Pretendonte Jezusi të ishte Zot? Nëse ishte, përse duhet ta besoj?

Midis udhëheqësve fetarë që kanë arritur të kenë shumë pasues gjatë historisë, Jezu Krishti është i pashoq në pretendimin se ai është Zot me trup njeriu. Një keqkuptim i rëndomtë është se disa, ose shumë nga udhëheqësit e besimeve, kanë të njejtat pretendim, por kjo nuk është e vërtetë. Buda nuk pretendoi të ishte Zot; Moisiu nuk tha kurrë se ishte Jahve; Muhamedi nuk e njëjtësoi veten me Allahun dhe asgjëkundi ju nuk do të gjeni Zoroastrën të pretendojë të jetë Ahura Mazda. E megjithatë, marangozi nga Nazareti tha se kush ka parë Atë (Jezusin) ka parë Atin. (Gjoni 14:9)

Pretendimet e Krishtit janë të shumta dhe të ndryshme. Ai tha se ekzistonte para Abrahamit (Gjoni 8:58) dhe tha se ishte i barabartë me Atin (Gjoni 5:17, 18) Jezusi pretendon aftësitë për të falur mëkatet (Marku 43:25), dhe kjo, sipas mësimeve të Biblës, është diçka që vetëm Zoti mund ta bënte (Isaia 43:25). Dhiata e Re e barazoi Jezusin me Krijuesin e gjithësisë (Gjoni 1:3) dhe se të gjitha gjërat qëndrojnë në Të (Kolosianëve 1:17). Apostull Pali thotë se Perëndia u shfaq në mish (1 Timoteut 3:16) dhe Gjon Ungjilltari thotë Dhe fjala ishte Perëndi (Gjoni 1:1). Dëshmia e bashkuar e Jezusit dhe e shkrimtarëve të Dhiatës së Re është se ai ishte më shumë se një njeri i thjeshtë: ai ishte Perëndia.

Jo vetëm miqtë por edhe armiqtë e tij vunë re se ai pretendonte të ishte Zot. Ekzistojnë disa dyshime midis skeptikëv, të cilët nuk pranojnë të shqyrtojnë dëshmitë, por nuk gjendej as edhe një dyshim tek autoritetet çifute. Kur Jezusi i pyeti se përse donin ta vrisnin me gurë, ata iu përgjigjën: Ne nuk të vrasim me gurë për asnjë vepër të mirë, por për blasfemi, sepse ti, duke qenë njeri, e bëre veten Perëndi. (Gjoni 10:33) Ky fakt e veçon Jezusin nga figurat e tjera fetare. Në shumicën e besimeve të kësaj bote, mësimet jo mësuesit janë tërësisht të rëndësishme. Konfucianizmi është një mbledhje mësimesh; Konfuci nuk është i rëndësishëm. Islami është shfaqja e Allahut, me Muhamedin profet, ndërsa budizmi thekson parimet e Budës, por jo vetë Budën. Kjo është e vërtetë veçanërisht për hinduizmin, në të cilin nuk ka asnjë themelues historik.

Megjithatë, në qendër të krishterimit gjendet Jezu Krishti. Jezusi nuk pretendonte se po i mësonte njerëzimit të vërtetën. Ai pretendonte të ishte vetë e vërteta. (Gjoni 14:6) Ajo që Jezusi u mësoi të tjerëve nuk është aspekti i rendesishëm i krishterimit, por e rendesishme është se kush ishte Jezusi. A ishte ai Biri i Zotit? është ai rruga e vetme nëpër të cilën një njeri mund të arrijë te Zoti? Ky është pretendimi që bëri ai për veten e tij. Supozoni se pikërisht sonte presidenti i ShBA shfaqet në tërë rrjetet e masmedias dhe shpall: Unë jam Zoti i plotfuqishëm. Unë kam pushtetin për të falur mëkatin. Unë kam autoritetin ta ringjall veten time pas vdekjes. Atij do ti mbyllej menjëherë transmetimi, do të largohej dhe do të zëvendësohej menjëherë nga zëvendëspresidenti. Kushdo që do të guxonte të kishte të tilla pretendime do të ishte ose i çmendur, ose gënjeshtar, nëse nuk ishte Zot. Pikërisht kjo është çështja me Jezusin. Ai i pretendonte qartazi këto dhe shumë gjëra të tjera. Nëse ai është Zot, sikurse pretendonte, ne duhet të besojmë në të, nëse nuk është, atëherë ne nuk kemi të bëjmë fare me të. Jezusi ose është Zot i të gjithave, ose nuk është Zot aspak.

Po, Jezusi pretendonte të ishte Zot. Po përse duhet që dikush ta besojë një gjë të tillë? Në fund të fundit, thjesht pretendimi për të qënë diçka, nuk e bën atë të vërtetë. Ku është prova që thotë se Jezusi është Zot? Bibla jep arsye të ndryshme, duke përfshirë këtu mrekullitë dhe profecitë e plotësuara që kanë për qëllim të na bindin se Jezusi është ai që thoshte se ishte. (Gjoni 20:30, 31) Arsyeja kryesore, apo shenja e cila, siç thoshte Jezusi vetë, do të vërtetonte se ai ishte biri i Zotit, ishte ringjallja e tij nga vdekja.

Kur iu kërkua një shenjë nga udhëheqësit fetarë, Jezusi u përgjigj: Në fakt ashtu si Jona qëndroi tri ditë e tri net në barkun e peshkut të madh, kështu Biri i njeriut do të qëndrojë tri ditë e tri net në zemrën e tokës (Mateu 12:40). Në një vend tjetër, kur e pyetën për një shenjë, ai tha: Shkatërroni këtë tempull dhe unë për tri ditë do ta ngre përsëri... Por ai fliste për tempullin e trupit të vet. (Gjoni 2:19, 21) Aftësia për ta ringjallur jetën e vet të vdekur, është shenja që e veçon Atë jo vetëm nga gjithë udheheqësit të tjerë fetarë, por gjithashtu edhe nga çdokush tjetër që ka jetuar në këtë botë.

Cilido që dëshiron të përgënjeshtrojë çështjen e krishterimit, duhet të japë shpjegime për historinë e ringjalljes. Rrjedhimisht, sipas Biblës, Jezusi provon se është Biri i Zotit kthyer nga vdekja (Romakëve 1:4). Provat që thonë se Jezusi u ringjall nga varri, janë të panumërta. Ky është fakti që provon se Jezusin është Zot.
 


Ky artikull u shkëput nga libri "Përgjigje dhe Argumente" shkruar nga Josh McDowell & Don Stewart fq. 45-47.

Ktheu tek faqja: Hyjësia e Krishtit & Jezusi

pixelburg.gif (801 bytes)

© Copyright  Të Krishterët  Përgjigjen
Faqja Kryesore | Kush Jemi | Të RejatKontakt | Kërko

"Të jini gjithëherë të gatshëm t'u jipni përgjigje çdo njërit që kërkon nga ju shpjegime per shpresën që ju keni (1 Pjetrit 3:15)"