilësoni si shkrime jofrymëzuese, apo tekste të ndryshuara.

Tani më duhet të merrem me artikullin e zotërisë së tij hoxhë Abdullah Krasniqit.

Ky shkrim është shumë më konciz, më me përgjegjësi, dhe para se të them gjërat tjera më duhet të shpreh miratimin tim se kur ndërrohen rolet pason gabimi.

Më vjen keq, dhe jam gati të kërkoj falje nëse është kuptuar se unë si i krishterë dua t’i mësojë myslimanët diçka për fenë e tyre, sepse kjo nuk paraqet detyrën time.

Unë mund të mësoj çdonjërin që dëshiron vetëm për besimin tim, pasi është më lehtë të mësosh çka beson, se sa çka nuk beson, ose më lehtë është të prezantohesh kush je se sa kush nuk je.

I nderuar, e refuzoj nofkën se po marr rolin e prijsit fetar islam për të dhënë mesazhe myslimanëve. Unë jam i krishterë dhe roli im është për të dhënë mesazhe ungjillore – lajmin e Krishtit – çdonjërit që dëshiron. Ju supozoni për mua se jam i konvertuar!.

Nuk jam! i konvertuar – i kthyer – Zotit po, por jo i konvertuar nga ndonjë bindje e më hershme religjioze, në këtë rast myslimane. Edhe pse me prapavijë familjare islame, personalisht ashtu si më shumë se gjysma e shqiptarëve me bindje kam qenë sekular, laik, ateist, dhe religjioz nuk kam qenë. Dhe vetëm si i krishterë kam filluar ta njoh besimet tjera, edhe atë islam, Kuranin dhe literaturën islame. Reklama e juaj polemizuese se jam shpifës bash kurrgjë nuk do të thotë, pasi ju jeni zemëruar për faktet e mia të sjellura.

Pse të zemërohesh? Unë besoj Krishtin për Zotin tim, kurse plot njerëz më kanë kundërshtuar se jo ishte kështu apo ashtu, apo, unë e besoj Biblën për Fjalë të Zotit, kurse përplot njerëz më thonë jo ajo është e ndryshuar, është e rreme, është mitologji, ka imoralitet etj. A duhet të zemërohem me këto reagime, duke e ditur se janë trillime. Vetëm e vërteta të cënon nëse njeriu është në mashtrim, ajo të bën të lirë! Këto vlera nuk mbrohen as me zemërim, as me forcë, por vetëm me bindje dhe dashuri, pasi pronari i këtyre çështjeve është Zoti, dhe Ai është më i aftë se unë ta mbrojë fjalën e tij dhe autoritetin e tij.

Se kur ka ndodhur haxhi i parë çdo literatureë dhe çdo dëshmi e thotë edhe datën më 14 korrik 622, prej kur edhe fillon numërimi i viteve sipas kalendarit islam, dhe nëse edhe paska pasë shpërngulje para kësaj në Etiopi, sigurisht e keni fjalën ndoshta një orë apo një ditë apo sa kohë para vitit të fillimit të Hixhrit, kur faktikisht shpërngulja për Etiopi kurrë nuk merret si faktografi e ndodhive islame.

Fakti tjetër se Kibla e parë ishte kthyer drejt Jerusalemit po ashtu nuk do asnjë koment tjetër, kur kjo argumentohet edhe nga Kurani, edhe nga shumë dijetarë islam, krishterë dhe hebre.

Lidhur me faltoren, pra Qaben, kam thënë se sipas mitologjisë arabe paraislame, thuhej se e ka ndërtuar Ibrahimi për hatër të gruas së tij Haxherës, dhe jo sipas ndonjë burimi mysliman. Po njëjtë, në mitologjinë pagane arabe, por edhe islame, Meka është kërthiza e botës, është boshti i tokës, dhe vetëm prej aty mund ta takosh, ose ta takosh Zotit ballë për ballë. Nëse qenka kaq relative falja e myslimanit kudo, pse atëherë thuhet se një e falur në xhaminë e profetit është më e vlefshme se sa 1000 në një xhami tjetër – atëherë të pyes ku është Allahu, dhe pse njerëzit duhet të shkojnë atje?.

Pajtohem se islami është fe universale, pasiqë është fe monoteiste, me baza më të shumta të hebraizmit dhe më të dobëta të krishterimit. Kur jemi këtu – a mund të gjesh qoftë edhe ndonjë finesë apo kategori shpirtërore apo morale islame kurse nuk gjendet në hebraizëm, përkatësisht në Bibël?.

Se në botë vdesin me mijëra njerëz gjatë një muaji është fare e ditur, porse shumë prej tyre vdesin edhe për shkak të jetës në terr, për shkak se nuk e kanë ungjillin e Krishtit. Nuk di ndonjë vend me shumicë krishtere, s’po flas në Evropë, por kudo tjetër, ndërsa të vdesin urie, apo nga AIDS apo gjëra të ngjashme. Të merremi vesh flas për ata të krishterë që kanë Krishtin në zemër dhe jo në xhep apo në qafë, megjithëse edhe pse Evropa gjithmonë pretendohet të jetë me shumicë krishtere – pikërisht janë ata njerëzit me shumicë absolute që jetojnë në egoizëm, në individualizëm dhe në një sensualizëm, me një fjalë shoqëritë evropiane çdo ditë e më shumë po eritizohen dhe po komercializohen, ndoshta një ditë do të kthehen, dhe po bëjnë shumë gabime shumë veta që krahasojnë çfarë shohin njerëzit në Evropë apo Arabi për të sulmuar vlerat fetare dhe kulturore.

Z. Abdullah, njeriu s’mund të jetë qenie më e përsosur se djalli. Njeriu mund të jetë më i përsosur se djalli vetëm kur i nënshtrohet dhe kur i bindet Perëndisë, dhe në qenien e tij njeriu ka dy natyra: natyrën hyjnore (shpirtërore)  të trashëguar nga Zoti, qielli; dhe natyrën fizike (trupore)  të trashëguar nga toka. Në këtë perspektivë njeriu është më i përsosur se sa djalli, por dihet hapur se djalli është i krijuar aq herët sa askush përveç Zotit që e di, pastaj ai ka fuqi shumë më shumë se sa njeriu, ai vret dhe nuk duket, vjedh dhe nuk shihet etj. Hierarkia e qenieve të gjalla është: Zoti-kryengjëjt-engjëjt-djalli-demonët-njeriu-kafshët-insektet-bimët. Por njeriu me Zotin arrin përsosmërinë dhe pavdekësinë, andaj Bibla thotë se kush e ka Birin, pra Krishtin, e ka jetën!.


Kthehu tek faqja: Islamizmi

pixelburg.gif (801 bytes)

© Copyright  Të Krishterët  Përgjigjen
Faqja Kryesore | Kush Jemi | Të RejatKontakt | Kërko

"Të jini gjithëherë të gatshëm t'u jipni përgjigje çdo njërit që kërkon nga ju shpjegime per shpresën që ju keni (1 Pjetrit 3:15)"