I vetmi Përendi i vërtetë

Siç e dimë të gjithë, "lutja e Zotit" nuk u lut kurrë nga Zoti ynë. Ajo ishte një model lutjeje: "Ju, pra, lutuni në këtë mënyrë: Ati ynë që je në qiej, u shenjtëroftë emri yt..." (Mat. 6:9). Përsëritja e këtyre fjalëve pa pushim (në vend që t'i përdorim ato si një model lutjeje nga zemra) do të ishte mosbindje ndaj Zotit dhe do ta çonte dikë në atë që Ai vetë e ndaloi rreptësisht: "përsëritje të kota" (6:7).

Sigurisht, kjo lutje është vetëm për ata që e njohin Perëndinë si Atin e tyre qiellor. Është gabim i rëndë ta pranosh si të vërtetë Atësinë universale të Perëndisë dhe vëllazërinë e tillë të njeriut, një gabim ky i zakonshëm për pseudokrishterimin. Për shembull, një shërbesë tipike e kishës së Unitetit e përfshin shpesh e njëzëri këtë pohim: "Unë jam një fëmijë i Perëndisë dhe prandaj nuk trashëgoj sëmundje". Të tilla "rrëfime pozitive" kanë ngatërruar shumë njerëz në rrugën e gabuar. Pali shpalli se ne bëhemi "bij të Perëndisë me anë të besimit te Jezu Krishti" (Gal. 3:26).

Fakti që kjo marrëdhënie me Perëndinë si Atë nuk vjen përmes lindjes natyrale është i qartë. Atyre që mburreshin se ishin "bij të Abrahamit", Krishti iu përgjigj: "Ju jeni nga djalli, që është ati juaj, dhe doni të bëni dëshirat e atit tuaj" (Gjo. 8:44). Rebelimi i Adamit dhe Evës, prej të cilit ata u bënë ndjekës të Satanit që është "perëndia i kësaj bote" (2 Kor. 4:4), e bënë djallin patriarkun e njerëzimit.

Kjo është arsyeja që Krishti i tha Nikodemit: "Nëse një nuk ka rilindur, nuk mund ta shohë mbretërinë e Perëndisë" (Gjo. 3:3). Lindja frymërore është një nevojë absolute e nuk lejon asnjë përjashtim. Në qiell nuk do të jetë askush që nuk ka "rilindur" nga "uji dhe nga Fryma" (v. 5).

Ekziston një shpërdorim i zakonshëm i kësaj lutjeje midis ekipeve atletike amerikane. Një përqindje e lartë e ekipeve në Amerikë (sidomos në futbollin e shkollave të mesme) e përdorin "Lutjen e Zotit" ose përpara ose mbas lojës. Qëndrimet e pjesëmarrësve variojnë nga skepticizmi te përqeshja e ndrydhur te një pranim me supe e deri te diçka që herë pas here mund të sjellë "fat të mirë". Kjo traditë amerikane është një neveri para Perëndisë.

Fil Xhekson, një nga trajnerët më të suksesshëm në historinë e NBA-së, u largua nga pentakostalizmi ku prindërit e tij bashkëpastorë e edukuan te budizmi i Zenit dhe te okultizmi i "spiritualizmit" të indianëve Lakota. Megjithatë ai vazhdon të përsëritë "lutjen e Zotit" dhe për vite të tëra i ka inkurajuar skuadrat e tij të veprojnë kështu pa e njohur Perëndinë apo Krishtin. Kjo praktikë jobiblike ka qënë një nga veglat kryesore mashtruese të Satanit.

Pështjellimi rritet mbi atë se ç'do të thotë të "rilindësh". Qarkullon një mësim disi i zakonshëm se fjalët e Krishtit "nga uji" i referohen qeskës së ujit mbrojtës amniotik që çahet në lindjen natyrore, ndërsa "nga Fryma" i referohet të qenit i lindur nga Fryma e Perëndisë në lindjen e dytë. Kjo e dyta është e vërtetë, por e para është e rreme.

Çdo njeri bëhet pjesë e racës njerëzore përmes lëngut amniotik. "Lindur nga uji" duhet të nënkuptojë më shumë se kaq. Do të ishte e tepërt të thuhej se për të rilindur dikush duhet tashmë të ketë lindur njëherë. Veç kësaj, kjo doktrinë do të vendoste një kufizim jobiblik për hyrjen në qiell! Një propozim i tillë do të thoshte se nuk ka shpëtim për këdo që nuk ka përjetuar lindjen natyrore. Kështu asnjë fetus që ka vdekur për çfarëdo arsye përpara se të vinte në lindje të plotë nuk mund të konsiderohej një person i vërtetë i përshtatshëm për lindjen e dytë dhe qiellin dhe si rrjedhim duke e lejuar abortin në çdo fazë.

Mësimi biblik i "lindjes së re" (të bëhesh një i krishterë "i rilindur") ka shkaktuar shumë polemika. Katolikët, presbiterianët, luteranët dhe të tjerë besojnë se kjo ndodh gjatë pagëzimit. Siç është përmendur më parë  (shiko THEB Gusht 2004), çdo kishë luterane ndjek Katekizmin e Vogël të Luterit. Kur pagëzohet (zakonisht një foshnjë), personi merr një certifikatë që thotë: "Në pagëzim ty të është dhënë shpëtim i plotë; Perëndia është bërë Ati yt; dhe ti je bërë fëmijë i Tij përmes këtij akti...".

Në fakt, Bibla mëson se pagëzimi (sikurse "lutja e Zotit") është vetëm për ata që e kanë besuar ungjillin. Pagëzimi dëshmon besimin përmes të cilit dikush rilind. Përndryshe do të ishte e pakuptim. Pagëzimi i foshnjave kundërshton hapur Shkrimet, mohon ungjillin dhe është një rrjetë kryesore përmes së cilës "perëndia i kësaj bote" mbledh turma të tëra në mbretërinë e tij, duke u dhënë atyre një siguri të rreme që i pengon ata të shohin nevojën e tyre për të pranuar Krishtin si Shpëtimtar dhe Zot.

Si mund të mbrojë një kishë pagëzimin e një foshnje që nuk mund as të kuptojë as të besojë? Ai ishte i nevojshëm për të patur njëfarë efekti, siç thotë katekizmi, "në këtë akt të pagëzimit...". Kjo gënjeshtër okulti e fuqisë frymërore e gjendur në pagëzim dhe e çliruar përmes tij, djegies së një qiriu a të temjanit, kryerjes së ritualeve, lëvizjeve të duarve nga prifti, tonit të zërit etj., ka qenë për mijëra vjet thelbi i ritualeve të mistershme, magjike, pagane etj., që antropologët sot e quajnë shamanizëm.

Ky mashtrim shkatërrues njihet edhe si sakramentalizëm-një herezi kaq e gjallë për katolicizmin që ka edhe termin e saj latin:  ex opere operato (d.m.th. "në vetë aktin"). Të mohosh këtë doktrinë për sa i përket sakramenteve zyrtare do të thotë të mohosh kishën katolike, për të cilin dënimi është shkishërim automatik (i barasvlefshëm me të qenit i dënuar në ferr). Ja ku është nga Kanunet dhe Dekretet e Këshillit të Trentos: Sesioni i Shtatë...dita e tretë e marsit, 1547, Dekret në Lidhje me Sakramentet...Kanune mbi Sakramentet në Përgjithësi [ende në fuqi të plotë]:
 

Kan. 4. Nëse dikush thotë se sakramentet e Ligjit të Ri nuk janë të nevojshme për shpëtim por...që pa ato ose pa dëshirën për to njerëzit marrin nga Perëndia nëpërmjet vetëm besimit hirin e shfajësimit...qoftë i mallkuar.

Kan. 8. Nëse dikush thotë se përmes sakramenteve të Ligjit të Ri hiri nuk jepet ex opere operato, por që vetëm besimi në premtimin hyjnor është i mjaftueshëm për të marrë hir, qoftë i mallkuar.

Kjo herezi e rëndë e sakramentalizmit vazhdon të joshë në forma të ndryshme shumë kisha "të reformuara". Për shembull, R. C. Sprouli e justifikon pagëzimin e foshnjave duke e krahasuar atë me rrethprerjen: "Rasti biblik për pagëzimin e foshnjave të besimtarëve qëndron te paraleli midis rrethprerjes [ në DH.V.] dhe pagëzimit të DH.R. si shenja dhe vula të besëlidhjes së hirit.... Rasti i Dhiatës së Vjetër e kërkon atë" (Bibla Studimore e Gjenevës, fq. 38).

Etiopiasi të cilit Filipi sapo i kishte predikuar Krishtin nga Isaia 53 (Vep. 8:29-35) pyeti, "Ja uji! Çfarë më pengon të pagëzohem? Dhe Filipi tha: "Nëse ti beson me gjithë zemër, mund ta bësh" (8:36,37). Pastaj Filipi e pagëzoi atë—jo me spërkatje apo duke derdhur ujë mbi të por, kuptohet, me zhytje, sepse "të dy […] zbritën në ujë" (v. 38). Pagëzimi shpall publikisht besimin e dikujt, duke e identifikuar besimtarin me Krishtin në vdekjen, varrosjen dhe ringjalljen e Tij. Mbi një kufomë nuk spërkatet dhe. Kufoma varroset. Nëse "lindur nga uji" nuk i referohet lëngut amniotik ose pagëzimit, çfarë do të thotë atëherë? Lindja e dytë është nga Fryma e Perëndisë dhe nga uji (Gjo. 3:5), simbol i Fjalës së Perëndisë, si në "larjen e ujit me anë të fjalës" (Efe. 5:26) dhe "Ju tashmë jeni të pastër, për shkak të fjalës që ju kumtova" (Gjo. 15:3). Kur e besojmë ungjillin, ne rilindim dhe lahemi: "Ai na shpëtoi […] me anë të larjes së rilindjes dhe ripërtëritjes së Frymës së Shenjtë". Pjetri tha: "Jeni ringjizur […] me anë të fjalës së Perëndisë […] që iu është shpallur nëpërmjet ungjillit" (1 Pje. 1:23-25).

Duke qënë se jemi futur në familjen e Perëndisë, ne i drejtohemi Atij si "Atë" në lutje. Në lutjen e Tij si kryeprift (vërtet "lutja e Zotit" që Krishti u lut), Ai shpalli: "Dhe kjo është jeta e përjetshme, të të njohin ty, të vetmin Perëndi të vërtetë, dhe Jezu Krishtin që ti ke dërguar" (Gjo. 17:3). Pra, lindja e re përfshin të vetmin Perëndi të vërtetë—jo të qenit "i rilindur" nëpërmjet pagëzimit, aq më tepër ai i foshnjave.

Ka me miliarda të ashtuquajtura perëndi dhe lutje të numërta për secilin prej tyre në fetë e ndryshme që ata përfaqësojnë. Bibla dënon secilin prej tyre me fjalë të padyshimta:

Sepse gjithë perënditë e kombeve janë idhuj, por Zoti ka bërë qiej.... Jepini Zotit lavdinë që i takon emrit të tij.... Dridhuni para tij, o banorë të të gjithë tokës.... Ai vjen për të gjykuar tokën. Ai do ta gjykojë botën me drejtësi dhe popujt me të vërtetën e tij (Psa. 96:5-13).

Një gjuhë e tillë përqeshet nga "Ateistët e Rinj" si Riçard Daukinsi, i cili thotë se ateisti duhet "të përhapë lajmin e mirë. Ungjillëzimi [për ta kthyer botën te ateizmi] është një detyrë morale". Megjithëse Bibla e dallon qartë krishterimin nga të gjitha fetë dhe i veçon udhëheqësit e tyre (Buda, Muhamedi etj.) nga Krishti, i cili është unik, ateistët nuk e bëjnë një dallim të tillë. Si rrjedhim, pjesa më e madhe e argumenteve të tyre janë të pavend.

Bibla i dënon të gjitha fetë si vegla të Satanit për ta mbajtur njerëzimin në errësirë, të shkëputur nga drita e ungjillit përmes të cilit dhe vetëm atij dikush mund të shpëtohet, sepse "perëndia i kësaj bote i ka verbuar mendjet atyre që nuk besojnë" (2 Kor. 4:4).

Ateizmi është thjesht një nga fetë e botës dhe në argumentet e tij kundër Perëndisë dhe krishterimit pasqyrohet një verbëri satanike. Një artikull i vonë shekullar rreth Ateistit të Ri titullohej: "Kisha e jobesimtarëve". Dhe ajo është një kishë—një kishë që çdo njeri duhet t'i përkasë, nëse ateistët ia dalin mbanë. Në entuziazmin e tyre për të shkatërruar "besimin fetar" dhe për ta kthyer tërë botën në fenë e tyre, ata janë të verbër ndaj besimit të vërtetë që i motivon të krishterët biblikë.

Daukinsi thotë: "Besimi është një prej të këqijave më të mëdha të botës….[Ai është] besim që s'është i bazuar në prova [dhe] e meta kyesore e çdo feje". Megjithatë, Francis Kollins (përgjegjës për Projektin e Gjenit Njerëzor që përfshin 2,300 shkencëtarë), i cili u kthye nga mosbesimi te besimi në Krishtin, thotë se përkufizimi që Daukinsi i bën besimit "sigurisht që nuk përshkruan besimin e besimtarëve më seriozë të historisë dhe as atë të pjesës më të madhe të atyre që unë njoh personalisht".

Shumë shkencëtarë të famshëm, fitues të çmimit Nobel dhe disa nga historianët dhe ekspertët ligjorë më të mëdhenj janë kthyer nga ateizmi te besimi në Krishtin e ringjallur—jo nga ndonjë përvojë emocionale apo mistike, por nga prova të vërtetueshme. Pionerët e hershëm në shkencë, si Kepleri, pohuan se ishte saktësisht bindja e tyre që ekziston një krijues i cili e frymëzoi shkencën e tyre në lartësi gjithnjë e më të larta.

"Feja është jo vetëm e gabuar, por ajo është e keqe", shfryjnë ateistët, të pavetëdijshëm se krishterimi biblik nuk është një fe, por një marrëdhënie me Perëndinë përmes Jezu Krishtit. Ateistët kryesorë flasin zhurmshëm kundër fesë, duke qenë të verbër ndaj faktit se Bibla nuk është për fenë. Në më shumë se 1,000 faqet e saj, fraza "besim fetar" nuk gjendet as njëherë, fjala "fe" përmendet vetëm pesë herë, të pesta në një varg dhe fjala "fetar" dy herë në vargun pasues. Të gjitha këto referenca përveç njërës flasin në mënyrë kritike për "fenë". Veç kësaj, në këto pak raste që ajo përmend fenë, Bibla nuk nënkupton kurrë atë që ateistët dënojnë pa u menduar.

Në luftën e tyre kundër Perëndisë, Daukinsi dhe shokët e tij reformistë i barazojnë pandershmërisht "fondamentalistët" e krishterë me myslimanët vrasës. Në fakt, vetë ateistët janë fondamentalistë, duke kërkuar t'i diktojnë botës interpretimet e tyre të shtrembëruara të parimeve bazë të shkencës.

Atesitët e Rinj nuk mund të jenë në padije edhe për faktin se parimet bazë të islamit (sipas Kuranit, Haditheve, dogmave dhe shembullit të Muhamedit dhe 1,300 vjet histori) mësojnë se islami duhet të detyrohet mbi tërë botën duke i vrarë të gjithë ata që refuzojnë t'i nënshtrohen Allahut. Krishti mësoi dhe jetoi krej ndryshe. Megjithatë Ateistët e Rinj ngulin këmbë duke e barazuar islamin me krishterimin thjesht sepse secili prej tyre konsideroht se është "besim". Akuza të tilla të papërgjegjshme përshkojnë argumentet e tyre.

Po, disa që e kanë quajtur veten të krishterë (papë katolikë, udhëheqës të ortodoksisë lindore, kryqtarë, teleungjillorë të numërt etj.) kanë qenë fajtorë për çdo sjellje të keqe. Por gjatë këtij procesi ata kanë shkelur mësimet dhe shembullin e Krishtit. Ndërsa terroristët myslimanë ndjekin si mësimin islamik ashtu dhe shembullin e Muhamedit dhe të pasuesve të tij të cilët torturuan dhe prenë milionave nga Franca në Kinë për 13 shekuj. Terrorizmi i sotëm është thjesht një tregues i asaj se çfarë do të vazhdojë të bëjë islami nëse mundet.

Parimet bazë të krishterimit të vërtetë përkrahin dashurinë dhe lirinë e zgjedhjes, faljen dhe jo urrejtjen apo dhunën. Këto të fundit janë tiparet dalluese të islamit fondamentalist. Të barazosh parimet bazë të islamit me ato të krishterimit është e qortueshme. Gjithashtu ateistët e barazojnë mbrapsht krishterimin me fanatizmin dhe dhunën e kryqëzatave dhe të inkuizicionit. Por kryqtarët nuk ishin të krishterë biblikë; ata dhunuan gjithçka që Krishti mësoi dhe vranë judenjtë, vëllezërit e Tij, kudo ku ata shkuan. është pandershmëri flagrante t'ia ngarkosh krishterimit biblik sjelljen e keqe të kryqtarëve.

Që nga ditët e Krishtit, mijëra të krishterë nuk ia kanë dhënë besën e tyre Romës, por vetëm Biblës dhe Krishtit. Miliona u martirizuan nga kisha e Romës për shekuj me radhë para lindjes së Luterit. Që nga Reformimi i shekullit të 16-të dhe më tej, miliona katolikë përqafuan besimin vetëm në Biblën dhe në Krishtin dhe me qindra u martirizuan nga papët dhe ushtritë e tyre. Të mos arrish të bësh dallimin midis martirëve dhe vrasësve të tyre është e paarsyeshme.

Ateistët e Rinj, të udhëhequr nga Daukinsi, e quajnë veten "të shndritshmit" dhe i shohin teistët si trutharë. Stivën Uajnbërg, laureat i Nobelit, tha kohët e fundit: "Bota ka nevojë të zgjohet nga ëndrra e gjatë e fesë.... Çdo gjë që ne shkencëtarët mund të bëjmë për të dobësuar ndikimin e fesë duhet bërë dhe mund të jetë në fakt kontributi ynë më i madh ndaj qytetërimit". Riçard Daukinsi thotë: "Më ka ardhur në majë të hundës për respektin që jemi indoktrinuar për t'i dhënë fesë". Fesë? Siç e kemi parë, ateistët bluajnë si mulliri pa kokrra. Në entuziazmin e tyre për ta kthyer botën në fenë e tyre, atesitët zbulojnë injorancën e tyre të plotë për krishterimin biblik. Bibla nuk është një libër fetar dhe nuk përkrah "fenë".

Shumë të krishterë përpiqen të jenë "shkencorë" duke e pranuar evolucionin teist si të pajtueshëm me krishterimin. Ky kompromis nuk lë ndonjë përshtypje te ateistët. Paturpësisht, Daukinsi shpall se "evolucioni duhet të çojë në ateizëm" dhe "lëvizja e ateistëve ka […] një detyrë morale […] për ta përhapur ashpër lajmin e mirë...".

Daukinsi shpall: "A duhet të jenë [teistët] të lirë të imponojnë besimet e tyre te fëmijët e tyre? A ka diçka për t'u thënë rreth përfshirjes së shoqërisë?" Kjo e folur është e rrezikshme dhe totalitare dhe e bën dikë të ketë frikë si nga prindërit ashtu dhe nga fëmijët.

Kishte të drejtë Xhejms Perlofi, që tha:

"Por mos harroni: 'Princesha e puthi bretkosën dhe ajo u kthye në një princ simpatik'. Këtë ne e quajmë një përrallë. Evolucioni thotë se bretkosat shndërrohen në princa dhe ne e quajmë atë shkencë.... A është kjo shkencë? Apo, si mashtrimi me Njeriun Piltdaun, si falsifikimet e embrioneve të Hekelit, si shtrembërimet e Trashëgo Erën dhe imponimet e Gjykatës së Lartë, a janë këto thjesht pjesë e një përpjekjeje të gjatë për të mohuar Perëndinë?"

Ateistët që përfundojnë në ferr nuk mund të fajësojnë Perëndinë që ata e urrejnë për përjashtim nga qielli. Ne duhet të çlirojmë sa më shumë të mundim nga gënjeshtrat e ateizmit.

________________________________________

THEB Shtesë
Një Perëndi që e fsheh Veten
[Fragment nga libri i ardhshëm Psikologjia dhe Kisha]

Nuk ka dyshim se ne jemi në "kohët e vështira" që Pali paralajmëroi se do të karakterizohet nga njerëz që janë "egoistë" (2 Timoteut 3:1-2). Njeriu ka qenë gjithmonë narcist, por për herë të parë në histori vetëdashja lavdërohet dhe përkrahet—dhe në mënyrë egoiste "të shikosh për Numrin 1" merret për virtyt! Madje edhe midis shumë ungjillorëve Perëndia merr shumë pak nderim dhe përgjithësisht trajtohet sikur Ai të ekzistonte kryesisht për të përmbushur dëshirat e njeriut.

Turma të tëra të krishterësh pranojnë në mënyrë jokritike herezi nga një Beni Hin i cili premton shërim fizik që nuk ndodh, por e refuzojnë ndreqjen që do t'ju japë shërimin e domosdoshëm frymëror. Miliona njerëz kërkojnë lumturi, por pak dëshirojnë shenjtëri. Dhuntitë kërkohen etshëm; Dhënësi shpërfillet. Kërkimi është për bekime më tepër se për Bekuesin. Dëshira e Palit "që të njoh atë" (Filipianëve 3:10) është ndryshuar me "që të njoh vetveten dhe t'i kem planet të bekuara nga Ai". Megjithatë Bibla thotë qartë se Perëndia "është shpërblenjësi i atyre që e kërkojnë atë" (Hebrenjve 11:6). Ata që kërkojnë bekime nga Perëndia më tepër se Atë janë për t'u ardhur keq pavarësisht se sa shendet apo pasuri mendojnë ata se marrin përmes të menduarit pozitiv/të mundshëm. Lutje të tilla vetëdashëse nuk marrin "përgjigje" nga Perëndia por nga rrethanat apo Satani.

Shumë të krishterë përfytyrojnë në mënyrë egoiste se vargu i mësipërm na jep një formulë për të patur një makinë, një shtëpi, një punë të mirë dhe gjëra të tjera nga Perëndia. Megjithatë çfarë pazari i keq do të ishte po të fitoje të gjithë botën në vend të Atij! Perëndia dëshiron të na shpërblejë me Veten e Tij, por shumë të krishterë po kërkojnë gjithçka tjetër. Vërtet, ne kemi nevoja në këtë jetë dhe Ai ka premtuar se do t'i sigurojë ato. Por Ai na ka thënë të kërkojmë së pari mbretërinë e Perëndisë (që "nuk është të ngrënët dhe të pirët" [Romakëve 14:17] por Vetë Ai që mbretëron në zemrat tona) dhe drejtësinë e Tij (Mateu 6:33), dhe çfarëdo nevojë që të kemi do të sigurohet. Ata që e kërkojnë Perëndinë me gjithë zemër nuk kanë shqetësime! Ky—dhe jo terapia psikologjike—është kundërhelmi për shpirtrat e trishtuar dhe të frikësuar.
Bota e sotme është duke u turrur nxitimthi drejt gjykimit. Shumë të krishterë, të hutuar pas një ritmi të çmendur, gjejnë pak kohë për të vetmin kërkim që ia vlen në këtë jetë dhe në atë tjetrën: të njohin, të duan dhe të adhurojnë Perëndinë. Krishterimi është kthyer në një formulë: disa këngë, pak lutje, një fjalim i shkurtër, frymëzues, përshëndetje të nxituara në vendpushimin e makinave; pastaj, me një ndërgjegjje që qetësohet kollaj, kemi një largim të nxituar drejt botës së vërtetë të kërkimeve dhe kënaqësive të kësaj bote. Sa paradoksale që jetët e ndjekësve të Tij të vetëquajtur lënë kaq pak vend për Perëndinë! Nuk është në natyrën tonë që ta kërkojmë Atë, por që të fshihemi prej Tij. Ne mund ta kërkojmë Perëndinë vetëm sepse Ai i pari na ka kërkuar neve dhe na tërheq drejt Vetes përmes thirrjes së Frymës së Tij të Shenjtë në zemrat tona. Këtë ka për të bërë Ai nëse është me të vërtetë dëshira jonë e thellë.

Çfarë do të thotë të kërkosh Perëndinë—dhe, në fund të fundit, cili është qëllimi? A nuk është Ai "një Perëndi që e fsheh Veten"? Ku ishte Perëndia në Gulag apo në Aushvic? Ku ka qenë fshehur në Irak, Afganistan, Sudan, Izrael, Somali apo në tërmetet, tufanet, tsunamet, uraganet, përmbytjet dhe zjarret që shkatërrojnë këtë tokë? Ku është Perëndia kur ne lutemi dhe ndiejmë se askush nuk po na dëgjon apo që po kujdeset për ne? Ku dhe përse fshihet Ai kur ne kemi më shumë nevojë për Të? A nuk ndjen Ai keqardhje për vejushën dhe jetimin që qan?
Perëndia nuk vihet dot në lojë. Ai është shumë i dashur dhe i urtë që t'u shkojë në ndihmë atyre që, pasi e kanë bërë një vesh të shurdhër ndaj dëshmisë së krijimit dhe të ndërgjegjjes, tani prapritmas bërtasin në fatkeqësi për ndihmën e Tij. Vetë zgjatja e tragjedisë mund të provojë se është mënyra e vetme që të bindë një zemër kokëfortë për t'u kthyer më në fund tek Ai. Krishti nuk u turr me nxitim në Betani për të ngritur Llazarin nga shtrati i të sëmurit, por priti që ta ngjallte atë nga të vdekurit në një manifestim shumë herë më të madh të fuqisë së Tij. Britma duhet të jetë më e thellë, se një lutje thjesht për çlirim nga problemi. Duhet të shihet gjendja krejt e pashpresë e dikujt pa Perëndinë—e kundërta e vetëvlerësimit, e sedrës së sëmurë etj.,—dhe duhet rrëfyer mëkati i vetëbesimit dhe i vetëdashjes. Duhet të rrëfehet nevoja e dëshpëruar për Atë jo vetëm për rrethanat e tanishme, por për përjetësinë nëse duam të njohim Perëndinë.

Nuk është e lehtë për Perëndinë që të zbulojë Veten. Ai nuk do të shpërblejë kureshtjen e zakonshme. Për ta njohur Atë kërkohet një pasion nga ana tonë. Si mund t'i ndihmojë Ai ata të cilët, nëse Ai do të kryente një mrekulli në përgjigje të britmës së tyre, do të nderonin Budën, Allahun apo ndonjë "frymë" a idhull apo ndonjë forcë okulti? Përforcimi i besimit te një perëndi i rremë nuk do të ishte mirësi, por vetëm sa do ta lëmonte rrugën për në ferr. Perëndia e fsheh Veten—jo prej atyre që mund të shohin, por vetëm prej atyre që nuk munden. Egoja e njeriut është kaq e fryrë që e fsheh atë Perëndi i cili mbush gjithësinë, urtësia dhe fuqia e pafund e të cilit janë të dukshme në çdo yll e gjethe.

Njerëzit janë të vërbër për shkak të ideve të rreme që kanë zgjedhur vetë. Shumica e njerëzve nuk janë të interesuar të njohin Perëndinë e vërtetë, por një "perëndi" që i përshtatet shijes së tyre, me të cilin ata ndjehen rehat dhe që u plotëson dëshirat. Masonët, ithtarët e Epokës së Re dhe shumë anëtarë të programeve të shumta Dymbëdhjetë-Hapa si Alkoolistët Anonimë ngulin këmbë se çdo koncept i një "fuqie më të lartë" shkon; thjesht beso në "Perëndinë ashtu sikurse ti e koncepton Atë se është". Perëndia nuk do t'ia zbulojë Veten këtij besimi të rremë—por Satani me kënaqësi do t'iu ndihmojë për të përkrahur një mashtrim të tillë.

Madje shumë të krishterë të vetëshpallur janë mashtruar nga formula të njohura për të njohur Perëndinë. Një nga më vdekjeprurëset është besimi se Perëndia ose Krishti mund të njihen duke i përfytyruar ata sikurse dikush imagjinon se ata janë. Këto imazhe pamore të lidhura me "shërimin e brendshëm" ose "lutjen e dyanshme" ndonjëherë edhe flasin dhe kjo është mënyra më e shpejtë për të marrë një "udhëheqës frymë" ose "të brendshëm"—fjalë për fjalë, një demon të maskuar si "Perëndi", "Krisht", "Mari" apo cilido që njëri do të takojë dhe të përfytyrojë për këtë qëllim okulti. Në djallëzinë që ndodh nuk hyhet me paramendim, por ajo është një formë gracke për të cilën pjesëmarrësi nuk mund të ankohet, sepse e ka futur veten në teknika jobiblike që e përçmojnë Perëndinë dhe që çojnë në një drejtim që gjykimi i shëndoshë duhet ta shohë si vdekjeprurëse.

Gati tridhjetë vjet më parë, Ajatollah Khoemeini i Iranit tha: "Gëzimi më i pastër në islam është të vrasësh dhe të vritesh për Allahun!" Qysh atëherë, qindra "kamikazë" kanë treguar besimin e tyre në këtë Allah të islamit, i cili premton shpërblime në "parajsë" për vrasjen e grave dhe fëmijëve të pafajshëm, sa më shumë viktima, aq më i madh shpërblimi—dhe sidomos nëse janë judenj. I tillë nuk është Perëndia i Biblës, i cili është dashuri dhe që i fuqizon ndjekësit e Tij të duan në emrin e Tij madje edhe armiqtë e tyre.

Tani Perëndia e fsheh Veten nga një botë e vendosur për të mos e ndjekur Atë, por që ndjek rrugën e vet. Siç ishte në Izrael, po ashtu sot, kushdo dëshiron të bëjë atë që do. Çdo perëndi që e nderon njeriun siç është, që nuk bën thirrje për pendim dhe që premton një paqe të rreme të themeluar mbi "vëllazërinë e njeriut" do të pranohej e nderohej. Perëndia i vërtetë fshihet nga një botë që është zhytur aq thellë që Ai mund ta shfaqë Veten vetëm në gjykimin më të rëndë të njohur ndonjëherë.

Po, "dita e Zotit do të vijë" (2 Pjetrit 3:10). Kur Krishti të kthehet, sikurse iku, në malin e ullinjve, e tërë bota, duke përfshirë peshqit, zogjtë, kafshët dhe insektet, do të dridhet në praninë e Tij (Ezekieli 38:18-20). Perëndia do t'ia zbulojë Veten tërë botës në gjykim: "Çdo sy do ta shohë […] dhe të gjitha fiset e dheut do të vajtojnë për të" (Zbulesa 1:7) dhe çdo mish do të marrë vesh se Ai është Perëndi! Qoftë pasioni ynë që ta njohim dhe ta duam Atë tani. Qofshin jetët tona të karakterizuara nga një frikë plot adhurim për Atë. Dhe le të bindim ata rreth nesh të njohin, përmes Jezu Krishtit, të vetmin Perëndi të vërtetë, njohja e të cilit është jeta e përjetshme.

Nga Dave Hunt


Shkarko një kopje të artikullit të mësipërm në formatin pdf.

Ktheu tek faqja: Thirrja e Bereasve

pixelburg.gif (801 bytes)

© Copyright  Të Krishterët  Përgjigjen
Faqja Kryesore | Kush Jemi | Të RejatKontakt | Kërko

"Të jini gjithëherë të gatshëm t'u jipni përgjigje çdo njërit që kërkon nga ju shpjegime per shpresën që ju keni (1 Pjetrit 3:15)"