Kapitulli 6: Fjala e besueshme

Ka prej miqve myslimanë nga ata të cilët e pranojnë se Tevrati, Psalmet dhe Inxhili janë libra që Perëndia i ka dhënë nëpërmjet profetëve. Megjithatë, disa prej tyre mendojnë se këto libra, të cilët gjenden në Bibël, tashmë janë' mansukh' - zhvlerësuar, apo eleminuar. [1] Ata shpallin se mesazhi i Muhamedit, Kur'ani pra, i ka zëvendësuar të gjitha, duke përfshirë edhe Ungjillin e Jezusit dhe se ky mesazh i Muhamedit nuk do të zëvendësohet nga asnjë mesazh tjetër deri ditën e gjykimit. Është e rëndësishme të dimë se nuk gjendet asnjë varg i vetëm në Kur'an që të mbështetë këtë ide.

A mos thuhet vallë në Bibël se Ligji i Moisiut u zëvendësua prej  Psalmeve? Përkundrazi, e vërteta është ndryshe. Davidi thotë: 'Ligji i Zotit është i përsosur, ai e përtërin shpirtin; dëshmia e Zotit është e vërtetë dhe e bën të ditur njeriun e thjeshtë'.[2] Ndaj Zaburi (Psalmet) vetëm sa konfirmojnë vërtetësinë e Tevratit.

A mos shpalli Jezusi se zbulesat e mëparshme zhvlerësoheshin me ardhjen e tij? Përkundrazi, e gjejmë të thotë: 'Mos mendoni se unë erdha 'për të shfuqizuar ligjin ose profetët; unë nuk erdha për t'i shfuqizuar, por për t'i plotësuar'.[3]

A mund të zhvlerësohet vetë Inxhili? Jezusi ka thënë: 'Qielli dhe Toka do të kalojnë, por fjalët e mia nuk do të kalojnë'.[4] Ndaj dhe s'duhet të habitemi se pse Dhiata e Re na kujton se: 'çdo mish është si bari dhe çdo lavdi njeriu si lulja e barit; bari thahet dhe lulja bie, por Fjala e Zotit mbetet përjetë'.[5]

Pra, nuk kemi zëvendësim të një mesazhi me një mesazh tjetër. Përkundrazi, Perëndia ndërton mbi atë çfarë ka thënë më përpara, duke e thelluar dhe duke e bërë më të qartë vullnetin e tij.

Dëshmia e Kur'anit

Nuk mund të gjejmë asnjë varg në Kur'an që të na tregojë se Bibla është zhvlerësuar. Dy herët e vetme ku është përdorur fjala 'nasakha' (të anullosh), u referohen disa vargjeve të vetë Kur'anit dhe jo Biblës.[6] Në fakt, në Kur'an gjenden vargje që aprovojnë Shkrimin e mëparshëm - Biblën  ku u kërkohet jehudëve (hebrenjve) dhe të krishterëve që të mbështeten në atë që iu është zbuluar atyre.[7] Sa i admirueshëm fakti që vetë Kur'ani' na thotë që të mbështetemi tek ajo që lexojmë në Bibël. Fjalët e Jezusit nuk do të kalojnë kurrë. Jezusi i foli në kohën e tij njerëzimit vetëm të vërtetën dhe për shkak se njerëzimi është i njëjtë edhe sot, kjo e vërtetë vlen edhe për ne.

Flijimet e kafshëve

Disa mund të pyesin: 'Pse nuk i kushtojnë të krishterët flijime Perëndisë, pse nuk mbajnë ditën e pushimit apo pse nuk rrethpresin fëmijët e tyre sipas udhëzimeve të Tevratit (Toras)'? Dhiata e Vjetër na tregon se kur Adami dhe Eva mëkatuan dhe u larguan nga prania e Perëndisë, ata u urdhëruan që të kushtonin flijime sa herë që donin të pranoheshin prej Perëndisë. Shohim se Abrahami, Moisiu, Davidi dhe shumë të tjerë kushtuan flijime të tilla. Këto ishin veçse një imazh i flijimit përfundimtar që do të bëhej nga Jezusi, Shpëtimtari i premtuar. Detajet për ardhjen e tij janë profetizuar në shumë nga pjesët e mëparshme të Biblës. Këto do t'i studiojmë më tutje në një kapitull tjetër.

Davidi profetizoi tek Psalmet, 'Ti nuk kënaqesh as me flijime, as me oferta;... Ja, po vij,... Gëzohem kur zbatoj vullnetin Tënd...'[8] Shohim në Dhiatën e Re se Jezusi e përmbushi këtë profeci duke e ofruar veten e tij si një flijim për ne.[9] Pagesat për një borxh duhen bërë derisa e tërë shuma të plotësohet dhe borxhi të paguhet. Po kështu edhe flijimet e kafshëve ishin të nevojshme deri në flijlmin e Jezusit. Ai vuajti një herë e përgjithmonë, në mënyrë që të na sjellë pranë Perëndisë.[10] Ndaj dhe kur besojmë në Jezusin, ajo çfarë Perëndia pret nga ne është një sjellje e mirë dhe një jetë që e lavdëron atë.[11]

Dita e pushimit dhe ligjet ceremoniale

Dita e pushimit (Sabati) u caktua si një ditë e tillë në kujtim të faktit që Perëndia e përmbushi detyrën e tij në gjashtë ditë. Një njeri pasi beson në Jezusin, bëhet krijesë e re. Ndaj ai përkujton një ditë tjetër, atë kur e gjitha kjo u bë e mundur, dita kur u ringjall Jezusi (dita e parë e javës). Ndaj, është kjo dita kur të krishterët çlodhen dhe gëzojnë, duke u mbledhur së bashku për të adhuruar dhe lavdëruar Perëndinë.

Rrethprerja ishte një shenjë e besëlidhjes që Perëndia bëri me Abrahamin. Moisiu e bëri të qartë kuptimin e saj shpirtëror kur tha, 'Zoti, Perëndia yt, do ta rrethpresë zemrën tënde dhe zemrën e pasardhësve të tu, që ti ta duash Zotin, Perëndinë tënd me gjithë zemër e me gjithë shpirt, e kështu ti të jetosht[12].' Shekuj më vonë, Perëndia tha nëpërmjet profetit Jeremia: 'Ja do të vijnë ditët... kur do të vendos një besëlidhje të re me popullin e Izraelit... jo si besëlidhja që kam vendosur me etërit e tyre... Kjo është besëlidhja që do të vendos... Do ta shtie ligjin tim në mendjen e tyre dhe do ta shkruaj mbi zemrën e tyre...'[13] Kjo besëlidhje e re rregjistrohet në Dhiatën e Re. Rrethpreja e brendshme e zemrës është përvoja e çdo të krishtëre të vërtetë.

Format e adhurimit mund të ndyshoj në, por vetëm Perëndia është i denjë për adhurim. Një profet mund të vdesë dhe një tjetër mund të vijë, por Fjala e Perëndisë nuk mund të anulohet. E shohim se e vërteta e Perëndisë nuk iu është dhënë njerëzve e gjitha në një kohë, por, siç e thotë Bibla: 'Perëndia pasi u foli së lashti shumë herë dhe në shumë mënyra etërve me anë të profetëve, së fundi, këto ditë na ka folur me anë të Birit'.[14] Jezusi erdhi për të përmbushur misionin e Perëndisë njëherë e përgjithmonë. Ky mesazh i Perëndisë nuk është zhvlerësuar; ai është i përjetshëm.

Le të hedhim një vështrim tek disa të vërteta që Jezusi na mësoi. Hapeni Biblën tek Dhiata e Re dhe gjeni rrëfimin e parë të jetës së Jezusit, i quajtur Ungjilli sipas Mateut. Shkoni tek kapitulli 5 dhe filloni leximin prej vargut 1. Këto vargje tregojnë për rrugën drejt lumturisë dhe bekimeve të vërteta. Për këtë arsye janë quajtur 'Lumturitë'.

Jezusi mëson se parajsa nuk i pret arrogantët dhe krenarët, por ata që me përulje e rrëfejnë se janë të varfër në shpirt dhe kanë nevojë që Perëndia t'i mësojë (vargu 3). Perëndia shkon tek ata që vajtojnë për dobësitë dhe paaftësitë e tyre dhe jo tek ata që shpallin se dinë gjithçka dhe gjejnë kënaqësinë tek vetja (vargu 4). Zemërbutët dhe të përulurit do të gëzojnë favorin e Perëndisë e jo krenarët dhe mburravecët (vargu 5). Jezusi thotë se një zemër e mëshirshme do të marrë mëshirë nga Perëndia (vargu 7). Pastërtia fillon nga zemra dhe kur zemra e njeriut të jetë e pastër, atëherë ai do të shohë Perëndinë (vargu 8).

Nuk njihemi si fëmijë të Perëndisë kur urrejmë, jemi zemërakë apo të dhunshëm, por kur vihemi në paqe me vetveten, me ata që na rrethojnë dhe me Perëndinë. Ky mësim i mrekullueshën nuk mbaron me kaq. Por, sigurisht, kjo tregon që Inxhili (Ungjilli) është i përjetshëm, për shkak se zbulon të vërtetën e përjetshme.

Referimet

1. Tafsir Baidawi, Mbi Kur'an-in 9:29
2. Psalmi 19:7
3. Mateu 5:17
4. Mateu 24:35
5. 1 Pjetrit 1:24-25
6. Kur'an 2:106, 22:51, shiko 16:101
7. Kur'an 5:44-48
8. Psalmi 40:6-8
9. Hebrenjve 10:6-10
10. 1 Pjetrit 3:18
11. Hebrenjve 13:15-16
12. Ligji i Përtërirë 30:6
13. Jeremia 31:31-33
14. Hebrenjve 1:1-2


Ktheu tek faqja: Përmbajtja e Librit

pixelburg.gif (801 bytes)

© Copyright  Të Krishterët  Përgjigjen
Faqja Kryesore | Kush Jemi | Të RejatKontakt | Kërko

"Të jini gjithëherë të gatshëm t'u jipni përgjigje çdo njërit që kërkon nga ju shpjegime per shpresën që ju keni (1 Pjetrit 3:15)"