LUTJA PËRMES RRUGËS SË JETËS

nga
M. Besilea Schlink

Përmbajtja

Hyrje .....................................................................5
Lutje në probleme dhe telashe .....................................................................7
Lutje në ditët e errta tëvuajtjes ...................................................................10
Lutje kur duket sikur nuk po vjen përgjigje ...................................................................12
Lutje në kohë thatsire shpirtërore ...................................................................17
Lutje gjatë provave të mundishme dhe tundimeve ...................................................................20
Lutje kundër mëkatit në jetën tonë ...................................................................23
Lutje në kohë nevoje ...................................................................28
Lutje nën barrën e merakosjes dhe shqetësimit ...................................................................31
Lutje kur ndihemi të dështuar dhe të pashpresë ...................................................................34
Lutje në frikë ...................................................................38
Lutje për të tjerët ...................................................................41
Lutja - një bisedë e perëndishme me Perëndinë ...................................................................44

Hyrje

Kaq e kaq herë lexojmë në Bibël thirrje për lutje. Kur Shkrimi i Shenjtë thotë "Lutu!", kjo nuk do të thotë që herë pas here duhet të kalojmë edhe pak kohë në lutje, ndoshta në mëngjez apo në mbrëmje. Megjithëse është e rëndësishme që të caktojmë një kohë të rregullt për të komunikuar me Zotin apo për të ndërmjetësuar, edhe kjo e gjitha nuk është e mjaftueshme. Si të dashur dhe si të zgjedhur të Zotit që jemi, jemi caktuar për diçka shumë më të madhe, shumë më të mrekullueshme! Ai na ka thirrur për një jetë të tërë lutjeje, një jetë komunikimi të vazhdueshëm me Të. Lutja ka shumë mënyra të ndryshme shprehjeje dhe ne bëjmë një jetë të vërtetë lutjeje, vetëm nëse këto forma manifestohen në jetën tonë.

Së pari dhe mbi të gjitha, njohim lutjen e kërkesës kur ne vijmë si fëmija para Atit qiellor me kërkesat tona personale. Pastaj është lutja e besimit, që shpesh përfshin luftën në lutje sipas fjalëve të Jezuit: "Por ky lloj demoni nuk del veçse me anë të lutjes dhe agjërimit" (Mateu 17:21). Lutja e besimit zbatohet veçanëdsht në ndërmjetësim. Një formë tjetër e lutjes është falenderimi, që është i lidhur me lavdërimin dhe adhurimin. Zoti do që gjithashtu të na plotësojë edhe lutjen e zemrës sonë, lutjen pa pushim, gjatë së cilës shpirti është në komunikim të ngushtë me Perëndinë. Nëse ne jetojmë në këtë gjendje lutjeje, në mënyrë të natyrshme do të arrijmë të praktikojmë edhe format e tjera të lutjes. Është Shpirti i Perëndisë ai që na nxit të drejtohemi tek Perëndia dhe pastaj edhe të përleshemi në lutje për të tjerët si dhe t'i ofrojmë Atij lavdërim dhe adhurim. Kjo është jeta e lutjes të cilën Perëndia do që të shohë tek ne. Ai kënaqet duke na treguar mirësinë e Tij dhe, duke e ditur mirë se asgjë në jetën tonë nuk do të na sjellë kaq bekime sa lutja, Ai dëshiron që ta transformojë këtë jetë në një jetë lutjeje.

Siç është shprehur dikur një njeri i Perëndisë: "Lutja është fuqia më e madhe në botë. Ajo mund të verë në lëvizje dorën e Atij që sundon botën!" Po, lutja është një mundësi që nuk e ka shoqen, sepse nëpërmjet lutjes ne mund të ndryshoj më gjithçka: njerëzit, gjërat, problemet dhe rrethanat. Lutja ka fuqi të pakufizuara. Dhe pikërisht për këtë arsye Satani bën ç'është e mundur që të na pengojë të lutemi. Ai e di se nuk përbëjmë ndonjë rrezik të vërtetë për të kur punojmë e bëjmë shumë gjëra qofshin këto edhe për Mbretërinë e Perëndisë. Por kur lutemi shumë, ne pushtojmë dominionet e tij e i shkëpusim prej duarve robërit e tij. Nuk ka gjë të cilës Satani t'i trembet më shumë se lutjeve tona.

Sipër


Lutje në probleme dhe telashe

Vështirësitë që hasim në jetën tonë në punën dhe familjen tonë mund të jenë një shenjë parlajmëruese nga Perëndia. Ai mund të ketë një qëllim që i lejon këto vështirësi në jetën tonë. Ndoshta Ai do që t'i përdorë ato për të na përgatitur apo për të na disiplinuar, sepse jeta jonë duhet të ndryshojë ose në ndonjë aspekt të veçantë ose në përgjithësi. Në raste të tilla nuk është e mundur që ne thjesht të lutemi dhe vështirësitë të largohen. Duhet t'i pranojmë ato si daltën e Perëndisë dhe ta lejojmë Atë të na japë formën e duhur.

Në historinë e Motërisë sonë shpesh kam parë se si Perëndia ka lejuar që vështirësitë të vijnë njëra pas tjetrës në mënyrë që të na tregojë se Atij nuk i ka pëlqyer diçka. Sa herë që ndodheshim në këto situata, lutja e parë e jona ka qënë kjo: "Zot, na ndriço me anë të Frymës Tënde të Shenjtë të së vërtetës. Na trego se çfarë të trishton. Na trego pse po na ve kaq shumë telashe dhe probleme në rrugën tonë dhe pse të është dashur të na disiplinosh". Lutje të tilla për Frymën e së vërtetës kanë premtimin më të madh se do të marrin përgjigje. Ai gjithmonë na ka treguar qartë" diagnozën e sëmundjes sonë". Pastaj, duke pohuar fuqinë shpenguese të flijimit të Jezuit, ne kemi luftuar në mënyrë intensive kundër kësaj gjëje. Kur Perëndia ia ka arritur qëllimeve të Tij me ne, kur ne jemi penduar për mëkatet e dështimet që Ai na ka treguar dhe kur kemi nisur një faqe të re, pas pak kohe, vështirësitë janë larguar vetë. Perëndia i hoqi ato, pasi Ai ia kishte arritur qëllimit të Tij. Kur vijmë në situata të tilla ku nuk mund t'i largojmë vështirësitë thjesht duke u lutur, ne jo vetëm që duhet ta përulim veten nën dorën e Tij të fuqishme, duke iu nënshtruar disiplinimit për të mirën tonë, por, gjithashtu, duhet t'i drejtohemi Atit tonë qiellor. Si fëmijët e Tij, ne duhet t'i lutemi Atij që të tregojë fuqinë e Tij dhe t'i heqë tutje këto vështirësi.

Kjo është e vërtetë veçanërisht kur vështirësitë pengojnë kauzën e Tij dhe përparimin e Mretërisë së Perëndisë. Në situata të tilla Zoti më ka treguar se duhet të lavdëroj Perëndinë në besim për ç'ka Ai është, për madhështinë e pushtetit të Tij dhe për forcën e krahut të Tij. Ai më ka bërë të shpall se asgjë nuk është e pamundur për Të, se malet shkrij në si dylli para Tij dhe se Ai mund të zgjidhë çdo vështirësi me një fjalë të vetme të Tij.

Në vështirësitë e shumta që kemi përballuar në Motërinë tonë, së bashku, ne kemi luftuar në kaq e kaq beteja të tilla besimi. Kemi kaluar shumë orë në lutje, duke i deklaruar Zotit me fjalë apo këngë madhështinë e pushtetit, lavdisë dhe dashurisë së Tij. Në dashurinë e Tij Ai gjithmonë dëshiron t'i ndihmojë bijtë e Tij dhe përherë ka një zgjidhje për problemet e tyre. Janë të panumërta rastet kur Zoti u është përgjigjur lutjeve të tilla të besimit dhe kur ne kemi marrë ndihmën e nevojshme, edhe sikur të na jetë dashur të presim për një kohë të gjatë. Vërtet, sa më të mëdha që të kenë qënë vështirësitë, aq më shumë na e ka provuar Zoti se sa i mrekullueshëm është kur ne kemi qëndruar në lutjet tona të besimit dhe lavdet e gjithëfuqisë së Tij.

Gjithashtu, Zoti na çon në vështirësi për të na mësuar se nuk duhet të përqëndrohemi në gjërat e dukshme, sado seroize qofshin problemet. Në vend që të mbështetemi në mundësitë tona, ne duhet të mbështetemi vetëm në Të - në Zotin e gjithpushtetshëm e të fuqishëm, në Atin e dashur e të dhembshur. Nëpërmjet lutjeve të tilla të besimit Ai dëshiron që të na japë një bekim të veçantë në mes të vështirësive. Ai do që të na japë një përvojë të tillë me Perëndinë e gjallë të cilën nuk mund ta përjetojmë në rrugë tjetër.

Pamundësitë dhe situatat e pashpresa janë gjithashtu edhe një mundësi tjetër për të lavdëruar Zotin para botës së dukshme dhe të padukshme, pasi asgjë nuk i jep më shumë nder Atij se sa kur ne lutemi në besim dhe shpallim madhështinë e Tij. Dhe kështu unë s'ka si të mos jem e mbushur me falenderim për gjithë ato vështirësi që Perëndia ka vënë përpara në rrugën time dhe në atë të Motërisë. Ato na kanë treguar se ku qëndronte problemi; ato na kanë çuar në pendim dhe kanë bërë të përjetojmë më thellësisht fuqinë shpëtuese dhe transformuese të gjakut të Jezuit. Ato na mësuan të kishim besim në fuqinë dhe ndihmën e Tij, të cilat i përjetuam në përgjigjet e lutjeve tona. Ato na mbushën zemrat sërish me adhurim për Zotin tonë. Ato na nxitën më tej për të dëshmuar për Perëndinë e Atin tonë dhe tani shumë të tjerë janë frymëzuar për t'i dhënë lavdinë Perëndisë.

Sipër


Lutje në ditët e errëta të vuajtjes

Të gjithë i njohim ditët e errëta të vuajtjeve. Ndoshta kemi pasur një zhgënjim të madh. Ndoshta një nga të dashurit tanë nuk është më mes nesh. Ndoshta jemi të sëmurë dhe të vetmuar. Për më shumë se 60 vjet të ecjes sime me Jezuin kam parë se një gjë është e një rëndësie shumë të madhe: të mos lejosh që vuajtja të të përpijë, as të mos lejosh që ajo të të rëndojë aq shumë sa pak a shumë të të paralizojë lutjet. Fryma e Shenjtë më ka treguar se sa e rëndësishme është që të gjejmë strehë në lutjen nëse duam të korrim fitore mbi vuajtjen. Pikërisht atëherë është momenti për t'i thënë Jezuit se besojmë në Të dhe se besojmë se Ai mund të merret me vuajtjen tonë.

Kam zbuluar se sa jetësore është që të besoj se Jezui është më i madh se vuajtja ime. Pra, Ai gjithmonë ka një rrugë për t'u marrë me të. Në dashurinë e Tij Ai është gati të na ndihmojë me patjetër. Ai do që të vendosë balsam në zemrat tona të plagosura mes dhimbjesh. Nevojitet që të besojmë se Perëndia do të na japë ngushëllimin në ditët e zeza të vuajtjes. Kushdo që lutet për këtë, duke besuar se Perëndia do t'i përgjigjet lutjes së tij, ka për ta përjetuar atë.

Jezui qëndron pranë kujtdo që është nën barrën e pikëllimit. Ai është atje si burimi i jetës së përjetshme, hyjnore. Ai le një pjesë të jetës së Tij hyjnore, gëzimin qiellor dhe paqen, të futen në jetën tonë. Pastaj gjithçka transformohet. Zemrat tona të trazuara qetohen e rehatohen, mbushen me paqe dhe gëzim qiellor.

Me fjalët e një hymni gjerman: "Në Ty kemi gëzim mes dhimbjes e pikëllimit, O i ëmbli Zot Jezu Krisht!" - kjo është e vërteta për të cilën unë mund të dëshmoj. Në periudha vetmie dhe pikëllimi kam njohur dashurinë e Jezu Krishtit, që sjell plotësinë e gëzimit në zemrat tona. Në sëmundjet dhe dhimbjet e trupit, në vuajtjet shpirtërore dhe konfliktet e brendshme kam zbuluar se prania e Jezuit është triumfatore. Dhe veçanërisht në kohë të tilla, kur unë jam futur në një lidhje edhe më të ngushtë me Të. Kur kam humbur të dashurit e mi, kam parë se ngushëllimi i Jezuit ka qënë më i madh se gjithë pikëllimi i zemrës sime.

Shumë të tjerë kanë përjetuar të njëjtën gjë në jetën e tyre të dishepujtarisë dhe mund të bashkohen me mua duke e dëshmuar këtë gjë. Duke hedhur shikimin prapa, ata nuk mund t'i harrojnë ato ditë të zeza vetëm e vetëm se e panë bekimin që gjetën tek lutja. Kështu, në ditët e errëta të vuajtjes, ki besim dhe lutu: "Ia kushtoj rrugët e mia dhe jetën time Zotit. Ai do të më çojë atje ku duhet". Pastaj, edhe ti do të përjetosh e do të shohësh se rrugët e Tij janë të përsosura dhe se Ai vërtet do të të qetojë dhe rehatojë.

Sipër


Lutje kur duket sikur nuk po vjen përgjigje

Sa herë që lutjet e mia kanë mbetur pa përgjigje, Zoti, së pari, më ka bërë të pyes nëse ka pengesa për lutjen time. Shpesh Ai më ka treguar se ka qënë mëkati ai që pengonte, një mëkat për të cilin unë nuk kam qënë e ndërgjegjshme për shembull, shpirti i kritikës apo hidhërimit. Ja pse Zoti nuk dëgjonte. "Ja, dora e Zotit nuk është tepër e shkurtër për të shpëtuar, as veshi i Tij nuk është tepër i rënduar për të dëgjuar. Por paudhësitë tuaja kanë shkaktuar një ndarje midis jush dhe Perëndisë tuaj, dhe mëkatet tuaja kanë bërë të fshihet fytyra e Tij prej jush, që të mos ju dëgjojë më" (Isaia 59:1-2).

Shkrimet e Shenjta na japin shumë shembuj kur mëkatet janë pengesa ndaj lutjes: mosdashja për të falur (Mateu 6:15), inati, zënkat (1 Timoteu 2:8), mungesa e pajtimit (Mateu 5:23-24), përpjekjet për të përmbushur gjithë dëshirat epshore dhe pasionet egoiste (1 Pjetri 4:7; Jakovi 4:3), përfshirja në gjëra okulte (Ligji i Përtërirë 18:10-12), mosbindja (Gjoni 9:31), hezitimi për të rrëfyer mëkatin para njëri-tjetrit (Jakovi 5:16), lakmia, pra, kur japim meqë thuhet "jepni dhe do t'u jepet, një masë e mirë, e ngjeshur e tundur, gufuese. . . " (Luka 6:38).

Kur vjen puna tek lutja duhet të kemi gjithmonë në mendje këtë gjë: "Sytë e Zotit janë mbi të drejtët dhe veshët e Tij janë të vëmendshëm të kapin britmën e tyre" (Psalmi 34:15; shih edhe Jakovi 5:16). Fjala e Perëndisë është e vërtetë dhe me vlerë. Shpesh, kur na është dukur sikur Perëndia nuk po u përgjigjej lutjeve tona, Ai na ka treguar se nuk mund t'u përgjigjet atyre, pasi nuk mund të numëroheshim mes" të drejtëve".

Nuk ishim të drejtë para Perëndisë sepse zemrat tona nuk ishin mbushur me pendim. Ata që pranojnë me përulësi dështimet e tyre të përditshme para Perëndisë dhe njerëzve, vetëm ky lloj njerëzish, janë të drejtë para Tij. Mëkati i tyre fshihet nëpërmjet gjakut të Qengjit.

E marrë në tërësinë e saj, natyra jonë mëkatare nuk përbën një pengesë për lutjen. Nëse do të ishte kështu, Peiëndia nuk mund t'u përgjigjej kurrë lutjeve tona. Jo, pengesë për lutjen është mëkati i parrëfyer, prej të cilit ne nuk duam të shkëputemi. Nevojitet që të shkojmë tek kryqi me një zemër të dërmuar dhe të rrëfejmë fajin tonë para të tjerëve, sepse jemi plot pendesë dhe ndiehemi keq. Nevojitet që, duke filluar një faqe të re, të heqim atë që e trishton Perëndinë apo njerëzit për rreth. Atëherë Perëndia mund të jetë përsëri i hirshëm dhe t'u përgjigjet përsëri lutjeve tona. Kaq e kaq herë e kemi përjetuar këtë në Motërinë tonë. Për shembull, nëse dy motra kishin një mosmarrëveshje dhe pastaj e zgjidhnin këtë, "veshët e Perëndisë hapeshin përsëri" dhe lutjeve tona u jepej përgjigje.

Sidoqoftë, për lutjet që s'kanë marrë përgjigje mund të ketë edhe një arsye tjetër. Perëndia nuk iu përgjigjet lutjeve të një zemre të pabindur. Shërbëtori që kishte marrë vetëm një talent tha se Perëndia ishte "i ashpër" (Mateu 25:24). Vetëm ata që e kanë shpirtin si ai i një fëmije mund të futen në zemrën e Perëndisë. Ata i besojnë dhe veprojnë sipas besimit të tyre duke e ditur se Ai është Ati i tyre që dëshiron t'i ndihmojë. Ata besojnë se Ai gjithmonë ka një zgjidhje gati dhe se ka vetëm qëllime të mira në mendjen e Tij.

Perëndinë do ta përjetojmë në jetën tonë të lutjes pikërisht ashtu siç i kemi mendimet për Të. Nëse mendojmë e themi se "Ai është një zotëri i ashpër", do të përjetojmë ashpërsi - ashtu si edhe shërbëtori që u flak në errësirën e jashtme. Ose shih popullin e Izraelit. Në shkretëtirë ata nuk besuan se Perëndia kishte qëllime të mira. Përkundrazi, menduan se Perëndia donte që ata të humbisnin në shkretëtirë. Si rezultat ata vërtet nuk arritën të futen në tokën e premtuar. Për arsye të qëndrimit pa besim të tyre ndaj Perëndisë, ai brez humbi në shkretëtirë. Joshua dhe Kalebi, të cilët i besuan Perëndisë, ishin të vetmit që mbijetuan 40 vjetët e endjes nëpër shkretëtirë dhe që u lejuan të futeshin në Kanaan. Kurdoherë që pabindja dhe rebelimi ndaj Perëndisë gjejnë vend në zemrat tona, një mur pengese ngrihet, mur i cili nuk lejon që gjërat e mira, të cilat Perëndia dëshiron të na japë, të arrijnë te ne. Dhe atëherë lutjet tona mbeten pa përgjigje.

Hapi i parë që duhet të ndërmarrim për të pasur përgjigje për lutjet tona është të shqyrtojmë ndërgjegjen tonë, në mënyrë që Zoti të mund të na tregojë pengesat e lutjes që përmenden në Shkrimet e Shenjta. Hapi tjetër është të kërkojmë pendimin dhe të fillojmë nga e para. Kërkesa e domosdoshme për të pasur përgjigje ndaj lutjeve është të pasurit e një marrëdhënieje të drejtë me Perëndinë - pa asnjë mosbindje të fshehur - gjithashtu edhe të pasurit e një marrëdhënieje të drejtë me njerëzit.

Përveç qëndrimeve dhe veprimeve të mëkatshme, mund të ketë edhe një arsye tjetër përse lutjet tona nuk marrin përgjigje - të paktën për pak kohë. Perëndia mund të jetë duke na përgatitur. Në këtë rast, fakti që lutjet tona mbeten pa përgjigje duhet të na nxisë që të vazhdojmë në lutjet tona. Perëndia pret më shumë lutje dhe më shumë besim nga ana jonë. Gjatë marrjes se tokës sonë të Kanaanit, e cila na nevojitej për shërbesën tonë, ne dolëm përballë një vështirësie pas tjetrës. Dukej sikur Perëndia nuk po u përgjigjej lutjeve tona. Megjithatë, plani i Tij ishte që të na i jepte Kanaanin dhe të nderonte lutjet tona. Por kësaj i bashkangjitej një kusht - duhej të mos hiqnim dorë prej lutjeve tona. Ndërkohë që përgjigja për lutjet tona vononte, ne po përgatiteshim shpirtërisht që në Kanaan të bënim një jetë në Frymën e Tij. Të priturit e plotësimit të lutjeve tona ishte një shkollë përgatitore për ne. Të priturit na mëson të bëhemi të duruar. Na mëson të qëndrojmë fort dhe të vazhdojmë në besimin tonë. Na bën të përulur. Na pastron dhe na transformon.

Çdo herë që vazhdojmë të qëndrojmë në lutjet tona ngaqë përgjigja nuk na jepet menjëherë, nevojitet të shohim nëse kërkesa jonë është në përputhje me vullnetin e Perëndisë. Shkrimi i Shenjtë na tregon se kjo është një kërkesë e domosdoshme, veçanërisht kur lutemi për të tjerët. Ose nganjëherë marrim një premtim të qartë, i cili duhet të kërkohet në një vazhdimësi lutjeje. Mund të jemi të bindur se për kë,të lloj lutjeje do të marrim përgjigje, edhe sikur të duket e pamundur nga ana njerëzore.

Zgjidhja më e mirë ndaj gjithë problemit të lutjeve që mbeten pa përgjigje, në përvojën time, qëndron në unitetin me vullnetin e Perëndisë. Nëse gjithë lutjet tona i bëjmë me qëndrimin "Jo atë që dua unë por atë që do Ti", atëherë do ta dimë se aktualisht nuk ka lutje që të mos plotësohen. Perëndia i dëgjon ato të gjitha. Na mbetet që thjesht t'ia le më Atij mënyrën si dhe kohën kur do të përgjigjet për to. Vetëm Ai e di se ç'është e mirë për ne dhe Mbretërinë e Tij. Meqënëse është dashuri, Perëndia gjithmanë do të na drejtojë në rrugën më të mirë. Nëse e dimë këtë gjë, atëherë nuk do të habitemi më nëse Ai u përgjigjet lutjeve tona në një mënyrë apo në një kohë të ndryshme nga ajo që ne prisnim.

Sipër


Lutje në kohë thatësire shpirtërore

Të gjithë kemi përjetuar kohëra kur nuk kemi pasur asnjë dëshirë për t'u lutur. Duket sikur lutjet tona përplasen në mur, kthehen përsëri te ne dhe nuk arrijnë te Perëndia. Herë pas here kalojmë periudha të tilla. Shpirti ynë është kaq djerrë dhe kaq i tharë sa duket sikur Fryma e Shenjtë na ka braktisur.

Nëse nuk ka ndonjë gjë që pengon lutjet tona drejtuar Perëndisë, Ai duhet të ketë një qëllim që na ka sjellë në këto periudha thatësire. Pas gjithë kësaj Perëndia ka një plan. Planet e Tij janë gjithmonë të mira. Ato gjithmonë na çojnë drejt një qëllimi të mrekullueshëm dhe përfundimisht drejt lavdisë. Gjithçka varet nëse e shfrytëzojmë këtë kohë dhe nëse dalim fitimtarë në këtë gjë. Perëndia më ka mësuar që kohë të tilla nuk është e thënë të jenë boshe dhe pa fryt, ato mund të të japin bekime të veçanta.

Nëse e kemi të vështirë të formulojmë qoftë edhe një mendim tonin në lutje, ngaqë gjithçka na duket e vdekur në brendësinë tonë, atëherë mund të përfshihemi në ndërmjetësim duke shpallur emrin fitimtar të Jezuit në kërkesat e ndryshme për lutje ose duke kënduar hymne apo duke bërë lutje solemne fitoresh. Kjo lutje në këtë natë të brendshme tënden mban në vetvete një bekim të veçantë dhe do të dëgjohet. Ajo është një lutje pa kënaqësinë shpirtërore që kemi kur ndjejmë Frymën që na nxit të lutemi. Të luturit në kohë të tilla ka koston e saj. Vërtet duhet të përpiqesh fort. Për këtë arsye është aq e veçantë edhe për Zotin. Nga këto lutje do të vijnë frute të veçanta, edhe pse ne mund të mendojmë se ato nuk arrijnë aspak te Perëndia.

Por, kam zbuluar gjithashtu se ka një mënyrë për t'u dhënë jetë lutjeve tona në kohë të tilla djerrësie nëpërmjet falenderimit. Kjo është mundësia që Perëndia na jep. Unë kam një fletore falenderimesh dhe çdo mbrëmje shkruaj gjithçka për të cilën e falenderoj Perëndinë. Por kam gjithashtu edhe një fletore tjetër në të cilën shkruaj pika kryesore të falenderimit për çdo vit. I marr këto pika një nga një, falenderoj Perëndinë për to, ose i këndoj Atij ndonjë këngë falenderimi. Pastaj këto lutje më ndihmojnë të arrij në atë pikë ku jam e aftë ta falenderoj Atë edhe për kohët e errësirës shpirtërore. Filloj dhe e falenderoj Atë për jetën e re që lind në kohë të tilla errësire dhe thatësire. Këto periudha e pastrojnë shpirtin tim nga gjithë papastëritë, nga dashuria joshpirtërore dhe entuzi- azmi njerëzor për lutje. Jeta e re shpirtërore lind prej vdekjes shpirtërore që duhet vuajtur. Çdo herë që e falenderoj Atë për këtë, gjej forcë e ngushëllim dhe të luturit më bëhet edhe më i lehtë.

Gjatë një kohe të tillë shkrova edhe këtë këngë:

Këndoj, këndoj, Perëndinë duke adhuruar,
Lavdërimi im në qiell është lartësuar.
Qoftë e gjitha kjo psalmodi
Sa më e këndshme për Ty.

Varg pas vargu pasuan ndërsa i këndoja duke e lavdëruar për gjithçka që ishte e vështirë për mua - sprovat dhe tundimet, rrugët nëpër natë - dhe për bekimet që kohë të tilla më sollën: gëzimin e të qënit e aftë për të plotësuar vullnetin e Perëndisë edhe në natën shpirtërore.

Ndjesia paralizuese e vdekjes largohej. Zemra ime ngushëllohej duke i thënë "Po" vullnetit të Perëndisë dhe rrugëve të Tij - edhe kur ato çonin përmes errësirës dhe thatësirës.

I këndoj vullnetit të Tij që, në trishtim,
Pas bindjes sjell veç gëzim.
Kur bëj atë që Zoti do,
Ai dhimbjes i thotë "Pusho!"

Këndoj, zemra e Perëndisë është plot dashuri,
Në ndëshkim nuk ndjen Ai kënaqësi.
Meqë për Të unë jam një bir,
Di se disiplina e Tij është për të mirë.

Sundimit e drejtimit Tënd lavde i thurr,
Udhëheqjes Tënde që nuk gabon kurrë.
Madje edhe rrugët nëpër natë
Bekimi Yt i ndriçon qartë.

Të këndoj në dhimbje, frikë e pikëllim
Edhe në të së nesërmes shqetësim.
Lavdërimi im për Ty do të mbetë
Refreni që do të këndoj përjetë.

Hirit dhe mëshirës së Tij i këndoj,
Dashurinë e Tij të përhershme lavdëroj.
Vërtet Ai është ndihmësi im
Në nevojë dhe në mundim.

Këndoj, trishtimi do të mbarojë,
Një ditë gëzimi do t'ia kalojë
Në qiellin plot shkëlqim,
Kur të jem me Zotin tim.

Sipër


Lutje gjatë provave të mundimshme dhe tundimeve

Të gjithë ne duhet të kalojmë përmes provave dhe tundimeve që nganjëherë zgjasin për ditë ose javë të tëra. Ka kohë kur tundohemi për të vënë në dyshim Perëndinë. Dyshime që kanë të bëjnë me besimin tonë dhe na tortorojnë. Fillojmë të dyshojmë nëse Perëndia tha apo e kishte me gjithë mend kur tha diçka. Ve më në dyshim nëse jemi në udhë të drejtë.

Ve më në dyshim nëse Perëndia është vërtet i gjallë, nëse Ai vërtet është dashuri. Gjatë periudhave të tilla ndihmë për mua ka qënë përsëritja e vargjeve nga Bibla, si zotime prej Perëndisë: "Ai më çon nëpër shtigjet e drejtësisë" (Psalmi 23:3). "Ati vetë në fakt ju do" (Gjoni 16:27). "Askush nuk do të zhgënjehet në qoftë se i var shpresat te Ti" (Psalmi 25:3).

Gjithçka që vjen në jetën tonë, çdo shteg që ne duhet të ndjekim, është planifikuar prej Perëndisë. Nëse marrim një vendim për të ecur nëpër një rrugë të caktuar pasi i kemi kërkuar Atij në lutje që të na drejtojë në rrugën e drejtë, ne mund t'i besojmë udhëheqjes së Tij. Nëse, më vonë, dyshimi dhe droja kërkojnë të na molepsin, mund të pohoj më me ngulm: "Perëndia është një At i vërtetë. Nëse fëmija e Tij i ka kërkuar ta drejtojë në rrugën e drejtë, Ai nuk mund ta çojë atë në rrugë të gabuar. Një at i mirë tokësor nuk do ta bënte këtë, le pastaj Ati ynë në qiell. Kështu që unë duhet të jem duke ecur në rrugën e drejtë".

Nëse mendojmë se tani e njohim Perëndinë ndryshe nga ç'e njihnim kur morëm vendimin, atëherë ne mund t'i drejtohemi Atij përsëri dhe t'i parashtrojmë këtë pyetje tonën. Ai do të na përgjigjet. Ai do të na përgjigjet ose duke na dhënë një siguri të brendshme ose nëpërmjet të tjerëve me të cilët ne diskutojmë çështjen, nëse i kërkojmë Atij që t'i drejtojë ata në ato që thonë. Nganjëherë përgjigja e Perëndisë qëndron në një varg të Biblës që na kujtohet gjatë lutjes. Vendimi se në ç'rrugë duhet të shkojmë nevojitet të konfirmohet shumë herë nëpërmjet Fjalës së Perëndisë, nëpërmjet njerëzve të tjerë, nëpërmjet një sigurie të brendshme apo nëpërmjet gjërash të tjera. Por më shumë nga gjithçka ne duhet të jemi të bindur për urtësinë e drejtimit të Perëndisë dhe të refuzojmë qoftë edhe dyshimin më të vogël. Si mund të na çojë Ai në rrugë të gabuar nëse i kemi kërkuar të na çojë në rrugë të drejtë? Sidoqoftë, nëse kemi arsye të mendojmë se vullneti ynë njerëzor është kaq i fortë sa nuk mund të bëjmë dallim mes tij dhe vullnetit të Perëndisë, për këtë mund t'i kërkojmë Perëndisë që të na bëjë të dallojmë nëse ky është vetëm vullneti ynë. Dhe Perëndia do t'i përgjigjet asaj lutjeje.

Shpesh kemi një konflikt të brendshëm dhe bëjmë habi nëse jemi në udhë të drejtë, thjesht ngaqë na duket shumë e vështirë rruga në të cilën jemi drejtuar. Këtë e di nga përvoja ime. Edhe Shkrimet dëshmojnë për këtë fakt. Sa herë që hasim vështirësi Satani vjen dhe na tundon e përpiqet të na joshë për t'u tërhequr e për të dalë nga rruga në të cilën po ecim. Kjo i ndodhi edhe Jezuit kur kaloi 40 ditët në shkretëtirë, në vetmi dhe pa ngrënë gjë. Satani mund të na mposhtë kur në rrethanat tona apo në drejtimin që na ka dhënë Perëndia ka diçka që përbën vështirësi për ne. Këtu është mundësia e tij. Rebelimi, edhe sikur të jemi të pavetëdijshëm për këtë, bën që të reagojmë në këtë mënyrë: "Ndoshta kjo nuk është rruga e drejtë për mua". Këto dyshime fillojnë të na torturojnë.

Sa më shumë që t'i shohim vështirësitë me frikë, aq më i keq bëhet ky konflikt i brendshëm. Në kohë të tilla konflikti të brendshëm është e rëndësishme të përsërisim atë që Jezui tha në orën e tundimit të Tij në kopështin e Gethsemanes: "A nuk do ta pi unë kupën që më ka dhënë Ati?" - "Ati im. . . jo si dua unë, por si do Ti" (Gjoni 18:1; Mateu 26:39). Kam vënë re se dyshimet zhduken si flluska sapuni sa herë që i them "Po" rrugës që është kaq e vështirë për mua dhe kur e pranoj atë pa kushte. Gjithashtu kam parë se vërtet është e mundur - madje edhe e lehtë - për mua që të them "Po" kurdoherë që mendoj për zemrën e Atit Perëndi, që nuk është gjë tjetër veç dashuri. Ai nuk na çon përgjatë shtigjeve të vështira pa na përtërirë nga brenda. Ai kurrë nuk lejon që të tundohemi tej forcës sonë. Dhe për çdo rrugë të vështirë Ai ka përgatitur një fund të lavdishëm (Jakovi 5:11).

Në përgjigjen tonë: "Po, Atë", ka fuqi të madhe. Thuaji Atij "Po" dhe tundimi mposhtet! Kam vënë re se në përgjigje të tilla, në nënshtrimin e vullnetit tonë ndaj vullnetit të Tij, gjejmë bekim të bollshëm. Ky nënshtrim vullneti na sjell shumë pranë Zotit. Dhe nga ky unitet me Perëndinë do të dalin vazhdimisht frute të reja.

Një lutje e tillë në kohë konflikti të brendshëm ka vlerë dhe rëndësi të madhe. Perëndia na çon në periudha provash vetëm për të na dëgjuar të themi "Po". Kjo është më e vyer për Të se një mijë lutje të tjera, sepse ajo mbështetet nga gjithë jeta jonë, po, shpesh edhe nga sakrifica jonë më e madhe. Ai e shpërblen një lutje të tillë më shumë se çdo lutje tjetër. Ai i përgjigjet asaj duke bërë që bekimet të vërshojnë dhe hiri të jetë i bollshëm, gjë të cilën rrallë do ta bënte në raste të tjera.

Sipër


Lutje kundër mëkatit në jetën tonë

Mëkati është helm. Ai jo vetëm që helmon gjithë trupin por edhe shpirtin e frymën. Ai na bën si të jemi lebrozë. Ai është si një kancër që shpërndahet. Kjo është arsyeja pse Zoti përdor shprehjet më therëse kur flet për mëkatin tonë. Ai na nxit të përdorim armët më të mprehta për ta luftuar atë, të bëjmë çmos për ta shkatërruar atë. Jezui na thotë se duhet ta urrejmë mëkatin. Ne duhet të urrejmë egon tonë me gjithë kërkesat e saj (Luka 14:26), dashurinë për veten, burimin e kaq e kaq mëkateve. Sa herë që mëkati ynë dhe robëria jonë zbulohen, më mirë të preferojmë ta "heqim dhe ta flakim" syrin tonë, sipas fjalëve të Jezuit, se sa të bëhemi fëmijë të skëterrës (Mateu 5:29). Mëkati është helmi i skëterrës. Ai vjen prej Satanit. Mëkati i çon njerëzit në zonat skëterrë të vdekjes së përjetshme; kjo është arsyeja pse të luturit kundër mëkatit në jetën tonë nënkupton përfshirjen në një luftë shpirtërore.

Ashtu si në betejën për shpirtrat e robëruar, kjo ka të bëjë me të luftuarit kundër armikut më të madh, vetë Satanit. Satani është ai që na nxit të mëkatojmë. Satani është ai që nuk do të lejojë që zinxhirat me të cilët ai na mban në robërinë e tij të thyhen.

Prandaj, taktika e tij kryesore është të na bëjë të verbër në mënyrë që të mos e dallojmë mëkatin tonë. Pengesa më e madhe në betejën tonë kundër mëkatit është vetëdrejtësia jonë. Për këtë, hapi ynë i parë është t'i kërkojmë Zotit të na dërgojë Frymën e Tij të së vërtetës. Prej natyre ne hezitoj më ta shohim veten ashtu siç jemi në realitet ose përpiqeni ta minimizojmë mëkatin tonë, por nëse jemi të gatshëm, Ai do të na i japë dritën e Tij. Ai do të na tregojë sa i pështirë është mëkati ynë.

Nëse pa pushuar i kërkojmë Zotit: "Nxirri mëkatet e mia të fshehta në dritën Tënde", nëse kërkojmë shpirtin e pendimit, nëse, mbi të gjitha, jemi gati të pranojmë atë që Perëndia ka për t'u thënë të tjerëve për ne, atëherë do të përjetojmë gjëra të mahnitshme. Papritmas, do të na duket sikur perdja është hequr. Ne do të shohim humnerën e egos sonë, dëmin kanceroz të sëmundjes sonë, mëkatit.

Duke qënë tërësisht në alarm për mëkatet tona dhe duke përjetuar përditë disfata të reja, atëherë ne do të jemi të vendosur për t'u përfshirë e luftuar në betejën kundër mëkatit. Kam parë se nuk është e mjaftueshme që çdo ditë t'i tregoj Zotit se cilat janë mëkatet e mia, se në çfarë robërie jam dhe t'i kërkoj Atij të më sjellë çlirim. Jo, kjo është një çështje për të cilën duhet të shpallim emrin fitimtar të Jezuit mbi fuqinë e armikut dhe duke deklaruar fuqinë shpenguese të gjakut të Tij - dhe jo vetëm një herë. Meqë lutja e tillë është një betejë e vërtetë, nevojitet që ne t'i kushtojmë shumë kohë këtij luftimi shpirtëror.

Si mund ta praktikojmë këtë gjë? Kur më së fundi arrita në atë pikë ku ndjeja neveri edhe të mendoja për mëkatit tim dhe kur ndjeva diçka prej asaj që . Jezui nënkuptonte kur thoshte se duhet të marrim masa të rrepta kundër mëkatit në jetën tonë, mora vendimin të luftoja kundër pushtetit të mëkatit në jetën dhe karakterin tim, pavarësisht nga ç'do më kushtonte kjo gjë. Pikërisht atëherë filloi për mua një betejë e vërtetë. Kjo do të thoshte të sakrifikoja 20 minuta nga gjumi qoftë në mëngjes, qoftë në mbrëmje, në mënyrë që të luftoja kundër mëkateve që ishin bërë të padurueshmë për mua. Si ndihmë më shërbeu një përzgjedhje këngësh fitoreje, këngësh të Pashkës, të cilat i ngrija kundër armikut.

Fillova që vazhdimisht të lavdëroja, të këndoja, të falenderoja Perëndinë që Satani dhe pushteti i mëkatit janë thyer, pasi Jezui i ka mposhtur ato në kryq. Si Zot i ringjallur Ai triumfon mbi vdekjen dhe ferrin. Gjithnjë e më tepër lavdëroja pushtetin e gjakut të Qengjit, i cili na shpengon dhe na pastron nga gjithë mëkatet.

Por gjithashtu kam zbuluar se armiku nuk na lëshon aq kollaj, pashë edhe sa të ndotur jemi ne me mëkatin. Ne jemi robër të tij me çdo qelizë të qënies sonë. Shpesh, ai nuk mposhtet aq shpejt pasi i ka rrënjët e thella për breza të tërë në familjen tonë. Inati, hidhërimi, mëria, mosfalja - sa rrënjë të thella që mund të lëshojë ai në ne! Këto ndjenja dhe mendime na pushtojën kaq e kaq herë. Ose shohim se bëjmë gjëra të cilat nuk duam t'i bëjmë - dhe e gjitha kjo për shkak të pasioneve dhe nxitjeve tona mëkatare që janë aq të forta sa nuk mund t'iu rezistojmë. Ose mund të sulmojmë vazhdimisht me kundërshtinë tonë ato që Perëndia apo të tjerët, thonë, organizojnë apo bëjnë. Ose bëhemi robër të një shpirti gjykues. I shikojmë të tjerët me përçmim, i fajësojmë ata, duke mëkatuar kështu ndaj urdhërimit të gjashtë (shih edhe tek Mateu 5:21-22).

Këtu veprojnë pushtete dhe principata. Mos presim të çlirohemi në disa javë apo disa muaj. Edhe nëse Perëndia na çliron papritmas nga një robëri e veçantë, zakonisht nevojitet që ne të luftojmë për një kohë të gjatë në betejën e lutjes dhe besimt kundër mëkateve të personalitetit tonë, të cilat janë ngulitur kaq shumë në ne.

Jo vetëm kaq, por ne duhet të jemi gati edhe të vuajmë për mëkatet tona. Në lutje nevojitet që t'iakushtojmë veten Zotit dhe masave të Tij disiplinore. Ai më tregoi se beteja kundër mëkatit tim nuk ishte thjesht një çëshije të luftuari në besim por edhe të qëni e nënshtruar ndaj Tij. Duhet të jemi gati të ndjekim edhe rrugët e disiplinimit në të cilat Zoti do që të na pastrojë prej tipareve tona mëkatare. Krenari do të bëhet i përulur vetëm kur Perëndia ta udhëheqë atë përgjatë shtigjeve të përuljes dhe kur t'i thyejë atij krenarinë. Për ata që nuk mund të falin dhe që mjaft lehtë zemërohen, mund të jetë një përvojë e hidhur e disiplinimit prej Perëndisë kur të shohin se edhe të tjerët do ta kenë të vështirë t'i falin, kur të shohin se ata mund t'iu venë kryq dhe madje të mbushen me hidhërim ndaj tyre.

Në këto shtigje të disiplinimit përsëri lutja me fjalët "Po Atë" është lutja e duhur - kësaj here ne përulim veten nën dorën e fuqishme të Perëndisë, duke e ditur se duhet të disiplinohemi në mënyrë që të çlirohemi prej mëkatit (Hebrejtë 12:10). Bibla na e ilustron këtë gjë në jetën e Jakobit. Nuk mjaftoi që mbeti në mëshirën e dinakërisë së Labanit, i cili ia punoi dhe e bëri t'i shërbente edhe 7 vjet të tjerë si shpërblim për dyfaqësinë dhe mashtrimin e tij. Para se Jakobi të kthehej në Kanaan, toka e trashëgimisë së tij, ishte e nevojshme për të që të thyhej nga përleshja në Jabbok. E njëjta gjë na jepet edhe në historinë e vëllezërve te Jozefit. Ata e shitën Jozefin dhe e lanë të vuante frikën dhe pikëllimin. Më vonë, kur shkuan në Egjipt për të blerë drithë, ata përjetuan një frikë dhe pikëllim të pamatë si pasojë e asaj që bëri Jozefi. Për vete, Jozefit i duhej të vuante për mburrjen, vetëlavdinë dhe krenarinë e tij dukë rënë në skllavëri dhe burgosje.

Kur na duhet të vuajmë dhimbshëm për mëkatet tona, është e rëndësishme të bëjmë lutjen që bëri kusari i mirë mbi kryq: "Ne me të drejtë jemi dënuar sepse po marrim ndëshkimin e merituar për ato që kemi kryer" (Luka 23:41), diçka që është shumë e ngjashme me atë që thanë vëllezërit e Jozefit (Zana- filla 42:21). Na nevojitet që të përulim veten nën dorën e fuqishme të Perëndisë. Ai do ta dëgjojë këtë luije së bashku me lutjen tonë të besimit. Dhe është e vërtetë se ne do të çlirohemi nga mëkatet tona po aq sa është e vërtetë që Jezui është Çlirimtari dhe po aq sa është e vërtetë që Ai korri fitoren për gjithsecilin prej nesh atje në Kalvar.

Sipër


Lutje në kohë nevoje

Të gjithëve na duhet të përjetojmë kohë nevoje. Për shembull, na kujtohet koha e luftës dhe e pasluftës kur kishte mungesë ushqimesh. Mund të mos kemi të holla mjaftueshëm për të blerë gjëra thelbësore për mirëqënien tonë apo atë të familjes sonë. Ndoshta financiarisht ne nuk mund të kujdesemi ashtu siç duhet për fëmijët tanë apo nuk mund t'u japim atyre shkollimin e domosdoshëm. Ose ka mundësi që një anëtar i familjes të jetë i sëmurë dhe ne nuk mund t'i japim ndihmën që i nevojitet, thjesht ngaqë nuk kemi se si.

Gjithashtu, mund të kemi mungesa edhe në aspekte të tjera të jetës. Mund të mos kemi forcën e duhur të bëjmë punën që kemi. Ose nuk kemi bashkëpunëtorët dhe kolegët e domosdoshëm për këtë punë. Ndoshta gjithmonë nuk kemi kohë të mjaftueshme dhe e kemi të vështirë të bëjmë gjithçka që është planifikuar. Cila është lloji i lutjes që mund t'i japë zgjidhje një situate të tillë?

Së pari, është e rëndësishme që të sigurohemi nëse vërtet jemi përballë një situate të tillë apo mos duam që me lutje të largojmë diçka që Perëndia e ka caktuar për jetën tonë. Në lidhje me pronat dhe plaçkat tona Bibla na thotë: "Kur kemi çfarë të hamë dhe të veshim, të jemi të kënaqur me kaq" (1 Timoteu 6:8). Për shembull, mund të ketë diçka të cilën nuk mund ta përballojmë, por e lakmojmë shumë ne mënyrë që të ngremë standardin e jetesës.

Nëse kjo është e vërtetë, lutjet tona nuk do ta kenë premtimin se do të marrin përgjigje. I njëjti rregull praktik ka të bëjë edhe me situatat e tjera kur ndodhemi në nevojë. Ndoshta në kokëfortësinë apo ambicjen tonë egoiste ne dëshirojmë të marrim diçka që nuk është në planin që Perëndia ka për ne. Prandaj, së pari, lutja jonë duhet të jetë që Perëndia të na japë dritën dhe standardet e Tij lidhur me këtë çështje. Ai do të na tregojë se çfarë na nevojitet në të vërtetë dhe se për çfarë duhet të lutemi. Kjo është veçanërisht e rëndësishme nëse ka të bëjë me diçka që ne mendojmë se nevojitet urgjentisht për punën e Zotit.

Në Motërinë tonë si dhe më parë kam përjetuar shumë kohë kur vërtet kam qënë në nevojë. Këto kohë janë bërë shumë të veçanta për mua, sepse më kanë treguar një tip të ri lutjeje. Kjo lutje përmban bekime të pakrahasueshme. Kjo është si një lutje që fëmija i bën Atit Perëndi. Kohët e nevojës na bëjnë të jemi të varur prej Atit. Kjo është arsyeja pse ato e kanë pasuruar pa masë jetën time shpirtërore. Në varësinë tonë prej Atit ne arrijmë ta njohim Atë dhe unë kam arritur ta njoh Atë si një At të vërtetë. E kam përjetuar të vërtetën e Shkrimit: "Ati juaj i di gjërat për të cilat keni nevojë" (Mateu 6:8). Ai interesohet edhe për hollësitë më të vogla. "Edhe të gjitha fijet e flokëve të kokës suaj janë numëruar" (Mateu 10:30). Mund të dëshmoj për faktin që Ai ndjen kënaqësi dhe gëzim duke na bërë të mira. Ai ndjen gëzim kur kujdeset sa më mirë për fëmijët e Tij dhe kur derdh bekimet e Tij mbi ta. Ai mbushet me gëzim kur sheh se fëmijët e Tij janë të lumtur dhe plot falenderim.

Prandaj, në kohë nevoje eja tek Ati si fëmija e Tij dhe thuaj: "Ati im, Ti e di se ç'më nevojitet. Ati im, gjithë gjërat janë të Tuat dhe vetëm Ti i jep ato. Ati im, Ti nuk do të më lesh më në nevojë e mungesë të madhe, sepse fëmija Yt ka pjesën e tij në pasurinë Tënde. Ati im, ti tani do të lartësosh veten tënde nëkëtë nevojë timen. Ti do të zbulosh natyrën tënde  plotfuqinë, dashurinë dhe dhembshurinë Tënde.

Deri më sot, për kaq e kaq vite, ne në Motërinë tonë i kemi besuar Perëndisë për të plotësuar nevojat tona. Në vend që të kërkojmë ndihmë prej njerëzve, si fëmijë, ia kemi drejtuar lutjet tona Atit tonë qiellor. Dhe Ai nuk na ka zhgënjyer kurrë. Ai u jep fëmijëve të Tij shumë shumë më tepër nga ato që ata kërkojnë apo presin por me kushtin që, më së pari, ata të kërkojnë Mbretërinë e Tij dhe drejtësinë e Tij, siç thuhet në Fjalën e Tij. Nuk duhet të lakmoj më gjëra materiale, por duhet të vemë veten tonë dhe gjithçka që kemi në shërbim të Mbretërisësë Tij, duke dhënë gjithçka për këtë qëllim. Kjo mund të përfshijë edhe gatishmërinë tonë për t'u dhënë të tjerëve atë që ata kërkojnë, edhe pse ne vetë mund të mos kemi mjaftueshëm.

Sigurisht, duhet të kemi kujdes që marrëdhënia jonë me Perëndinë dhe me njerëzit të jetë në rregull. Pastaj gjithçka që do të na nevojitet për jetën tonë të përditshme do të jetë jona sipas premtimit që Ai na jep. Si fëmijët e Tij ne mund t'i afrohemi Atij me falenderim, sepse Ai tashmë ka hapur duart e Tij për ne. Vërtet, Ai kurrë nuk le lutjen e fëmijëve të Tij pa përgjigje, nëse ajo është për diçka që vërtet na duhet dhe nëse i kemi rrëzuar gjithë pengesat e lutjes.

Sipër


Lutje nën barrën e merakosjes dhe shqetësimit

Ka kohë kur mbi supet tona kemi male të tëra shqetësimesh, por e dimë se nëpërmjet lutjes ne mund t'i lëvizim ato. Ka shqetësime të cilat nuk mund t'i shkëpusim prej zemrës sonë, shqetësime që na venë në merak dhe bëjnë të harrojmë se ç'do të thotë të jesh i lumtur. Lutja mund të na ndihmojë. Ajo mund të bëjë që këto shqetësime të zhduken. Por ç'lloj lutjeje është e nevojshme për këtë?

Shqetësimet që kemi si barrë mund të kenë forma nga më të ndryshmet. Ato mund të kenë të bëjnë me jetën tonë personale, me familjet tona apo me çështje që janë jashtë rrethit tonë familjar. Ose ato mund të kenë të bëjnë me kombin tonë, me të ardhmen, me punën tonë e me shumë aspekte të tjera të jetës. Duke qënë përgjegjëse për Motërinë tonë, shpesh kam parë se këto shqetësime e ankthe vijnë drejt meje si një ortek. Ato kërcënojnë të më mbulojnë të gjallë. Shpesh nuk mund të gjej asnjë rrugëdalje. Duket sikur nuk kam asnjë zgjidhje të mundshme.

Por atëherë filloj të bëj lutje të shkurtra në të cilat qëndron një fuqi e madhe: "Ati im, nuk e di se si do të më ndihmosh, por një gjë e di - Ti vërtet do të më ndihmosh". Ose: "Shqetësimet e mia s'mund të jenë kurrë më të mëdha se Ndihmësi im. Ti gjithmonë ke një zgjidhje - rrugët dhe mënyrat nuk mungojnë kurrë. Të falenderoj që Ti, O Perëndi, je më i madh se shqetësimet e mia". - "Të falenderoj, O Perëndi, që Ti je një Perëndi i cili bën mrekullira, që unë mund të jem i bindur dhe të mbështetem në ndërhyrjen tënde të mrekullueshme. Malet shkrij në si dylli në praninë Tënde. Të falenderoj që Ti mund t'i lëvizësh këto male shqetësimesh dhe t'i flakësh në det. Një fjalë e vetme e Jotja, mund të ndryshojë gjithçka dhe të zgjidhë gjithë problemet e mia".

Çfarë ndodhte kur bëja lutje të tilla? Sa herë që shprehja falenderimin tim për atë që Perëndia do të bënte, sa herë që e falenderoja Atë për ndihmën e Tij, dukej sikur shqetësimet e mia dëboheshin fuqishëm prej meje. Ato tërhiqeshin. Këto ndjenja shqetësimi dhe ankthi ushqehen prej fuqive djallëzore, që bëjnë gjithçka për të na thyer. Ato duan që ne të na lëshojë zemra dhe të biem në dëshpërim. Armiku përpiqet me gjithçka që të na vjedhë lumturinë, por Perëndia, ngaqë i do fëmijët e Tij, bën çmos që t'i bëjë ata të lumtur.

Në jetën time e kam parë se gjëja më e mirë është të mos i lejosh shqetësimet dhe ankthet të hyjnë në zemrën tënde. Mbylle derën! Mos i lerë të futen. Të humbasësh i mbytur në shqetësime dhe ankthe do të thotë të shkelësh në territor të ndaluar. Këto shqetësime dhe ankthe fillojnë të thurrin një pëlhurë rreth teje deri sa të biesh në një dëshpërim të vërtetë dhe në një gjendje të pashpresë. E gjitha kjo është një mjet i armikut, i cili pikturon gjithçka në ngjyrë të zezë, sikur të mos kishte asnjë Perëndi të plotfuqishëm, sikur kryqi që na është vënë mbi supe të ishte shumë i rëndë... Në raste të tilla ne duhet t'i dëbojmë menjëherë këto mendime, të heqim dorë prej tyre dhe të fillojmë të mendojmë atë që Perëndia do që ne të mendojmë. Kjo do të thotë që ne duhet të mendojmë, të lutemi, të këndoj më dhe të shpallim se kush është Perëndia. Ai është Ati i dashurisë. Ai kujdeset për ne. Ne mund t'ia japim Atij gjithë barrën tonë të shqetësimeve (1 Pjetri 5:7).

Në mesin e shqetësimeve të tua ngrij i sytë drejt Perëndisë. Përsërit me zë të lartë ose këndo vargje të tilla: "Ti je dashuri. Ti je Ati im, Ti s'do të lejosh që të mbytem ne shqetësimin dhe ankthin tim. Ti je Ndihmësi në ditët e shqetësimit. Ti di gjithmonë se ç'duhet bërë. Ti je i plotfuqishëm. Problemet e mia për Ty nuk janë kurrë tepër të vështira. Ti gjithmonë ke një zgjidhje, edhe pse unë nuk mund të shoh asnjë. Ti kurrë nuk lejon që të ngarkohem së tepërmi me barrën e shqetësimeve. Ti bën që gjithçka të bashkëpunojë për të mirën time".

Kur nuk ke as idenë më të vogël se si do t'ia dalësh punëve të ditës, lavdëro Perëndinë duke thënë: "Ti ke planifikuar këtë ditë bashkë me gjithçka që nevojitet të bëhet. Kështu që gjithçka do të bëhet në kohën e saj". Lerja në dorë Atij të të tregojë se si të kryesh gjithçka. Ai do të kujdeset që për gjithçka të të japë kohë të mjaftueshme. Qeshu, gëzo dhe fuiju punës që ke për të bërë. Në këtë mënyrë sillja gjithë shqetësimet e telashet Atit. Kur i dorëzohesh Atij me besimin e një fëmije dhe kur i le Atij gjithçka që të është bërë barrë e rëndë, Ai gjithmonë do ta marrë përgjegjësinë të merret me to.

Një gjë e rëndësishme është që ti ta falenderosh A të për ndihmën e Tij në raste të mëparshme ku dukej se nuk kishte asnjë rrugëdalje apo zgjidhje. Kjo do të forcojë besimin tënd për situatat e tanishme në të cilat ndodhesh dhe gjithë vështirësitë dhe gjërat e pamundura që të kanë dalë përballë. Nevojitet që ti largosh shqetësimet dhe ankthet me lutje falenderimi. Lutja e falenderimit ka fuqinë të thyejë shqetësimin dhe, në të njëjtën kohë, ajo përbën një gëzim më vete për Atin tonë lart në qiell.

Sipër


Lutje kur ndiehemi të dështuar dhe të pashpresë

Të gjithë kemi patur periudha kur jemi ndierë të pashpresë. Shpesh mendojmë se jemi thjesht një dështim në jetën tonë shpirtërore. Pavarësisht nga gjithë betejat dhe përpjekjet tona, zinxhirat e mëkatit duket sikur na shtrëngojnë më fort se kurdoherë. Në raste të tjera dekurajohemi ngaqë nuk kemi forcë fizike apo nga që jemi të sëmurë dhe ndiehemi të mjeruar. Ose mund të jemi edhe në prag të dorëheqjes, sepse na duket se jemi të paaftë për punën tonë dhe për ato që na kërkohen të bëjmë.

Gjithashtu e njohim ndjesinë e dështimit që na pushton kur duket sikur nuk po arrijmë gjëkundi në një punë me të cilën po merremi e duam ta kryejmë, apo kur nuk kemi më autoritet mbi fëmijët. Dëshpërohemi kur shohim se nuk kemi më influencë mbi ta apo mbi të tjerët për të cilët jemi përgjegjës. Së fundi, vijmë në përfundimin: "Nuk mund t'ia arrij dot. Është e kotë. Nuk jam i aftë. Nuk kam as mundësi, as forcë dhe as aftësi".

Mosbindja dhe rebelimi ndaj Perëndisë është hapi që vjen pas kësaj gjëje. Aktualisht ky është i pranishëm në ndjesinë e dështimit, megjithëse zakonisht ne nuk jemi të ndërgjegjshëm për këtë. Përfundimisht ne po e akuzojmë Perëndinë se na ka dhënë një personalitet të mjerë, se na ka futur në mes të këtyre rrethanave të vështira, se nuk na ka dhënë talentin e duhur ose se nuk na ka dhënë forcën që na nevojitet, e kështu me radhë.

Ndjesia e dështimit jo vetëm që na heq lumturinë, por ajo gjithmonë na shtyn edhe të mëkatojmë. Kjo është arsyeja pse duhet të lutemi që të çlirohemi prej saj. Në përvojën time rruga drejt fitores konsiston së pari në lutjen e pranimit. Nevojitet që t'i themi "Po" faktit që jemi mëkatarë, që jemi të varfër shpirtërisht, që jemi njerëz të dobët dhe të paaftë. Meqë kjo është vënë mbi ne prej Perëndisë, nevojitet që ne ta pranojmë. Ai na jep gjithmonë atë që është më e mira, pasi në dashurinë e Tij ai ka planifikuar çdo aspekt të jetës sonë - duke përfshirë këtu edhe dobësinë dhe pamundësinë tonë. Përsëri, është dashuria e Tij ajo që lejon që ne të vuajmë për robërinë tonë. Nëpërmjet këtij procesi thyerjeje Ai do që të forcojë njeriun e ri në ne. Prandaj, gjëja më e mirë që mund të na ndodhë është të qënit të varfër në një mënyrë a një tjetër.

Kjo ishte edhe përvoja e apostull Palit. Edhe ai nuk u çlirua prej" gjëmbit në ijë", që mund të ketë qënë edhe një sëmundje e syrit, edhe pse atij i duhej së tepërmi shikimi në punën që bënte. Sidoqoftë Perëndia nuk ia hoqi këtë gjë. Së pari, Perëndia donte përkushtimin e tij, Po-në e tij. Për Perëndinë pranimi i "gjembit të tij në ijë" ishte më i rëndësishëm për punën që Pali kishte se sa shëndeti i tij. Një nënshtrim i tillë i vullnetit, së bashku me një sakrificë të madhe, ishte "kripa" që do të fuqizonte shërbesën e tij. Ç'fuqi e madhe lëvizëse gjendet në çdo lutje pranimi, kur ne themi: "Po, Atë".

Perëndia nuk do të pranojë kurrë një akt përkushtimi pa të kthyer diçka nga ana e Tij. Shkrimet e Shenjta na e tregojne këtë gjë shumë herë. Kushdo që bën një sakrificë, kushdo që humbet jetën e tij, do të marrë njëqind fish - një masë të mirë, të ngjeshur, të tundur dhe gufuese. Kështu, kur ne e nënshtrojmë veten në lutje dhe i themi "po" varfërisë dhe pamundësisë, dobësisë dhe përulësisë sonë, do të shohim se Ati ynë, në dashurinë e Tij, ka përgatitur një dhuratë të veçantë për ne.

Perëndia i premtoi apostull Palit se, në dobësinë e tij, Ai do të demonstronte akoma më shumë fuqinë e Tij. Edhe ne mund ta bëjmë tonin këtë premtim. Kështu që kur të ndiehemi të pashpresë jo vetëm të bëjmë një lutje përkushtimi, por gjithashtu të lutemi në një mënyrë të tillë: "Të falenderoj që mund të pres ndihmën Tënde. Ti e sheh sa i pashpresë jam unë përballë robërisë sime dhe Ti dëshiron të zbulosh fuqinë e çlirimit Tënd e të lartësosh Veten. Dhe në paaftësinë apo mungesën e talentit për të bërë punën time, Ti do që të më ndihmosh dhe të më japësh nga urtësia jote e bollshme, në mënyrë që puna të përfundohet shumë më mirë nga ç'do të përfundohej nëse, prej natyre, do të kisha pasur mundësitë me të mira, sepse gjithçka që do të arrihet do të vijë prej Teje dhe jo prej meje".

Gjithmonë ka bekim, autoritet, fitore dhe lavdi të pashoqe në atë që vjen prej Perëndisë. Marrim një bekim akoma edhe më të madh nga ç'do të kishim marrë nëse do të kishim arritur diçka me mundësitë tona natyrale. Kështu, le të ndjekim shembullin e apostull Palit dhe të themi: "Do të mburrem për dobësinë time. Do të ngazëlloj në dobësinë, paaftësinë, varfërinë time. Do të mburrem që jam i varfër në vetëdrejtësinë time, në forcën, bukurinë, talentet dhe popullaritetin tim".

Menjëherë do të bëheni të lumtur dhe do të ngazëlloni që Zoti ju la të varfër në një aspekt të veçantë, duke mos ju dhënë këtë apo atë gjë. Pse? Sepse Zoti donte t'ju jepte diçka të vyer, diçka me vlerë të përjetshme. Kjo do të rrezatojë nga ti tek të tjerët. Nëpërmjet kësaj ata do të jenë më shumë të bekuar nga ç'do të ishin nëse ti do të kishe dhunti natyrale.

Personi me një personalitet të vështirë mund të ketë shumë vështirësi. Sidoqoftë, nëse si rezultat i këtyre vështirësive ai futet në një lidhje më të thellë me Jezuin dhe nëpërmjet faljes së Tij përjeton një transformim në karakter, ai do të rrezatojë imazhin e Jezuit shumë më tepër nga ç'mund ta rrezatonte një njeri që është prej natyre më harmonik dhe i mirë, shumë më tepër nga ç'mund ta rrezatonte një njeri që mund të mbështetet në forcat e tij. Në të njëjtën mënyrë, nëse një njeri me tipare të shëmtuara dhe jotërheqëse do të shndritte me Frymën, ai do të ishte më rrezatues dhe një bekim më i madh ndaj të tjerëve nga ç'do të ishte një person që prej natyre është i bukur por jeton pa Perëndinë. Ky i fundit nuk mund t'i bekojë të tjerët. Për më keq, ai mund t'i stimulojë ata të mëkatojnë.

Në se një nëne i mungon aftësia të edukojë fëmijët e saj, ajo nxitet t'i kërkojë ndihmë Perëndisë në çdo orë dhe t'i lutet Atij t'i japë fjalët e duhura. Prej vetë Perëndisë ajo do të marrë ide dhe fjalë që do të jenë fitimprurëse për fëmijët e saj shumë më tepër nga ç' do të merrnin nëse ajo do ta kishte këtë talent prej natyre. Kohë të tilla, kur ndihemi të pashpresë duhet të na detyrojnë të lutemi më shumë se çdo herë tjetër, sepse vetëm nëpërmjet lutjes do të nxirremi nga kjo ndjesi e dështimit. Duhet të pranojmë faktin se jemi të dobët dhe duhet të lavdërojmë Perëndinë në dëshirën e Tij për të lartësuar Veten e Tij nëpërmjet dobësisë sonë. Kohë të tilla, kur vuajmë për shkak të paaftësisë sonë, do të sjellin një bekim të veçantë për ne nëse praktikojmë këtë lloj lutjeje.

Sipër


Lutje në frikë

Frika! Si mund ta mposhtim atë? Si mund të na ndihmojë lutja? Kur frjka na ka pushtuar zemrën, ajo na konsumon porsi zjarr. Zor se gjejmë fjalë të lutemi. Ajo na fut nën kontrollin e saj të plotë! Frika! Ne të gjithë e dimë se ç'ndodh kur ajo vjen. Është paralizuese. Nuk jemi më të aftë të hedhim hapin tjetër. Veprojmë sikur të jemi hipnotizuar dhe mezi lëvizim.

Frika! E dimë se çfarë vuajtje na shkakton ajo. Ajo na grabit çdo gëzim, çdo shpresë, çdo siguri. Frika është ajo që mundon shumë njerëz sot - edhe pse ata nuk duan ta pranojnë këtë. Profecia e Jezuit për ditët e fundit po fillon të plotësohet: "Njerëzit do të mpaken nga frika dhe nga pritja se çfarë do ta pllakosë botën" (Luka 21:26). Tashmë kjo gjë ka filluar t'u ndodhë njerëzve, veçanërisht atyre që qëndrojnë syhapur dhe vëzhgojnë ngjarjet e kësaj bote. A ka ndonjë lloj lutjeje që mundësisht të na ndihmojë kur zemrat tona janë plot frikë?

Po, ka! Unë mund të dëshmoj për këtë sepse prej natyre jam një njeri që kam shumë frikëra. Gjatë luftës kisha frikë nga sulmet ajrore. Në kohë rreziqesh kisha frikë nga njerëzit e këqij dhe nga ndonjë sulm i mundshëm. Dhe prej natyre, kam shumë frikë prej tmerreve dhe prej mundësisë së një lufte bërthamore. Sidoqoftë, kam përjetuar se Jezui është më i madh dhe më i fuqishëm se frika ime. Nëpërmjet lutjes ne mund të zotërojmë frikën, në vend që ajo të na zotërojë neve.

Ne e dëbojmë frikën në emër të Jezu Krishtit. Jezui, në dashurinë e Tij, na kupton kur thotë: "Në botë do të keni mundime" (Gjoni 16:33). Por pastaj Ai vazhdon të thotë se duhet të marrim zemër, sepse Ai e mundi botën. Dhe me këtë Ai do të thotë se Ai ka mundur botën së bashku me mundimet dhe frikërat e saj. Ai e mposhti atë dhe e vuri nën këmbët e Tij. Prandaj na premton: "Unë po ju le paqen" (Gjoni 14:27). Çdo premtim është një çek të cilin Ai do ta nderojë kur ne t'ia kujtojmë dhe kur t'ia lemë para syve. Do të vijë koha kur ne do të na nevojitet ajo që Ai na ka premtuar dhe kur të vijë kjo kohë, Ai do ta mbajë fjalën e Tij.

Sidoqoftë, e rëndësishme është një pikë; jo gjithmonë kemi të njëjtën gradë frike në zemrat tona. Gjatë kohërave që frika nuk na merr frymën, nevojitet që të lutemi shumë dhe vazhdimisht të mbahemi në premtimin e Jezuit: "Ti do që të më japësh paqen Tënde në zemrën time. Mbushma tani zemrën me paqen Tënde në mënyrë që frika të mos ketë vend, kur të kërkojë të hyjë".

Tani është koha të lutemi që Jezui të mbushë zemrat tona me paqe - para se të vijë koha kur ndoshta do të na duhet të vuajmë tmerret e një lufte bërthamore apo të jemi pre e një persekutimi të ashpër ndaj të krishterëve. Tani, ndërsa shqetësohemi me frikëra, probleme dhe ankthe më të vogla, le të praktikojmë të qëndruarit në paqe. Kjo është mundësia për ta provuar atë. Sa herë që të kemi ndonjë problem apo telash, ne mund të kërkojmë ndihmë në emër të Jezuit dhe të mbështetemi me besim në premtimin e Tij: "Unë po ju le paqen".

Le të mësojmë se si të vazhdojmë të mbështetemi me besim në premtimin e Jezuit: "Unë e kam mundur botën". Po, Ai e mundi botën për ne. Tmerret e kësaj bote nuk ka pse të na dominojnë jetën tonë. Ne mund të kemi besim se Jezui është me ne, Ai që na çliroi në mënyrë që frika dhe pikëllimi të mos na venë poshtë. Gjithashtu, kjo është një çështje që ka të bëjë me kushtimin tonë në besim të plotë ndaj Atit nëpërmjet Jezuit. Ati më i fuqishëm dhe më mirëdashës është mburoja e fortesa jonë, kështjella e jonë në kohë të vështirë. Ai i njeh ata që besojnë tek Ai.

Nëse praktikojmë lutjen në këtë mënyrë tani që ka frikëra dhe shqetësime më të vogla, atëherë një gjë është e sigurt: kur të vijnë frikëra më të mëdha në jetën tonë - në kohët që po vijnë, ne të gjithë, dikush më pak e dikush më shumë, do të përjetojmë frikën - atëherë ne do të jemi si luftëtarë të fortë dhe të armatosur, të cilët dinë si të mposhtin këtë armik të quajtur "frikë".

Le të shfrytëzojmë pra sa më tepër kohën. Sot është dita që duhet të merremi me këtë problem të frikës. Sot është dita për të korrur fitore mbi frikërat e vogla. Kur kemi përjetuar se si Jezui vjen tek ne në shqetësimet e telashet e vogla dhe na mbush zemrat me paqen e Tij, atëherë do të kemi guxim dhe besim shumë më të madh, siguri shumë më të thellë se Ai do të bëjë të njëjtën gjë për ne kur të dalim përballë frikërave më të mëdha.

Jezui është më i madh se gjithçka, më i madh se edhe frika më e stërmadhe që mund të na pushtojë. Ai ka vënë gjithçka nën këmbët e Tij dhe na ka çliruar nga gjithë mëkatet e vështirësitë që kërkojnë të na shtypin. Lutja na ofron një rrugëdalje prej frikës. Është thjesht një lutje ku i kërkohet ndihmë Jezuit. Vetëm në emrin e Tij ka ndihmë. Sa më shumë. që të thërrasim në emër të Tij, aq më shumë do ta përjetojmë këtë të vërtetë.

Sipër


Lutje për të tjerët

Në se vërtet lutemi për nevojat tona, natyrisht do të lutemi edhe për nevojat e të tjerëve gjithashtu qofshin ata anëtarë të familjes, të kishës apo njerëz të tjerë që Perëndia i ka sjellë në jetën tonë. Ndoshta e bëjmë këtë ditë pas dite. I ngremë ata në lutje para Jezuit, duke iu lutur Atij t'i kthejë në besimtarë, t'i drejtojë, t'i bekojë dhe t'i çliroj ë nga ndonjë mëkat i veçantë. E gjitha kjo është diçka e mirë. Është e rëndësishme që t'i bekojmë ata për të cilët ne lutemi. Sidoqoftë, gjatë viteve Zoti më ka treguar gjithnjë e më qartë se sa e rëndësishme është që, kur përleshesh për shpëtimin e një personi, të mos nënvleftësosh një fuqi të veçantë. Kjo fuqi është Satani. Ai i mban shpirtërat të shtrënguar fort në duart e tij. Ai ka vetëm një qëllim -të mos i lejojë ata të bëhen trofe për Jezu Krishtin. Ai bën gjithçka të mundshme për të mos e lënë njeriun të pendohet. Ai nuk do që njerëzit të çlirohen prej mëkateve të tyre, të transformohen në karakterin e tyre dhe të bëhen të lumtur.

Nëse i lutemi Jezuit të qëndrojë pranë një personi të veçantë, ta ndihmojë atë të bëhet i lirë dhe që ky person të lindë sërish nëpërmjet Frymës së Perëndisë, atëherë le më pas dore fakti që Satani akoma e ka ata në duart e tij, në robërinë e tij. Lutjet tona nuk godasin në shenjë; ato nuk merren me shkakun e vërtetë të problemit. Sot një numër njerëzish që sa vjen e rritet - duke përfshirë këtu edhe shumë besimtarë - janë bërë skllevër të Satanit nëpërmjet okultizmit apo robërisë së ndonjë mëkati. Ata mund të çlirohen vetëm nëse ne lutemi me autoritet, duke e detyruar Satanin të dorëzojë prenë e tij. Nevojitet që në këtë betejë të përdorim armët që kemi në dispizicionin tonë.

Për shembull, nevojitet të kërkojmë ndihmë në gjakun e Qengjit. Së pari, kur fillojmë të përleshemi në lutje për shpirtërat e tjera, ne duhet të mbështetemi në gjakun e tij për veten tonë, në mënyrë që Satani të mos ketë as edhe të drejtën më të vogël ndaj nesh, që, kështu, lutjeve tona t'u jepet autoritet. Së dyti, ne duhet që përditë të aplikojmë të njëjtën gjë, gjakun e Qengjit, mbi shpirtin në robëri dhe të lutemi e këndojmë, për shembull: "Gjaku i Qengjit do të të shpengojë dhe do të të çliroj ë plotësisht". Zoti më ka treguar se sa e rëndësishme është kjo. Në gjakun e Qengjit ka një fuqi më të madhe. Satani nuk mund te durojë kur dëgjon se dikush lutet duke u mbështetur në gjakun e Jezuit, me të cilin Ai na shpengoi: ai detyrohet të lëshojë shpirtërat që mban robër.

Lutja ndërmjetësuese më ka mësuar edhe diçka tjetër: fuqinë në emrin e Jezuit. Kur shpallim emrin fitimtar të Jezuit, fortesat e Satanit bien dhe atij nuk i mbetet gjë tjetër veç të lëshojë shpirtërat që mban robër. Kur lutemi për dikë. që ndodhet në robëri, nevojitet që të shpallim gjithnjë e më shumë fjalë të tilla: Le të tingëllojnë lavdërimet fort, Që emri i Jezusit është fuqiplotë Të thyejë vargonjtë e mëkatit e robërisë Që mbajnë. . . larg prej lirisë.

Kjo lutje ka akoma më tepër fuqi kur këndohet. Augustini ka thënë: "Të kën du arit është tre herë lutje". Fuqia e lutjes ndërmjetësuese është akoma më e madhe nëse disa njerëz mblidhen së bashku për të shpallur në këngë apo në lutje emrin e Jezuit mbi një person apo mbi një grup njerëzish. Do të shohim se është mirë që të këndoj më lutje fitimtare ku të lavdërojmë emrin e Jezuit dhe plagët e Tij, të cilat edhe vetë ferri duhet t'i pranojë se janë paga e shpengimit dhe shpagimit tonë. Emri i çdo personi apo grupi për të cilin lutemi mund të përmendet në çdo kërkesë tonën. Kur njerëzit i kushtohen një ndërmjetësimi të tillë, lutjet e tyre gjithmonë do të rezultojnë në çlirimin e shpirtrave nga robëria. Efektshmëria e ndërmjetësimit varet nga fakti se sa i sinqertë është ai.

Një shenjë që tregon se e kemi marrë diçka seriozisht tregohet kur kësaj i kushtoj më kohë dhe energji, duke e konsideruar atë më urgjente se gjithçka tjetër.Ne tregojmë se lutja jonë është e zjarrtë, kur kalojmë kohë duke u lutur çdo ditë për njerëz apo grupe njerëzish të veçantë dhe, nëse është e mundur, kur bashkohemi me të tjerët në betejën tonë të lutjes. Pushteti i Satanit gjithmonë do të thyhet. Vetëm Zoti vendos se sa e gjatë do të jetë beteja. Kjo varet nga kryeneçësia e çdo rasti. Nganjëherë kërkohet shumë durim dhe këmbëngulje, por Jezui gjithmonë do të japë fitoren në përgjigje të kësaj lutjeje.

Sipër


Lutja - një bisedë e përditshme me Perëndinë

Cila duhet të jetë përmbajta e lutjeve tona të përditshme? Në çdo rast lutjet tona duhet të përfshijnë betejën e besimit kundër mëkatit si dhe ndërmjetësimin. Por pjesa tjetër do të ndryshojë nga situata në situatë. Kjo do të varet nga fakti nëse jemi në një periudhë të thatë apo në një kohë kur lutjet na vijnë lehtë; do të varet nga fakti nëse kemi nevoja specifike për të cilat duhet të lutemi apo nëse duhet të luftojmë kundër shqetësimeve dhe dyshimeve që kërkojnë të na shtypin.

Megjithatë, nuk është kjo e gjitha. Të lutesh do të thotë të vish para Atit Perëndi dhe Jezuit me gjithë qenien tënde. Ne takohemi me Të. Jemi të ndërgjegjshëm se Ai është atje, se po i afrohemi dhe se po fillojmë një bashkëbisedim me Perëndinë. Se, në fund të fundit, çfarë është lutja? A mos është ndonjë gjë tjetër veç bisedës me Perëndinë? Çdo njeri mund të futet në një bisedë të tillë, pasi një fëmijë ka të drejtë të flasë më atin e tij dhe t'i zbrazë atij zemrën. Pra, ashtu si një fëmijë mund t'i tregojë atit të tij gjithçka, po kështu edhe një fëmijë i Perëndisë mund t'i tregojë Atit të tij dhe Zotit e Shpëtimtarit të tij Jezu gjithçka që ai ka në zemër. Është një gëzim për Atin Perëndi kur një fëmijë i drejtohet Atij me gjithçka që ka. Jezui, Shpëtimtari dhe Mjeku ynë i madh, gëzohet kur të sëmurët shkojnë tek Ai me gjithë dhimbjet e sëmundjet që kanë. Dhe si Dhëndërri ynë qiellor Ai gëzon kur Nusja e Tij i drejtohet me fjalë të dashura.

Çfarë hiri tregon Perëndia kur ne, bijve të njeriut, na lejohet të flasim me Të! Vërtet mund të bëjmë atë që psalmisti na fton të bëjmë: ti hapim vazhdimisht zemrën Atij (Psalmi 62:8). Ne duhet t'i tregojmë Atij gjithçka që kemi në zemër çdo zhgënjim, çdo mundim e tundim që nuk mund ta mposhtim, problemet që kemi me njerëzit e tjerë, gjithçka që ka vënë një barrë të rëndë në zemrën tonë. Kur i tregojme Jezuit gjithçka që kemi, do të dëgjojmë përgjigjet e Tij në zemrën tonë. Ndoshta Ai do të na qortoj ë ose do të na ngushëllojë. Ndoshta Ai do t'i drejtojë mendimet tona në një rrugë të caktuar në mënyrë që ne të marrim ndihmën e duhur.

Kam zbuluar se të futurit në një bisedë të përditshme me Perëndinë është ndihma më e madhe në jetë. Gjithë shqetësimet dhe problemet e mia ia tregoj Atij. Jo vetëm që ankthet e mia zhduken, por gjithashtu qëndroj në lidhje të vazhdueshme me Të.

Kjo kohë e qetë e përditshme në lutje, kjo bisedë e përditshme me Perëndinë, më ka sjellë një dhuratë akoma më të vyer. Ajo më zbulon zemrën e dashur të Atit. Ai pret që fëmijët e Tij t'i shprehin dashurinë e tyre me fjalë dhe me përkushtim. "Afrohuni te Perëndia dhe Ai do të afrohet te ju" (Jakovi 4:8). Afrohuni tek Ai! Kur afrohemi tek Ai, ne duhet ta lavdërojmë Atë në fjalë dhe këngë duke shpallur se kush është Ati ynë. Ai është Ati më i mirë; Ai është Ati më i mëshirshëm; Ai ka një zemër të mbushur me dashuri; Ai është një At plot me hir dhe durim; I Ai është Ati i ngushëllimit; Ai është besnik; emri i Tij është "Po" dhe 'Amin". Pastaj Ai afrohet te ne dhe ne gëzojmë kur dimë që jemi fëmijë të Tij dhe që në Të jemi të sigurt. Në këtë mënyrë ne afrohemi edhe më pranë zemrës së Tij.

Jezui, gjithashtu, pret që ne të afrohemi tek Ai. Jezui është dashuri. Ja pse Ai e quan veten Dhëndërri. Ai po pret që Nusja e Tij t'i përkushtohet; Ai po pret dashurinë e saj. Afrohemi tek Ai duke e lartësuar dhe adhuruar. Ne ngremë lart emrin e Tij duke shpallur se kush Ai është. Ai është më i miri nga bijtë e njeriut. Ai është Qengji në fronin më të lartë. Ai është Burimi i pashtershëm i gëzimit. Ai është Mbreti mbi mbretër, Princi i fitores, që mposhti ferrin dhe vdekjen. Pastaj dashuria e jonë për Të rritet më e fortë dhe Ai vjen gjithnjë e më pranë nesh. Shkrimi i Shenjtë dëshmon për këtë: "Unë i dua ata që më duan" (Proverbat 8:17) dhe Jezui premton se do të bëjë banesën e Tij tek ai që e do Atë (Gjoni 14:23).

Në mënyrë të natyrshme rrjedh që kjo bisedë e përditshme na bën të lidhemi me Frymën e Shenjtë. Ne na nevojitet drejtimi i Tij për gjithë problemet dhe pyeijet që kemi, të cilat ia japim Perëndisë. Është Shpirti i Shenjtë Ai që na zbulon lavdinë e Atit dhe të Birit. Ai vjen në ne si Fryma e adhurimit. Poj Ai është gjithmonë aije k.ur ne i afrohemi më pranë zemrës së Atit Perëndi dhe Jezuit.

Lutja e përditshme duhet të na sjellë sa më pranë zemrës së Perëndisë. Përndryshe, ajo nuk e përmbush qëllimin e saj. Nuk është e mjaftueshme që vetëm të lutemi për nevojat tona e të të ijerëve, apo të luftojmë betejën e besimit kundër mëkateve tona. Gjithë këto janë domosdoshme por jo të mjaftueshme. Gjëja kryesore është që zemra jonë të afrohet më pranë asaj të Perëndisë. Në këtë bashkim, që është forma më e lartë e luijes, do të jepemi e përkushtohemi plotësisht dhe me vërtetësi ndaj Zotit. Kur adhurojmë dhe biem përmbys para Jezuit, do të motivohemi nga dashuria e Tij për t'ia nënshtruar veten Atij më plotësisht dhe t'i kushtohemi Atij si flijim i gjallë. Ndoshta në këtë kohë përkushtimi ne mund t'i hedhim këto akte përkushtimi në shkrim. Të frymëzuar nga zjarri i dashurisë së Tij,koha e lutjes sonë të përditshme do të bëhet një flakë dashurie - që e gjen forcën nëpërmjet përkushtimit dhe sakrificës - flakë që do ta çojë zjarrin e saj nga njëra ditë në tjetrën.

Kjo bisedë dashurie me Atin Perëndi, më Zotin tonë Jezu krisht dhe me Frymën e Shenjtë është kurora e gjithë lutjeve. Ajo është gjithashtu edhe rrënja e gjithë lutjes së pastër. Vetëm ajo që lind prej dashurisë ka jetën hyjnore. Perëndia është i përjetshëm, jetë hyjnore, sepse është dashuri. Vetëm një jetë e tillë lutjeje jep fryt pambarim.

Gjithmonë për Ty do të mendoj, O Zot.
Jezu prano këtë kërkesë timen sot:
Merr, O Zot, gjithçka që mund të kem,
Dhe përjetë Yti të jem.

Sipër


Titulli i origjinalit: Mein Beten
©Verlang Evangelische Marienchwesternschaft
Darmstadt-Eberstard, 1995
All right reserved


Ktheu tek faqja: Lutje

pixelburg.gif (801 bytes)

© Copyright  Të Krishterët  Përgjigjen
Faqja Kryesore | Kush Jemi | Të RejatKontakt | Kërko

"Të jini gjithëherë të gatshëm t'u jipni përgjigje çdo njërit që kërkon nga ju shpjegime per shpresën që ju keni (1 Pjetrit 3:15)"