Nga teoritë narrative: Struktura letrare të tekstit biblik dhe artistik
Përsëritja dhe paralelizmi

Shkruan:
Dr. Femi Cakolli, pastor

Për nga kërkesat e formave letrare përsëritja ka të bëjë më shumë me tekstin lirik, kurse paralelizmi ka të bëjë me tekstin prozaik, megjithëse së bashku, këto dy kategori letrare hasen edhe te lirika dhe te epika. Letërsia si kulturë krijuese është përsëritje, kurse në segmentin teorik dhe praktik letërsia zhvillon disa paralelizma. Përsëritja e parë është: krijimi – frymëzimi – tema. Përsëritja e dytë është: forma – gjuha – kujtesa. Paralelja e parë është: krijuesi – vepra - lexuesi. Paralelja e dytë është: përmbajtja – kuptimi – krahasimi. Nëse e marrim cilindo gjini letrare, p.sh., një vepër autobiografike, shohim se ajo është ndërtuar si postmodel, pra si një përsëritje, dhe ka një figurë letrare paralele. Në letërsinë e Biblës përsëritja dhe paralelizmi shpeshherë kanë një kuptim dhe një përpjekje letrare.

Lirika hebreje dallon në shumë drejtime krahasuar me lirikën greke dhe romake, pasi kjo e para pra s'ka rimë, s'ka metër, dhe në vend të kësaj poezia hebreje, vërtet lirika biblike, sikurse janë psalmet si ekzemplari më unik, ka zhvilluar këto dy figura letrare, përsëritjen dhe paralelizmin: përsëritjen e të njëjtit mendim me fjalë të ndryshme. Pra, përderisa metrika e vargjeve greke dhe romake është tejet rixhide dhe ku njësia kryesore është tingëllima, te poetika klasike hebreje dhe biblike është ritmi mendor. Ja të shohim nga Psalmi i parë:

Lum njeriu që nuk ecën sipas këshillës së të pabesëve,

nuk ndalet në rrugën e mëkatarëve,

Dhe nuk ulet bashkë me tallësit!

Shprehjet: nuk ecën, nuk ndalet, nuk ulet kanë të njëjtin kuptim dhe janë përsëritje, kurse shprehjet: pabesëve, mëkatarët, tallësit po ashtu kanë të njëjtin kuptim, por janë paralelizma. Këtu ka përsëritje dhe ka paralelizma, gjithmonë në funksionin e poezisë hebreje. Kur flasim për paralelizmin - sipas strukturës mund të jetë shumëdimensional. Strukturat paralele në përgjithësi kanë ndikimin në lëvizjen e statusit të një teksti prozaik nga ai lirik, ose ajo që tashmë njihet si lirizmi i prozës. Kjo strukturë e paralelizmit biblik pastaj jep paralelizmin e kuptimit. P.sh., Adami kishte një grua!; por Lameku kishte dy gra!; ose lidhur me Kainin thuhet në tekstin e Zanafillës: Dhe Zoti i tha: "Prandaj, kushdo qoftë të vrasë Kainin, do të dënohet shtatë herë". Dhe Zoti vuri një shenjë mbi Kainin, me qëllim që kushdo që ta gjente të mos e vriste. Mirëpo ta vërejmë se çfarë thotë tani Lameku për vetën e tij: "Në rast se do t'i merret hak Kainit shtatë herë, Lamekut do t'i merret hak shtatëdhjetë herë shtatë". Teksti biblik i ndërtuar përmes kësaj strukture nuk ndalet, pavarësisht se mesazhi, autori dhe figura ndryshojë. Tani të shohim se çfarë thotë Krishti tek ungjilli i Mateut: "Atëherë Pjetri iu afrua dhe tha: "Zot, nëse vëllai im mëkaton kundër meje, sa herë duhet ta fal? Deri shtatë herë?". Jezusi i tha: "Unë nuk të them deri shtatë herë, por deri shtatëdhjetë herë shtatë". Me këtë lloj strukture të paralelizmit është shkruar edhe romani i Arif Demollit "Vdekja e Akanit".

Reformacioni shënoi ngritjen e lirikës biblike. Reformacioni ndikoi po ashtu fuqishëm në zhvillimin e letërsive kombëtare evropiane pasi hapi filozofi dhe jetë të re, duke vënë përballë konfliktin, vërtet protekstin ndërmjet mëkatit dhe hirit, ndërmjet Shkrimit dhe traditës, Perëndisë dhe priftit, shefit dhe punëtorit, ndërmjet besimit dhe dyshimit etj. Lirikën biblike dhe poezinë hebreje forma nuk e bën një tekst lirik ose prozaik por struktura. Madje dhe në librin e Mojsiut, që s'mund të thuhet se është lirik, atje ka një këngë mjaft të bukur të shkruar në formë tregimi-rrëfimi sikur pjesët e tjera të tekstit prozaik, ose po kështu ndodh edhe në librin e Samuelit, kur Davidi i kushton Zotit një himn, ndoshta njëri prej më të mirave, që nuk gjendet madje as në librin e psalmeve të tij. Gjithë këto pjesë lirike që mund të gjenden në pjesë të ndryshme të librave prozaikë të Biblës mund t'i quajmë poema të izoluara të cilat janë në një numër të madh (Zan.4:23; Num.21:14; 21:17; 21:27-30; Zan.9:25,26; 14:19-20; 24:60; 27:27-29; 27:39; 48:15; 49:2-27; Num.6:24-26; 10:35-36; 23:7-10; 18-24; 24:3-9; 15-19, si dhe shumë pjesë të tjera te librat e profetëve, te libri i Vajtimeve, te teksti i Dhiatës së Re (sidomos kënga ose urata e Marisë Virgjër, pastaj te letrat e Palit etj.). Kjo dukuri letrare, pra që të ketë prozaizëm, në tekstet e Biblës ndodh edhe te librat poetikë.

Ritmi në letërsinë e Biblës dhe në letërsinë hebreje s'ka funksion formalist por semantik. Këtë përvojë letrare judenjtë e kanë marrë, sipas disa studiuesve, nga praktikat e letërsisë kanaanito-ugarite dhe hiteje.  Letërsitë e këtilla, dhe sidomos ajo kanaanase haset në këto pjesë të Biblës qoftë si burim, qoftë si kulturë shkrimi: te Num. 21:14 përmendet libri pagan dhe citohen disa fjali ("për këtë në Librin e Luftërave të Zotit thuhet: "Vaheb në Sufah, luginat e Amonit, dhe tatpjeta e luginave që shkon deri në banesat e Arit dhe që mbështetet në kufirin e Moabit); Num.21:27-28 përmendet në formë citimi po ashtu poetët (prandaj poetët thonë: "Ejani në Heshbon! Qyteti i Sihonit duhet të rindërtohet dhe të fortifikohet! Sepse një zjarr ka dalë nga Heshboni, një flakë nga qyteti i i Sihonit; kjo ka përpirë Arin e Moabit, zotërit e lartësive të Arnonit"); Ps.82:1 (përmendet Kuvendi i perëndive), Is.6:1-8, Ps.89:5-8, Ps.29:1-2, 1Mbr.22:19, Dan.7:9-14. Psalmi 27 ka elemente dhe terminologji kanaanite. Psalmi 24 përshkruan disa epitete për Zotin si "malet e Zotit", "Vendi i shenjtë", që janë epitete të Malit Sapum. Stili pankanonit haset po ashtu te Gjyq.5:6-30. Një tjetër model se si krijohet lirika biblike përmes  paralelizmit dhe përsëritjes është ajo që quhet intensifikimi strukturor përmes përsëritjes së anaforës. Shih për këtë disa vargje të Psalmit 13:

Lidhur me përsëritjen e fjalëve në tekst semioticieni rus Jurij Lotman thotë se përsëritja e një fjale në tekst si një zotërim nuk nënkupton përsëritjen mekanike të një koncepti, por të një koncepti semantik (shih më tek Jurij Lotman, The structure of the Artistic Text, Ann Arbor, 1977). Lirika biblike dhe poezia hebreje ka tri lloj mendimesh paralele:

1.      Paralelizmi sinonimik (ideja përmendet më shumë: Fjalët e Urta 1:20)

2.      Paralelizmi sintetik (vihen në pah kontrastet: Psalmi 1)

3.      Paralelizmi antitetik (vihen në pah kontrastet e tjera: Fjalët e Urta 15:2).

Pra ka pasazhe paralele; ka ide paralele dhe ka kundërshti paralele. Përsëritja është e pranishme kudo në jetë dhe në arte, madje edhe gjërat shpirtërore dhe psikike funksionin e tyre normal e kryejnë bazuar në përsëritjen. Përgjithësisht edhe vetë njeri dëshiron ta imitojë të kaluarën sepse dëshiron të improvizojë përsëritjen. Përsëritja është e fuqishme. Në letërsi përsëritja kuptohet më shumë si një element narrativ, pasi kështu shfaqet në narracionin e Biblës, duke marrë rolin dhe karakterin didaktik, por sot, sipas studiuesve përsëritja paraqet një problem për lexuesin modern. Në shumicën e ideve, të ngjarjeve dhe të veprimeve që i hasim në tekstin e Biblës, përsëritja është e pranishme, për shembull, te libri i Numrave, kap. 7:12-83. Përsëritja dhe paralelizmi nuk ndodh vetëm te dialogët, përshkrimet, rrëfimet, por edhe te monologët, p.sh., Davidi te 2Sam.19:1,5, thotë tetë herë "biri im". Përsëritja narrative biblike ka edhe një nivel tjetër, atëherë kur, p.sh., brenda një libri ose një kapitulli përsëritet shpesh një apo më shumë fjalë, siç ndodh te libri i Zanafillës me fjalët: bekim dhe paralindësia (heb. berakhah dhe bekhorah), dhe kjo quhet lajtmotiv (shih te Robert Alter, The Art of Biblical Narrative, Basic Books, California, USA, 1981, fq. 94). Evidenca sidomos e përsëritjes në tekstin e Biblës, por edhe te veprat e tjera letrare, qofshin ato në historinë e letërsisë sonë kombëtare ose të huaj, dëshmon se letërsia orale vazhdon ta ketë ndikimin e saj në letërsinë e shkruar, pasi mund të kuptojmë se përsëritja është premisë e letërsisë orale. Studimet letrare-historike që u bëhen veprave të ndryshme ndalen shpeshherë edhe te lajtmotivi, pra te motivi a tema kryesore e veprës letrare dhe vetëm në bazë të përsëritjes dhe paralelizmave gjendet lajtmotivi. Një shembull tjetër se si ndërtohet paralelizmi përmes përsëritjes e shohim tek Psalmi 94:1-23.

Stili biblik krijon përmes sintaksës dhe morfologjisë kuptimin dhe ndjenjën e korrenspondimit midis dy pjesëve, dhe që për këtë quhet paralelizëm (shih më shumë tek James L. Kugel, The Idea of Biblical Poetry, The Johns Hopkins University Press, Baltimore & London, 1998, fq. 2). Në vargjet e Psalmit 94 A është e ndërlidhur me B përmes ndonjë semantike paralele, por jo vetëm në këtë psalm, po edhe në pjesët e tjera lirike ose prozaike të tekstit biblik nuk do të thotë që çdoherë A të jetë e lidhur me B, pasi kombinimet mund të jenë të ndryshme në një paralelizëm, dhe skemat e këtilla mund të jenë:

1.      A është e ndërlidhur me B (Ps.124:6; 34:8; 148:2)

2.      A s'është e ndërlidhur me B (Ps.31:25; 50:22; 70:10; 80:5,9 etj.)

3.      B është në kundërshtim me A (Ps.12:4, 64:3)

4.      A atributon B (Ps.66:20)

5.      A është qëndrim dhe pyetje është B (Ps.6:6; 77:14).

Paralelizmi në radhë të parë është një fenomen biblik që haset edhe në prozë dhe në poezi. Ashtu sikur paralelizmi biblik, ose i ngjashëm, paralelizmi haset dendur edhe në letërsinë japoneze, kineze, turke, finlandeze, mongoleze, rumune dhe sanskrite. Paralelizmi dhe përsëritja po ashtu pikëtakohen edhe në letërsinë shqipe kudo, ndërsa origjina e tyre është kryesisht nga folklori ynë kombëtar, dhe se paralelizmi dhe  përsëritja në letërsinë orale, përveç karakterit didaktik, shihet se kanë edhe role të tjera, si eufemik, historik dhe shpirtëror; kjo vërehet nëse e krahasojmë epin e Gjergj Elez Alisë dhe këngën e Dem Ahmetit. Shumë nga përrallat dhe këngët popullore shqipe janë krijuar sipas këtyre skemave të paralelizmit biblik. Paralelizmi është shumë i pranishëm edhe te veprat letrare në letërsinë e Kosovës. Paralelizmi dhe përsëritja hasen edhe në Talmud dhe në Kuran. Funksionet përfundimtare stilistikore të paralelizmit dhe të përsëritjes në shkrimet biblike bëhen përcaktorët themelorë të masës, ritmit dhe të tingëllimës së vargut ose të një njësie të veçantë biblike pa iu nënshtruar rrokjeve, vargjeve dhe metrit.

Kur shkrimet e Biblës u përkthyen në gjuhën greke para 2300 vjetësh, tanimë përkthimi më i mirënjohur në botë Septuaginta, pati një çështje tejet delikate se si të konvertoheshin paralelizmat dhe përsëritjet biblike hebreje, që gjithmonë kanë një ritëm mendor në vargjet greke me ritëm, me rima dhe me masë, andaj duke u përfshirë të dy këto modele poetike në një vepër të vetme - edhe sot ai përkthim cilësohet si përkthimi më i mirë i Biblës që është bërë ndonjëherë, megjithëse konceptet teologjike judaike janë helenizuar paksa. Në studimet moderne strukturale paralelizmi dhe përsëritja biblike është parë si indeksi më evokues i cili bën që tërësia e tekstit të lëvizë nga pjesa dhe pjesa të lëvizë nga tërësia e tekstit (shih tek Robert Alter & Frank Kermode, The Literary Guide to the Bible, Fontana Press, 1989, London). Deri tash kryesisht shembujt janë marrë nga tekstet e Dhiatës së Vjetër dhe shumë pak nga tekstet e Dhiatës së Re, pasi kjo e fundit letrarisht, edhe pse e shkruar jo në gjuhën hebreje, por greke, nuk është një koncepcion i ri, por vërtetim i koncepcioneve të Dhiatës së Vjetër duke shikuar frymën profetike të strukturës verbale – Krishti - ajo çfarë ndodh në Dhiatën e Vjetër është "tip" i asaj që do të ndodhë në Dhiatën e Re, kurse ajo çfarë ndodh në Dhiatën e Re si formë "typos", është "antitip" me Dhiatën e Vjetër (Adami typos i Krishtit; por Krishti antitip i Adamit; shih tek Nortrop Fraj, Veliki Kod, Prosveta, Beograd, 1985. ). Lidhur me zhvillimin e tipologjisë biblike autori N. Fraj ka parë shtatë faza të zbulesës biblike: krijimi, revolucioni, ligji, urtësia, profetësia, ungjilli dhe apokalipsi. Ungjilli ose ungjijtë këtu kanë një përdorim të njëjtë si nocione, por nëse synohet të diferencohet autori i ndonjë ungjilli, atëherë edhe do t'i vihet pas edhe emri. Çështja e katër ungjijve në tekstin e Dhiatës së Re edhe sot ka debate dhe dilema se ato katër tekste, pra katër ungjijtë a janë variante letrare apo shkrime të katërfishta. Dogmatisht ato shihen si shkrime të katërfishta. Çdonjëra fazë krijohet duke e përmbushur fazën paraprake dhe duke e vënë në perspektivë më të gjerë, por edhe çdonjëra fazë zhvilluese paraqitet edhe si fazë antitip i fazës paraprake.

Në një lloj paralelizmi dhe përsëritjeje se si ndërtohet tipi dhe antitipi në tekstin e Biblës mund të gjendet edhe në temat e njëjta që rishfaqen atje si, për shembull, çlirimi i Izraelit: në tekstin e Dhiatës së Vjetër Mojsiu, Joshua, Davidi, Solomoni janë antitipa të Mesisë nga teksti i Dhiatës së Re për çlirimin e Izraelit, mirëpo po kjo  figurë letrare ose historike haset edhe në tipologjitë e tjera paralele, si këto: Izraeli 12 fise (DHV): Mesia 12 dishepuj (DHR) Zan.49:1-28 krahaso me Mt.10:1-5; Izraeli kalon nëpër ujë për shpëtim (DHV): Mesia kalon nëpër ujë për të përmbushur shpëtimin (DHR) Dal.14:21-31 krahaso me Mt.3:15-17; Mojsiu u kërcënua me vdekje si fëmijë (DHV): Mesia u kërcënua me vdekje si fëmijë (DHR) Dal.1:15-2: 10 krahaso me Mt.2:13-18; Mojsiu agjëroi 40 ditë dhe net (DHV): Mesia agjëroi 40 ditë dhe net (DHR) Dal. 34:28 krahaso me Mt.4:2; Mojsiu mori shpallje nga mali (DHV): Mesia dha shpallje nga mali (DHR) Dal.19:1,11,14 krahaso me Mt. 5:1; Mojsiu ishte bari delesh (DHV): Mesia e quajti veten Bariu i Deleve (DHR) Dal.3:1 krahaso me Gjn. 10:11, 14; Gjarpri i Mojsiut në kryq (DHV): Krishti në kryq (DHR); Num.21:8 krahaso me Gjn.3:14; 19:17-37; Jeshua bëhet sundimtar i tokës dhe i ligjeve që zbatohen (DHV): Jezusi (heb. Jeshua) bëhet sundimtar i Mbretërisë së Perëndisë dhe i gjithësisë dhe i përmbush kërkesat e ligjit (DHR)  Joz.1:1-9 krahaso me Mt.28:18-20; Ngatërrimi i gjuhës te Kulla e Babelit (DHV): Flitja e gjuhëve të panjohura në kohën e Veprave të Apostujve në Jerusalem (DHR) Zan.11:9 krahaso me Vep.2:4; Shifra e masës së arit në talenta, që është 666 (DHV) bëhet numri i Satanit në (DHR); 2Kron.9:13 krahaso me Zb.13:18; 12 Gurët e çmuar për tempullin në tokë (DHV): bëhen 12 gurët e çmuar për tempullin në qiell (DHR); Dal.28:17-20 krahaso me Zb.21:17-20; Tipologjia trenitare: qiejt dhe qiejt e qiejve (DHV): është Ati Biri dhe Fryma e Shenjtë (DHR); 2Kron.6:18 krahaso me Mt.28:19.


Kthehu tek faqja: Bibla

pixelburg.gif (801 bytes)

© Copyright  Të Krishterët  Përgjigjen
Faqja Kryesore | Kush Jemi | Të RejatKontakt | Kërko

"Të jini gjithëherë të gatshëm t'u jipni përgjigje çdo njërit që kërkon nga ju shpjegime per shpresën që ju keni (1 Pjetrit 3:15)"